Albspirit

Media/News/Publishing

Arti piktural, mitologjia, astrologjia – Ndërlidhje dhe (pa)saktësi!


Senad Guraziu – Ars Poetica, T 2024

Një artikull i “Artdaily-magazine” (nga autorja Ruxi Rusu, Cambridge University) thoshte se astrologjia perëndimore është e lidhur ngusht me mitologjinë dhe kulturën e lashtë greko-romake. Sipas autores, me kalimin e kohës secila nga shenjat zodiakale-astrologjike i ka zhvilluar “lidhjet” e veta me mitet, me kafshët, me simbolet. Shenja juaj e zodiakut i përshkruan tiparet kryesore të personalitetit, frikën dhe besimet tuaja – shkruante ajo.

Se shenja e zodiakut i përshkruan tiparet tona të personalitetit, ne lexuesit sikur pajtohemi aty për aty, tekefundit ashtu na thotë dhe astrologjia. Ta besosh astrologjinë dtth. t’i besosh shenjat e zodiakut, do t’thotë madje dhe më shumë. Psh. do nënkuptonte t’i besosh perëndeshës Asteria, apo vajzës së saj Hekate, apo t’i besosh perëndeshës Ishtar, apo Inana, apo Lakshmi, apo Afërditës… apo Venerës. Apo sido që të quhen, perëndeshat pothuaj të panumërta, besimi ka t’bëjë me besimin. Kur e ke besimin atëherë aq e lehtë, në fakt e gjitha ç’nevojitet është të besosh.

Si mund t’ketë astrologjia kuptim nëse t’mos i besonim, pa besimin madje as vetë Zoti (ai kryesori, jo vetëm i Universit por i Multiversit, i gjithçkaje) s’do ishte i besueshëm. Rregulla e hyjnorëve është e thjeshtë, fare bazike – o i beson o nuk i beson, s’ka tjetër alternativë : ) Natyrisht, “ndërlidhja” e artit me astrologjinë mund të shihet dhe ashtu, siç e ka thënë autorja. Nëse ashtu na pëlqen ta shohim, atëherë ashtu dhe do e shohim, ashtu dhe do e besojmë – ne vetë jemi zotërit e besimit tonë, të asaj çfarë besojmë (sapo e thamë më lart, o besojmë o s’besojmë).

Ashtu-kështu tropet e artit vetiu ndërlidhen me gjithçka të gjallimit tonë; me mitet, me ëndrrat, me besimet, me mosbesimet, me vizionet, madje dhe me halucinacionet, me lajthitjet, me dëshirat, me nëndijen, me vetëdijen… me një milion e një gjërat e psikës.

Bie fjala, vallë si do i pikturonte Dali ato surrealizmat, gjithë ato “vizione” surreale, vallë si do vinin në jetë gjithë ato shtrembërime (surreale) të realitetit… pa qenë i lidhur kryekëput me shtratin psikologjik?! Madje qoftë dhe me “automatizmin” (si teknikë krijuese, si tekno-kreativitet, siç do insistonin abstraksionistët e tipit “Pollock”) prapë s’ka ikje nga baza psikike. Me fjalë të tjera, truri i piktorit prapë e ka të qartë se është duke “pikturuar”, e jo duke fluturuar drejt Marsit. Qoftë me brusha o me tasa, qoftë me vazhgët e vetëdijshme a me spërkatjen automatike, truri i Pollock e “dinte se është duke pikturuar”. Pikturat lidhen me psikologjinë komplete dhe me shpirtin e artistit, pikturat dhe çdo krijim artistik janë diç si “zgjatim” i personalitetit, në rrafshin intelektual dhe ndjesor.

Dmth. nëse e “shohim” ashtu ndërlidhjen artistike me astrologjinë (siç ka shkruar autorja Rusu), atëherë e pashmangshme dhe buzëqeshja, atëherë e qartë se ne ashtu besojmë (na pëlqen ashtu të besojmë). Madje mjaft simpatike kjo punë, sepse pothuaj i bie “një udhë e dy punë”. Nga njëra anë i zbukurojmë artikujt e revistave me art, por njëkohësisht e “intrigojmë” vëmendjen astrologjike të lexuesve, e shkapurisim kureshtinë e tyre zodiakale. Padyshim kjo teknikë ndihmon për t’i afruar artin dhe astrologjinë. Absolutisht njësoj siç janë afruar ndër shekuj dhe arti me mitologjinë – mbase e njëjta gjë. Padyshim ia vlen, ta lidhësh artin dhe astrologjinë, do jetë diç edhe-edhe, diç si grep dhe si joshje e ëmbël rretherrotull materies revistologjike.

Edhe Botiçeli (ky madje sikur i kishte të gjitha “fajet për Venerat e reja” pikturale – jo se Botiçeli na ishte dje, por në kuptimin… pas Praksitelit dhe pas Frinesë), edhe Cabanel, dhe Bouguereau… edhe kush tjetër jo, i janë qasur Venerave të detit, shkumbëzuar e praruar nudistikat e tyre e mahnitin botën artistike sa i përket bukurisë së perëndeshës. Cilido muzeum i botës nëse ta ketë një Venera në koleksionin e vet pothuaj sikur nuk “preket” nga krenaria e mendjelartësia – fitohet përshtypja sikur Venera na i paska fajet që dhe biletat do jenë më të shtrenjëta. Ka diç të vërtetë, pakashumë ngjashëm si ai rasti i portretit të Mona Lizes, shpesh biletat e Louvre shtrenjtohen për sherr të saj – tjetër se zyrtarisht mohohet kjo punë, zyrtarët e Louvre kurrë s’e pranojnë : )

Kush, cilikush, që ka sadopak shije artistike dhe “sens për bukurinë” do thoshte se Venera na qenkësh një shëmtaraçe. Ç’është e drejta dhe mund ta thoshim, për “inat” dhe mund ta thuash, s’na e ndalon kush, por s’do përputhej. Jo pra, nuk shiten “dërdëllitjet” nga inati, më e lehtë ta pranojmë të vërtetën, ta kapërdijmë krenarinë, perëndesha e bukurisë patjetër se do jetë e bukur, sidomos nëse kemi shansin ta shohim nudo. Pa le që si mund t’na jesh perëndeshë e bukurisë dhe… shëmtaraçe. Jo pra, të njëjtën e dinin dhe Botiçeli, edhe Cabanel edhe Bouguereau, e dinte dhe skulptori i lashtësisë, Praksiteli – perëndesha Venera ishte “tmerrësisht” e bukur.

Botiçeli e pati pikturuar “Venerën” rreth 1484-86, edhe përkundër se krahu i majtë i saj i çrregullt, dorën në zemër mjaft “atavistik”… mirëpo për kohën e vet, si prurje artistike e shek. XV, kryevepër, asgjë s’e cenonte bukurinë veneriane. Sa e sa piktorët dhe artdashësit do jenë frymëzuar nga bukuroshja e Botiçelit, diç e tillë s’ka as si hamendësohet. E megjithatë, ku është Botiçeli e ku Praksiteli.

Mendohet se Frineja, bukuroshja antike ishte modeli dhe muza e Praksitelit për skulpturën e Afërditës. Kjo i bie pothuaj 2000 vjet para Botiçelit. Frineja ishte prostituta më e bukur dhe më e pasur e Greqisë së lashtë, pati qëlluar ishte e dashura e skulptorit të famshëm, Praksitelit. Frineja pati grumbulluar aq shumë pasuri, sa pas shkatërrimit të Tebës (nga Aleksandri i Madh, kur ata të Tebës qenë kryengritur), ajo e pati bërë publike ofertën që me ekonomikat e veta personale t’i rindërtonte muret e qytetit, me kushtin që t’vendoseshin pllakat “Çfarë qe shkatërruar nga Aleksandri, rindërtuar nga Frineja” !

Natyrisht grekët e patën heshtur, kishin ujë në sy dhe ata, ofertë mjaft tunduese por u vinte inat. Nëse dihet fakti që Teba ishte vetë djepi i “qytetërimit” grek, nga aty qe nisur gjithçka… mjaft “fyese” do ketë qenë që një prostitutë ta mëkëmbte privatisht, me ekonomikat e veta, qyetetin e shembur. Sidoqoftë, thuhet se Praksiteli qe frymëzuar kur ajo, në “Festën e Poseidonit” qe zhveshur dhe qe zhytur në det të lahej. Dhe duke dalur nga uji e rrethuar nga shkuma e shkëlqimi, detaj që do kthehej pastaj në versionin mitologjik për lindjen e Afërditës (Venerës) nga shkuma e detit.

Dhe ja, e dimë pakashumë si “lidhen”, si janë lidhur mitologjia greko-romake dhe arti piktural perëndimor – e lehtë me mitologjinë, por shtrohet pyetja vallë si t’ia bëjmë me astrologjinë.

Apo mbase, ashtu-kështu mjaft nga pikturat e artit perëndimor patjetër se “lidhen” me shenjën tonë të horoskopit. Gjatë shekujve të historisë pikturale, cilindo nga piktorët që i është qasur temave mitologjike, automatikisht mund ta “lidhim” dhe me astrologjinë. Psh. nëse na teket të flasim për “Demat”, e dimë detajin kyç, pa të cilin s’bën hiç se hiç, Venera (perëndesha romake e dashurisë) e sundon secilin aspekt të “shenjës së demave”. S’kemi si i shmangemi Venerës dhe po të donim, Demat (dmth. të Zodiakut, jo demat e vërtetë : ) kanë t’bëjnë me perëndeshën e dashurisë dhe të bukurisë, s’është shaka ky detaj astrologjik.

Le t’supozojmë se jemi “dem”, ai demi horoskopik – si mund ta konsideronim profecinë e zodiakut diç të besueshme nëse pikësëpari t’mos i besonim Venerës. Madje bën të thuhet se demat janë dhe fatlumë, s’do ishte e pavërtetë, pasi e kanë aq të lehtë. Fillimisht duke e patur besimin tek perëndesha Venera aq i lehtë për ta besimi i astrologjisë. Nëse i beson Venerës atëherë pse t’mos i besosh dhe Asterisë, dhe Afërditës, dhe perëndeshës Isis, perëndeshës Ishtar, perëndeshës Hator… etj. etj. aq e lehtë pastaj ta besosh gjithë mitologjinë.

Ja pse, në kohën moderne, ka kuptim ta lidhësh artin me astrologjinë, qëkur ashtu-kështu arti veç i lidhur me mitologjinë. Mitologjia dhe Astrologjia… pothuaj e “njëjta” gjë, pse t’mos zbukurohen të dyja me artin e mirëfilltë. Pse vallë do duhej vazhduar akoma dhe ende (në modernitetin tonë) me ilustrimet e shëmtuara të shtrigave, me ilustrimet e zverdhura, plot pluhur e merimanga të Mesjetës… duke i patur Venerat marramendëse : )

Për 12 shenjat e zodiakut të cilat autorja Rusu i ka “ndërlidhur” me pikturat e artit, për Demat e ka zgjedhur “Venerën” e Bouguereau. Anise mund t’i kishte zgjedhur dhe të tjerat, psh. Venerën e Cabanel, apo atë të Botiçelit etj. Mirëpo dihet, cilëndo ta zgjedhim s’prish gjë punë, Venera është mishërimi i bukurisë dhe i elegancës. Demat pëlqejnë t’jenë të llastuar – ka sqaruar autorja. Të qeverisur nga Venera, ata dinë të kujdesen për veten e tyre dhe të ndihen rehat në mjedise luksoze. Edhe pse ndonjëherë mund t’jenë kokëfortë, demat janë këmbëngulës por dhe besnikë ndaj miqve të tyre. Për shkak se elementi i tyre është Toka, ata dëshirojnë stabilitet dhe pëlqejnë t’i marrin gjërat ngadalë. Në përgjithësi, demat dinë ta shijojnë çdo moment të ditës së tyre.

Ec e mos buzëqesh, ec e mos u mahnit me saktësinë, i bindur jam secili dem e di dhe e ndjen të vërtetën zodiakale, jo sepse profecitë astrologjike janë “art në vete” por sepse ashtu kemi zgjedhur të besojmë – ba besimin asgjë, u muar vesh tashmë. Ne vetë jemi zotërit e besimit tonë – të asaj çfarë besojmë.

Le ta përmendim dhe shenjën e Luanit (pak dhe si shkas, lum si ata që në familje e kanë ndonjë “luan”, unë për vete i kam 2 luanë). Luanët janë të zjarrtë – paska shkruar autorja, të sigurtë, bujarë dhe ndonjëherë xhelozë, e dinë se çfarë nevojitet që t’jenë në qendër të vëmendjes. Janë liderë të guximshëm dhe yje të çdo shfaqjeje, s’ka sfidë të madhe për ta, luanët urrejnë të varen nga të tjerët dhe janë fort elastikë. Edhe pse kujdesen për imazhin, ata nuk shqetësohen për ndonjë dramë eventuale të jetës e tyre.

Dhe siç shihet, autorja ka zgjedhur t’i prezantojë “luanët e zodiakut” me një pikturë të Napoleonit, të artistit Jacques-Louis David, sepse Napoleon Bonaparte ishte “luan” në zodiak. Ku ka më luan sesa vetë luani Bonaparte. Piktura duke i kaluar Alpet, si një gjeneral i madh dhe komandues i ushtrisë madhështore, pikturë epike, pozë epikale si një kalorës i vërtetë. Paçka se imazhi i pikturës në fjalë s’është vërtetësi, as historike as artistike, është imazh i stisur, imazh imagjinar. Napoleoni pati refuzuar të pozonte për portretin (ehu, ku kishte kohë, ku kishte nerva të pozonte), e pati udhëzuar piktorin David ta pikturonte si një kalorës, si një Aleksandër të Madh. Piktori David na thotë se retë e errëta po mblidhen diku në distancë, sëshpejti do ngryset, qejfi mund t’i prishet dhe Napoleonit, ne duhet ti “shohim” ushtarët e Napoleonit duke marshuar pas tij – e vërteta pra është se Napoloni si “luan” nuk u pati prirë gjatë kalimit të Alpeve por pati vajtur pas ushtrisë mbi një mushkë. S’ishte askund “afër” imazhit piktural.

Please follow and like us: