Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Delegatja e kongresit

Nga pranvera e vitit 1944 deri në çlirim Fato Zotaj ishte shumë e angazhuar me organizatën e gruas në krahinën e Mesaplikut. Kongresi i Parë i BGASH, i zhvilloi punimet në kohën kur Ushtria NÇSH po çlironte një nga një qytetet e krahinat e vendit. Nazistët po merrnin goditje vdekjeprurëse, disfata e tyre ishte e pashmangshme.

Kongresi i Parë i BGASH ka hyrë në histori si një ngjarje e rëndësishme e LANÇ, jo vetëm për gruan, por për gjithë popullin shqiptar. Rëndësinë historike të tij e përcaktonte situata kur u mblodh, si dhe problemet e detyrat që shtroi për t´i zgjidhur. Në vjeshtën e vitit 1944 ishte çliruar më tepër se ¾ e Shqipërisë. Në shumë zona ishte vendosur dhe forcuar pushteti i Këshillave Nacionalçlirimtare dhe pas Kongresit të Përmetit ishin hedhur bazat e shtetit të ri demokratik.

Berati ishte kthyer në këtë kohë kryeqyteti i shtetit të ri. Aty po merreshin vendime të rëndësishme. Aty u miratua dhe Deklarata mbi të drejtat e qytetarëve. Rëndësi kishte shpallja e të drejtave të barabarta të gruas me ato të burrit, si në jetën politike ashtu dhe në veprimtarinë shoqërore. Ndaj në këtë kohë, në prag të çlirimit të vendit, BGASH vendosi thirrjen e një Kongresi, për të përcaktuar detyrat e reja dhe për të marrë përgjegjësi në ndërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.

Edhe në Këshillin krahinor të Mesaplikut me qendër në Brataj, filluan mbledhjet e organizatës së gruas. Në çdo fshat u organizuan mitingje, ku agjitohej për çlirimin e shpejtë të vendit dhe fillimin e ndërtimit të jetës së re.

Kudo ishte Fato Zotaj, së bashku me gratë dhe të reja duke folur dhe propaganduar punën e tyre të madhe të bërë në luftë. Mbledhja krahinore zgjodhi delegate Fato Zotaj dhe nënën Duze Bajrami, e cila i kish dhënë luftës dy bijtë e saj dëshmorë.

Nga fundi i muajt tetor 1944, delegatet u grumbulluan në qytetin e çliruar të Vlorës, për të bërë përgatitjet e fundit. Nga Vlora ishin zgjedhur delegate: Duze Bajrami, Lejla Myftiu, Fato Zotaj, Jeta Abazaj etj.

U mblodhën në qytetin e Vlorës. Ishin shumë shoqe nga Qarku i Vlorës, që së bashku me shoqet e inkuadruar në repartet e Ushtrisë NÇSH bëheshin rreth 35 delegate, që përfaqësonin organizatën e BGASH të Qarkut të Vlorës. Banorët e Vlorës i përcollën me brohoritje të vazhdueshme.

Kur ju afruan Beratit, ju desh të kalonin lumin Osum dy e nga dy, pasi shirat e vjeshtës kishin bërë që të rritej niveli i lumit. Me ditë të tëra, duke kapërcyer përrenj, male e kodra, mbritën në qytetin e lashtë të Beratit, i cili ishte zbukuruar si për ditë feste delegatet e Kongresit. Populli i Beratit i priti delegatet nga Vlora me brohoritje, me këngë patriotike e partizane. Gëzimi për Faton dhe delegatet e Vlorës ishte i papërshkrueshëm.

Kështu, më 4 nëntor 1944, në qytetin e Beratit filloi punimet Kongresi i Parë i BGASH ku morën pjesë 311 delegate nga e gjithë Shqipëria. Kishte midis tyre partizane nga Ushtria Nacionalçlirimtare, gra nga fshati e qyteti që punonin në terren, nëna dëshmorësh, aktiviste e gra shtëpiake.

Kongresi i Parë i BGASH i bëri një analizë punës së kryer për realizimin e objektivave të LANÇ, u ndal në rolin dhe kontributin e gruas shqiptare, si një forcë e madhe aktive dhe përcaktoi detyrat që i dilnin BGASH pas çlirimit të vendit, për rindërtimin e Atdheut të shkatërruar nga lufta, për luftën kundër analfabetizmit e në përgjithësi për rritjen e rolit të gruas shqiptare në të gjitha fushat e jetës.

Gjatë ditëve të Kongresit u organizuan vizita në familjet e dëshorëve Margarita Tutulani e Kristaq Cepo etj. U bënë edhe eskursione në kalanë e qytetit, për t’u njohur me vlerat muzeale të Beratit. Delegatet e Vlorës u larguan me përshtypjet më të mira për pritjen bujare që u bë nga gratë dhe populli i Beratit.

Kongresi i mbylli punimet me sukses të plotë. Ai i dha impulse të reja delegateve të cilat do të përcilleshin në të gjithë masën e grave shqiptare për të realizuar detyrat e mëdha e të vështira. Mbas mbarimit të punimeve të Kongresit delegatet u ndanë me njera-tjetrën me urimin “Mirupafshim në Shqipërinë e lirë”.

Kthimi nga Berati për në Vlorë ishte më i lehtë. Kongresi ju dha forca të reja. Pasi kaluan lumin Vjosa hynë në zonën e Topalltisë dhe po në këmbë mbrritën në Vlorë. Pastaj Fatua fluturoi drejt Mesaplikut. Kudo, në të gjitha fshatrat e krahinës organizoi mitingje entuziaste me banorët dhe gratë e fshatrave.

Kongresi i bëri me krahë, u dha forca të reja, i bashkoi më shumë për idealin për të cilin luftonin. Në të njëjtën kohë Kongresi ishte dhe një shkollë edukimi dhe kalitje e gjithanshme, ku u rrit më shumë fryma e solidaritetit midis delegateve të krahinave të ndryshme, të atyre të terrenit e të ushtrisë e që rrezatoi deri në çdo fshat të largët të atdheut.

Vendimet e Kongresit qenë historike, ato i dhanë një impuls Luftës ANÇ; qytete e krahina vazhduan të çlirohen njera pas tjetrës, nuk vonoi shumë dhe Shqipëria u çlirua më 29 nëntor 1944.

Për qëndrimin e familjes Zotaj në LANÇ ka shumë dokumente. Fatua ka qenë një nga pjesëtarët më aktivë në familje, në ndihmë të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, me gjithë aktivitetet jo vetëm si agjitatore, por edhe organizatore e mirë. Ish anëtare e organizatës bazë të partisë, të Frontit dhe përgjegjëse e organizatës të gruas në fshat, anëtare e këshillit krahinor të gruas. Delegate në Kongresin e parë të Grave Antifashiste, që u mbajt më 4 nëntor 1944 në Berat.

Ajo ka qenë delegate në Kongresin e FDSH, si dhe është dekoruar me medaljen e Kujtimit dhe të Çlirimit.

(Shkëputur nga libri “Thëllëza e Mesaplikut”, Tiranë, 2005)/

Please follow and like us: