Albspirit

Media/News/Publishing

“The Washington Post” deklaron se nuk do të përkrahë asnjë prej kandidatëve presidencialë

Nga Ruben Avxhiu

Gazeta e njohur “The Washington Post” ka deklaruar se nuk do të mbështesë ndonjë nga kandidatët për President në këto zgjedhje.
As në zgjedhjet e tjera presidenciale, në të ardhmen.
Ky sipas një mesazhi nga botuesi dhe shefi ekzekutiv i gazetës së kryeqytetit amerikan, Williams Lewis, është në fakt, një rikthim në traditën e saj.
Pasi qendroi mënjanë për një numër zgjedhjesh presidenciale, “The Washington Post” mbështeti në vitin 1952 për President, ish-Gjeneralin “Ike” Eisenhower, që ishte bërë i famshëm gjatë Luftës së Dytë.
Ky ishte një përjashtim i kryer sipas gazetës “në rrethana të pazakonta”, në fillim të Luftës së Ftohtë.
Gazeta ka besuar gjithmonë se nuk mund të shërbente në mënyrë të pavarur lexuesit e saj nëse do të shpallte preferencë për ndonjë nga alternativat politike.
Mirëpo, duke filluar nga viti 1976, duke filluar me kandidatin demokrat Jimmy Carter, “The Washington Post” iu bashkua gazetave të tjera amerikane në deklarimin e preferencave të redaksisë për kandidatët presidencialë.

“E marrim me mend se kjo do të lexohet në shumë mënyra, duke përfshirë edhe si mbështetje e heshtur për ndonjë nga kandidatët, apo si ndëshkim për ndonjë tjetër, apo si shmangie përgjegjësie. Kjo është e pashmangshme. Por ne nuk e shohim ashtu. Ne e shohim si në përputhje me vlerat që Posti ka treguar gjithmonë, po ato që shpresojmë të shohim te një udhëheqës: karakter dhe guxim në shërbim të etikës amerikane, nderimit ndaj pushtetit të ligjit dhe respektit për të drejtat e njeriut në të gjitha aspektet…”, thuhet në mesazhin e botuar sot, si editorial.
“Puna jonë në The Washington Post është që të ofrojmë përmes redaksisë sonë, lajme jopartiake për të gjithë amerikanët dhe pikëpamje që vënë mendjen në punë dhe qendrime të raportuara nga ekipi ynë i opinionit që të ndihmojmë lexuesit ta vendosin vetë se kë zgjedhin.
Mbi të gjitha puna jonë si gazetë e kryeqytetit të vendit më të rëndësishëm në botë është që të jemi të pavarur.
Dhe ashtu jemi dhe do të vazhdojmë të jemi”.

Nuk ka nevojë që Editoriali ta specifikonte me emër një nga reagimet më të mundshme të lexuesve. Është e qartë që nga vëzhguesit e politikës amerikane ky vendim i një prej gazetave më të mëdha amërikane do të shihet si një mbështetje e heshtur për kandidatin republikan Donald Trump dhe si një refuzim për të përkrahur kandidaten demokrate, Kamala Harris.
Për demokraten Harris kjo përbën një humbje, më pak se dy javë përpara zgjedhjeve. Në një plan afatgjatë, është e mundshme që gazeta të humbasë një pjesë të lexuesve të saj të majtë në një kohë polarizimi të ashpër partiak në SHBA.
E njohur shkurtimisht si “WaPo”, gazeta e shquar gjithmonë është përpjekur të ruajë një lloj drejtpeshimi në trajtimin e lajmeve dhe opinioneve, por nuk i ka shpëtuar dot zhvendosjes majtas që kanë pësuar e gjithë media kryesore amerikane në dy dekadat e fundit. Sidomos në një kohë kur demokratët dhe pjesa më e madhe e medias po përpiqen ta trajtojnë betejën e këtyre zgjedhjeve si betejë për fatin e demokracisë amerikane duke e krahasuar kandidatin Trump deri edhe me Adolf Hitlerin, nuk ka dyshim që ky vendim nga gazeta kryeqytetase do të lexohet si tradhëti.

Please follow and like us: