Organizata politike e miliarderit Musk merr paralajmërim për dhuaratat prej 1 milion dollarësh
Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka dërguar një letër organizatës politike të financuar nga miliarderi Elon Musk, duke e paralajmëruar se dhurata prej 1 milion dollarësh mund të përbëjnë shkelje të ligjit federal, sipas mediave amerikane, që citojë njerëz të informuar për këtë çështje.
Një letër nga zyra për integritetin publik e Departamentit të Drejtësisë, e cila heton shkeljet e mundshme të ligjit për zgjedhjet, ka mbërritur tek organizata politike e financuar nga sipërmarrësi Musk.
Departamenti i Drejtësisë dhe organizata e veprimit politik “America”, që financohet nga zoti Musk, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Sipërmarrësi Musk, i lindur në Afrikën e Jugut, i cili ka mbështetur kandidatin republikan për president, Donald Trump, njoftoi të shtunën teksa fliste në një takim elektoral në Pensilvani se do të jepte 1 milion dollarë çdo ditë, deri në ditën e zgjedhjeve, dikujt që firmos peticionin e tij në internet në mbështetje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.
Ai u dorëzoi çeqe prej 1 milion dollarësh dy personave gjatë fundjavës, një burrit në Harisburg të shtunën dhe një gruaje në Pitsburg të dielën.
Elon Musk, i cili kryeson listën e njerëzve më të pasur në botë, sipas revistës “Forbes”, deri tani ka dhënë të paktën 75 milionë dollarë për organizatën politike “America”, sipas dokumenteve federale, duke e bërë atë pjesë të rëndësishme të përpjekjes së zotit Trump për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.