PETRO ÇERKEZI: SUPERIORITETI ABSOLUT I DASHURISË
Shënime për romanin “Dashnorë në çmendinë” të shkrimtarit Kosta Limburis
Fiksioni dhe historia, realiteti dramatik dhe narativiteti kanë gjetur mjeshtrin në romanin e shkrimtarit qipriot grek Kostas Limburis “Dashnorë në çmendinë”, që sapo qarkulloi nga botimet Neraida. Titulli i origjinalit është “Athallasa”, parku më i madh i mbuluar me pemë që ndodhet në jug-lindje të Nikosisë, ngjitur me hyrjen e qytetit, ku është edhe mushkëria e tij natyrore. Është sigurisht një fjalë me ngarkesë të madhe emocionale për lexuesin qipriot grek, sepse kjo zonë, e cila ngjan si një copë parajse tokësore, përveçse një vend rekreacioni dhe pushimi, dikur ishte edhe një vend martirizimi për disa prej njerëzve të ishullit.
Shpesh historia bëhet ushqim tematik që i hap horizonte të gjëra letërsisë. Naratori në romanështë kronisti dhe personazhi qendror, është ai që mbart dramën dhe perspektivën e veprës. Dua të theksoj se duke përkthyer romanin e Kosta Limburit, e ndjeja se edhe pse është një tekst tejet romantik, autori e konsolidon dhe e zhvillon veprën qëllimisht mbi dy elementë dominues, në boshtin solid të historisë, veçanërisht të historisë moderne e tërmetore të helenizmit, me theks në Qipro dhe Greqi, me faqet e lagura nga lagështia e pikëllimit. Domethënë, historia e pamëshirshme, nga njëra anë dhe trishtimi i mprehtë, nga ana tjetër krijojnë atë magmë krijuese që përçon mjaft mesazhe domethënëse. Trishtim i papërshkrueshëm i shkaktuar nga ngjarjet tronditëse që ndodhin para syve të lexuesit që herë ngjajnë tragjike e herë qesharake!
Kjo vepër padyshim është një kronikë historiko – politike, por sfida e vërtetë dhe ekskluzive është superioriteti absolut i dashurisë që dy dashnorë vetëdijshëm të thyejnë gjithë paragjykimet, konceptet dhe muret kohorë, të rebelohen para një shoqërie konservatore, gati çmendurake dhe të hyjnë me këmbët e veta në një institucion psikik, në çmendinë. Kemi një ballafaqim sfidues midis dashurisë dhe çmendinës shoqërore. Promotori dinamik i subjektit pra është dashuria. Rrëfimi kronikal i jep romanit një diagramë sa reale aq dhe sureale që e thyen stereotipin e një romani të zakonshëm dashuror, që del mbi kohën dhe mbijeton dhe në një atmosferë çmendine. Fokusimi i personazheve lëviz në një standard kohor duke krijuar një murale bashkëkohore dramatike me një dialogim verbal të vazhdueshëm me përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, një dialogim ku naratori këmbehet me lexuesin pa kushtëzim, sepse ia sugjeron realiteti i trazuar dhe bashkëvuajtës.
Sfondi historik i romanit është një sfond real, sa ç’ është edhe shtrirja kohore dhe shtjellimi i ngjarjeve dhe situatave dramatike. Romani është drama e një shoqërie zhytur në baltovinë, një shoqëri që mpreh thikat dhe mbrun në magje bukën e hidhur të armiqësisë. Vëzhgimi i thellë psikologjik, depërtimi në botën shpirtërore të personazheve na jep atë shpërthim dramatik dhe rrjedhën substantive të veprës, që i ka dhënë dorë autorit për inskenimin intrigues të romanit me një shtjellim filmik. Vetë çmendina si vend veprimi sa ç’ është intrigues i të papriturës, po aq sugjestiv është se nëpërmjet personazheve jo të vetëdijshëm na jepen skena me ngjyrime sociale, mishërimi i plot i absurdit dhe i së keqes, dhe një galeri figurash të errëta që zvarriten, janë pasqyrë e një shoqërie që i është dorëzuar dhunës absolute një zhytje tronditëse në terrin e shpirtit njerëzor. Njerëz në dekadencë të plotë, në një shoqërie të falimentuar pa dinjitet njerëzor, shpalos martirizimin e një kombi të kapur nga mani që e bishërojnë fytyrën e shoqërisë. E megjithatë aty ku logjika duket e shvlerësuar, dashuria për mrekulli refuzon të dorëzohet.
Pra, Athallasa, nga fillimi në fund, është i rrethuar nga një histori erotike. Por në këtë sfond natyral si në parajsë gjendet një copë ferri. Protagonisti i romanit Isidori mbyllet vullnetarisht në institucion, për t’u gjetur pranë së dashurës, e cila për disa arsye të parëndësishme dhe absurde, është udhëhequr atje. Këtu konstatojmë sa qesharake janë arsyet dhe shkaqet për të cilat mund dikush të jetë pas kangjellave dhe mureve të bardhë të institucioneve të tilla famëkeqe. Arsyet që shoqëria, ne normalët, kërkojmë të heqim qafe njerëz që kanë prirje dhe guxim të ndryshojnë diçka, që për shumicën e njerëzve dritëshkurtër, marrin përmasa të çuditshëm dhe dramatike.
Por le të identifikojmë disa nga këto arsye dhe le të fillojmë me të preferuarën mësuesen, Anthulla. Ajo shkruan në një nga letrat e saj: “Kur u shfaqa për herë të parë me këpucë të verdha, fëmijët më shikonin me habi, por ata nuk thanë asgjë. Kisha veshur rroba të errëta, një këmishë gri me mëngë dhe një fund të gjatë të zi dhe ndoshta kontrasti me këpucët u kishte rënë në sy. Sigurisht që e pranova me vete se ky kontrast më magjepsi dhe për këtë e bëra. Sigurisht e dija që më të zakonshmet, ato që konsideroheshin më modestet ishin këpucët e zeza, të cilat gjithsesi i vishja gjithmonë”. Dhe më poshtë: “Konceptin e lirisë e konsideroj shumë të rëndësishëm, është arritja më e lartë sociale, sepse mbi të gjitha është një e drejtë personale. Dhe se veshja e këpucëve të verdha nuk është as mëkat dhe as e sofistikuar”. E njëjta situatë konservatore e shoqëron dhe në Akademinë Pedagogjike ku ajo studion. Një shembull i prekshëm që tregon sa e molepsur dhe konservatore është kjo shoqëri, është se ka injektuar helmin e së keqes, deri në qelizat e nxënësve naivë e të pafajshëm.
Por le të ndalemi tek arsyet që vetë mësuesi përvetëson për t’u bërë banor i lajthitur i çmendinës: Një poezi për vdekjen nga mësuesi, në një kohë të papërshtatshme dhe në një audiencë nxënësish që nuk përshtatej, sigurisht që ishte diçka e çuditshme dhe nuk i shkonte për shtat karakterit të Isidorit. Në fund të fundit, viti shkollor po mbaronte dhe askush nuk e dinte ku do të ishte vitin e ardhshëm. Por gjërat nuk dolën kështu. Dy ditë më pas, sjellja e tij u “përkeqësua”. Ai jo vetëm recitonte, por edhe shkruante në dërrasën e zezë, duke u kërkuar fëmijëve ta kopjojnë poezinë për vdekjen në fletoret e tyre.
“Shpirti dëshiron vdekjen eterike
Siç ia parathonë qiejt
Duke ëndërruar në dritaret e ndritura…”
(Jorgos Sarantaris)
Gjithashtu, sapo shkollat u mbyllën, në liturgjinë e së dielës, Isidori sjell një provë të re për të siguruar “lajthitjen”e tij duke kënduar “Thanato tanaton patisas...”. Vdekjen me vdekje e shkelëm…
Në periudhën në vijim ai vazhdoi me ndërhyrje të tjera të papërshtatshme dhe skandaloze:
“Unë do të vdes një mbrëmje të trishtë vjeshte
Vetëm në dhomën time të ftohtë e mjeran.
Në agoninë e vdekjes do të dëgjoj shiun
Dhe zhurmat e njohura që rruga shpërndan.”
(Kostas Ouranis)
Por le t’i hedhim një sy pjesës tjetër të “klientëve” të institucionit që gjeti atje mësuesi. Panteliu është i pari. I prezantohet mësuesit: “Emri im është Pluton. Sigurisht nuk është rastësi. Në fakt më pagëzuan Panteli, dhe kështu quhesha deri para katër-pesë vjetësh, kur rastësisht lexova se zbulimi i planetit Pluton u bë më 18 shkurt 1930, ditën kur linda unë. Që atëherë kam ndryshuar emrin dhe nuk bëj asgjë tjetër veçse të studioj yjet”. Dhe në mbrëmje: “Mësues, do t’i shihni yjet sonte? Dua të them, a do të vështrosh lart në qiell? Nuk është vetëm se humbet bukurinë. Nëse nuk i shihni yjet që bien në sezonin e tyre, si do të bësh urimin më të bukur? Duhet të jeni gati për të mos humbur yllin e fatit, mësues.
Është e sigurt se keni një të dashur për t’i uruar, a nuk është kështu, mësues?”
Nga fundi i pavijonit dikush ankohej me zë të lartë: “Nuk e gjej sërish veladonin, ma vodhën sërish. Si do të dal pa veladon?” Infermieri ishte sërish gati të ndërhyjë: “Makario të lutem, vish rrobat që ke kemi dhënë dhe pastaj do të shohim për veladonin. Ha mëngjes, merr ilaçet dhe pastaj do të shohim…”
Pak metra më poshtë, Foti me harmonikën. Mësuesi pyeti Fotin nëse donte të luante diçka. “Por unë nuk mund të luaj asnjë pjesë,” u përgjigj, “nga dita që ndodhi e keqja, nuk munda të luaj më. Do të luaj vetëm pasi të arrij të flas. Gjithsesi, që ta dini se çfarë ishte për mua harmonikë kur mundesha, të them se ishte sikur ta puthja. Nxirrja nga shpirti gjithçka dhe ajo më shpërblente me muzikë”.
Dhe Sotiraqi me varkat. “Sotiraq eja pasdite të bëjmë bashkë një varkë. Mos harro të marrësh me vete dhe veglat.” “Kjo është një copë lëvore pishe – thotë Sotiraqi – dhe kjo është një gur stralli. Asgjë tjetër. Nëse gjeni një gur stralli të mirë, të fortë dhe me majë të mprehtë, është si thikë. Varkës, i jap fillimisht një forme të zgjatur dhe më pas filloj ta punoj nga jashtë dhe më vonë nga brenda. Shumë herë gdhend vetëm disa ndenjëse për marinarët, por ndonjëherë vendos direk dhe vela. Pastaj e vë emrin”.
Grigoris mori zemër: “Nuk bëja asgjë tjetër veçse të pikturoja. Por jo shtëpi dhe peizazhe, por njerëz. Vizatoja portrete të bashkëfshatarëve të mi kudo që i gjeja. Ose në letër ose në mure dhe shkruaja emrin e tyre poshtë. Dhe kur në murin e jashtëm të kishës pikturova vajzën e kryetarit të komunës, ai më denoncoi në polici. Më çuan në gjyq dhe më sollën këtu”.
Steliua ishte i paepur: “Nuk e kuptova, mësues, Sotiraqi sjell varkën e tij, Foti harmonikën, Grigori pikturat, pse nuk mund t’i sjell dhe unë gjarpërinjtë e mi?”
Befas para u shfaq një plak me poture. “Dije për shkak shallvareve më kanë mbyllur në çmendinë. Do të martoja, vajzën time të madhe. Por ajo merrej me gjepurina nuk donte ta shoqëroja në kishë me shallvare. Me të u pajtua dhe i fejuari, një avokat megaloman.
Dhe kur më panë të patundur, m’i bënë copë shallvaret e mira. Por edhe unë veprova njësoj. I mora fustanin e nusërisë dhe ja shqeva. Më pas më denoncuan në polici dhe me ndihmën e avokatit më nxorën të çmendur”.
Pra jeta që zhvillohet brenda këtij institucioni, në rrethin e pacientëve funksionalë si mësuesi dhe rrethi i tij i ngushtë me të cilin tashmë u prezantua, nuk është as e padurueshme, as emocionalisht e vdekur dhe indiferente siç do të imagjinonte lexuesi duke pasur parasysh imazhet që jepen për institucione të tilla. (Ekzistojnë, sigurisht, dhe pavijonet me të
sëmurë rëndë me kushte ekstreme, përtej kufijve të qëndrueshmërisë njerëzore, me të cilat – për fat – ky libër nuk merret). Dhe galeria e këtyre personazheve vazhdon. Siç mund ta perceptojë lehtësisht lexuesi janë histori për njerëz të ndjeshëm dhe disi të veçantë si fëmijët. Po, disa të rritur që mbetën fëmijë. Njerëz me ndjenja, me talente, me ide kreative.
Besoj se romani është një sprovë sa moderne aq edhe klasike, me një projektim çmendine absurde alla Dostojevsk. Shkrimtari hulumton shtypin dhe historinë, kërkon materien dhe krijon formën me një stil të kuptueshëm nga lexuesi duke i mëshuar përjetimeve të brendshme. Autori ka meritë të veçantë se në faqet e librit sjell në një mënyrë të përpiktë klimën politike dhe sociale që mbizotëronte në atë kohë, por, në të njëjtën kohë, konturon në një përshkrim të saktë portretet e personazheve të ndryshëm problematikë, të heronjve dytësorë që takojmë në roman. Bëhet fjalën për ata psikopatë të torturuar që fati i padrejtë dhe pjesërisht shoqëria e sëmurë i ka çuar në izolimin dhe vetminë e padurueshme që mbretëron në këto institucione. Dhe është me të vërtetë mjaft bindëse dhe e admirueshme mënyra se si K. Limburis ka “gdhendur” portretet e vështira të këtyre njerëzve të margjinalizuar dhe të përbuzur dhe për këtë e kanë ndihmuar, besoj, në një masë të konsiderueshme aftësitë psikoanalitike që zotëron si shkrimtar, gjë që e lejoi të depërtonte në aspektet më të thella të të menduarit dhe jetës së tyre në përgjithësi. Ndaj rrjedh se nga faqet e librit del një atmosferë e rëndë, e përmbytur, siç thashë, me trishtim dhe melankoli të bollshme. Atmosfera e një çmendine është depresionuese përherë, por në këtë pikë shkrimtari punoi në mënyrë të zgjuar dhe shpëtuese, duke u përpjekur dhe ia doli ta zbuste këtë atmosferë dëshpëruese me humor kaustik, që funksionon, do të thosha, edhe si një vitaminë aktive në disponimin mendor të lexuesit. Ai përfshin mjaft pjesë interesante në roman, p.sh. mënyra epistolare, letrat e shkëmbyera mes dy të rinjve si dhe vargje nga poezi të bukura apo këngë lirike, të cilat kanë si synim, këtë zbutje apo eliminimin e lodhjes që mund të ndjejë lexuesi nga momentet depresionale duke lexuar. Gjithashtu, K. Limburis lë të parakalojnë në romanin e tij momente të ndryshme me ngarkesë emocionale për disa njerëz të famshëm apo edhe të zakonshëm, si p.sh. vdekja e këngëtarit Nikos Gunaris apo veprimet e kapitenit Andrea Zepo gjatë pushtimit, të cilat jo vetëm e pasurojnë dhe e bëjnë më tërheqëse përmbajtjen e romanit, por edhe e bindin lexuesin se ai mban në duar një roman të bazuar në një realitet njerëzor bazë dhe jo në imagjinatën e tij krijuese. Sepse, vërtet, romani “Athallasa” është i bazuar mrekullisht, nga fillimi në fund, në një realitet të ashpër.
Koha në të cilën i vendos ngjarjet shkrimtari është një dekadë shumë e vështirë, dhe dramatike 1964-1974, ku në Qipro, por edhe në skenën ndërkombëtare ndodhën ngjarje të rëndësishme, të cilat do të ndryshonin, jo vetëm fatin e Qipros dhe të popullit të saj, por, në një farë mase, të gjithë njerëzimit. Domethënë, lexuesi, përmes faqeve të librit dhe teksa zhvillohet në mënyrë kinematografike historia e dashurisë së dy të rinjve, mund të shikojë në të njëjtën kohë sesi është formësuar realiteti historik në Qipro dhe Greqi në këtë dekadë të veçantë, sepse atij i jepet mundësia për të hulumtuar dhe për t’u informuar siç duhet, p.sh. për bombardimet dhe shkatërrimin e Tilirisë në gusht 1964 nga forcat ajrore turke, për vendosjen e diktaturës më 21 prill 1967 në Greqi dhe marrjen e paligjshme të pushtetit nga junta ushtarake që i preu rrugën e zhvillimit popullit grek për shtatë vjet të tëra, për tentativën për vrasjen e Presidentit dhe Kryepeshkopit Makarios nga EOKA II më 8 mars 1970, për incidentet në Kofinu në vitin 1968 midis Gardës Kombëtare dhe rebelëve turq që rezultuan në tërheqjen me forcë të divizionit grek nga Qiproja, për kryengritjen e studentëve të Politeknikut në vitin 1973, për grushtin e shtetit kundër Makarios dhe pushtimin barbar turk që pasoi në korrik 1974, që rezultoi në ndarjen faktike të Megalonisit.
K. Limburis nuk kufizohet vetëm në Greqi dhe Qipro. Ai e shtyn mendimin dhe reflektimin e lexuesve të saj përtej këtyre zonave gjeografike. Kështu, na informon edhe për ngjarjet e ndodhura në skenën politike botërore në dekadën 1964-1974, si lufta në Vietnam, vdekja e Martin Luther King, kryengritja studentore në Francë në maj të vitit 1968 dhe të cilat, në mënyrë të pashmangshme, pak a shumë prekën gjithë botën, pra edhe popullin tonë.
Përkujtimi, për më tepër, i disa parullave historike, të cilat herë pas here shpreheshin nga buzët e revolucionarëve të mëdhenj, si p.sh. “Ne jemi realistë, kërkojmë të pamundurën” nga Daniel Cohn-Bedit dhe “Unë kam një ëndërr” nga Martin Luther King, parashtrojnë para lexuesve se autori ka kërkuar t’i japë një karakter universal romanit të tij, të cilin ja ka arritur me sukses, mendoj, në një masë të kënaqshme.
Si përfundim, dua të theksoj se K. Limburis, me romanin e tij shumëplanësh, ia doli mrekullisht të qëndiste një tekst të mirëqenë letrar, me cilësi të shumta, të cilat e udhëtojnë lexuesin në shumë vise të botës. Me pak fjalë, është një roman i ngarkuar dhe i ndezur që hapet me forcën lëvizëse që e dallon si rrugë shprese për prozën moderne të Qipros dhe i jep autorit të tij një vend të veçantë në letërsinë moderne greke.
Ky roman është apologjia e një dekade, një vepër me veprim të shpejtë, megjithëse ka shtrirje të gjatë kohore. Në një shoqëri konservatore bartëse paragjykimesh ku paligjshmëria, lakmia e marrë, fanatizmi etnik, egoizmi, rebelizmi dhe megalomania janë sunduesit absolut atëhere e ardhmja e saj do të jetë e turbullt. Nëpërmjet rrëfimit të episodeve historike që shënuan rrjedhën e jetës së një shoqërie, projektohet një botë e veçantë që falimenton dita ditës dhe nuk pranon të pajtohet me frymën e kohëve të reja. Drama e individit dhe faji kolektiv kanë si rezultat kaosin dhe greminën fatale drejt të cilit ecën me hapa vigane një vend. Realiteti ka plazmuar personazhet duke na dhënë një roman metaforë-tragjike të një përfytyrimi madhor mbi të vërtetën historike, duke na dhënë identitetin e një shkrimtari dhe të një vendi mesdhetar me një dramë etnike, siç është Qiproja.