NJË ARTIST ARGJENDAR SHQIPTAR I SUKSESSHËM NË SHBA
Kristaq BALLI
Dardha
Në fillim të shekullit XX Dardha e Korçës ishte zmadhuar, transformuar e zhvilluar në mënyrë progresive nga pikpamja urbano-arkitektonike, demografike, ekonomike e sociale, duke u shndrruar në
një qendër progresi urban. Falë disa veçorive origjinale e specifike të një komuniteti banorësh që me punën, pasionin, dashurinë për vendlindjen e tyre, me vetëdijën dhe adrenalinën e lartë për punën brenda fshatit (i cili po i shterrte si pakuptuar edhe ato pak resurse bujqësore e blektorale mbijetese), por edhe jashtë tij, fillimisht në emigracion sezonal në disa vende të Ballkanit e më tej më masivisht në ShBA, si dhe për fat të disa hireve e prioriteteve të lakmueshme gjeo-klimaterike, turistike, historike dhe për mënyrën e organizimit të jetesës “qytetare” familjare, shpirtërore, etnokulturore shumë të dallueshme e të emancipuar, kjo qytezë në kontekst me kohën, përbënte edhe një pikë reference të zhvillimit dhe shkëmbimeve tregtare e zejtare, madje edhe kulturore, jo vetëm brenda kufijve dhe banorëve të saj, por edhe më tej, në rajonin përreth, sepse aty ofroheshin jo vetëm produkte jetësore, por edhe shërbime të tjera zejtarie si ato që lidheshin me përpunimin dhe prodhimin e tekstileve të leshta (dërstila, batane), rrobaqepësi, me përpunimin e drurit e mobiljeve, shërbimeve metalike (teneqexhinj, kovaçana), këpucarëve, orëndreqësve, kujunxhijve (argjendar), kasapëve, furxhinjve, dyqaneve të ndryshme mallrash me pakicë, e veçmas mjedise e lokale të atraksionit turistik si fotografë, hotele, kafene, restorante, ëmbëltore të vendosura në vende me pamje piktoreske e që tërhiqnin shumë vizitorë nga Korça e zonat përreth.
Duke përmendur kostumin e grave dardhare (xibunin), i cili, midis të tjerash përmban edhe disa aksesorë të dukshëm e të bukur argjendi e ari (pafta, zinxhirë, varëse gjoksi, vathë, etj.), disa prej të cilëve bliheshin të gatshëm e disa prodhoheshin në Dardhë, kemi në dorë një burim të besueshëm që të krijojmë imazhin e një argjendari të famshëm dardhar, i cili ka punuar në SHBA dhe që, sipas burimeve të sigurta ka shkuar aty nga Dardha si një emigrant dhe i përkiste një familjeje argjendarësh dardharë. Një personazh i ri interesant dhe një dritare e re për Dardhën por e rëndësishme edhe për shqiptarët.
Jeta
Emri i tij është Stavre Panis (version zyrtar i amerikanizuar pas migrimit) po thjesht Stavri Pani, i biri i Grigor (Ligor) Panit nga Dardha dhe Dhoksi Karamelos nga Sinica , pra një familje e njohur dhe rezidente edhe sot në ShBA , Dardhë e Sinicë, familje që na lidh me dy figura të shquara patriotësh të thekur të shqiptarizmës, babë e bir Josif Pani – aktivistin dhe gazetarin e flaktë ndaj çështjes shqiptare dhe Vasil Pani – dy herë kryetar Federatës Panshqiptare”Vatra” (1929 dhe 1935) në ShBA .
Stavre Panis ka lindur në vitin 1889 dhe e ka kaluar fëmijërinë e adolshencën në vendlindje duke u praktikuar dhe përfituar nga mjeshtëria e argjendarisë e tre brezave të tij familjarë, e cila, falë edhe prirjeve të Stavres do ta shoqëronte edhe atë gjatë gjithë jetës së tij të mëtejshme, madje duke e kultivuar si një artist artizan të afirmuar edhe në shoqërinë e argjendarëve të Bostonit, Mass., në ShBA.
Pra, në vitin 1905 kur ai ishte vetëm 16 vjeç, si shumë burra e vërsnikë të tjerë dardharë, ai emigroi në Amerikë dhe u vendos në Boston. Pas disa vitesh punësh të ndryshme dhe mësimit të gjuhës angleze, më 1909 ai vendosi të hapë një punishte për prodhimin e stolive prej argjendi, pra të vijojë njëheresh traditën mjeshtërore të familjes së vet në Dardhë qysh prej stërgjyshit të tij. Prodhimet e para të të kësaj punishteje ndiqnin teknikat, modelet dhe stilin tradicional të babait të vet, pra me kallëp ose derdhje, por ato evoluan konform kërkesave, konkurrencës, shijeve e porosive të klientëve të rinj, pra nëpërjet përpunimit artizanal me stilin e shpimit dhe axhustimit artizanal, çka influencoi në shtimin dhe gamën e llojeve e stileve të stolive të çmuara, duke rritur edhe prestigjin artistik të artit dhe biznesit të vet. Më 1911 ai natyralizohet si qytetar amerikan dhe gjatë Luftës I Botërore shërben në forcat ushtarake amerikane, në Batalionin 71 të artilerisë fushore që vepronte në Francë. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak ai kthehet në Boston për të vijuar mjeshtërinë e tij të argjendarit.
Fatmirësisht, mbi të dhënat biografike e të veprimtarisë së tij të gjatë si mjeshtër e artist argjendar, ekzistojnë disa dokumente të rëndësishëm autentikë, të trashëguar deri në ditët e sotme, ashtu si edhe shumë foto të punimeve të tij me logon identifikuese të ateljesë së tij të stampuar në pjesën e prapme të tyre. Dokumenti më esencial na vjen si kortezi e organizatës “SMP Silver Salon Forums and their registered member, Chicagosilver” (Forumet e Sallonit të Argjendit SMP dhe anëtarëve të regjistruar, e njohur si Chicagosilver), e cila i referohet gjerësisht një artikulli shkruar nga fotogazetarja dhe shkrimtarja Kathy Sharp Frisbee i botuar në “Cape Cod Life” rreth vitit 1995 në formën e një tregimi që bashkëshortja e Stavre Panit, Gladys (në moshën 95 vjeçare) i ka rrëfyer asaj. (Affirmation and Rediscovery a Centennial Exhibition and Sale)
Midis të tjerash, nëpërmjet kësaj interviste mësojmë se Stavre Panis, pas rikthimit në Boston ka ndjekur studimet në Normal Art School (Shkolla Normale e Artit), sot “The Massachusetts College of Art” (Kolegji i Artit të Massachusetts), ku ai ka takuar dhe është njohur me shoqen e klasës Gladys Hamilton (familja e saj jetonte në Swanville, Maine), e cila do të bëhej edhe bashkëshortja e tij në vitin 1927. Kjo martesë do të hapte një kapitull të ri në rritjen dhe perfeksionimin e mjeshtërisë së përbashkët të argjendarisë dhe bizhuterisë, pasi ata të dy plotësuan njeri-tjetrin në realizimin e stolive artistike prej argjendi. Gladys ishte e talentuar në kompozimin e e dizajneve dhe monogramave të objekteve, fantazinë, talentin dhe intuitën e një procesi të domosdoshëm paraprak që paraprinte suksesin artistik e estetik, ndërkohë që Stavres zotëronte shkathtësinë dhe mjeshtërinë në materializimin e tyre praktik. Të dy së bashku menaxhuan biznesin e tyre të Bostonit, duke e shndrruar atë në një studio me diapazon të gjerë krijues, të njohur e të preferuar jo vetëm nga klientët e tyre porositës, por edhe nga ekspozita, panaire, muzeume e galeri koleksionistësh të objekteve dekorative. Sipas Znj. Frisbee, gjatë viteve të punës së çiftit Panis në Boston, ata ftoheshin çdo vit për të ekspozuar punën e tyre artistike në ekspozitën e Shoqërisë së Arteve dhe Zejeve, Boston, një shoqëri prestigjioze arti, “e cila ishte vendi i vetëm publik që ata zgjodhën të ekspozojnë veprat e tyre të karierës së përbashkët”. Gjithashtu Stavre Panis ishte anëtar i regjistruar si “argjendar” dhe “artizan” i këtij forumi qysh në vitin 1925.
Në vitin 1932 Stavre dhe Gladys u larguan nga Bostoni dhe u vendosën më në Jug, buzëoqeanit Atlantik, në Falmouth të Cape Cod. Sipas intervistës së Znj. Frisbee, Stavre e njihte mirë këtë mjedis të bukur, ndërsa për Gladys ai ishte një vend i panjohur, për të cilin ajo ndjeu, siç do ta shprehte më vonë: “Unë, githmonë, ndjehesha këtu më e frymëzuar se në çdo vend tjetër…motivet e oqeanit dhe kopshtarisë më jepnin kënaqësinë më të madhe” (nga intervista me Kathy Sharp Frisbee, 1995). Në fakt, vendimi per t’u zhvendosur në Cape Cod ishte një ftesë e Znj. Wilfred Wheeler nga Hatchville, e cila kishte blerë një karficë prej tyre, të cilën djali i saj e kishte porositur si dhuratë për ditëlindjen e nënës së tij.
Veprimtaria e artizanëve argjendarë artistë Stavre dhe Gladys Panis do të vijonte në mënyrë unikale e të suksesshme për disa dekada dhe jo vetëm do të kënaqte porositësit e klientët nga një rajon i gjerë, por do t’i jepte edhe qytezës së tyre vlera të një larmie më atraktive turistike e traditash zejtarie artistike bizhuterie shumë të preferuara në atë kohë, por edhe respekti të ndërsjellë human e qytetar, pasi çifti Panis ishin nga natyra e karakteri njerëz që, veç artit e biznesit të tyre familjar, kishin pasion e dëshirë që t’i kushtonin qytetit të tyre kontributin dhe një fizionomi më humane, qytetarie e bukurie rikrijuese, për t’i dhënë më shumë larmi e diversitet kulturor e turistik qytetit të tyre, ku edhe natyra ishte treguar bujare. Prandaj, Stavre dhe Gladys do të mbeteshin personazhe influentë, gjurmët e të cilëve kanë mbetur edhe sot në komunitetin ku ata kaluan jetën.
Në vitin 1969, Stavre Panis pësoi një aksident të rëndë dhe pas disa vitesh komplikacionesh shëndetsore, ai ndërroi jetë më 1974, në moshën 85 vjeçare, kur ai ende punonte. Pra, veç 15 viteve të punës vetiake në Boston, puna e përbashkët e çiftit Panis ka zgjatur rreth 45 vjet.
Sidoqoftë, studioja e tyre nuk u mbyll. Edhe pse ata nuk patën fëmijë, që të trashëgonin mjeshtërinë e tyre, gruaja e tij Gladys punësoi në vitin 1991 një argjendar tjetër ekzekutues, Mike O’Donnell, me të cilin ajo vijoi edhe thuajse një dekadë, pas së cilës ajo vdiq në vitin 2001, në moshën 101 vjeçare. Në njoftimin e vdekjes dhe funeralit të saj nga Chapman Cole & Gleason Funeral Homes & Cremation, dt. 10.11.2001 shpallet se “Gladys (Hamilton) Panis, 101 vjeç, një artizane dhe argjendare shumë e njohur ndërroi jetë më 14 Tetor në Falmouth. Ajo ishte e veja e të ndjerit Stavre Gregor Panis. Të dhëna të tjera biografike na vijnë edhe nga një dokument tjetër “Affirmation and Rediscovery a Centennial Exhibition and Sale, p.34” dhe sigurisht edhe nga të afëm të tij familjarë që jetojnë në ShBA.
Krijimtaria
Të 50 vitet e përvojës së përbashkët në fushën artizane të bizhuterisë, si dhe të gjinive të tjera të zejtarisë utilitare me argjend, apo metale e materiale të tjera të çmuara përbëjnë një bilanc të pasur të prodhimtarisë, të llojshmërisë, por edhe të cilësive të admirueshme të veprave të tyre, po të konsiderosh edhe faktin që çdo objekt është unik, është artistik në llojin e vet, pasi nuk është fabrikuar, kopjuar e shumëfishuar, por është prodhuar me dorë, i vetëm, autentik, i papërsëritshëm.
Punimet e bizhuterisë Panis shfaqeshin në treg sipas disa rregullave e normave të miratuara. Nga burime familiare e mediatike, vlerësohet se numuri i përgjithshëm i objekteve të krijuara nga studioja SGP (Stavre-Gladys Panis) është rreth 3.000. Sipas Frisbee(Intervista) Gladys kishte kataloguar mbi 3.000 vizatime të ndryshme. Gama e llojshmërisë së bizhuve është e gjerë dhe e larmishme. Midis tyre renditen byzylykë (rrathë ose fleksibël), fibula (gilpëra), unaza, vathë, gjerdanë, gushore, kryqe, varëse, tokëza, butona, medalionë, objekte në formë insektesh me krahë e pjesë të errëta të oksiduara, shandanë e kapese qirinjsh, objekte të emaluara dekorativë, aksesorë të vyer të kompleteve të çajit, lugë e kullore dekorative, pinceta sheqeri, rrathë pecetash, mbajtëse letrash, ndarëse librash, pjata të emaluara dhe kripore artistike, tavlla, etj.
”Fibulat Panis” ishin stolitë e tyre më të famshme. Objektet, përgjithësisht, karakterizohen nga thjeshtësia dhe punohen nga metale, argjendi i pastër, flori, gurë të çmuar, tunxh, bakër disa herë të ndriçuara thellë, apo të “veshur” me një patinë fisnike. Edhe teknikat e teknologjia e përpunimit të tyre janë origjinale dhe që i dallojnë nga objektet e studiove të tjera. Përdoret së shumti përpunimi mekanik me axhustim, e gjdhendje dhe disa herë stampimi dhe rrahja e saldimi.
Thjeshtësia dhe mënyra e përpunimit të tyre të kujtojnë jo rrallë arkaizmin dhe ekzotizmin antik. Një tipar tjetër i përveçëm i bizhuve të punishtes Panis është ornamenti dhe motivi i preferuar i tyre që e merr temën kryesisht nga elementët gjeometrikë, florealë ku mbizotërojnë lulet, hardhia e fruta të ndryshme dhe gjethet përkatëse, nga bota shtazore, zogjtë (pëllumbat), kafshë të tjera shtëpiake (macja, qeni, lepuri), apo biogjallesat detare dhe objektet navalë e oqeanikë (timon anijeje, spirancë, kalë deti, karavidhe, çafkë deti, delfin, yll deti, etj.), të ndërthurura me lidhje biomorfike, vile, dredhëza e arabeska, të cilat, së bashku, formojnë një unitet të thjeshtë artistik që lidhet me botën e jetës, veçmas me natyrën e larmishme e panoramike e inspiruese të Cape Cod, ku ata jetonin. Ato kanë një pamje dhe ndjesi mjaft të shprehur. Çdo stoli zhvillohej paraprakisht në një vizatim (projekt), ose në monogramë, kur bëhej fjalë për simbole, emra, pseudonime, dedikime, shkronja principiale, të cilat i hartonte Gladys. Por, firma e autorësisë së këtyre veprave, siç zakonisht praktikohej nga studio dhe punishte me autoritet profesional e artistik, që përjashtonin anonimatin, apo kopijimin dhe konfirmonin të drejtën e autorit, edhe për atelienë e Stavre dhe Gladys Panis ishte stampa e autorësisë së tyre, në pjesën e prapme të çdo objekti, e cila në rastin e tyre paraqitej me një monogramë trekëndësh barabrinjës (me brinjë pak të harkuara) brenda kulmeve të të cilit ishin gdhendur tre shkronja, SGP, pra Stavre-Gladys-Panis. Pranë trekëndëshit stampohet edhe fjala STERLING (I PASTER), për të garantuar që bizhuja ishte prodhuar me metal fisnik të pastër.
Pra, duke iu nënështruar të gjitha rregullave dhe konkurrencës profesionale e artistike të zejtarisë dhe artit të stolive me metale të çmuara, respektimi i të gjitha këtyre kritereve të statutit të Shoqërisë së Arteve dhe Zejeve në Boston, tregon se studioja Panis ( më tej – SGP) jo vetëm pranonte standardet bashkëkohore të artit të stolive, por me korrektësinë e saj në krijimtari, prodhimtari e treg kishte autoritetin dhe preferencën e një punishteje të konsoliduar, të mirëpritur e të suksesshme në zejtarinë artistike të bizhuterisë. Kjo është edhe një nga arsyet që objektet e zbukurimit të studios SGP janë shitur (kryesisht direkt si porosi në studio dhe pak në dyqane fundore) pothuajse në të gjithë shtetet e SHBA-ve, si edhe në 23 vende të ndryshme të Botës (Online, Chapman Cole & Gleason Funeral Homes & Cremation), madje disa prej tyre janë pronë edhe e muzeve amerikane.
Në gazeta të ndryshme paraqiteshin edhe raklama të posaçme promovuese për këtë punishte, në një nga të cilat shkruhet: “S.G.Panis… Mjeshtër zejtarie… Objekti i paraqitur është prodhuar me dorë në këtë dyqan ku mund të gjenden edhe shumë zbukurime të tjera të bukura e karakteristike: meqënëse dyqani ështëi vetmi ikëtij lloji në Cape, ai është i interesuar posaçërisht për kërkuesit e antikave. Këtu mund të gjenden në proces aktual prodhimi bizhu, objekte argjendie bakri të rrahur dhe të emaluara. Një vizitë në këtë dyqan do të provonte një kënaqësi të veçantë tek ata që janë të pasionuar nga punimet me dorë. Pronari aktual është mjeshtër i brezit të katërt nga Shqipëria në zejtarinë e argjendarisë. Dyqani qëndron hapur gjatë gjithë vitit dhe vizitorët janë përzemërsisht të mirëpritur”
Vlerësimet pozitive të veprimtarisë zejtaro-artistike të Stavre dhe Gladys Pani kanë bërë të mundur që ata të kenë edhe porosi speciale objektesh nga organizata shtetërore dhe shoqërore për evenimente te caktuara kortezie. Kështu gazeta “Boston Traveller” në një artikull të dt. 18 Maj 1928, i ribotuar edhe në gazetën “Dielli”, dt 25 Maj1928 shkruan:
“Aviatorët gjermanë që fluturuan nga Europa në Amerikë me Bremenin, të shtunën e kaluar ishin në Boston, ku u pritën me paradë dhe nderime të mëdha. Lidhja e Ushtarëve ‘American Legion’ me këtë rast i dhuroi tre vizitorëve të shënuar nga një medalje. Është për të vënë re që këto medalje, Shoqëria e Ushtarëve i kish porositur te artisti shqiptar, zoti Stavri Pani, i ungji i zotit Vasil Pani, anëtarit të komisionit të “Vatrës”. Edhe në dy raste të tjera kur “American Legion” dekoroi kolonelin Lindbergh e më vonë kondëradmiralin Byrd me shokë, medaljet ishin porositur te zoti Pani” (Fuat Memelli: Stavri Pani, artist me emër në Amerikë, VOAL, 19 Qershor 2016). Po ashtu Laboratorët Biologjikë të Marinës në Woods Hole porositën tek SGP një palë shandanë që do t’i dhuroheshin perandorit të Japonisë gjatë vizitës së tij më 1976. Për arsye të interesit të madh dhe studimeve të tij në shkencën detare, Gladys gdhendi një motiv detar në bazën e shandanit që paraqiste një yll deti, gaforre, kalë deti, goce deti, pulëbardhë, anije me vela, të gërshetuara me leshterikë. Për perandoren e Japonisë, ajo vizatoi një fibul me formë kërmilli (një krijesë ku perandori kishte fokusuar studimet e veta), gërshetuar me gjethe deti.” Edhe një fibul ku është paraqitur shkolla e Wods Hole në Cape Cod është një porosi emblematike e atij institucioni.
Midis krijimtarisë artizano-artistike të punishtes SGP pjesën kryesore e zenë byzylykët, fibulat, unazat, vathët, varëset, të cilat përfaqësojnë në vetvete vepra të mirëfillta artistike, pasi ato përfshijnë shumë elementë të fantazisë krijuese kompozicionalë, të përmbajtjes narrative të një fabule të caktuar, të modelimit të paramenduar ndaj destinacionit estetik, paraqitjes, kombinimit me veshjet dhe aksesorët e tjerë të modës, stilimit figurativ, etj.
Me interes është gjithashtu ekzistenca e një Broshure të rrallë e viteve 1940-1960 e Stavre Gregor Panis mbi Bizhuterine e argjendit dhe bakrit të emaluar. Atë e posedon një koleksionist, i cili në përshkrimin që i bën asaj (8 Qershor 2015) përmend disa të dhëna, si faktin që ajo është prej letre, në gjendje të mirë e të pastër, është shkruar në gjuhën anglisht, ka subjekt bizhuterinë që përfaqëson punishten e “artistit të Massachusets Stavre Gregor Panis”, është i formatit të librit të xhepit, me dimensione 13.3cm (5.25”) x 8.9cm(3.5”), me lidhje të thjeshtë, në ballinën e të cilit shkruhet brenda një rrethimi “S.G.Panis…Mjeshtër zejtar..” dhe brenda saj vijon promovimi i bizhuterisë, argjendit, bakrit të salduar dhe emalimit. Veç këtyre, gjenden edhe drejtimet e punishtes Panis në Falmouth, Massachusets. Brendia e broshurës ka edhe një listë të asortimentit të objekteve të bizhuterisë, objekteve prej argjendi të pastër, prej bakri, si dhe prej bakri të emaluar të prodhuara prej tij. (OnLine: RARE 1940S-1960S STAVRE GREGOR PANIS BROCHURE FOR SILVER JEWELRY & ENAMEL COPPER)
Edhe pse familja Stavre & Gladys Panis nuk la trashëgimtarë, puna e tyre shumë e gjatë dhe e suksesshme jo vetëm në aspektin personal e profesional, por edhe në funksion të gjallërimit të jetës së qytetit, ku ata jetuan deri në fillim të shekullit XXI, mbeti si një stoli dhe e paharrueshme nga komuniteti i tij. Prandaj ata nuk u harruan, por mbeten qytetarë të nderuar të vendit ku jetuan. Kështu Shoqata Historike e Falmouth, Shoqëria dhe Muzeu Historik i Woods Hole dhe organizata komunitare Neighborhood Falmouth kanë organizuar ceremoni përkujtimore në nderim të jetës dhe veprimtarisësë tyre, të shoqëruara me prezantime shkencore dhe vepra të argjendarëve Panis, ku ata ciësohen si “…argjendarë legjendarë…”, apo “Panis ishte një zejtar ekselent dhe punimet e tij ishin të një cilësie shumë të lartë…” (OnLine: Fun things to do this weekend on Cape Cod: Celebration of Panis Artisanry).
Stavre Panis mbetet kështu deri në ditët tona i pari artizan argjendar shqiptar i identifikuar nga Dardha, i ndërkombëtarizuar dhe me një veprimari të gjerë, një shembull suksesi artistik në një fushë ku tradita e zejtarisë shqiptare është e thellë dhe ekstensive.