Shqipëria në “Luftën e Madhe”, nga anarkia politike dhe pushtimet e fqinjëve, tek autonomia e kontrolluar nga shteti protektor A-H, pavarësia e mbikqyrur e Italisë dhe Republika e Korçës
Prof. Romeo Gurakuqi
Shqipëria në Luftën e Madhe respektivisht nga dita e largimit të Mbretit Wied, më, 3 shtator 1914 dhe deri me 25 dhjetor 1918, me mbledhjen e Kuvendit Rithemelues së Durrësit, pësoi dezintegrimin e Shtetit Nacional, Kushtetues, Shekullar dhe të Europianizuem, prapësimin e forcave nacionaliste që kryen revolucionin nacional dhe mbisundimin e forcave kunder-revolucionale obskurantiste, ehlikjamiste dhe esadiste, pushtime të koordinuara te vendeve fqinje, që thyen Paktin e Londrës së 29 korrikut 1913, shndërrimin e territorit nacional në një shesh lufte mes fuqive ndërluftuese; por, njëkohësisht, pas janarit të vitit 1916, vendi përjetoi një kohë të ndaljes së shpërberjes nga vendet fqinje dhe të ripërtëritjes së kontrolluar të nacionit, që do të ndihmojë Shqipërinë, të ringrihet vetvetiu në mbrojtje të të drejtave nacionale, ripërtëritjes së shtetit dhe mbrojtjes së kufijve pas nëntorit 1918.
Ne vitet 1914-1918, për shkak të rënies së shtetit të europianizuem, para së gjithash prej vetë kundërshtisë së një pjesë të popullsisë, ndryshimit të njëanshëm nga ana e vendeve të Antantës të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (me traktatin e 26 prillit 1915), Dezintegrimit të Perandorisë A-H si protektor i kombit dhe shtetit shqiptar, në planin e të drejtës ndërkombëtare u vyshken deri në tharje, aktet themeltare të ekzistencës së Principatës së Shqipërisë dhe legjitimiteti restaurues i dinastisë Wied.
Gjithsesi, në vitet 1916-1918 në tre qendra të Shqipërisë, Shkodër, Korçë dhe Vlorë, për shkak të lejimit të detyruar nga tre sundimtarë europianë jo ballkanikë, i autonomisë arsimore dhe kulturore, krijimit të administratave vendase, zhvillimit të shtypit, ndodhi rigjenerimi i nacionalizimit dhe rekuperimi i pozicionit prej anës së elitës së Vlorës 1912, në pasluftë. Kjo elitë, e mbështetur nga emigracioni elitar në SHBA, Zvicër e gjetkë, ia doli të përformojë në mënyrë spektakolare në tratativat diplomatike të pas luftës, duke u shndërruar në faktorin vendimtar që ndryshoi rrjedhat e paramenduara të fuqive fituese mbi të ardhmen e Shqipërisë në paqes e pas Luftës së Madhe.
Menjëherë pas dy viteve të luftës civile, të kaosit, pikërisht në gjendjen e luftës, nën okupimin nominal austro-hungarez, do të fillojë për Shqipërinë, në një pjesë të Kosovës, në disa treva të Malësisë, në Shkodër, në Korçë dhe në pjesën tjetër të Jugut (pas largimit të detyruar të ushtrive greke nga ndërhyrjet e ushtrive franceze dhe italiane): rizgjimi administrativ, arsimor, kulturor, procesi i ripërforcimit të kohezionit nacional ndër shqiptarë, tashmë në një hapësirë më të gjërë që përfshinte pesë zona pushtimi: tre nën dominimin e Perandorisë Dualiste, të ndarë në komanda të ndryshme ushtarake austro-hungareze (Zona shqiptare, serbe dhe malazeze); zonën franceze të kontrollit të Korçë; dhe zonën italiane që nga Vlora do të shtrihej në rrjedhën e vitit 1916 në të gjithë Shqipërinë e Jugut dhe në Epirin e Jugut. Pavarësisht se ndër zona të ndryshme pushtimi, elitat përparimtare shqiptare, edhe pse të dobësuara, ia dolën të ringjallën dhe të qëndrojnë në linjat kryesore të interesave të kombit, programit politik të indipendencës; t’u imponohen tre fuqive që ishin armike mes njëra-tjetrës në këtë kohë, dhe t’ua marrin atyre të drejtat autonomiste dhe indipendentiste në vitet 1917-1918. Shpalljet e autonomisë vetqeverisëse nën mbikqyrje, të Pavarësisë, ose të Republikës Krahinore, pasuan me ngut njëra-tjetrën nga ato fuqi, si në një garë mes tyre për shpallur miqësinë, dashamirësinë dhe kujdesin ndaj popullit shqiptar; në fakt, dhe para së gjithash, për të kontrolluar territorin e lënë pa shtet, për arsye strategjike dhe për francezët dhe italianët, për të mos pasur në prapavijë një popullsi armiqësore.
Njëra nga pyetjet kërkimore që është ngritur ne kete studim, ka qene: Pse Shqipëria nuk ia doli të mbijetojë në kohën e pavarësisë së parë, si një vend me udhëheqësi të njësuar mbi parimet rindërtuese dhe organizuese të një vendi me kushtetutë, liri, shekullarizëm dhe administrim civil vendor?
Jam perpjekur t’i jap pergjgje të detajuar kësaj pyetjeje kërkimore përmes analizës së kualitetit të Nacionalizmit, shpjegimit të kushteve të përgjithshme të dështimit të shtetit të parë modern, nivelit te respektimit të kushtetutshmërisë dhe shekullarizmit, si kondita të panegocueshme për mbijetesën dhe përforcimin në unitet të një shteti modern ndër shqiptarë.