Mark Simoni: Babai si perëndi, gjest, autoritet, dashni dhe mall
Parathënie për librin “Këngët e babës” të autorit Bislim Ahmetaj, botuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës
Kur del prej librit “Këngët e babës” dhe e lëshon nga dora, ndjenë se qënia jote të është ngarkuar me imazhe dhe emocione, situata impresionante dhe subjekte poetike interesante, gjendje estetike të veçanta dhe me një letërsi karakteriale të fuqishme. Bislim Ahmetaj, e ka urbanizuar librin e tij në pesë blloqe të mëdhenj, secili jo vetëm i dallueshëm prej tjetrit, por që, edhe në vetvete është një univers i plotë, është nukli i një libri. Nga vetë titujt e kapitujve lexuesi kupton temat e harlisura të poezisë së këtij autori, larminë dhe premisën për t’i dhënë letërsisë së tij dimensionin universal. Megjithëse poezitë e përmbledhura në cikle, kanë një target të caktuar, ato asnjëherë nuk bien në situata monokrone, apo të jenë pjesë e stërgjatur e njëra tjetrës, por kanë dinamika, ngjyra, trajtesa, krejt të mëvetshme dhe origjinale, çfarë i japin këtij libri shije të mirë leximi.
“Fluturime të çmendura” në ciklin e parë, ku të impresionon shumë mardhënia e poetit me natyrën, me elementët dhe hapsirat e saj, si një ndërgjegje krijuesee mbushur me detaje jete dhe energji lëvizje. Madje ai stilizon aq bukur me subjektet e natyrës, motit, gjeografisë, hapsirës dhe qiellit, që nga elementët më të vegjël e të brishtë dhe deri tek ato rropama dhe tramundana tronditëse që lenë gjurmë të pa shlyeshme. Retë me qumësht zanash / Fole rrufeshë / Yjet mbledhur në një krozhë / Zogu ithnak / Bisedë me diellin / Hëna ma gjeti shtëpinë / Udhëtoj detrash, janë ndjenë që kanë po atë energji që të jep vetë natyra me dimensionin dhe potencën e saj. Po në këtë cikël dallohet ai nerv shqetësimi, që poeti e ka të tejshkuar pothuaj në të gjithë librin, si një element karakteri dhe bosht ekuilibri. Poezitë kanë shumë grintë, janë të prera, të shkruara pothuaj në mënyrë të drejtpërdrejtë, gati telegrfike dhe me një saktësi matematike, ku dallohet gishti i akuzës së poetit për ngjarje dhe fenomene që kanë sëmurë shoqërinë, e kanë kthyer vendin në një limonti pasive dehëse dhe pa asnjë shkëndi revolte. Poezitë “Ti bija ime”, “Në linjën Londër Tiranë”, “Zoti Mister” etj. e kanë këtë matricë shqetësimi.
“Qyqet e qytetit të qyqanave” titullohet cikli pasardhës, i shkruar me një aliteracion impresionant, ku mbi kokën e tërë botës ndjenë vajin e qyqeve, pikërisht se njerëzit e qytetit janë vetë Qyqana. Duket se këto qyqe dhe qyqana e kanë përcaktuar destinin dhe fatin e tyre dhe të gjithë qytetit. Funebre ato tri “Qy”-të, që hapin fjalët e titullit. Kjo dorë poezishë e këtij kapitulli ka një stil tjetër të shkruari nga poezitë e më parëshme. Janë Etyde, shkurtica, postulate, blice, definicione poetike, për të ardhur pastaj tek poemthi “I trishtë” që është ndër tekstet më të bukur që ka libri. është një kantatë e kënduar bukur dhe dhimbshëm, mbushur me detaje egzistenciale, është një ditar me mikrosubjekte shumë interesante, të shkruara me dhimbje dhe nostalgji, me një penel të zhdërvjelltë, që i jep tablosë dimensionin real të kohës nëpër të cilën ka udhëtuar Poeti. “Nuk shihnim më larg se maja e këpucëve tona, Dhe maja e këpucës qe përherë e grisur. / Kur fjala bënte mort, dhe në mort s’të vinin as kushërinjtë e parë. / Kur ishte e natyrshme pyetja A ke pasë lugë kosi për ato fëmijë? / Ishte luks frigoriferi, dhe mbasi nuk kishe çfarë të fusje në të, nënat tona të ngrata i përdornin si “dollap” dhe fusnin brenda pakot e ushqimeve. Dikund në lexim hasim këto vargje:
“Qyqja e qytetit tim vajton,
shumë më dhimbshëm,
Se qyqja e qytetit tënd… “ Sa trishtim i shkruar krejt bukur, vajtim i krahasuar, qyqet e qyteteve të ndryshëm, zezonë tjetërsoji. Apo dikund tjetër vargje impresionante:
“Natën e kalojmë,
Me termetin e palosur nën kry”.
çfarë simbolike, ankth i shkruar në tërë dimensionin real, por me një elegancë poetike të veçantë. “Bankomati dridhej dhe hungërinte si një kalë i egër”. Apo “Duart tona në xhepat bosh, dhe atje numronim vetëm gishtat nga njishi deri në pesë”.
Elegji e thekur dhe plot dhimbje e trishtim poezia “Mbrëmë ra dhe gjethja e fundit”, shkruar me nota të mugëta, me nota si te marrshi funebër i Shopenit, çka na tregon ndjeshmërinë njerëzore të Autorit të librit. Po kaq dhimbje dhe butësi ka dhe në poezinë “Jetimja”, shtëpia e së cilës nuk ka mure, por është vetëm një çantë e grisur, e ngarkuar në krahët e saj thatim.
Këto lloj poezishë i japin librit shumë sendiment, përkorje, delikatesë dhe e bëjnë përherë dhe më të fisëm.
Në ciklin e tretë “Për dashurinë nuk gjej tituj” kemi mardhënien e autorit me një prej ndjesive më të shenjta të njeriut që është dashuria. Në këtë hapsirë të pamatë poetike ndjehet sentimentalizmi, hareja, lumturia, ndjenja, mardhënia, shkruar shumë bukur estetikisht, në mënyrë shumë të hijshme dhe të këndshme. Janë të gjitha pa tituj, si letrat e dashurisë që s’kishin krye, si një letërsi epistolare, plot dhimbje dhe hove zemrash, figura fine dhe fragile, të hajthme dhe plot ngjyra si vetë argumenti jetësor dhe poetik.
I katërti cikël titullohet “Qytetet e atdheut tim”, që megjithëse është një ditar poetik i një udhëtari të ndjeshëm dhe vështak, është shumë interesant për nga gjeografia e qyteteve, për nga profili i veçantë i secilit, dhe se si Poeti e pozicionon dhe e ndjenë çdo qytet që viziton. Por, regjistri i revoltës dhe dhimbjes, që ky autor e ka të dallueshëm edhe në kët tufë poezishë, shprehet me poemthin”Në qytetin e Lasgushit” që është një uverturë repekti, dhimbje, një gjendje nokturrne, e shkruar me shumë sens mase, me një harmoni mes Figurës së Lasgushit, qytetit dhe gjendjes.
“Këngët e babës” mbyllin librin. Tashmë sipari është gati të bjerë. Këto poezi megjithëse të shkruara me elementë të thjeshtë, njerëzor dhe egzistencial si (Mustaqet e babës, Baba në spital, M’ka pasë thanë baba, Kur vij në Hamallaj etj.) kanë atmosferë të epërme, gati hyjnore. Babai si një perendi, biseda të bukura si mes kreshnikësh, të vendosur herë herë në peisazhe alpine, Në poezinë “M’ka pasë thanë baba” kemi patjetër një poemë syshë, vështrimet si mardhënie, si lojë, si emocion, si komunikim. Në “Im atë qe burrë fisnik” kemi shumë art rrëfimi, shkruar me një filozofi të thukët, dhe me kundrapunkte.
“Im atë ishte burrë esnaf,
S’pat shumë pare…
… Por gjithmonë vishej bukur
Burrë i pashëm,
Por kurrë si vu në siklet gratë që e adhuronin
E dinte sa vlente,
Ndaj kurrë se shiti veten…”
Këto, dhe mjaft vlera të tjera që ka në mes rreshtave ky libër, më bëjnë të mendoj se botimi i tij është jo thjeshtë dëshmimi i një letërsie të realizuar, por mbi të gjitha që, letërsisë së vargut shqip i vjen një tekst serioz, i bukur, ambicioz dhe pretendent, që e pasuron bibliotekën tonë të letërsisë.