Bledar Koçi: MË THËRRET ATJE NJË LUMË
– Shokëve të një udhe –
Më thërret atje një lumë
Si askush e dua unë,
Shterur zajesh vjen në gjumë
Mes një ëndrre bardhësi.
Oh, ç’dëshira rrodhën shtratit
Nëpër dredhat ujëpakë,
Humbur valëzave të fatit
Poshtë këmbëve të malit
Shpresë e shelgje ndezën flakë
Ç’më thërret atje në breg
T’i derdh anës ca kujtime
Si t’a gjej të vjetrin shteg,
Të më çojë atje nën shelg
Ku fle lumë i zemrës sime.
Please follow and like us: