Sadik Bejko: Ku ma çoi koha atë mbrëmje
Vetmi, jetimëri, lodhur..
pa të diela. Javë pa të kremte,
Një kufomë gjumi ofronte çdo mbrëmje.
Në bef erdhe ti… dhe ç’hir zbuluam te vetja, te njëri-tjeri gjetëm kaq dritë e ëndje.
Jetimëri, pa dritë në të nesërme
Por ti, ti guxoje: pa pritur ia behje.
Trungjet e lagur të një vreshte na bëheshin si portikë me yje, qemere;
…në truall, natën, nën rrepe, në minus tre gradë…
lumi, pemët ndiznin mbi ne luzmë zjarri, frymë, feksje,
Përjetë ndanë atij lumi me degë akulli, e zhveshur, ti përjetë m’u skalite si në ar gdhendje;
…mbi shkëmb, mbi shtrojën- gjethe
mund të të kem thënë fjalët më të ëmbla, më të ngrohtat të kësaj jete.
Ç’të kërkoja? Ty: arrati, ylber mbi ashpërsi lakuriqe, ty trupngrohtën plot frymë e dhele
Pa një peng, ma dhuroje në duar krejt jetën tënde:
çdo puthje me ty mund ish dhe e fundit,
pa premtime, pa brengë, pa si e kur, pa hamendje.
Kur ndaheshim, ktheja kokën si në pus:
ku ma çoi koha këtë mbrëmje?