Janusz Bugajski: Një fuqi kuçe në Europë
Kandidatët për president në SHBA, Kamala Harris dhe Donald Trump, po i bëjnë shumë elozhe votës polake që ka shumë peshë në “shtetet e lëkundura”, si Pensilvania dhe Miçigani, të cilat do të jenë vendimtare për rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit. Në të njëjtën kohë, vetë Polonia po shfaqet si një fuqi gjithnjë e më me peshë në Europës, siç edhe shpaloset në librin më të fundit të autorit të këtij artikulli që u botua në Uashington këtë muaj.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia përshpejtoi ardhjen e një ndryshi tektonik në sigurinë e Europës, duke i dhënë fund periudhës relativisht paqësore të pas Luftës së Ftohtë dhe duke paralajmëruar një epokë të re për konfliktet ndërkombëtare. Agresioni i Moskës, gjithashtu, zhvendosi epiqendrën e sigurisë europiane drejt lindjes, dhe Polonia u kthye në pikën kyçe të frontit lindor të NATO-s në përballjen e tij me një Rusi ekspansioniste.
Rëndësia e Polonisë në këtë Aleancë është e dukshme në historinë, madhësinë, vendndodhjen, burimet, angazhimet për mbrojtjen, rolin në rajon dhe lidhjet e saj me SHBA-në. Qëndron edhe mbi baza të forta ekonomike, sociale dhe politike. Ekonomia polake është e shtata për nga madhësia në Bashkimin Europian dhe më e madhja në mesin e shteteve të ish-bllokut sovjetik që iu bashkuan BE-së. Ekonomia u rimëkëmb në mënyrë mbresëlënëse pas pandemisë së COVID-19 dhe, për vitet e ardhshme, parashikohet një rritje e qëndrueshme vjetore e produktit të brendshëm bruto (PBB).
Me një popullsi 38 milionë, Polonia ka popullsinë më të madhe nga të gjithë anëtarët e rinj të NATO-s. Vendi përfiton nga rritja e standardeve të jetesës, nivelet e larta të arsimit dhe ekspertiza e rëndësishme profesionale në një ekonomi moderne dhe të larmishme. Polonia ka investuar gjithashtu në diversifikimin energjetik, duke hequr dorë nga karburantet e fosileve ruse dhe duke ia bërë kështu të pamundur Moskës t’i bëjë shantazh dhe presion politik.
Varshava ka investuar seriozisht dhe në mënyrë afatgjatë në sektorin e saj ushtarak, strukturën e forcave të armatosura dhe blerjen e armëve. Buxheti i mbrojtjes u rrit nga 2.5% në 3.9% të PBB-së në vitin 2023, me rritje të mëtejshme të planifikuara gjatë një periudhe pesëvjeçare, për të shtuar aftësitë ushtarake dhe për të dyfishuar numrin e trupave në rreth 300,000. Sipas statistikave të fundit të NATO-s, 23 nga 32 vende kanë arritur objektivin 2% të Aleancës për shpenzime për mbrojtjen. Polonia kryeson tabelën me 4.12%.
NATO, gjithashtu, ka udhëzuar që të paktën 20% e shpenzimeve vjetore për mbrojtjen duhet të shkojnë për blerjen e pajisjeve ushtarake. Varshava ka alokuar më shumë se 50% të shpenzimeve të saj të mbrojtjes për modernizimin e ushtrisë, ky është niveli më i lartë në Aleancë.
Pavarësisht se cila parti është në pushtet, Polonia është duke u kthyer në një lider rajonal, duke marrë shtytje edhe nga historia, potenciali ekonomik, aftësitë ushtarake dhe kundërshtia e paepur ndaj imperializmit rus. Ka disa arsye për shtimin e armatimeve nga ana e Varshavës.
Së pari, mosbesimi ndaj disa prej fqinjëve të saj perëndimorë, veçanërisht ndaj Gjermanisë dhe Francës, të cilët, me gjasa, do ta shmangin çdo konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë edhe nëse Polonia sulmohet.
Së dyti, për t’i treguar Uashingtonit se Polonia është një aleate e besueshme dhe e aftë.
Dhe së treti, Varshava është e vendosur të japë shembullin e vet dhe të inkurajojë anëtarët e tjerë të NATO-s që të përmbushin angazhimet e tyre të mbrojtjes. Polonia e sheh SHBA-në si një aleat të paçmuar që ndihmon në kundërshtimin e thirrjeve naive për “autonominë strategjike” të Europës në Paris dhe Berlin, çfarë do ta linte kontinentin e vjetër të pambrojtur.
Gjatë viteve të ardhshme, Polonia do të përballet me tre sfida që do të kërkojnë vëmendje të menjëhershme në rajon: promovimi i rindërtimit të Ukrainës pas luftës shkatërruese të Moskës; menaxhimi i ndikimit të agresionit të jashtëm të Rusisë në rajon dhe përballja me përhapjen e trazirave të brendshme të Federatës Ruse, që do rrjedhin prej një ekonomie në rënie dhe humbje të rënda ushtarake.
Varshavës do i duhet të zhvillojë një strategji shumëdimensionale me fqinjët dhe aleatët, duke kombinuar fushat e informacionit, kibernetike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake. Me mbështetjen e ngushtë të Uashingtonit, Varshava duhet të përfitojë nga dobësitë e Rusisë, të ndihmojë në mbrojtjen e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s nga çdo pasojë negative prej sigurisë dhe të jetë gati për një periudhë të zgjatur transformimi rajonal, duke përfshirë shfaqjen e subjekteve të reja politike të një Federatë Ruse në shpërbërje.
Militarizimi dhe kërcënimet e Rusisë kundër fqinjëve i kanë mundësuar Polonisë të projektojë ndikimin e saj rajonal. Varshava po ndjek gjithashtu iniciativën “Tre Detet”, si një aleancë e shteteve midis Detit Baltik, atij Adriatik dhe Detit të Zi, bazuar në themele të forta infrastrukturore, ekonomike dhe të sigurisë që do të ndihmonin rajonin të mbrohet në mënyrë më efektive kundër imperializmit të jashtëm.
Polonia do të ketë rol kyç edhe në menaxhimin e pasojave të shpërbërjes së afërt të shtetit rus, përmes diplomacisë aktiviste dhe kontaktit me kombet jo-ruse.
Udhëheqësit polakë e kanë krahasuar rëndësinë strategjike të vendit të tyre me atë të Japonisë dhe Koresë së Jugut në rajonin e Paqësorit. Një aleancë e ngushtë me Poloninë si spirancë e sigurisë transatlantike përfiton drejtpërdrejt interesat globale të Uashingtonit.
Suksesi i Polonisë do të ndihmojë gjithashtu në forcimin e aleancës perëndimore në përballjen me sfida të tjera globale, duke nënvizuar se shtetet e mesme mund të luajnë një rol vendimtar në garantimin e sigurisë rajonale dhe rënien e agresorëve imperialistë.
https://gazetadita.al/nje-fuqi-kyce-ne-europe