Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i SHBA
Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.
Me një fitore në Uiskonsin, zoti Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.
Mëngjesin e së mërkurës ndërsa ende po numëroheshin votat, zoti Trump shpalli fitoren në një tubim në Florida.
“Kjo ishte një lëvizje që askush nuk e ka parë ndonjëherë më parë dhe sinqerisht, kjo ishte, besoj, lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave”, u tha zoti Trump mbështetësve të tij.
Ai u zotua të “rregullojë kufijtë tanë” dhe “të rregullojë gjithçka në vendin tonë”.
Trump tha gjithashtu se do të punojë për një “Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë”.
Ai garoi me rivalen demokrate, Kamala Harris, aktualisht Nënpresidente, e cila deri tani siguroi 224 vota elektorale.
Zoti Trump është ish-Presidenti i parë që nga Grover Cleveland që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi humbi një palë zgjedhje pas mandatit të parë.
Zoti Trump i cili shërbeu si President në periudhën 2017-2021, u largua nga posti pasi humbi përballë Presidentit aktual Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 për të cilat vazhdoi të pohonte në mënyrë të rreme se i kishte fituar. Ky mohim ndihmoi në nxitjen e sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij, të cilët ndërprenë numërimin zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve.
Zoti Trump dhe aleatët e tij gjithashtu nisën sfida të shumta ligjore pas votimeve të vitit 2020. Gjykatësit shtetërorë dhe federalë përfundimisht hodhën poshtë më shumë se 50 padi.
Që kur u largua nga posti, ish Presidenti Trump u dënua për 34 akuza të lidhura me pagesat që i bëri një aktoreje të filmave për të rritur në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Shpallja e dënimit është caktuar për 26 nëntor. Zoti Trump u padit gjithashtu në tre raste të tjera, duke përfshirë dy nën akuzat për përpjekje për të përmbysur në mënyrë të paligjshme zgjedhjet e vitit 2020 dhe një tjetër që pretendon se mori qindra dokumente sekrete në shtëpinë e tij në Florida.
Donald Trump pritet të inaugurohet për një mandat të ri më 20 janar të vitit 2025.
11:38
Udhëheqës nga e gjithë bota, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, përgëzuan zotin Trump pasi ai shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Aktualisht zoti Trump ka siguruar 267 vota elektorale, ndërsa Nënpresidentja Kamala Harris 224. Për t’u zgjedhur duhen 270 vota elektorale.
9:31
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është në prag të fitores së zgjedhjeve, duke siguruar fitoren në disa shtete kyçe, përfshirë Pensilvaninë dhe duke zbehur shanset për një fitore të Nënpresidentes Kamala Harris.
Zoti Trump ka siguruar 267 nga 270 votat e nevojshme elektorale për të siguruar fitoren. Zoti Trump fitoi ose kryeson në disa nga shtetet vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve. Përveçse në Pensilvani ai fitoi edhe në Xhorxha dhe Karolinën e Veriut.
Zonjës Harris e cila me 10 votat e fituara ne Minesota ka siguruar deri tani 224 vota elektorale do t’i duhej të fitojë në të gjitha shtetet e mbetura përfshirë Miçiganin, Viskonsin, Nevadën dhe Arizonën.
Përveç kësaj, republikanët morën kontrollin në Senatin prej 100 anëtarësh të martën vonë, por ende nuk dihet se cila parti do të kontrollojë Dhomën e Përfaqësuesve.
Trump deklaroi fitoren herët të mërkurën dhe falënderoi mbështetësit e tij në një tubim në Florida.
Duke folur në Uest Palm Beach të Floridës, zoti Trump u premtoi amerikanëve se “çdo ditë do të luftoj për ju” dhe se do të sjellë “epokën e artë për Amerikën”.
“Kjo ishte një lëvizje që nuk është parë ndonjëherë më parë dhe, sinqerisht, kjo ishte, besoj, lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave”, tha zoti Trump.
Ai u zotua të “rregullojë situatën në kufi” dhe “të rregullojë gjithçka në vendin tonë”.
Një zyrtar i fushatës së zonjës Harris u tha mbështetësve të saj të mbledhur në Uashington se ajo nuk do të fliste para tyre brenda natës, por do të fliste më vonë të mërkurën.
Nëse zoti Trump shpallet fitues siç parashikohet, ai do të bëhej vetëm presidenti i dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm.
08:57
Ish Presidenti Donald Trump shpalli fitoren e tij në zgjedhjet e së martës dhe u tha mbështetësve të tij të mërkurën se ky moment “do ta ndihmojë vendin që të shërohet”.
“Ne kemi një vend që ka nevojë për ndihmë dhe ka shumë nevojë madje. Ne do të rregullojmë kufijtë tanë dhe do të rregullojmë gjithçka për vendin tonë”, tha zoti Trump.
Duke folur në Uest Palm Beach të Floridës, zoti Trump u premtoi amerikanëve se “çdo ditë do të luftoj për ju” dhe se do të sjellë “epokën e artë për Amerikën”.
“Tani është e qartë se kemi arritur gjënë më të pabesueshme politike… shikoni çfarë ndodhi, a është kjo çmenduri?” shtoi ai në fjalimin e tij përgjatë të cilit u shoqërua në skenë nga anëtarët e familjes dhe gruaja e tij, Melania Trump, si dhe kandidati për postin e nënpresidentit, JD Vance, dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.
Deri tani zoti Trump ka siguruar 267 vota elektorale, ndërsa Nënpresidentja Kamala Harris ka fituar 214 vota të tilla. Duhen 270 vota elektorale për t’u zgjedhur president.