Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: “Drama e moskuptimit” në poezinë e Irena Dragotit

Përkas në letra me dy gjysma atdheu;

udhëtoj mes tyre, me varkën e syve;

Në netë mallëngjimi ajo shpesh më mbytet…

Symbyllaz ndaj stinët, por gjithmonë bën dimër;

yjet mezi shihen, vonon perëndimi…

Kështu shkruan së fundi poetja shqiptare Irena Dragoti, e cila jeton prej kohësh në Michigan. Në letërsinë e sukseshme shqipe që kultivohet në SHBA ka spikatur së fundmi zëri i kësaj krijuese moderne. Irena Dragoti sjell në mënyrë origjinale dhe me një ndjeshmëri të mrekullueshme dualitetin e tmerrshëm afektiv të dashurisë me urrejtjen. Në thelbin e poezisë së saj, që shijohen si një liker i fortë, ekziston drama e moskuptimit. Ka një konflikt apologjik mes ndjenjave dhe ideve, pa misticizëm dhe pa tone idealizuese, ku shpaloset bota e brendshme e një femre, me gjithë ndjesinë e imazheve dhe ndjenjat sublime në konceptimin e së bukurës, e shtrirë mbi zonat më të paeksplorueshme të shpirtit. Kjo ndjesi arrin majat në vargje si:

“Jam një e huaj që kërrus aromat

sjellë nga toka ime.

Të huaj kam shtëpinë dhe gjumin e pakët,

si udhëtim vajtje-ardhje e bëj çdo natë.

Ndaj shihmëni pa mëri;

Nuk dua të hyj në zemër të kujtesës,

as tju gdhend të ardhmen”. 

(Të tjerat m’i jep Atdheu )

Këto sugjestione e këto akorde, brenda një kornize estetike metafizike, ravijëzojnë një filozofi të veçantë për natyrën dhe marrëdhëniet njerëzore, që kanë të bëjnë me gjendjen e qënieve njerëzore, me ekzistencën reale të secilit person, me provokacionet me të cilat arsyeja është e detyruar në çdo rast t’i nënshtrohet jetës. Në poezinë e Irena Dragotit e sundon mosdëshira për të mos maskuar kontradiktat dhe hendeqet e jetës, mohimi i ngushëllimeve sentimentale, përçmimi për çdo lloj patetizmi. 

“Ndërtoni burgje
brenda shpirtit,
me kujtimet.
Pa harruar tiranët
që përdhunuan mendje,
shpirtra, trupa,
që rrënuan kulte.
Që më shumë se jetë,
kufoma numëruan.
Mos lejoni…
të ngrenë përmendore nderi,
në të sotmen,
për hir të dashurisë sublime me të shkuarën”.

(Mos lejoni)

Irena Dragoti nuk flet nën vello; në poezinë  e saj nuk ka asnjë lloj kamuflimi dhe përçmimi, por vargjet rrëfejnë për një nevojë ekzistenciale për të komunikuar me masën e qënieve njerëzore, me turmën e padukshme dhe të hallakatur në lëmshin e raporteve të panumërta.

“Koha u djerr….

dhe njerëzit…

por mëshira lakohet shtigjeve;

huton rrudhat mbi mollëzat e mendjes,

pa e sosur luftën për mbijetesë

Mëshirona, o Zot!

Bëj që ulliri i mbjellë para kohe, në oborr

të hapë rrënjët e lëmoshës dhe faljes

e të të takojmë Ty, si pendim

edhe njëherë”.

 (“Mëshirë”)

Në poezinë e saj Dragoti kërkon të gjejë këndshikimin më të përshtatshëm, në të cilin drita dhe dritëhija gërshetohen në mënyrë të ndërsjelltë dhe nëpërmjet kontrasteve. Autorja përdor krahasimin, metaforën dhe hiperbolën, pa ndonjë sforcim të veçantë, të cilat janë përcaktuese në procesin e saj krijues, duke shkaktuar ndriçime të papritura e reflekse të befasishme. Psikologe për nga pasioni, me vullnetin për t’i dhënë formë krijimit, autorja e nxit artin e vet vetëm në atë drejtim ku ndjehet më mirë, e shtyn drejt atyre figuarave me të cilat ndiehet e lidhur shpirtërisht, pa u përpjekur të përshkruajë gjithë botën shpirtërore të njeriut, e cila është e pafundme. 

Ja çfarë shkruan në poezinë “Mëshira”:

“Dikur e takoja mëshirën si frymë

të hyj në portën e mëkateve.

E humbja…

kur shqyheshin dritaret, nga fjala 

që buza s’e mban..

E gjeja lakuriq…

si nevojë përdëllitëse çlirimi,

kur shpirti i lodhur, kish përçartje.

Sot, e pres si rritje

e ul në sofër fisnikësh, të thyejë urinë;

për të mos fikur lutjet.”

Edhe pse kureshtare, autorja ndihet e tërhequr pikërisht nga rrafshi i dikotomisë, që e çon drejt abstragimeve artistike, të cilat nuk qëndrojnë pezull, por ndërtojnë ngrehinën e një mesazhi të qartë filozofik e përmbajtësor. Edhe në rastet kur i mëshon një mesazhi të fuqishëm poetja nuk ka nevojë të dalë jashtë vetvetes dhe përtej vetvetes, me teprim e dalldi, e bindur se kështu dëmton peshën specifike të kumteve të saj estetike e folozofike. Poezia e I. Dragotit është përherë një luftë dashurie dhe lirie. Një krijimtari e ekzaltuar, me një shkëlqim drithërues, gulçuese e spazmatike, me harlisjen dhe ankthin e shpirtit, që ka vënë artin mbi jetën, poezinë mbi realitetin.

“Toka është shumë e vogël për dashurinë.
Dashuria, në tokë nuk merr frymë… nuk ka zë”, thotë autorja.

Sa e vështirë është për njeriun të gjejë lirinë! Por I. Dragoti e ka gjetur prej kohësh.

“Poezia ime është liria ime”, thotë poetja, dhe kjo është alter ego-ja e krijimtarisë së saj. “Kurrë nuk jam mbytur nga dallgë zilie/ një shkronjë do mbetem, në fletë lirie”. (Të tjerat m’i jep atdheu)

Ja si shprehet autorja në një ese të botuar në gazetën “Dielli, në 30 maj 2024: A je gati të mbytesh si një gur në fund liqeni, pra vetflijosh paqen tënde, a të shpërndash rrathë negativiteti e rreziku, njerëzve që do më shumë, apo t’i bëhesh hije vetes? A je gati të endesh në qiej mizantropikë, plot reteorika të rreme dhe tangencialitetit të vlerave letrare? A je gati të përplasesh me mure kështjellash letrare pa dyer të vërteta? A je gati të kuptosh se poezia nuk është profesion i marrë me qera për të jetuar? Poezia është pëllëmbë, për të shtrënguar si prekje e munguar, njeriun brenda nesh. Pyete veten a ke takuar këtë njeri”?

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Please follow and like us: