Pagat e pensionistëve në Shqipëri janë kriminale
S’ka asnjë dyshim se pagat e pensionistëve në Shqipëri janë në kufijtë e mosmbijetesës, të pakrahasueshme ne asnjë shtet të rajonit.
Dhe këtu nuk ka asnjë dallim për demokratë e socialistë, komunistë dhe antikomunistë, legalistë dhe nacionalistë. Indeksimi me 4 për qind nuk sjell asnjë ndryshim në jetesën e tyre, por shkon më shumë në favor të matrapazëve të politikës majtas, djathtas, asnjëanjës apo në qendër ose të atyre me pensione të larta. Për këtë gjendje ka shumë faktorë, por përgjegjëse në çdo rast është mazhoranca qeverisëse.
Dhe për të ndryshuar këtë gjendje nuk janë bashkëbisedimet apo takimet rutinë me pensionistë, por ndryshimi i kësaj statuskuoje. As lëmosha në fundin e vitit nuk është shpëtimi i tyre.
Sipas Censusit të fundit ata përbëjnë një të tretën e votuesve ose edhe më shumë, çka do me thënë që nuk duhet bojkotuar zgjedhjet, por të mos votojnë asnjë mazhorancë që nuk ndryshon statusin e tyre.
Natyrisht kjo nuk zgjidhet me populizma, me vjedhjet spektakulare të ministrave, kryebashkiakëve, drejtorëve të drejtorive, drejtuesve të institucioneve të tjera, as me konfiskimet e pasurive në mënyrë të paligjshme, por me një standart që pensionistët të jetojnë normalisht dhe me dinjitet.
Nuk ka rëndësi nëse je i majtë apo i djathtë, por me votën tënde mund të bësh ndryshimin. Pa votën e pensionistëve, në kushtet e sotme, nuk krijohet asnjë mazhorancë qeverisëse.