Albspirit

Media/News/Publishing

Sejmen Gjokoli: PËRTEJ NJË KONCERTI ME SAZE…

Mbrëmë Vlora për rreth 120 minuta përjetoi mes avazesh melodish e melosit të sazeve apo orkestrinave popullore një mbrëmje folklorike të veçantë.

Të gjithë të ardhur prej qyteteve të teritorit në juridiksion të Qarkut; vendasit e bashkisë së Vlorës por edhe nga Delvina, Saranda, Finiqi e Konispoli.

Vlora si më e shquara në këtë zhanër, ardhur si traditë prej kohës së sazeve të Bilbil Vlorës, u paraqit me dy palë orkestrina kështu që duhet thënë se gjashtë palë saze për dy orë ndezën me melodi, tinguj e bukuri Pallatin e Kulturës “Labëria” në Skelë.

Me syrin e një specialisti të mirëfilltë të kësaj fushe, muzikologë apo profesionistë të pentagramit e harmonisë mbase mund të ketë natyrshëm vend për kritika por nisur nga misioni i aktivitetit duhet thënë me plot gojën se ky takim shënoi një sukses të pa diskutueshëm në laminë e veprimtarive kulturore e artistike në rang qarku e më tej.

Të bësh bashkë rreth gjashtëdhjetë interpretë të instrumentave tradicionalë popullorë si klarinetistë, violinistë, fizarmonicistë, llahutarë, dajrexhinj e këngëtarë popullorë nuk është gjë e lehtë.

Ndërkohë që seicilit grup i duhej të tregonte përpara publikut një performancë prej rreth pesëmbëdhjetë minutash apo thënë ndryshe një program me pesë apo gjashtë numëra, asnjeri i ngjashëm me tjetrin.

Sazet mbeten për artin e muzikuar institucion kulturor më vehte ndaj stimulimi i tyre duhet konsideruar shërbim i vyer ndaj kulturës shpirtërore tradicionale.

Gati e pa bebueshme që në një takim fare të thjeshtë, madje gati të aty për atyshëm për nga koha e përgatitjes dhe mbështetjes, të na vijnë aq shumë vlera trashëgimie.

Të mblidhen bashkë amatorë e instrumentistë tradicionalë, njerëz të zakonshëm që këtë punë e bëjnë vetëm për pasion, shumë të pa trajtuar me punësim, rrallë ndonjë i punësuar në ndonjë institucion kulture.

Duhet përgëzuar organizatorët dhe mbështetësit e këtij aktiviteti tipologjik qoftë edhe për faktin e rizgjimit të nervit të dashurisë për muzikën që na vjen prej sazeve, madhështinë e orgjinalitetit që këto formacione muzikore popullore mbartin.

Jetojmë në kohë integrimesh të mëdha po edhe në një “det” të pa anë globalizmi dhe të tentosh të rigjesh melosin që vjen prej formacionesh kaq shumë të herëshme popullore është një tjetër arritje pozitive e këtyre lloj aktiviteteve.

Koha ka nxjerrë në plan të parë tallavanë, me të sikur shumë ndër ne gjejnë rehat e kënaqësi, ndaj aktivitete të tilla duhet të vlerësohen pavarësisht në se arrihet apo jo përsosmëria.

Ato lënë mënjanë tallavanë e kthejnë traditën që vjen si trashëgimi, atë traditë që mbetet ind shpirtëror e kombëtar e që vetë institucionet kulturore të shtetit duhet të bëjnë shumë e shumë për të.

Ja pse më duhen falenderuar e uruar drejtuesit e Këshillit të qarkut të Vlorës por edhe të gjithë ata drejtues njësish vendore të cilët kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore e bëjnë jo vetëm pjesë të axhendave të punës së tyre por edhe të qenies së tyre shpirtërore.

Please follow and like us: