Albspirit

Media/News/Publishing

28 Tetor, ditëlindja e aktores Julia Roberts!

Aktorja fituese e një “Oskari” është mirënjohëse për jetën që po kalon mes aktrimit dhe familjes, ndërkohë që karriera e saj ka arritur shifra miliona dollarëshe

Rrëfimi

Julia-Roberts

Koncepti i fatit është shumë i përhapur në bisedat me Xhulia Roberts (Julia Roberts). “Nuk dua të tallem me zotat”, do të thoshte ajo. Kjo është e kuptueshme, pasi ajo ka qenë me fat në shumë raste: ka një karrierë që ka zgjatur më shumë se 25 vjet, ku përfshihet një çmim “Oskar” si aktorja më e mirë; një trup të mirë dhe një martesë që i ka mbijetuar një dekade prej të cilës ka tre fëmijë.

Por këto ditë, ajo po përpiqet të jetojë një jetë më normale, e vështirë për dikë që është bërë një yll në moshën 22-vjeçare me filmin e paharrueshëm “Pretty Woman”. Tani ajo është në kërkim të balancës delikate mes të qenit aktorja e cilësuar si Greta Garbo nga regjisori Mike Nichols dhe jetës së qetë në Malibu, ku jeton prej vitit 2007.

“Familja ime është shumë e lumtur që është si çdo familje tjetër. Kjo nuk vihet në diskutim”, thotë Roberts. Ajo po përpiqet të ruajë distancën nga jeta e çrregullt e Hollivudit dhe dëshiron të jetojë sa më thjesht duke u përkujdesur për familjen dhe fëmijët e saj. Xhulia Roberts e cilëson veten me fat dhe është mirënjohëse që ka gjetur “njerëzit e saj”, siç i quan ajo pjesëtarët e familjes që krijoi me bashkëshortin Danny Moder, me të cilin u martua në vitin 2002.

Pothuajse e gjithë puna e saj në aktrim është xhiruar sipas axhendës së familjes, madje edhe filmi më i fundit “The Normal Heart”. “Në kohën që bëmë fëmijët, i kisha plotësuar gjërat dhe ndihesha e sigurt rreth asaj pjese të jetës”, thotë aktorja. “Isha shumë e lumtur që kalova në fazën e krijimit të një familjeje”, tha ajo. Kur lindën binjakët në vitin 2004, Roberts kishte punuar tashmë për 18 vjet dhe ishte bërë një emër i njohur që me nxjerrjen e filmit të dytë “Mystic Pizza”.

Nga viti 1997 deri në vitin 2001, një film i Xhulias garantonte 25 milionë dollarë fitime nga biletat në fundjavën e hapjes dhe më pas ky çmim shkoi në 100 milionë dollarë. Ajo ishte bërë aq e njohur në kohën kur po priste lindjen e Hazel dhe Finn, saqë një rol i vogël në filmin e 2004, “Ocean’s Twelve” u rishkrua në mënyrë që personazhi i saj të ishte shtatzënë për t’iu përshtatur aktores.

Por që prej asaj kohe, Roberts duket se është përpjekur t’ua ulë ritmin gjërave dhe pasi Henry lindi në vitin 2007, familja u zhvendos në një shtëpi relativisht modeste në Malibu. Si rezultat, “për shumë kohë”, aktorja tregon se fëmijët e saj nuk ishin në dijeni se ajo bënte një punë, pasi ishte në shumicën e kohës në shtëpi. Ata, akoma nuk e kanë parë kurrë “Oskarin” që nëna e tyre mori si aktorja më e mirë për filmin Erin Brockovich, për të cilin u bë aktorja e parë e Hollivudit që u pagua 20 milionë dollarë. (Statuja e saj e artë është në apartamentin e motrës së saj në Nju Jork.)

Filmi i saj më i fundit “The Normal Heart”, që e xhiroi gjatë pushimeve verore të fëmijëve, të cilët i mori në sheshxhirim, është një projekt jo i zakonshëm për të. Në të nuk ka aq shumë të qeshura, romancën përrallore, pasi është diçka më reale.

Materiali është i vështirë, dhe sipas regjisorit që drejtoi edhe filmin Eat Pray Love, Xhulia Roberts i duhet të thërrasë disa emocione prej avokateje, që i shfaqi në filmin Erin Brockovich. Roberts bën shaka duke thënë se regjisorit Ryan Murphy i pëlqen kur ajo nxehet dhe bëhet me faqe të kuqe prej të bërtiturave nga aktrimi.

“Doja me patjetër që ta shihja Xhulian në këtë rol. Ka një skenë ku personazhi i saj shpërthen. Xhulia ka thënë se zemra e saj është e lidhur drejtpërdrejt me trurin, ndaj shpërthimi i saj mund të besohet dhe ndihet prej publikut. Ajo mund të përcjellë jo vetëm zemërim, por edhe pasion”, shprehet regjisori.

Pavarësisht faktit se një natë Xhulia Roberts mund të shfaqet në tapetin e kuq me gjithë sharmin e saj, ditën tjetër ajo kthehet në një nënë të përkushtuar, pranojnë yjet e Hollivudit që kanë punuar apo e kanë njohur në rrethana miqësore.

Please follow and like us: