Astrit Miho: 29 Nëntor 1944-2024, ngjarje epokale në historinë shqiptare
Familja ime dhe babai im kanë qenë lidhur ngushtësisht me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare (LANÇ). Duhet theksuar se, lufta LANÇ është epopeja më e madhe dhe e lavdishme me rëndësi historike në historinë e kombit shqiptar, sepse çliroi vendin nga pushtuesit dhe e radhiti Shqipërinë në krahun e fitimtarëve. Si rrjedhojë, ajo u bë simbol i mbrojtjes së integritetit territorial të shtetit shqiptar. Detyra parësore dhe strategjike e Luftës së Dytë Botërore, dhe e LANÇ në Shqipëri, si pjesë e saj pati si objektiv kryesor çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë. Lufta NÇ ishte luftë çlirimtare, antifashiste, kombëtare e patriotike, që u shndërrua në revolucion popullor nëpërmjet Kryengritjes së armatosur, e fituar me heroizëm partizan dhe e shkruar me gjakun e 28 mijë Dëshmorëve. Parimet kryesore të luftës sonë partizane, ishin iniciativa, shpejtësia, befasia, shkathtësia, goditja e rrufeshme etj. Me këto cilësi, virtyte e veti UNÇ kapërceu rreziqe të mëdha në luftime e beteja dhe doli fitimtare. Në fillim kundër fashistëve italianë ajo ndërmori aksione e luftime të guximshme, megjithëse e vogël në numër dhe pa armatime të mjaftueshme. Nën okupacionin nazist gjerman ajo u armatos me armët e armikut dhe shkroi Epopenë e shkëlqyer. UNÇSH, kishte karakter popullor, në të gjitha drejtimet e formacioneve luftarake të saj, u futën shumë patriotë e nacionalistë të ndershëm shqiptarë. Çetat ishin popullore, në përbërje të tyre kishte patriotë, luftëtarë pa dallime e tendenca politike. Në të gjitha hallkat e drejtimit të luftës kishte patriotë, elementë komunistë dhe nacionalistë të vendosur për luftë. “Epopeja e LANÇ, është e lavdishme, historike, që na jep krenari, forcë, dinjitet”, se në këtë luftë të madhe e të gjatë, mbi pesë vjet e gjysëm, sipas zhvillimit dhe ashpërsimit të saj, Ushtria Nacionalçlirimtare kaloi disa etapa organizimi. Nga çetat dhe njësitet luftarake të fillimit, u organizuan batalionet, grupet, brigadat, komandat e qarqeve, divizionet e korparmatat, të formuar nga fshatarë, punëtorë e intelektualë, djem e vajza të rinj, që përbënin mbi 80% të efektivit të cilat u udhëhoqën me aq guxim e zgjuarsi, prej kuadrove që dolën nga lufta dhe nga gjiri i ushtrisë. Ata udhëheqës ushtarakë e politikë, që çuan Ushtrinë partizane në fitore, ata që mundën oficerët italianë, gjermanë që ishin të pajisur me njohuri të mëdha ushtarake. Pra, Ushtria Nacionalçlirimtare, lindi dhe u rrit në luftë, u forcua dhe u udhëhoq prej djemve të popullit në shpirtin e të cilëve vlonte entuziazmi, trimëria, vetëmohimi, dashuria për Atdheun dhe për shokun, besimi i patundur për fitoren mbi pushtuesit e tokës mëmë. 80 vjet më parë më 29 Nëntor 1944, mori fund përgjithmonë historia e pushtimeve të Shqipërisë, ndaj kjo datë që shënoi çlirimin e vëndit nga fashistët, shpëtoi copëtimin e Shqipërisë dhe siguroi integritetin e saj, është një datë historike e patjetërsueshme, që së bashku me 28 Nëntorin e vitit 1912 ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, përbëjnë dy data lapidar të historisë tonë kombëtare që do të kujtohen e nderohen në shekuj.
Autori është ish ushtarak dhe pasardhës e veteranit të LANÇ.