Poetja Irma Kurti nderohet me çmimin e parë në Itali
Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti nderohet me çmimin e parë në konkursin letrar kombëtar “Leandro Polverini” në Anzio, Romë për librin e saj me poezi “Un giorno mi racconterai” (Një ditë do të më tregosh) me këtë motivacion: “Autorja shqiptare e kthen shikimin drejt rrënjëve të saj, duke ndërtuar imazhe të gjalla, të marra nga kujtesa dhe të akumuluara në mpiksje të papritura kontradiktash dhe zonash gri. Një vepër e suksesshme sinteze atje ku ajo nuk i heq as forcë dhe as qartësi vargjeve, por ku ndërton me kujdes të jashtëzakonshëm një gjuhë poetike, thelbësore, muzikore, autentike dhe komunikuese. Kjo përmbledhje poetike ofron një dëshmi të sinqertë dhe të paanshme të përhumbjes sonë të përbashkët”.
Libri është botuar me siglën e Shtëpisë Botuese Akademia Barbanera dhe vargjet shoqërohen nga imazhet fotografike të fotografit Biagio Fortini.
Në parathënien e librit “Un giorno mi racconterai” kritiku letrar Lorenzo Spurio. shkruan: “Poetika e Irma Kurtit është e vëmendshme ndaj veçanësisë të situatave, ndaj imazheve që kanë forcën t’i sjellin në mendje kujtime të gjalla, të këndshme për t’u kujtuar, si një fllad ajri, por në të njëjtën kohë edhe të dhimbshme, sepse zbulojnë distancën nga e djeshmja e shkujdesur dhe gati hyjnore, e jetuar në plotësinë e ndjenjave dhe në shoqërinë e figurave të dashura siç janë prindërit, të cilëve u është dedikuar përmbledhja poetike. Irma Kurti, e cila është një poete e thellësisë, në përvijimin etimologjik të fjalës “poezi”, e tregon veten si një grua e vëmendshme dhe e pasionuar në gjurmimin në letër, falë vështrimit gjenial dhe krijimit që e mbështet atë, të imazheve, formave e ndryshimeve që na na bëjnë të pyesim veten dhe na magjepsin…”.
Gjatë këtij viti, poetja shqiptare fitoi gjithashtu një tjetër çmim të parë si dhe u shpall fituesja absolute e edicionit 2024 të Konkursit Ndërkombëtar Artistik Letrar “Scriptura” në Napoli.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Ajo ka botuar 30 libra në gjuhën shqipe, 25 në italisht, 16 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur Hasan Kurti dhe Sherife Mezini që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugëtimit letrar.Ka përkthyer 21 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 17 vende të botës.