Albspirit

Media/News/Publishing

MEMORIAL PËR DËSHMORËT NË PORTËN E PARË TË LABËRISË

(Më datën 19.10.2024 në Qafë të Skërficës është përuruar “shtëpia” e dëshmorëve që luftuan 110 vjet më parë. Miq e dashamirës të shumtë nga Qarku Gjirokastër e Vlorë, deputetë të Parlamentit Shqiptarë, Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Maliq Sadushi, deputeti Petro Koçi e Vullnet Sinaj, Dino Selimi, Tërmet Peçi, Ardi Veliu, Ardit Bido, Prof. Rami Memushaj, Irfan Bilbilaj, Profesor Bernard Zotaj që përfaqësonte edhe Kryetarin e Labërisë Agim Çiraku, Arben Bllaci, Flamur Hasimi që përfaqësonte edhe Kryetarin e OKDA Dr. Gjergj Velo, MSC Behar Salillari nga Departamenti i Dëshmorëve në MM, Dr. Gjergj Bizhga, Dr. Arnold Pashaj, Abaz Goxhaj, klerikë të shquar Hysen Shehu, Dervish Mikel Onjea, Dervish Ermal Hoxha nga Krahësi, Dervish Hetem Resuli nga Koshtani, Mareglen Basho, Gazmend Allkja, Luan Muca, Ëngjëllush Bellaj, Mitat Bellaj, Alush Kërra, Astrit Muho, Sefer Muho, dhe anëtarë të  SHKA “Fushëbardha”, SHHUSH, SHAK “Labëria”, Shoqatat “Vajzë”, “Dukaj”, “Kallarat”, “Dr. Bilal Golemi”, “Lunxhëria”, Organizata e Dëshmorëve, veteranëve, Dega e Labërisë së Sarandës, grupet polifonike të Fushëbardhës dhe Zhulatit, etj., që morën pjesë dhe nderuan në përurimin e memorialit të Skërficës dhe përkujtimit të nëntë dëshmorëve të rënë në luftën e skërficës më 20 deri më 25 Qershor 1914. Merrte pjesë edhe e dërguara e posacme e Kryetarit të Bashkisë së Delvinës Besmir Veli, znj. Erinda Seitaj njëherazi edhe Kryetare e Këshillit Bashkiak të Delvinës, të dërguar të posaÇëm të kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi, por edhe mjaft pjesëmarrës nga Krahina e Kardhiqit, Rrëzomës, Delvinës, Sarandës, Gjirokastrës; ndërsa organizatorët ishin nga SHKA “Fushëbardha”, Nexhip Onjea, Zaho Golemi, Trifon Golemi, Pajtim Bello, Dervish Mikeli, Hosho Onjea, Angjelo Kazo, Teli Resuli, Ana Kazo, Adriatik Cama. Memoriali i Skërficës i hap rrugën memorialit të ri që do bëhet në Senicë për 5 dëshmorë).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Përkujtohet lufta e përgjakshme që u zhvillua më shumë se një shekull më parë në Qafë të Skërficës, në qafën që ndan e bashkon Gjirokastrën me Delvinën, në qafën që konsiderohet një ndër portat e Labërisë, që ka pritur e përcjellë përmes këtyre shtigjeve në shekuj bij të Labërisë që shkonin e vinin luftrave në mbrojtje të truallit arbëror. Lufta e Skërficës është ngjarje më madhore e 110 viteve më parë, një luftë e përgjakshme një javore që ka ngelur në memorien e shqiptarëve si qëndresë luftarake dhe mbijetesë në mbrojtje të truallit shqiptar, të Labërisë.

Skërfica, Fushëbardha, mbarë fshatrat e Labërisë dhe më gjerë kanë qenë dhe kanë mbetur një nga gjëmimet e shumta luftarake të historisë shqiptare dhe më të përgjakshme që tashmë studjohet edhe në Akademinë Ushtarake shqiptare. Lufta e Qafës së Skërficës u zhvillua pas kuvendit të Shtëpëzit të 10 prillit 1914, në kohën kur nisi mësymja masive për të shfarosur jugun e Shqipërisë, të pabindur ndaj qeverisë autonomiste të Zografos, betejës së Cepos e masakrave të shumta në të gjithë jugun e vendit tonë. Është fakt se për këtë luftë të përgjakshme u mobilizuan gjithë resurset e mundshme materiale luftarake e njerëzore të shqiptarëve.

Fakt ishte se gjithë Jugu i Shqipërisë ishte në luftë. Për luftën e Skërficës mobilizimi ishte maksimal dhe organizatorët ishin banorët e Fushëbardhës, ku i ra për pjesë mbrojtja e fshatit por dhe gjithë Labërisë për ti shpëtuar vrasjeve dhe djegjeve masive të andartëve të pamëshirshëm. Fakt është se për këtë luftë çeta e Fushëbardhës doli në frontin e saj në Skërficë me luftëtarë të udhëhequr nga kryeplaku dhe komandanti i çetës së Fushëbardhës Halil Sullo, por luftuan edhe luftëtarë nga Delvina, Gjirokastra, Krahina e Rrëzomës, Krahina e Kardhiqit, Libohova, Çamëria etj. Porta e Labërisë nga ana jugore ishte hyrja nga Luvadhi në Skërfica drejt Fushëbardhës. Skërfica ishte një luftë lokale, ku fqinjët tanë synonin jugun e Shqipërisë, shfarrosjen e një popullate autoktone që jetonte në truallin mijëravjeçar. Kjo çoi fqinjët jugorë drejt objektivit strategjik të vjetër, ku ushtria bashkë me andartët shkaktuan shkatërrime masive, masakra e barbari të panjohura. Lufta në Skërficës nuk është një betejë e shkëputur e vitit 1914. Ajo është vijimësi qëndrese e nisur në frontin e kryeqendrës së vilajetit Janinës si dhe në frontet e tjera të luftës. Në Skërficë foli gryka e pushkës, por edhe me gurë dhe me çfarë të mundnin çeta e Fushëbardhës më 20 qershor 1914 dërgoi një postë të përparuar zbulimi me 12 luftëtarë tek Gurët e Bashe, që kryenin zbulim mbi kampin andart të vendosur në Qafë të Luvadhit.

Ishin këta 12 luftëtarë që ndezën të parët qëndresën. Çeta u rrit me shpejtësi nga 40 vetë vetëm në pak orë në rreth 120 luftëtarë, me komandant Halil Sullo ish-kryeplak dhe komandant i çetës që shkroi histori qëndrese deri në largimin e fshatrave drejt Vlorës. Agresorët me 450 andartë e ushtarë, të drejtuara nga shtabi madhor i vendosur në Jorgucat e Delvinë. Kjo forcë mbështetej edhe nga 1500 andartë të skalionuar, të pajisur me armët më moderne të kohës përfshi artilerinë. Batalioni me andartë e ushtarë dhe major Korjaskonis, e mbylli me turp karrierën në Skërficë përballë trimërisë labe dhe jo vetëm. Shtabi madhor akademik i fqinjëve, i pajisur me taktika, strategji, armatime e topa dështoi kundër kryengritësve popullorë të formuar në “akademinë” e betejave popullore. Në Skërficë i thanë “ndal!”, grabitjes së tokave arbërore, në një pozicion strategjik natyral, si një xhephane lufte, ku shqiptarët kishin pritur me jatagan dhe me pushkë pushtuesit në gjithë epokat dhe shekujt. Në mbështetje të frontit të luftës së Skërficës ishin burra, gra, pleq, dhe fëmijë, të drejtuar nga trimi, kryeplaku luftëtari e organizatori Halil Sullo, të vendosur për mbrojtjen me çdo kusht të Qafës së Skërficës deri në largimin e krejt popullatës së fshatrave që andartët kishin vendosur ti digjnin plotësisht dhe të shfarrosnin çdo frymorë të kësaj zone.

Forcat andarte depërtuan në shtigje të fshehtë të Skërficës në drejtim të Pilloit, që ishte edhe një ndër faktorët e përshpejtimit të tërheqjes drejt Vlorës të popullatës. Qafa e Skërficës u kthye në istikam qëndrese të përgjakshme. Artileria shkëmbore e përdorur me aq mjeshtëri në periudha e kohë të ndryshme në Shqipëri, u përsërit edhe në Skërficë. Drejtimi i Gjinishtës dhe Vrahollit u kthyen në kala qëndrese nga ku rrokulliseshin gurët masivisht nga vëllezërit Dervish, Hadër e Medi Yzeiri dhe luftëtarë të tjerë.

Përgjakja një javore përfundoi me rënien në fushëbetejë të shumë dëshmorëve, një humbje të konsiderueshme me 9 luftëtarë shqiptarë të vrarë dhe 60 të plagosur; ndërsa forcat andarte lanë në Skërficë rreth 60 të vrarë dhe rreth 120 të plagosur. Garantimi i tërheqjes së banorëve të fshatrave në drejtim të Vlorës, u realizua pasi andartët depërtuan përmes “kalit të Trojës”, nga mali i Pilloit, në Qafën e Skërficës. Kështu që luftimi vijoi nga njera llogore në tjetrën në thellësi. Kameniku, Vraholl, Gurët e Bashe, Gropa e Dërrasës, Qafa e Skërficës u kthyen në kala qëndrese natyrore të pakapërcyeshme pushtimi. Fushëbardhas dhe bashkëkrahinas nga Krahina e Kardhiqit dhe Rëzomës shkruan epope trimërie dhe rikonfirmuan atë që shqiptarët nënëshkruanin për lirinë në beteja me gjak heroizmi. Lajmërimet për tërheqjen e popullatës drejt Vlorës e transmetonte Komandanti i çetës nëpërmjet korierit të luftës së Skërficës Cenko Onjea. Ditë e natë gjithë mbështetja e popullatës ishte për luftën, për frontin e Skërficës. Ndërkohë ishte vrarë edhe dëshmori 22 vjeçar Cenko Onjea në lëndinë të blertë të Qafë Dardhës sipër Fushëbardhës. Por çeta vijoi të luftonte kundër andartëve dhe ushtrisë me një qëndresë të pashembullt historike duke luftuar trimërisht, pa mbështetje të strukturave qeveritare, kur qeveria e Ismail Qemalit kishte dhënë dorëheqje që në janar 1914, por edhe pa mbështetje të Qeverisë së Vidit dhe as ushtarakëve të xhandarmërisë hollandeze që ishte prezent në vendin tonë, ku mund të themi që edhe sabotimi i luftës së shqiptarëve bëhej nga Tomsoni që bënte pakt me grekët në marrëveshjen e Korfuzit.

Kërcënimi i Skërficës që ishte edhe një ndër pesë portat hyrëse të Labërisë, ishte serioz dhe u mbrojt vetëm me gjak. Në flakë u ndezën Shpella e Dhespinës, Shkëmbi i Kaze, Nomeja e Qershisë, Përroi i Shametit, Qafa e Trullave, Gropa e Dërrasës, Vrahull e deri në Qafë të Skërficës. Tashmë historia e rënies së dëshmorëve është e dokumentuar dhe shkruar në memorien e Labërisë dhe gjithë shqiptarëve: Halil Sullo komandanti i çetës që u vra në hyrje të Shkëmbit të Skamanos;  Dalip Kondi u plagos rëndë në të majtë të qafës së Skërficës sipër projit të sipërm e shkoi në drejtim te “Përroi i Shametit” dhe vdiq tek piksaret, eshtrat e të cilit janë gjetur pas tre vjetësh në sipërfaqe bashkë me pjesën metalike e pushkës; Mete Jonuzi ra heroikisht tek Kroi i Resule, pranë Gurëve të Bashe; Sejdi Baho u plagos rëndë në “Gropën e Gjeshtrës” dhe ndërroi jetë në spital në Tepelenë; Rizal Muho u vra tek Nomeja e Panjës mbi Kamenik, ku për një shekull vendi i rënies u thirr “Lisi i Rizal Muhos”; Halil Norra u vra në Qafë të Skërficës, në të djathtë të kroit të sipërm të Skërficës (kur e shikon nga Qafa e Luvadhit nga ana jugore); Surja Tefa i plagosur rëndë luftoi trimërisht në Qafën e Trullave me mauxer dhe nagant, pa u dorëzuar dhe kur jeleku ishte mbuluar me gjak lufton deri në vdekje e nuk dorëzohej edhe nga torturat çnjerëzore të andartëve. Në xhephanen e Cepos ra dëshmor Haxhi Muxhai nga Zhulati dhe sa e sa djem ngta gjithë jugu i Shqipërisë.

Dëshmorët e Skërficës janë në panteonin e përjetshëm të mirënjohjes së kombit, por lufta kishte edhe dhjetra të plagosur si Murat Cama, Hadër Uzeiri, etj., të cilët pas shërimit të plagëve morën pjesë dhe në Luftën e Vlorës më 1920. Në Skërficë nuk u bë pakt me dredhinë, nuk u kërkua “besë” nga pabesia. Lufta ishte e ashpër edhe më në thellësi të Labërisë, në Zhulat, Golem e deri në Kuç, Kallarat, Bolenë, Borsh, Llogora etj. Shqiptarët u trupëzuan me qafën-kala natyrore të Skërficës, dhe ngelën në panteonin e kombit dhe në memorien popullore. Dëshmorët janë dhëndurrë lirie në panteonin e kombit, janë në kujtesën shqiptare dhe janë në lapidar përjetësisht në Skërficë dhe në Fushëbardhë. Memoriali-lapidar që ngriti fshati Fushëbardhë me brigadën e saj të ndërtimit të viteve 70-të të shekullit të kaluar nuk u la në harresë. Gjaku i dëshmorëve që ranë në këtë betejë në në Luftën e Skërficës (20.6.1914 deri 25.6.1914) mbetetet një apel për mospërsëritje të kësaj historie të hidhur. Fushëbardha gjithë treva përreth, Labëria nuk mund të harrojnë gjakun e derdhur. Kjo luftë ka hyrë në axhendën kombëtare të studimeve historike ushtarake të luftrave të popullit shqiptar kanë rënë 9 dëshmorë: Halil Sullo (1864 -1914), Halil Norra (1886 -1914), Surja Tefa (1887 -1914), Rizal Muho (1889 -1914), Sejdi Baho (1889 -1914), Dalip Kondi (1892 -1914) Cenko Onjea (1892 -1914), nga Zhulati Haxhi Muxhai (1883 -1914), dhe nga Golemi: Mete Jonuzi (1887 – 1914). Fiset e tyre jetojnë sot edhe në trevën e bashkisë së Gjirokastrës, Delvinës e më gjerë. Poeti, atdhetari, luftëtar dhe doktori, që lidhi plagët e luftës në Skërficë Ramiz Harxhi para më shumë se një shekulli do të shkruante në SHBA: “..Të pavdekur janë gjith’ ata luanë,/Për nder të kombit u grin’e u vranë…”. Këngët për Qafën e Skërficës të pagëzuar tashmë si Qafa e Dëshmorëve janë të shumta: Në Skërficë që u ndez flakë,/ Luftë ditë e luftë natë, /Lufton Halili (Sullo) me Dalipnë (Kondin),/ U gjakosnë për të mbrojtur Shqipërinë, /Seç nderojnë historinë, /Me gjak e shtuan lavdinë..”, si dhe “Lufta seç u ndez në qafë,/Të parët vanë djemtë tanë, Halili me Cenko djalnë, Rizali me Surjanë, Halili me Dalip asganë, Metja me Sejdinë, ç’e nderuan Shqipërinë..”, “…Fushëbardha maja e qafa mali,/S’të përkuli dot junani,/Se kishte zotë vatani, /U ngulët te insikami,/Nga Luvadhi në Skërficë, / Edhe nata bëhej ditë,/Dyqind burra të stërralltë,/ Luftarakë djemtë tanë,/Për lirinë dhe për vatanë…”. Kohët kanë ndryshuar, por historia ngelet dhe kur jemi të ulur në tavolinat e sigurisë botërore edhe në strukturat ekonomike europiane, sikurse ngelet ngatërrestar i ashtëquajturi “ligj lufte”. Me fqinjët tanë jemi në NATO, organizmin me të madh dhe më të sigurt të sigurisë Botërore. Me fqinjët do të jemi edhe në bashkimin europian, por identitetit kombëtar do të ngeklet i pandryshuar dhe larg nacionalizmave. Paqja dhe vetëm paqja dhe vëllazëria e Popujve dhe kombeve do të çojë njerëzimin përpara në prosperitet ekonomik dhe siguri kolektive. Nderimi dhe respekti dëshmorët që ngelen në lapidar është nderim për veprën heroike të luftëtarëve të Skërficës, është nderim për gjakun e derdhur të dëshmorëve për Shqipërinë tonë të dashur. -&-

Please follow and like us: