Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Veterani shkruan për veteranin

Një libër atdhetarizmi

S’ka gjë më të bukur në jetë, kur veterani 94 vjeçar shkruan për shokun e tij veteran 94 vjeçar. Është një rast unikal dhe i papërsëritshëm. Që në moshën 14 vjeçare jeta i bëri bashkë për të rrëfyre tashmë tërë rrugëtimin historik të veteranit, të figurës më të ndritur të popullit shqiptar.

E s’ka gjë më patriotike se sa të shkruash nj libër për një partizan pionier, për një ushtarak, për një veprimtar të palodhur për 40 vite të Organizatës së Veteranit. Me këtë mision dhe me dëshirën e mirë për të pasqyruar një jetë të thjeshtë, por plot vrull dhe rrebeshe, e për ta lënë si mesazh për brezat, veterani Naxhi Zhupa shkroi dhe publikoi librin “Zenel Koshaj-një jetë e tërë në shërbim të Atdheut”.

Është një libër i thjeshtë, por plotë frymëzim, plot atdhetarizëm, plotë mësime për një jetë patriotike të kultivuar që në moshën e njomë, për t’i vënë shpatullat Atdheut. Kjo ishte rinia e një kohe të papërsëritshme, e cilia e mbrujtur me frymën patriotike, me zjarrin që ju vlonte në gji, lanë familjet, lanë çdo gjë dhe u ngjitën maleve për të prurë lirinë.

Libri na prezanton fshatin Merdar, ku lindi Zeneli, pastaj Kolonjën e cila u bë çerdhe e luftëtarëve të lirisë, e përt’i dhënë historisë dhe njerëzve të saj nder dhe lavdi në shekuj. Këtë nder dhe lavdi ja dha dhe pionierit partizan i cil me kurajë dhe fisnikëri, edhe pse i vogël, u rreshtua me dinjitet në formacionin partizan, në BrVIIIS.

Veteran Naxhi Zhupa shkruan se Zenel Koshaj u rreshtua që ditën e parë të formimit të këtij formacioni sulmonjës që në krijim, për të marrë pjesë në të gjtiha luftimet e saj deri në tokat e ish-Jugosllavisë. Marshoi dhe luftoi pionieri Zenel, duke përshkruar 3700 km bashkë me partizanë e kuadro, në dimër dhe beharë, në luftime e rrethime, në sulm dhe në përcjellje të dëshmorëve, por kurrë se lëvizi nga pozicioni i parë, kurrë se u tërhoq përpara vëshirësive të shumta dhe kurrë se u ankua, por qëndroi stoic përpara vështirësive. Ky ishte modeli i luftëtarit të ri dhe i kuadrit të ardhshëm të ushtrisë.

Në këtë 80 vjetor të çlrimit të Atdheut, ky libër është dhe një dhuratë e bukur për veteranin, por dhe një mesazh historie që për figurën e veteranit nuk duhet të rreshtim kurrë së shkruara dhe pasqyruara jetën dhe veprën e tij në shërbim të Shqipërisë.

Luftoi për çlirimin e kryeqytetit

Zeneli ka lindur në fshatin Medar të Kurveleshit, më 22 gusht 1930. Mbeti jetim dhe punoi që i vogël,sa në bujqësi dhe sa çoban. Jeta e burrëroi para kohe. Në moshën 14 vjeçare, Zeneli lë kërrabën dhe doli në mal me luftëtarë për t’i dalë zot, Atdheut.

U rreshtua partizan në BrVIIIS më 25 prill 1944, në Sheper të Zagorisë, duke qenë një ndër partizanët më të vegjel të saj. Nuk u shkëput nga radhët e brigades. U bë shëmbull vetmohimi për bashkëluftëtarët e saj. Përballoi me durim vështirësitë dhe u dallua në luftime kundër forcave pushtuese naziste e bashkëpunëtorëve të tyre. Ai u bë një luftëtar i lirisë në radhët e BrVIIIS. Pushka e pionierit partizan Zenel Koshaj u ndje në qytetin e Përmetit, në Lunxhëri, në luftimet për çlirimin e qytetit të Gjirokastrës, të Konispolit, në mbrojtje të qytetit të Beratit, çlirimin e Lushnjës e në betejën e lavdishme për çlirimin e kryeqytetit, të Tiranës për të vijuar veprimet luftarake në ndjekje të forcave naziste në Mal të Zi e deri në Vishegrad. Në rrugën e kthimit brigada doli në Kosovë, në Strugë për t’u përqëndruar në Pogradec. Zeneli u kthye në Atdheun e çliruar fitimtar, por edhe krenar për misionin e lartë që kish kryer ndaj Atdheut e popullit të tij.

I përkushtuar për punën dhe ushtrinë

Me çlirimin e Atdheut, Zeneli si shumë bashkëmoshatarë të tij partizanë, menjëherë pas lufte, nisi studimet ushtaarke. Ishte ende i vogël dhe shkollimi mbeti detyrë parësore. U bë ndër nxënësit e parë të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”. Për t’u formuar si kuadër ushtarak, u dërgua për studime ushtarake në BRSS, ku kreu studimet në “Uçelishte”, në specialitetin ndërlidhje. Më tej përfundoi atudimet e larta ushtarake në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë.

E nisi karrierën ushtarake në garnizonin e Korçës, më pas në Ishullin e Sazanit si komandant reparti special të radiozbulimit. Pas një përvoje pune, por dhe aftësive organizative e drejtuese, si kuadër i lartë i radiozbulimit, specialist radiozbulues, emërohet komandant i repartit të radiozbulimit në qytetin e Tiranës ku shërbeu deri në vitin 1974.

Deri në vitin 1985 Zeneli punoi kryetar i Qendrës Speciale të Ndërlidhjes që mbulonte sistemin e gadishmërisë, të komandimit, të drejtimit të sektorëve qendror shtetëror administarivë të shtetit shqiptar.

Zeneli dha një kontribut të vyer në plotësimin e detyrave të ngarkuara për ndjekjen e veprimtarisë së FA të shteteve objekt zbulimi, duke i shërbyer drejtpërdrejt forcimit të gadishmërisë së lartë luftarake, sikurse ishte shërbimi i radiozbulimit. Ndihmesa e tij është shumë e çmuar dhe në formimin e brezave të tërë të kuadrove e efektivave të radiozbulimit, të cilët shërbyen me devotshmëri e papretendime, sikurse qe koha, në zonat më të izoluara në të katër anët e Atdheut.

Zenel Koshaj, me atë qetësinë e tij karakteristike edhe në momente të vështira të jetës e të detyrave që kreu, me dashurinë e pakufi për shokët e vartësit, me respektin e spikatur për eprorët, u personifikua me kuadrin model të thjeshtësisë e të përkushtimit. Ai vërtet, që nga viti 1956 kreu detyrën e komandantit të repartit dhe kishte në vartësi apo nën komandë oficerë, nënoficerë, ushtarë e marinarë, por kurrë detyrën e nderuar të komandantit nuk e shfrytëzoi për diktat, për autoritet fals mbi të tjerët. E shihte dhe e zbatonte detyrën me përsosmëri si mjet të dobishëm komunikimi në radhë të parë shpirtërore e njerëzore e pastaj dhe si ushtarak me njerëzit, sigurisht mbi bazën e rregullave e normave që kërononte jeta ushtarake e pa rënë në liberalizëm, sikurse thueht atëherë. Ndaj edhe sot, kudo ku e shikojnë dhe e takojnë ish vartësit e tij, miqtë e shokët, ndalojnë dhe e përshëndesin me respekt. Në gojën e tyre fjala “komandant Zeneli” shqiptohet ëmbël, ashtu sikurse i kishin dikur marrëdhëniet mes tyre. Dhe nuk është pak që në moshën e pensionit të thellë të ndjesh nga afër respektin e ish vartësve të tu.

Publicistika e veteranit Naxhi Zhupa

Naxhi Zhupa është një nga veteranët e rrallë që dhe sot po lë gjurmë në shkrimin e historisë dhe të rrugës së lavdishme të çdo partizani dhe dëshmori që ishin dëshmimtarë në epopenë më të madhe të Shqipërisë, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Në vijim po i rreshtoj librat e shkruara prej tij, të cilat deri tani arrijnë në një battalion sulmues…

Libra të botuara për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare: Historiku i Brigadës VIII Sulmuese; Nga Sheperi në Konispol e Vërmosh; Gjurmë të pashlyeshme; Për Atdheun që 15 vjeç; Kthim i vështirë dhe Ja pse luftuam, me bashkautorësi.

Libra të tjerë historikë: Fterra në shekuj (pjesa e parë); Fterra në shekujt XV-XVIII; Fterra në LANÇ-in, 1939-1944; Galishti dhe galishtjarët; Copëza të një jete (monografi) dhe Zhupajt e Fterrës në shekuj.

Libra në proces botimi dhe botuar pjesërisht në shtyp: Kufiri historik i Labërisë dhe Kurveleshit; 14 shtatori 1943 (Grehoti); Këmbët e fshehta të “Kaprollit”; 100 pyetje dhe përgjigje; Artileria shqiptare në shekuj dhe Rreziqet historike nga invanzionet bregdetare.

Ka botuar dhe libra politiko-shoqërore: Ngjarjet në vargje 1991-199; Gjarpri me dy krerë; Fatet e Luftës së Dytë Botërore u vendosën në stepat e Stalingradit; Të lësh kockat në Shqipëri; Sazani – “Gjibraltari i Kuq”; CIA dhe Shqipëria 1944 1990; Operacioni “Barbarosa” – invazioni gjerman mbi BS për të sunduar Europën; Overlord i vonuar (skena dhe prapaskena) dhe Zenel Koshaj – një jetë e tërë në shërbim të atdheut.

Please follow and like us: