Albspirit

Media/News/Publishing

Irma Kurti: Shëtitja e fundit

Në përvjetorin e vdekjes së nënës sime, Sherife Kurti (20 mars 1935 – 25 tetor 2006).


Unë nuk e kuptoja pse atë ditë,

kur të dyja po shëtisnim bashkë,

ti derdhje lot në heshtje, Nënë,

dhe nuk më thoshe asnjë fjalë.


Unë ndihesha më konfuze se ti,

Të pyesja “Pse qan?” qindra herë.

Vështrimi yt i ngulur në hapësirë,

dorën time shtrëngoje fare lehtë.


S’e dija: ishte shëtitja jonë e fundit.

Ti e kuptoje, unë s’mundesha dot.

Me siguri, për ne ti ndieje dhimbje,

rrugës për të ikur nga kjo botë.


Të vinte keq që s’do t’na shihje më,

s’do t’na prekje apo puthje si tani,

s’do shkelje n’këto parqe të gjelbër,

s’do të të zgjonte më dielli në agim.


Ç’sinjale kishe marrë, vallë, nga larg,

mesazhe që dije ti lexoje vetëm ti?

S’doje të më trishtoje as atë çast,

po ikje nga ne pa një lamtumirë!


Sikur ta dija se ish shëtitja e fundit,

do të të shtrëngoja fort në krahët e mi,

nuk do të t’lija të qaje, t’më braktisje,

do shkrihesha me ty, do bëhesha një!

Please follow and like us: