Asim Bedalli: A duhet t’u kontrollohet pasuria analistëve të medias?
Nje nga dukuritë e ditëve tona është rritja në mënyrë të jashtëzakonshme e ndikimit të medias në zhvillimet e shoqërisë njerëzore. Prandaj ajo konsiderohet edhe si pushteti i katërt, pas atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Në shoqërinë e sotme është jo vetëm burimi kryesor i informimit të shoqërisë për veprimtarinë e tre pushteteve të tjera, por ka dhe rol të madh si opinion formuese.
Ajo shpreh dhe duhet të shprehë e përfaqësojë ndërkohë sensibilitetet e opinionit të gjerë publik ndaj qeverisjes e zhvillimeve politike, shoqërore e ekonomike në vende të ndryshme. Pra, është e duhet të jetë oponencë e fuqishme dhe e vazhdueshme e tre pushteteve të tjera. Këtë tregon në përgjithësi përvoja e demokracive të përparuara të vendeve të tjera.
Si çdo pushtet, edhe ai i medias është po aq i ndjeshëm ndaj korrupsionit, sa pushtetet e tjerë. Në mënyrë të vecantë në demokracitë e reja, që janë në një stad të ulët të zhvillimit, si kjo e jona, pushteti i medias ka të gjithë siptomat korruptive të pushteteve të tjerë. Në vendin tonë ajo është zhvilluar në simbiozë me të tre pushtetet, legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin. Historia e zhvillimit të saj ka ndjekur historinë e zhvillimit të klasës sonë politike .
Viti i parë, pas rënies së diktaturës, ishte viti i lirisë edhe për median. E çliruar nga vargojtë e censurës, gjatë vitit 1991 dhe në muajt e parë të vitit 1992 në vendin tonë lulëzoi një media e lirë dhe e larmishme. Lindën një varg gazetash e stacione radiofonike të pavarura, të përditshme e periodike, kombëtare e lokale. Por kjo atmosferë nuk zgjati shumë. Pak muaj pas zgjedhjeve të 22 marsit të vitit 1992, media filloi të ndiejë acarin e pushtetit të ri politik. Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) dhe Agjensia Telegrafike Shqiptare (ATSH) nga institucione publike gradualisht filluan të kthehen në zëdhënëse të pushtetit të ri dhe të forcës politike udhëheqëse, Partisë Demokratike.
E para që ndjeu kërbaçin kundër fjalës së lirë në media ishte gazeta e saj,“Rilindja Demokratike”. U hoqën njëri pas tjetrit dy kryeredaktorët e parë të saj, vetëm se gjatë kësaj periudhe tentuan të ruanin një farë pavarësie në linjën editoriale. U bë presion mbi gazetat e tjera të pavarura për t’u vënë në shërbim të pushtetit të ri politik. Kulmin ky represion kundër fjalës së lirë e arriti me gazetën e pavarur “Koha Jonë”. Duke mos e përkulur dot me presione ekonomike e financiare, i vunë zjarrin ndërtesës së saj, si Hitleri në Gjermaninë e viteve 30-të të shekullit të kaluar kur mori pushtetin Partia Naziste. Disa të tjera u mbyllën.
Partisë Demokratike dhe pushtetit të saj politik nuk ju duhej një media e lirë dhe e pavarur që të kryente misionin e saj, për t’i bërë oponencën në emër të publikut pushteteve të tjerë, atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqsorë, të cilët ishin vënë pothuajse të gjitha nën pushtetin e vet. Ata bënë gjithçka, duke përdorur represionin dhe korrupsionin, për ta vënë median në shërbim të interesave të tyre politike. Një pjesë e medias i rezistoi dhunës së regjimit, si gazeta “Koha Jonë”. Por të tjerat u tulatën dhe u vunë në shërbim të Partisë Demokratike. Filloi të krijohej gradualisht një media mercenare, në shërbim të politikës dhe të biznesit te pronarve të saj. Një medie e tillë i shërbeu gjithë klasës politike, pavarësisht kush vinte në pushtet. Këtu i ka rrënjët ajo medie e shkruar dhe audiovizive e korruptuar, pa parime e moral, që ekziston sot në vendin tonë.
Në këtë klimë represioni e korrupsioni lulëzoi një tabor “analistësh” e “opinionistësh”, gjithollogë që hidhen sa në një televizion në tjetrin, si pjesë e paneleve të tyre, që shkruajne sa në një gazetë në tjetrën pa përgjegjshmëri publike, kulturë etike e ndershmëri profesionale. Gjuha e tyre banale, gjithë urrejtje, shpifje, gënjeshtra, sharje e nëpërkëmbje të personalitetit njerzor është bërë diskursi i zakonshëm i paneleve, ose do të ishte më i saktë termi i banaqeve televizive. Në këto banaqe debati shpesh shndërrohet në përplasje fizike, duke goditur njëri-tjetrin me shishet e ujit që kanë përpara, në vend të argumenteve ndaj kundërshtarit. Disa prej tyre, bëjnë thirrje për dhunë ndaj kundërshtarëve politik, madje nuk hezitojnë me thirjet për tërrëmbyer armët kundër institucioneve te shtetit të zgjedhura me votën e lirë të qytetarve.
Ky diskurs, që karakterizon debatet në këto panele, ka intoksifikuar opinionin publik
Këtë shprehu qartësisht edhe dalldia që përfshiu pothuajse të gjithë televizionet në emisionet e mbrëmjes në mbrojtje të Ilir Metës, ditën e arrestimit të tij. Atyre nuk iu bënë përshtypje figurat e krimit për çka u arrestua, por vetëm mënyra si u krye ajo, pavarësisht që organet e rendit, të ngarkuar për ekzekutimine vendimit, u detyruan të përdorin forcën nga sjellja e pahijshme e Ilir Metës në momentin e arrestimit. Ky moment mbeti i ngrirë në ekranet e disa televizioneve për disa ditë me radhë. I njëjti qëndrim që u mbajt dhe vazhdon të mbahet edhe ndaj arrestimit të Berishës dhe bëmave të tij dhe të familjes kundër shtetit e shoqërisë shqiptare.
Media tek ne ka të njëjtat mëkate që kanë tre pushtetet e tjerë, që ka e gjithë politika shqiptare në këtë stad të zhvillimit të demokracisë gjatë tranzicionit të gjatë e traumatik që po kalon vendi ynë, përmes korrupsionit në institucionet tona të shtetit e të shoqërisë shqiptare. Për fat të keq, pjesa më e madhe e medias, e jo pak gazetarëve, analistëve e opinionistëve nëvendin tonë, më shumë se interesit të publikut, i shërbejnë interesit personal apo biznesit të pronarëve të tyre.
Në vendin tonë ka një deformim të madh të tregut të medias.Disa janë ngritur nga biznesmenë për të mbrojtur veprimtarinë e tyre afariste e për të bërë presion mbi shtetin e institucionet e tijpër favore të paligjshme. Ka media që pronarët e tyre e kanë nisur veprimtarinë e vetë thjesht si të tilla, teksa sot janë kthyer në biznesmenë të mëdhenj ndërtimi e resortesh turistike. Ka edhe media që janë ngritur për të mbrojtur interesat politike dhe ekonomike të disa njerëzve të elitës politike të pas përmbysjes së diktaturës dhe problemeve të tyre me drejtësinë. Ky deformim i tregut të medies nuk mund të mos deformonte edhe misionin e saj, duke e kthyer nga një mjet në shërbim të publikut, në shërbyese të biznesit dhe të interesave korruptive të politikës.
Në këtë grupim ka dhe gazetarë e analistë, që e kanë hedhur pas shpine misionin e tyre dhe e kanë vënë tërësisht në shërbim të interesave personale. Mendoj se është koha që të hetohet edhe veprimtaria korruptive e këtyre lloj mediave dhe argatëve të tyre të zellshëm, sic hetohen funksionarët e tre pushteteve të tjera për abuzime me pushtetin e tyre për interesa personale.
Ja pse reagimi i shoqërisë shqiptare ditët e fundit për shpenzimet marramendëse të ciftit Meta për luksin e tyre, u prit me aq agresivitet nga disa media dhe një pjesë e madhe e gazetarëve dhe analistëve të paneleve televizive apo në mbrojtje të bëmave të familjes Berisha dhe disa politikanëve të tjerë të korruptuar. U kujtoj dhe më tej mëkatet e tyre: të njëjtën jetë luksi, me burim tepër të dyshimtë të ardhurash, me vila në zonat më të pasura të Tiranës e në bregdetin tonë, me udhëtimet nëpër botë në vendet më luksoze etj.
Për këto probleme është folur shumë këto ditë. Ajo që dua sërish të theksoj: Një media e tillë mercenare është kthyer në një fatkeqësi kombëtare. S’mjafton ta pohosh këtë. Si e tillë, ajo duhet të jetë jo vetëm në fokusin e shoqërisë, por edhe të drejtësisë. Për të çliruar median nga këto shushunja të shtetit e shoqërisë shqiptare, mjafton të ndiqet rregulli si edhe për të korruptuarit e tre pushteteve të tjera: origjina e parave të tyre.
Boll ka shërbyer si mburojë për të fshehur mëkatet e tyre – e drejta e lirisë së shtypit.
https://gazetadita.al/a-duhet-tu-kontrollohet-pasuria-analisteve-te-medias