Albspirit

Media/News/Publishing

Tajar Domi: TË MOS E PËRÇAJMË PËRSËRI DIASPORËN…

Shqiptarët gjithnjë në lëvizje. Largime të shumta, por edhe shpërngulje masive nga trojet e tyre, kanë ndodhur. Ndër dekada, por edhe ndër shekuj, janë diktuar të tilla zbrazje të dheut mëmë. Kështu ndodhi me shqiptarët e Çamërisë në vitet, kur shovinistët e fashistët grekë, nuk kursenin as foshnjet në barkun e nënës me masakrat ndaj tyre, duke i larguar ata deri në Turqi, nëpërmjet pazareve greko – turke, në kurriz të shqiptarëve.

Kështu ka ndodhur me shqiptarët e Kosoves e të zonave  të tjera në ish Jugosllavi, si pasojë e politikës shfarosëse e genocidit të ushtruar nga politika serbe e aktorët e saj shovinistë që nga Çubrillovici 1936-1937, tek më të vonët Rankovic – në vitet 1955 – 1966 , kur shqiptarët e gjetën veten në skamjen e madhe në shkretëtirat e Anadollit në Turqi dhe Miloshevic në fund shekullin e XX-të, kur gjithashtu shqiptarët përjetuan genocidin më të egër në botë që u pa në eksodin masiv të afër një milion njerëzve të zbuar nga shtëpitë e tyre por që gjetën strehën tek vëllezërit  e një gjaku, në Shqipëri. Dhe pas fitores se luftës clirimtare të Kosovës, ata panë që mbi tre mijë dëshmore flijuan jetët e tyre për clirim e pavarësi.

Ndërsa shpërnguljet më të mëdha të shqiptarëve, brenda kufinjve shtetëror të Shqipërisë aktuale, kanë ndodhur ne vitet e para të pas 1990-ës, këtë radhë të detyruar jo nga të tjerët, por nga diktatura e sistemit komunist të ndërtuar në Shqipëri gjatë 50 viteve. Këtë herë, vecanërisht rinia, nuk pa dhe nuk i interesonte se cfarë po linte pas, por sa hap e mbyll sytë e pa veten në anijet e tejmbushura si në filmat imagjinarë të luftrave, në skafet e vdekjes të shumë prej tyre për të arritur Italinë, apo në udhetimet sfilitëse për të arritur Greqinë ku i nënshtroheshin edhe një përçudnimi të pa imagjinueshëm nga militarët grek.

Dhe largimet vazhdojnë pa u ndërprerë edhe në ditët e sotme. Përsëri, jo të shtyrë nga dikush i jashtëm, por sepse banorët në Shqipëri vazhdojnë të mos ndjehen të sigurtë në përballimin e jetës sot e për të nesërmen. Shkaku sigurisht kërkohet tek qeverisja jo si duhet, korupsioni I lartë si askund dhe lufta e egër politike për pushtet, aktorët e së cilës janë gati në cdo kohë ta djegin apo ridjegin vendin për interesat e tyre.

Kështu pra shqiptarët u shpërndanë në të gjithë botën. U ndjenë fillimisht vetëm, por me kohën po ndërtonin një jetë e të ardhme më të mirë për familjen. Shumë prej tyre, sidomos të brezit të ri, po shkëlqenin në shkollim, në bisnes, në shkencë etj.

Ndërsa kur kthenin kokën pas u mungonte Atdheu, vendlindja e tyre, e prindërve, gjyshërve e të gjithë trungut familjar. Dhe Atdheu duhet dashur ashtu sic është, me të mirat e vështirësitë e tij. Si Atdheu yt nuk gjen asgjëkundi në botë, kjo dihet. Atë nuk mund ta blesh me para, atdheun e ke brenda vetes gjithmonë dhe e ndjen ne cdo hap që hedh.

Në këto kushte të reja, të një jete më të mirë por plot brenga, stres e lodhje të pa zakontë, të gjithë do ta dëshironin të ndodheshin në ambjente me më shumë bashkatdhetarë, ku të mos mungonte edhe e folura shqip. Kështu që disa prej tyre hodhen shikimin e krijimit të këtyre qendrave, që emërtoheshin me emrin e përgjithshëm “Shoqata“, por secila do të mbante emrin e dëshiruar në varësi të misionit të saj. Diaspora e Amerikës kishte një përvojë të madhe me veprimtarinë mbi 110-vjecare të Shoqatës Panshqiptare Vatra, roli i së cilës është i jashtëzakonshëm gjatë gjithë kësaj kohe, vecanërisht në momentet e vështira të cështjes kombëtare. Atë e udhëhoqën emra të mëdhenj si Fan Noli, Faik Konica, Agim Karagjozi e të tjerë deri tek Elmi Berisha sot, dhe në cdo rast kanë ditur të orientohen në shërbim të Shqipërisë. Ndoshta, periudha e viteve të pas 1990-ës, kur shumë shqiptarë arritën në këtë vend të ëndërruar, ishte e vështirë për të bashkëpunuar me të mëparshmit që ishin larguar nga Shqipëria si të përndjekur politikë. Te rinjtë e ardhur, shpesh etiketoheshin si “spiunë“ e “bashkëpunëtorë“ të regjimit të Enver Hoxhes, që në shifra shumë të vogla mund të ishin të pranueshme, ndërsa të shumtët kishin vuajtur njëlloj nën diktaturën e kohës.

Kështu që kjo “kontradiktë“, kjo “ftohje“ mes shqiptarëve duhej kapërcyer. Por si mundej që kjo të realizohej brenda një kohe sa më të shkurtër.

 Për këtë po sjellë më poshtë eksperiencën tek “Bijtë e Shqipes“ në Filadelfia:

 Familja patriote “RISILIA“ dhuron ndërtesën për Shkollën Shqipe

I forti fal, – thotë populli. Por të jesh i fortë dhe i mençur e atdhetar në shpirt, do të thotë të udhëheqësh me shembullin tënd. Kështu e përdori emrin e saj familja Risilia, që përfaqësohej nga dy vëllezërit, Hasan e Beniamin (Ben) Risilia. Një familje patriote e shumë e pasur në vendlindje, nga Risilia e Vlorës, por e detyruar të largohet pas luftës, në vitet 1945-1946, për arsye të qëndrimit politik gjatë asaj lufte jo në krahun e çlirimtarëve. Ishin dy vëllezër të mirë këtu në Filadelfia ku mendohet të jenë mbi 30 mijë shqiptarë. Në vitin 2005 ata ndërmorën një hap të madh në shërbim të bashkimit të shqiptarisë, duke lënë pas çdo debat që bëhej midis “të vjetërve“ e “te rinjve“, midis “ballistëve“ e “komunistëve“. Hasan Risilia, një burrë fisnik e i pa lodhur, në shërbim të bashkatdhetarëve të tij, para se të vdiste i lë amanet familjes, vëllait Benit e motrës… që shumën e lekëve që do të përfitonin nga shitja e shtëpisë, do t’ia dhuronin Shoqatës “Bijtë e Shqipes“ për shkollë shqipe. Dhe ashtu ndodhi. Shuma e përfituar nga shitja e shtëpisë të Hasanit, prej 64 mijë dollarësh, u dorëzua në arkën e shoqatës që ishte krijuar 3 vite më parë, duke realizuar kështu amanetin e Hasanit dhe si kontribut i jashtëzakonshëm i kësaj familje me emër të madh, me të cilët u ble ndërtesa që u përdor si shkollë shqipe e qendër e komunitetit, deri në qershor 2024.

Beni, vëllai i Hasanit, që jetoi deri në 2022 dhe të cilin komuniteti shqiptar e respektoi gjithmonë për atë frymë që sollën midis shqiptarëve, në bisedat e ndryshme tregonte se sa shumë kohë e debate janë bërë në atë kohë me rrethin e tij familjar e miqësor, për t’i bindur pse duhej t’u jepej ky kontribut financiar, të ardhurve të vonë që kishin krijuar shoqatën “Bijtë e Shqipes“. Por Beni ndjehej gjithmonë i lumturuar, që familja e tij u bë gur i fuqishëm në frymën paqtuese, bashkëpunuese e të miqësisë së duhur në komunitetin shqiptar në Filadelfia. Kjo solli që në festa e fatkeqësi të jemi bashkë, himni ynë kombëtar të këndohet cdo të dielë me nxënësit e shkollës shqipe, bashkatdhetarë nga veriu apo nga jugu, nga Kosova apo Çameria të jemi bashkë kudo.

Shtëpia e Re e Shqiptarit në Filadelfia

Ishte hapi tjetër që bashkoi akoma më shumë shqiptarët. Erdhi koha që ambjenti për të cilin folëm më lartë shumë shkurt, të shihej si shumë i vogël e me kushte jo të mjaftueshme për fëmijtë tanë. Prandaj shikimi u hodh për një tjetër ambjent, më të madh e më të bukur. Dhe arritëm ta kemi atë. Një objekt madhështor në Filadelfia, në zonën ku banojnë më shumë shqiptarë, që u përurua me krenari e pjesëmarrje të jashtëzakonshme me datën 13 Tetor 2024. E blemë këtë Qendër para gjashtë vitesh, me kontributin financiar të rreth 500 familjeve shqiptare jo vetëm në Filadelfia, nëpërmjet një fushate sensibilizuese që preku zemrat e tyre, duke shmangur mosbesimet e keqkuptimet dhe duke u bërë barrierë për cdo shpifje apo dashakeqësi nga njerëz të vecantë. Evituam ofertat nga subjekte te vecanta, për t’u blerë prej tyre e për të shërbyer si Qender komunitare. Në vend të kesaj, bëmë thirrje të hapura që secili mund të ishte pjesë e këtij kontributi, sipas mundësive. Qëllimi ishte që të vazhdohej e të forcohej fryma e mëparshme që solli familja Risilia. Dhe gjithcka u arrit. Godina historike 270 vjecare e William Pennit, themeluesit të shtetit të Pennsylvanise, që nga 23 Korrik 2018 është pronë e shqiptarëve të Filadelfias, pronë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes“.

Me këtë frymë bashkuese, ku u shpenzua shumë punë e para, realizuam edhe restaurimin e kësaj kështjelle shqiptare. I ftuam përsëri të kontribonin të gjithë, por vecanërisht bizneset, të majtë apo të djathtë në bindjet e tyre, të cdo lloj besimi e të ardhur nga cdo krahinë e shqiptarisë. Dhe erdhën shumë, që me mundin e djersën e tyre e ringritën Kalanë shqiptare në Amerikë. Të tjerë që nuk arritën të vinin, na mbështetën me telefonata, me mesazhe optimizmi e me fjalë zemre. Dhe ja më 13 Tetor, do të vinim përsëri bashkë, si kurrë më parë, nga shumë vende ku janë shqiptarët: nga Italia, Greqia, Kanadaja, nga shtete të ndryshme të Amerikës, erdhën miqtë tanë të Vatrës me flamuj e libra të dhuruar, nga Akademia e Shkencave në NY, nga shkrimtarët shqiptaro–amerikanë e shumë të tjerë bashkatdhetarë nga vendlindja. U mblodhëm së bashku, u gëzuam, shijuam këtë ditë të madhe të shqiptarëve në Filadelfia, dhe u larguam krenarë për atë që arritëm. Atë ditë, u pa se cfarë mund të realizojmë duke qenë së bashku.

E ftuam edhe qeverinë shqiptare të vendoste emrin e saj në listen tonë të pambarimtë, por më kot. Ftuam përfaqësues të saj (nga të arsim – kulturës) të ishin në përurimin e kësaj Qendre, por asnjë begenisje.

Kështu që duhet më shumë kujdes e punë për ta mbajtur e zgjeruar më shumë këtë frymë bashkuese midis shqiptarëve, të ndërtuar ndër vite këtu në Filadelfia.

Por me shqetësim po shohim, se politika shqiptare e llojit të saj që e shikojmë të ngarkuar me mllef, arrogancë, paturpësi, cmirë e xhelozi, korrupsion e vrasje për të mbajtur apo për të marrë pushtetin, të mund të shtrihet edhe në shqiptarët e diasporës.

Shoqata “Bijtë e Shqipes“ është jo politike, jo fetare e jo krahinore

Kështu është e shkruar në pikën… të statutit të saj, që rregullon jetën e kësaj shoqate. Pra, anëtarsia e saj nuk mund të gjykohet nga bindjet politike të cdo anëtari që sigurisht nuk mund të jenë të njëjta, as nga besimi apo përkatësia fetare dhe as nga zonat prej nga vijnë (veriu apo jugu i Shqiperisë, nga Çamëria apo Kosova, nga Shkupi apo Ulqini etj). Por në ambientet e Shtëpisë të Shqiptarit, ku funksionon prej 20 vitesh Shkolla Shqipe  “Gjuha Jone“ dhe ku organizohen veprimtari të shumta historike, kulturore e të traditës, ku pihet kafe e bëhet muhabet, asnjëherë dhe asnjeri nuk ja ka lejuar vetes të pozicionohet në ekstremet e gjërave. Këtu është vendi për të diskutuar për shqiptari, për ecurinë e komunitetit tonë qe po avancon suksesshëm dhe po renditet krahas komuniteteve të tjera më të vjetra e më të shumta në numër, për gëzimet e hidhërimet qe ndodhin ndër familjet tona e si mund të ndihmohen ata, por edhe për problemet e politikën e mbrapshtë në vendlindje, etj etj.

Kemi ftuar gjithmonë në veprimtaritë tona dhe kanë marrë pjesë në to, ambasadorët e Shqipërisë në SHBA ndër vite (të majtë e të djathtë), sepse e kemi ndjerë si detyrim ta bëjmë këtë. Nuk kemi ftuar dhe nuk ka marrë pjesë asnjë politikan i lartë i vendit tonë në jetën e shoqatës, me qëllim që ta mbajmë atë larg cdo lloj keq interpretimi apo përdorimi në publik me qëllime jo të mira nga dikush. I vetmi ndër to, që na nderoi në festën e madhe të Flamurit në vitin 2017, ishte i ndjeri Gerti Bogdani, tek i cili mund të shikoje atë cfarë ne duam të jenë poltikanët e rinj të vendit tonë.

Sigurisht që e kanë vizituar Qendrën tonë, sidomos vitet e fundit, edhe deputetë, drejtues institucionesh e bashkatdhetarë të shumtë, që kanë dëshiruar të bëjnë një vizitë të tillë dhe kanë mbetur shumë të kënaqur e të impresionuar.

Por, tashmë dihet se ligji i ri i Kuvendit të Shqipërisë dha të drejtën kushtetuese të votës për të gjithë shqiptarët e diasporës që plotësojnë kriteret për të votuar. Dicka e vonuar, por një hap i duhur. Shohim një përkujdesje të krahëve politikë në Shqipëri, për t’u afruar me diasporën nëpërmjet takimeve në vendet ku banojnë, përfshirë edhe Filadelfian, një e drejtë e ligjshme e tyre ndoshta. Por mënyra se si disa politikanë apo mbështetësit e tyre që kanë organizuar këto takime (të majtë e të djathtë), le shumë për të dëshiruar. Druaj se po zhvendosin frymën bajate, të ekraneve e kanaleve të shumta televizive, pjesë e të cilëve janë edhe “Opinionistët“ e blerë e të shitur, një pjesë shumë ordinerë, në mbrojtjen e mbështetjen e njerëzve të korupsionit e krimit. Kjo, për mua duket që nga njoftimet me gishta të pjesëmarrësve, patronazhistë apo revanshistë, duke mos sjellë asnjë frymë ndryshe e duke harruar se bashkatdhetarët e tyre nuk janë më si dikur, pasi po kalojnë një jetë të dytë këtu në vendin e demokracisë. Pse nuk guxojnë të njoftojnë publikisht takime masive, edhe për të sqaruar rreth procesit se si mund të votohet, edhe për të dhënë dicka nga programi për të ardhmen i subjektit politik që përfaqësojnë, pasi vetëm kështu mund të arrijmë atë që duhet  të arrijmë. Jo duke u fshehur, jo duke u shmangur nga mendimi i përgjithshëm i diasporës, i cili mund të lexohet më shumë e më mirë në Qendrat e organizuara të komunitetit. Ne nuk kemi nevojë as për lëvdata, dhe aq me pak për sharje. Ne duam një prezantim të ri, që t’i shkojë për shtat edhe historisë të vendit ku jetojmë tani. Të mburremi para vetes por edhe para tyre, për ndryshimin që presim. Jo thjeshtë në individë, por në programin e hartuar dhe rrugët e besueshme për ta realizuar. Në se arrini këtë, jeni të mirëpritur edhe tek “Shtëpia e Shqiptarit“ në Filadelfia.

  • Autori, ish kryetar i shoqatës  “Bijtë e Shqipes”, Nëntor 2024.
Please follow and like us: