Zana Tako: Politika me rrënjë të shkulura
Gjuha e politikës është edhe memece por edhe llafazane, është edhe e drejtë por edhe e gënjeshtërt, është edhe hipokrite por edhe e rreptë, e nëse vërejmë në kohë veprimtarinë e politikbërësve, nuk mund të bindemi, se politika është ajo që e shpëton njeriun nga hallet dhe nga mjerimi.
Të quhesh vend i begatë nuk mbetet vetëm ëndërr që realizohet në kohë apo jo, por të quhesh vend i begatë me njerëz të paqtë dhe të lumtur, do të thotë që politika t’i shërbejë njeriut dhe kombit pa interesa ndaj vetvetes. Por politika ka ligjet dhe standartet e saj, e këto ligje dhe standarte i venë stërkëmbësh ligjeve të të drejtave të njeriut dhe interesave të kombit, bazuar kjo nga shkalla e lartë e korrupsionit, e cila rrëzon çdo pretendim të politikbërësve për ndershmëri dhe legjimitet shpirtëror.
Nga shkalla e korrupsionit del në pah “drejtësia” që ushtrohet në mbarëvajtjen e jetës. Nga shkalla e lartë apo e ulët e korrupsionit, vërehet dhe peshohet standarti politik i individëve që u besohet një post, një drejtim në organet ekzekutive shtetërore.
Nëse një organ shtetëror nuk ka në themel zbatimin e ligjit, vetë ligji është ai që zbulon korrupsion aktiv ose pasiv, dy medalje të kundërta por të njëjta në përmbajtje. Shkalla e lartë e korrupsionit aktiv, është medalje e cila i varet në qafë çdokujt që i shërben antiligjit, e në kërkim të së vërtetës së fshehur dhe të mohuar, vetë medalja e korrupsionit shënon gol në portën e ligjit. Ky gol nuk është shenjë fitimi por humbje, dhe të humbësh pikë duke u bërë shënues i golit korruptiv, do të thotë se je lojtar por jo politikbërës në fushën e së drejtës në mbarëvajtje të jetës.
Por çfarë është në vetvete korrupsioni? Përse me tentakulat e tij mbërthen shpirtin e njeriut, duke e transformuar në një shërbëtor të devotshëm të tij?
Sepse joshja është më e madhe se zbatimi i ligjit. Joshja të ofron të kundërtën e ligjit në zbatim. Nëpërmjet joshjes siguron të mirat e vetvetes, mirëqenien e vetvetes, pasurimin e vetvetes, duke ecur në drejtim të kundërt me atë ç’ka ofron ligji, i cili është livadhi ku ofrohen të mirat për të gjithë në bashkëjetesë.
Korrupsioni është tundimi ku njeriu provohet në moral, në besim, në dinjitet, prandaj njerëzit korruptivë janë pa dinjitet, pa moral, besëthyer, hipokritë e lajkatarë, mbi të gjitha tradhtarë, sepse kanë prekur atë që vetë ligji e dënon. Vetë ligji dënon të pamoralshmin, tradhtarin, hajdutin, besthyerin e me rradhë. Prandaj të pamendët jetojnë me korrupsionin mbi kurriz, (ngarkesë e rëndë për shpinën e njeriut), duke ecur në rrugën që shpie drejt honit të thellë dhe të errët pa kthim pas. Ndërkohë që vetë ligji nuk i ve ngarkesë shpinës së njeriut, por e mban të qetë dhe të denjë për të ecur i sigurt në rrugën e dritës, thënë kjo edhe në fjalën e Shkrimit të Shenjtë, se njeriu i drejtë e njeh rrugën e ligjit, por i pamendi e ka humbur rrugën e Zotit nga padija, nga mungesa e vullnetit për të mësuar, njohur dhe falenderuar Zotin për të mirat që i ka dhuruar nëpërmjet krijimit.
Politika është rrënjëshkur, sepse me veprën e saj nuk mbjell besim, sepse e ka tradhtuar njeriun. Njeriu nuk ushqehet me politikë por me dashuri. Vepra e politikës nuk mbjell dashuri prandaj është rrënjëshkulur.
Korrupsioni në politikë nuk mbjell begati por mjerim dhe shkatërrim. Gjuha e ligjit dhe e korrupsionit nuk janë bashkëudhëtare. E drejta e ligjit ve në kandar korrupsionin, por vetë korrupsioni nuk e ve dot në kandar ngarkesën e ligjit, përpos të fundoset nga kjo e drejtë, e cila barazpeshë ka dashurinë.
Drejtësi dhe ligj prodhojnë dashuri. Korrupsion dhe luftë kundër zbatimit të ligjit prodhojnë tradhti dhe mjerim, si vetë vepra që shohim dhe jetojmë në kohë!