FRITZ RADOVANI: VLLAZNIT GAZULLI DHE “PESHORJA E DREJTËSISË” SHQIPTARE
Pjesa e parë
Melbourne 2011
Atdhetarëve Dijetarë Gazullorë,
Që prej ma se 500 vjetëve përpara…
Vazhdojnë me kenë të” parafundit”…
Ua kushton Autori.
Melbourne Janar 2011.
HYMJE
Pesha e randë e gurit shpesh ban që, mbasi mbulohet me pluhun, me kohë e dalngadalë, shiu, era, furtuna e përmbytjet e zhysin në baltë…
Për shumë kohë këta gurë mbahen mend si shenja drejtimi rruge, pushimi shtegtarësh ose ngjarjesh të mëdha… Ndonjëherë këta ishin edhe skuta prite… Me kohë këta gurë edhe lëvizin e zhduken…
Ndër malet tona nuk ka gurë të tjerë të daltuem veç ndër vorre e aty këtu në prakun apo shkallat e ndonjë Kishe apo kulle të vjetër…
Shumë prej tyne janë shembë e prrojet e “pabesa” i kanë marrë me vete e i kanë tretë e derdhë ndër zgavrrat e errta të historisë…
Shumë prej atyne gurëve të daltuem me aq kujdes dikur, sot janë ende të mbuluem me dhé e trungje pemësh të kalbuna, shpesh nën kambët tona, që, pa dashje, shkojmë tue i zhytë edhe ma thellë… në tokë dhe, me kohë, tue i vorrosë ndoshta përgjithmonë.
Kujtoj një udhtim në kambë nga Vrithi në drejtim të një fshati të quejtun Vuçë… Mbasi u larguem në drejtim të jugut pak minuta, mbeta i habitun nga disa vendosje gurësh njeni mbi tjetrin, që në atë çast nuk dijta me e gjetë me mend se si ishin vendosë ashtu! Mbi një gur rreth 2 ml të naltë ishte një tjetër pak ma rrasik, që qëndronte sipër, me një madhësi 4 ose 5 ml i madh dhe i mbështetun mbi një sipërfaqe shumë të vogel mbi gurin e parë, sa të jepte përshtypjen e një skulpture “moderne” ku, në pamje nga larg, të krijohej idea e një grueje me xhubletë që mbi krye kishte një tepsi. Kam shkrue për këte udhtim edhe tek libri “Një Monument nën dhé”, kur kam tregue për “një kullë pa rrugë” që pata pa andej… në kalim, pa u kujtue se nuk do t‟i shihshe ma.
Mos t’ishte malësori me më tregue se ata gurë kishin ra poshtë nga majet e maleve aty përrreth me ortekun që ishte rrokullisë, e mbasi ishte shkri bora kishin mbetë aty, “vepër arti”, si e shihshim na, as nuk do ta gjejshe me mend vendosjen e tyne. Pra ata gurë të mbetun mbi atë sipërfaqe të rrafshtë, të harruem e të pa shkruem asnjë rresht për ta, në secilin prej tyne kishte të groposun nën bazamentin e tij një ngjarje tragjike të humbun thellë, aqsa vet historia e atyne fshatrave, të lanuna në “harresë” si njerëzit e pafarë që kanë humbë nën ata gurë! Shpesh ka ngja që dijetarët kanë gërmue dhe mbasi kanë gjetë një shenjë jete, janë përqendrue aty e, mbas sa kohe, kanë nxjerrë në dritë një vepër me të cilën janë ba të pavdekshëm. I tillë ishte për ne edhe At Shtjefën Gjeçovi… që, me lotoret e tija shekullore, përjetësoi në parathanje tek “Kanuni i Lekë Dukagjinit” edhe Faik Konicën e madh.
Shumë vite ma vonë, kur pata lexue për ngjarjet e ndodhuna ndër ata vise aq të bukra e aq krenare në kohën e ramjes së tyne nën atë dhunë të shfrenueme e të pashpirt të komunistëve, pata mendue me vete: Si asht e mujtun me kenë aq e pamëshirëshme historia, që mbrenda pak viteve, mbas 1944, arrijti me shpërba edhe karakterin e pathyeshëm të atyne “gurëve” shekullorë, që nuk i pat thye as sllavi as turku?!
Njeriu që më ka shtye me gërmue edhe mue ndër ata prroska apo zallishta prrojesh, mbas të cilave, tue ecë ndër gjurmët e ujqëve, njeriu ndodhet përballë një shpelle, e aty ende sot gurtë vazhdojnë me lotue gjak Martirësh… asht pikërisht Heroi i Madh i Atyne Maleve, Biri i dejë i Hotit, kapiten Gjelosh Luli… i vramë për mos me u dorëzue dhe mbas plagëve të pushkës, i dhunuem për së vdekuni, sepse sllavo-komunistët donin Koken e Tij, ashtu si shekuj ma parë Herodiada pat lypë për me kërcye “vallen” e saj, kokën e Shën Gjonit. Historia e Popullit Shqiptar vazhdon rrugën e ndjekun nga paganët e shekullit XX…
Kur malësorët zbluen gurtë e hjedhun mbi kufomen e Gjeloshit në afërsi të Vrithit, për me e ruejtë Ate, zonja e Tij e Nderueme, Lena, tha: “Po, Ky asht trupi i Gjeloshit, se nuk ka kafken…”. Mungonte kafka… se Kokën e Tij komunistët e kishin vue tek Dega e Mbrendëshme e Koplikut, për me e pa malësorët dhe me u bindë se Gjeloshi ishte vra, po edhe me i frigue dhe terrorizue ata, se kur vriten Shqipet e Atyne Alpeve, orlat e skifterët me “yllin e kuq në ballë” kërcejnë vallen e tyne labe. Zagarët e Gjirokastrës, Mallakastrës dhe Koçi Xoxët me shokët vlleh vazhdonin me shkye mish dhe me u nxjerrë gabzherrët me thonj atyne burrave që, pa pikë frike përballë vdekjes, i kishin vue gjoksin e vet mbrojtjes së Trojeve Arbnore, tue mos u frigue kurrë edhe pse me kohë ata e njihnin anmikun shekullor, sllavin e pabesë, që gjithnjë ka punue me i skllavnue, shnderue dhe me i robnue ata vise krenare.
Ishte Ai, Dedë Gjo‟ Luli, që realizoi andërrën e Frashërllinjve të Lidhjes së Prizrenit e, ishte Gjaku i trashigimtarëve të Tij që po derdhej rrëkajë nga parzmi i shporuem i Gjeloshit, po prej një sherbëtori gjakatar e tradhëtar gjirokastrit, mik i sllvokomunistit Josif Tito, sepse përballë tyne ishte Ky Gjelosh Lul, që kishte krijue me të tjerë Burra trima si vetën “Beslidhjen e Veriut” në vitin 1943, kundër përpjekjeve e pretëndimeve sllavokomuniste ndaj Trojeve tona në Veri të Shqipnisë.
Ishin po malet e fushat e gjithë Shqipnisë Martire kapë flakë… Shqiptarët që ikën e morën mallet, të ndjekun nga bishat e terbueme të quejtun nga vetë ata “bijtë e Stalinit jemi ne”.
Ishin ata Atdhetarë që nuk duronin një pushtim tjetër të ri! Ishin po pyjet e saj të zemrueme, që lëkundeshin e rrëzonin landë lisi e pishe ditë e natë, tue thye Fidanat e selvijave t’asaj Shqipnie të Re e tue i rroposë përdhe shka merr me Kelmend, Dukagjin, Pukë e deri thellë në Mirditën e Mark Gjon Markagjonit… që edhe ai pranoi plumbin e “shokut të vet” maparë se t’plangprishësve komunistë!
Ndoshta, e me siguri janë dafinat e Atdheut që bijnë atë ditë mbi gropat e humnerat ku kalben ata Burra, e ata banë vdekjen si me le!
Këtu mendja nuk mundet me depertue ma thellë… se ndër rrajtë e larit që ndër shekuj thuri kunora lavdije për Shqiptarët e vet besnikë.
E nën gjethët e atij lari, që s;njohu mort, asht prap një tjeter Vigan që vazhdon me kenë i humbun e i tretun ende nën gurë!
Asht prap një tjetër histori e pashkrueme ndër letra të prarueme!
Asht prap një tjetër Burrë që nuk ka vdekë…
Asht prap një tjetër Shqiptar që daltoi shkronja mbi këta gurë!
Asht prap një tjetër “gurë” që rritej e rritej sa një shkamb!
Asht prap një dorë që u tregoi malësorëve “Hyllin e Dritës”…
Asht prap një gisht drejtue nga “ylli i kuq” robnues i Moskovit!
Asht prap një gjuhë shpatë që i grishi në beteja nderi.. .e Lirije!
Asht prap një kambë e zbathun zadrimori që mori malet!
Asht prap një “gjuhë shqipjet” që u këndoi Atyne Bjeshkëve…
Asht prap një Ushtar i Krishtit që ruen në gjoksin e tij Flamurin e Gjergj Kastriotit, “Mbrojtësit të Krishtenimit”, të lamë me Gjakun e vet të Shejtë në Elterin e Atdheut, mbi të cilin asht Betue atë ditë kur Ai asht Shugurue Meshtar Shqiptar…
Asht po, aty… Don Nikollë Gazulli!
E, edhe guri topitet e fillon me u thermue kur ndigjon përsëri këtë mbiemën të salvuem ndër shekuj për fatin e Lirinë e Atdheut!
E, edhe orët e zanat e At Fishtës, mbas ramjes së diellit, aty kah e vona, tue zhgulë flokët, do të pyesnin me zanin e tyne të marrun në vajë:
E çka do ky burrë me veladon ndër ata male të përgjakuna?
Vepra e Tij difton kush asht ky mbasardhës i Gazullorëve…
Që pa i shkrepë qerpiku, një ditë guxoi me shkelë ndër gjurmët e sandaleve të At Shtjefën Gjeçovit…
GËRMONI THEMELIN…!
Gurë të shkapërndamë andej e këndej i mblodhën në një fushë…
Disa shekuj ma parë ishin vue disa themele në këte tokë!
Shqiptari i shkretë, në dheun e vet gjithë jetën, tue u mundue me vue një cak e me jetue me djersën e ballit qyshë se ka lé. Atë ditë porsa fillon me shqiptue fjalën “Nanë” të duket se kushedi sa shkollë ka ba…
I prirun gjithmonë prej natyre nga ditunia. Çobani ma i tretuni në kullotat, pa rrugë e shtigje të bjeshkve, dinte me këndue “Lahutën” e, i binte asaj me aq dëshirë e pasion, sa të dukeshin se janë krijue njëherit.
Ndër ato ograja të bukra të Zadrimës pat zanafillën edhe fisi i njohtun i Gazullorëve tonë të vjetër. Të vjetër sa “Formula e Pagëzimit”, që njihet njëheri me një nga të parët dijetarë shqiptar, Don Gjon Gazullin. Edhe ai një Meshtar i dijtun… si Imzot Pali i Ejllorëve tonë.
Në të parët Gazullorë që kam njohtë në vitët 1957 – 58 kur kam punue në Kabinetin Pedagogjik të Shkodrës si disenjator, asht kenë një nga pinjollët e kësaj familje të vjetër, mësuesi Simon Gazulli, i cili aso kohe shërbente ndër fshatra të Shkodrës. Jam njohë me te nga mësuesi dhe miku im i shtrejtë Sandër Troshani, që kur na prezentoi, më tha: “Ky asht një mësues që nuk i len gja mangut biografisë tande, e besoj se keni me kenë miq, se të dy keni pasë në rrethin tuej klerikë “reaksionarë”… në atë moment na u qeshëm, por me të vertetë u bamë miq të përjetshëm me Simonin… nga i cili ruej në kujtesën teme buzqeshjen e tij të pastër dhe joshëse me të cilen mujshe me kuptue shpirtin e tij të formuem dhe të edukuem në ambjentin e akademistëve të përkryem të Gazullorëve…
Shumë pak kemi bisedue atëherë për paraardhësit e nderuem të atij Fisi, që gjithnjë rrin tue gërvishtë e tue lanë njolla gjaku të forta e të pashlyeshme ndër fletët e lavdishme të Historisë së Shqipnisë, e cila edhe pse ka disa fletë të shkrueme me gjakun e atyne Martirëve të njohtun të Gazullorëve, prap edhe sot vazhdon me mbajtë fletët e ngjituna e të palexueshme prej ma shumë se 75 vjetësh… nga gjaku i tyne i ngrimë e shpesh të xanun njak nga dora e dhunuesit të pabesë…
E pse? – “Ata gabuen…”?! E deshtën me shpirt Shqipninë!
Ky mund të jenë edhe motivi që më ka shty mue me shkrue këto shumë pak rreshta për Vëllaznit Gazulli, mbasi u ngacmova nga shkrimi i një tjetër pinjolli të vonë të Gazullorëve, të Danielit, nipit të Mikut tem Simonit…, i cili me shumë kujdes vazhdon e nxjerr gurë nga themeli.
Nuk asht punë e lehtë me gërmue në themele ku bishat e një shekulli ma parë, të vetquejtun “komunista”, por në të vërtetë aspak të tillë në asnjë pikëpamje, se po t’ishin të tillë do t’u bashkonin në një pikë me klerikët që edhe ata punonin për “barazinë e njerëzve”, po si ka thanë At Mark Harapi: “Edhe na jemi komunistë, por pa armë”, ishin pra armët, ai mjet i dhunës dhe i terrorit që këto kafshë të shekullit të XX do t’i veçonte nga të gjitha ato lloje diktaturash që ka provue njerzimi në të 20 shekujt e fundit… Ishin pikërisht ato armë që rrënuen e zhbinë me rrajë themelet e qytetnimit jo vetëm në Moskë e Petrograd rus, por morën mbarë vendet Baltike e u shtrinë ndër të gjitha shtetet e zhvillueme të Europës Lindore, tue i shkallmue si mos ma keq, deri tek Shqipnia e Gjergj Kastriotit, që u ba plaçkë e sllavëve kolonizatorë marksistë-leninistë, barbarë e grabitqarë tokash të cilët nuk patën të ngimë tue i vra e pre deri në ditët ma të vona.
Shqiptarët e porsadalun nga robnia e osmanllijve, në dukje ishin një nga vendet ma të pazhvillueme të Europës, po realiteti nuk asht ai që komshijtë tonë janë mundue me na paraqitë para të tjerëve, ma fort për qellimet e veta grabitçare, sesa ishim të atillë. Kjo mund të vërtetohet me një fakt që sot asht i njohun botnisht. Si mundet me ndodhë që Ajo Shqipni e mbrapambetun dhe e “pazonja” me u qeverisë vetë, në vitin 1924 formoi Qeverinë Demokratike Shqiptare dhe Kryeminister i Saj ishte një Peshkop Orthodoks Shqiptar, kur shumica e të gjithë popullsisë ishte Muslimane dhe kishte dalë vetem 12 vjet ma parë nga robnia shekullore turke? Kjo ngjau kur krejt Europa ishte mbërthye ndër diktaturat komuniste, fashiste e pak ma vonë naziste. E Shqipnia njeh edhe parimet e asaj të së “panjohunes” Demokraci nga këta shtete të zhvillueme e dritdhanse! Duhet ndalue në këte pikë dhe me kërkue kush ishin Ata që në ato rrethana e kushte të Asaj Shqipnie të mbrapambetun i dolën për zot zhvillimit politik modern dhe me guxim të panjohun deri atëherë, kanë arrijtë në një kohë rekord me punue për liritë dhe të drejtat e njeriut, tue mos i lanë asgja mangut vendeve të zhvillueme të Europës? Një brez i tanë intelektualësh, të përgatitun ndër universitetet ma të zhvillueme e të përparueme europiane, ishte ai që vuni themelet e shtetit tonë. Asht e vërtetë se Shkodra para vitit 1900 pat vetem dy shkolla europiane të plota, ate të jezuitëve dhe të françeskanëve, por përgatitja e kuadrit intelektual laik e fatar nuk i la asgja mangut asnjenit prej shteteve të zhvillueme.
Ndërsa po të analizojmë klerin katolik, Ai asht i papërsëritshëm.
Kësaj fidanishte i përkasin në disa brezni edhe Gazullorët… Tue Ju referue studjuesit të Atij trolli, Danielit, vërejmë se nga shek. XV njihet Gjon Gàzulli i madh, astronomi, dhe mbas tij Pal Gàzulli, ambasador i Kastriotit pranë Republikës së Raguzës në vitet 1452-1459, që asht edhe Rektor i Shkollave të asaj Republikë. Mbas tij vjen Doktori i Filozofisë Imzot Ndue Gàzulli, Arqipeshkëv i Shkupit (1702-1783). Në shek. XVII asht njohtë Abati i Mirditës Don Ndre Gazulli. Ndërsa Andrea Gàzulli ishte komandant i Forcave të Veriut pranë Ali Pashë Tepelenës deri me sulmin të tij barbar mbi Kardhiq. Pra, në pak rreshta, këta ishin gurtë e parë të themelit të Tyne.
Asht për t‟u theksue se deri në vitin 1944, me ardhjen në pushtet të komunistëve, Gazullorët kanë pasë gjithmonë një pinjoll të familjes së tyne të talentuem, që do të shkonte për studime jashtë Shqipnisë.
Po të kësaj plejadë të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX ishin tre vëllaznit Gazulli njëherësh, Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964), të cilët, jo vetëm që kanë studjue ndër universitete të hueja europiane, po edhe u dalluen qysh atje si gjenialitete në fusha të ndryshme të dijes.
Ndoshta pa u kujtue asnjëherë, ndodhë që një “ngjyrë” ngacmon aq shumë trunin e njeriut, sa për vite të tana ajo mbetë si njollë aty…
Ishte një vorr fare i thjeshtë çimentoje, i ngjyrosun me gelqere, pranë një selvije në krahun e djathtë, në të hyme në Fushen e Rrëmajit…
Aty ishte gjithmonë një qiri i djegun dhe i shkuem rrëkajë ose i porsa ndezun, që nuk fikej as nga era as nga shiu, derisa u mbaronte…
Ditën e të Shuemëve, ai vorr i thjeshtë ishte qendër pelegrinazhi i sa e sa vizitorëve, që vinin ndër ato vorreza nga të katër anët.
Nana më pat tregue se ai asht vorri i një Prifti, që ka pasë varë disa vite ma parë Ahmet Zogu. Më dukej një çudi e madhe sesi një njeri i quejtun “shqiptar” me mbërrijtë deri aty, sa me varë në litar “një Prift”!
Shqipnia asht e mbushun me “mozaikë” të të gjitha kohëve… ku, fatkeqsisht, ndër këto vepra të lyme me bojë të bardhë, ku përveç një Shpirti që kishin të tillë këta njerëz, gjithkah dominonte ngjyra e zezë e aq e zezë, sa vetë jeta e të gjithë Atyne Atdhetarëve Shqiptarë… E shpesh, po të njajtin fat kanë pasë mbrenda një fisi disa vetë njeni mbas tjetrit!
Pa u largue nga ky Fis i nderuem, do të ndalohem pak çaste!…
DY DIJETARËT E “PARAFUNDIT”…
Këta janë Don Gjoni dhe Don Nikolli të Dajçit të Zadrimës plakë… ose siç asht njohtë deri vonë të Dajçit të Sapës.
Don Gjon Gazulli asht lé në fshatin Dajç me 26 Mars 1893 ashtu si vëllaznit e Tij Nikolla dhe Stefani. Don Ndre Mjedja, kur e pat hapë atë shkollë, nuk besoj se i ka pasë shkue mendja se ndër ato banka do të edukoheshin dhe do të formoheshin edhe dijetarë, që do të linin vepra aq të mëdha në lamën e dijës e të kulturës shqiptare, sa aq madhshtorë e të pavdekshem do të jenë monumentet e Tyne në Elterin e Atdheut.
Mbas mësimeve të mesme në Shkodër, i prirun nga thirrja e vet për meshtar, vazhdoi studimet e nalta teologjike në Insbruk t‟Austrisë. U shugurue meshtar me 4 Gusht 1919 dhe menjëherë filloi me sherbye në Dioçezin e vet, të Sapës, në fshatin Gjader të Lezhës për pak kohë e ma vonë në Qelëz të Pukës dhe në Koman.
Kur ishte student në Romë Gjoni, pra qyshë shumë i ri, bie në sy përkushtimi i Tij në çashtjet Atdhetare, sa që në vitin 1915 arbëreshi i njohun Agostino Ribecco e thërret “Atdhetari i madh Gjon Gazulli”, një thirrje ndoshta krejt spontane, po që në vetvedi ruen një profeci të madhe, që do të shfaqet porsa Don Gjoni do të vinte në Atdhe.
Asht vetem 7 vjet mbas shpalljes së Pavarësisë kur veshet me petkun e Klerikut Katolik Shqiptar, detyrë e cila asht një dhe vetem një me përkushtimin shpirtnuer që kleriku do të kenë edhe ndaj Atdheut.
Zhvillimet e menjëhershme të Shqipnisë së dalun nga zgjedha e pushtuesëve shekullorë osmanllijë, nuk mund të ishin kurrë të atilla dhe aq të shpejta sikur qendrimi i klerikëve të mos ishte poaq aktiv dhe aq me përkushtim sa i Atdhetarëve të tjerë, që me guxim dhe burrni të madhe i dolën për zot detyrave aq të mëdha, sa nuk kursyen as jetën e vet kur e lypi nevoja e Atdheut. Asnjë klerik katolik nuk di me i ba lak detyrave të mëdha që dalin nga çasti në çast nga paaftësia e nëpunësve të shtetit, që mbrenda vetvetes, kjo e quejtun paaftësi, ruente mbeturinat e mentalitetit oriental, gërshetue me fanatizmin e trashiguem nga edukata anadollake, prej së ciles shkëputja e menjëhershme ishte shumë e vështirë, kur ende kudo, në të gjitha zyret shtetnore, vazhdonte mënyra e qeverisjes së vjeter, një cilësi aq e “preferueme” e qeveritarëve tonë, sa edhe sot vazhdon me u trashëgue në sferat ma të nalta të shtetit shqiptar.
Përballë një qeverisjes që premton me ecë përpara, por që me force të madhe pengohet çdo veprim i saj drejt ndryshimeve që lypë koha dhe shoqnia shqiptare, që tashma asht e vetdijshme se i përket një kontinenti tjetër, krejt ndryshej nga ai i pesë shekujve të fundit, detyra poaq të mëdha, që lypin përkushtim e guxim të pashoq me thye ato barrigada që pengojnë ecjen e shqiptarëve drejt zhvillimit europijan.
Sikur këto t‟ ishin vetëm çashtje të vetë shqiptarëve, do t‟ishte gjysa e së keqes, por dardha e kishte bishtin shumë të gjatë mbrapa… aq të gjatë sa as vetë shqiptarët nuk dijnë me e kuptue se çka domethanë “qeverisje e vendit tand” për interesat e shteteve fqinjë… me një mënyrë qeverisje që shqiptarëve u ka ra për hise tash mase 85 vjet… e, kjo jo për fajin e Popullit Shqiptar, po për lakminë e ruejtjes së kolltukut të atyne që kanë kërkue sundimin dhe robnimin e Popullit, vetem për interest meskine të vetat, me e plaçkitë, me e vjedhë, me e dhunue dhe në fund me ia lanë trashëgimtarëve të vet, bashkë me të gjitha “aktet” e flliqta të tradhëtisë së nënshkrueme në pallatet e Bristolit apo të Beogradit.
Mbi këtë llum e baltë u ngrit “selia” e sunduesëve të Shtetit tonë në fundin e vitit 1924 nga Ahmet Zogu, dhe prap mbas 20 vjetësh, në fundin e vitit 1944, nga tradhëtari tjetër komunist Enver Hoxha. Pirateria e këtyne bishave në bregun e Adriatikut të shumë lakmuem prej të huejve, solli pasoja të pariparueshme për Shtetin Shqiptar.
As Toka nuk muejti me zanë vend… Ajo ishte e mbrujtun me gjak Martirësh në shumë shekuj ma parë e gjaku i Tyne vlonte kudo në të gjitha trojet ku kishte kjoftë edhe një Shqiptar. Edhe Don Gjoni asht në ballin e luftës së Lirisë dhe demokracisë, i rreshtuem me të gjithë Ata Burra, që për Atdhe vdesin si me lé. Të tillë ishin Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Hasan Prishtina e Isa Boletini e sa e sa të tjerë, nga Ata Shkodranë që u rreshtuen me Opozitën. Një vend në këte Opozitë në vitin 1923 zuni edhe Don Gjon Gazulli, si deputet i saj. Këtu zen fillë qendrimi i Tij kundër Ahmet Zogut e partisë së tij Popullore, tue u konsiderue armik i papajtueshëm me politiken e Zogut, që tashma ishte e njohun për angazhimet e tij proshoveniste sllave. Ahmet Zogu jo vetem erdhi nga jugosllavët në krye të Shtetit, në fund të vitit 1924, po dokumentat e nënshkruem prej tij me Pashiqin janë ata fakte që tregojnë portretin e vërtetë të kryetarit të Shtetit tonë në sherbim të Jugosllavisë. Një fatkeqsi e pasueme nga të tjerët e po atij kolltuku…
Asht pika “ma e largëta” kjo me të cilen asnjëherë Kleri Katolik Shqiptar jo vetem nuk asht pajtue, por asht kenë edhe anmik i saj. Kjo vijë politike asht quejtë nga të gjithë klerikët tradhëti ndaj Atdheut.
Kleri ynë Katolik asht aq revolucionar, sa asht përparimtar! Kudo dhe kurdo gjithnjë ka hapë shkolla dhe ka punue për një zhvillim kulturor në përputhje me të gjitha normat e përparimit dhe të zhvillimit shoqnor, që aso kohe kishte pak shtete edhe n‟ Europë, që ecnin me atë rritëm të shpejtë zhvillimi e emancipimi Përendimor sa na. Klerikët tonë vinin nga shtetet ma të zhvillueme dhe shkonin e jetonin me fshatarët ma të mbrapambetun të Europës, tue vue kryet në grazhdin ku ushqeheshin kafshët, dhe tue pranue vorfninë me andje të madhe vetëm për me arritë me realizue andërren shekullore të Rilindjes sonë, e cila arrihej vetëm nëpërmjet shkollës, dijes e sakrificës. E, kur në gjithë vendet e Europës shkollat ishin në një stad të naltë zhvillimi, asht Don Gjon Gazulli që realizon në Shqipninë e “mbrapambetun” shkollën e parë mikse në fshatin Qelëz të Pukës, tue e hapë ate në qelen e vet. Kjo ishte Shkolla e parë mikse në Botë.
Ende në asnjë shtet t‟ Europës së përparueme nuk kishte shkolla ku studjonin djelm e vajza bashkë. Në Qelëz po; pra në Francë ato u happen mbas Luftës së Dytë botnore, në vitin 1948, dhe në Itali në vitin 1952. Dhe, nuk mjaftohet me kaq, por Shkolla e tij mikse kishte nxanës të besimit Katolik e Musliman të gjithë bashkë, sëpse siç thonte vetë Don Gjoni: “Jemi të gjithë vllazen shqiptarë”! Veprime të tilla nuk janë shikue kurrë me synin e kjartë të Atdhetarit nga fanatikët e kohës.
Në atë kohë, një ndër votuesit e Don Gjonit, ndër ma kryesorët, ka kenë Myftiu i Hasit. Kur Musa Jyka iu drejtue Myftiut: “Po ti, si nuk pate turp që votove për priftin?!”, Myftiu, pa prishë gjakun fare, me qetsi të madhe, iu përgjigj: “Nuk votova për priftin, po për atë që po na meson përditë çka do me thanë Shqipni, çka do me thanë Atdhe”.
Po “faj i vogel” iu duket ju, o lexues kjo thanje?
E megjithate, Don Gjon Gazulli në vitin 1925 nuk u largue nga Shqipnia ashtu si shumë klerikë të tjerë antizogistë, kur Ahmet Zogu erdhi me bandat bjellogardiste të Ërangelit me u ulë edhe njëherë në fronin e shtetit shqiptar, por këte herë edhe si tradhëtar i atij froni… Ndokush edhe mund të më pyes: “Po a pak tokë i dha Zogu mikut të vet Pashiq për me e sjellë edhe njëherë në krye të shtetit?”…Jo jo, asht fakt që mjaft mirë ua ka pague ardhjen shndosh deri në Tiranë, e madje, edhe ua mbajti fjalen e dhanë për “porosinë” e tyne në lidhje me klerin katolik, e të gjithë Ata Atdhetarë që punuen për Shqipnine Etnike…
Ai filloi me Avni Rrustemin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, po nuk e zuni vendi asnjëherë pa i la hesapet me klerin katolik, i cili nuk e pat lanë rahat mbasi erdhi nga Jugosllavia.
Don Gjon Gazulli, edhe pse ishte ndër ma të rijtë kundërshtarë të Ahmet Zogut, nuk u largue nga Shqipnia kur një pjesë e mirë u largue dhe vazhdoi mërgimin deri me pushtimin italian. Kur ata patën kthye, Fan S. Noli u pat thanë: “Axhiruat sa axhiruat, po në fund e prishët me nga një hale axhirimin tuaj”! Kur shpërthei kryengritja e Malësorëve të Veriut kundër Zogut, asaj kryengritje për shumë kohë i janë vue shumë epitete dhe pikëpyetje, deri aty sa disa e kanë pasë akuzue se “Malësorët e Veriut kanë pasë lidhje me Serbinë”… Një akuzë e tillë asht e pavend, sepse në këte kryengritje merrte pjesë pothuej krejtë kleri katolik, që nuk u pajtonte me politiken zogiste projugosllave, prandej për cilën nga arsyet bindse ky kler “bashkëpunoi” me serbët, anmikun e vet shekullor? Një fakt asht i njohnun, se Don Lora Caka, At Çiprian Nika, At Mati Prennushi dhe mjaft të tjerë kanë marrë pjesë në këte kryengritje me armë në dorë, gja që dëshmohet në dosjet dhe proceset e tyne në vitin 1947 gjatë hetuesisë me komunista, madje edhe At Pal Dodaj asht Ai që ka ndërhy tek Ahmet Zogu për me ia shpetue kokën mikut të vet At Mati Prennushit, i cili ishte në listën e zhdukjes…Nuk ka asnjë dyshim se me këte kryengritje ishin pjestarë edhe dy vllaznit priftën, Don Gjoni dhe Nikollë Gazulli, mbasi edhe Don Nikolli bani katër vjet në burgun e Gjirokastres, si kryengritës, po a mund të pranohet dënimi i dhanun nga Ahmet Zogu për një klerik katolik me u varë në litar? Një pyetje e mbetun pa “përgjigje”…
Koha ka sjellë edhe dokumenta të tjera, që nuk mund të pranohet për asnjë arsye varja në litar e një kundërshtari politik, pse nuk pajtohet me veprimet tueja dhe nuk ka la duert me gjak e, për ma tepër, kur vetë Ahmet Zogu kishte ardhë në krye të Shtetit Shqiptar me rrugën e tradhëtisë ndaj Atdheut, tue i lanë Serbisë shoveniste të gjitha trojet tona që zaptoheshin nga ajo që në vitin 1913 dhe, tue i shtue atyne trojeve edhe Shën Naumin, që ato ditë, në gazeten “Ora e Maleve” 20 Shtator 1924, shenohet: “Nga Gjykata e Hagës vendosi që vendimi i Konferencës së Ambasadorve i dhanun me 6 Dhetor 1922, me të cilin Shën Naumi i epet Shqipnisë, asht definitiv e nuk mund të rishikohet”.
Atëherë, kush duhej varë në litar…?
Ishte mbarë Populli Shqiptar që nuk pajtohej me këto vepra, dhe nga këto veprime nuk kishte sesi të qendronte indiferent Kleri Katolik. Për këte arsye Ai si gjithmonë u bashkue dhe luftoi me Popullin e vet. Don Gjon Gazulli u arrestue me daten 26 Nandor 1926 dhe mbas pak muejsh gjoja shqyrtim ngjarjesh, u zhvillue një gjyq që nga shumë vetë asht konsiderue një farsë, mbasi cili mund t‟ ishte rreziku ma i madh që mund t‟i sillte qeverisë një Prift i fshatit Koman? Edhe vet dokumenti i gjyqit ka mungesa firmash nga ata që drejtonin gjyqin! Vet Ahmet Zogu, katër orë mbas varjes së Don Gjonit, dërgon një telegram në Shkoder, me të cilin gjoja i fali jetën Don Gjonit… një veprim shumë i djallzuem, që vetem përforcon mendimin e ekspertëve që kanë përcaktue karakterin e Ahmet Zogut, si një “diktator tiran që i kanë mungue mjetet…”. Po a nuk kishte kohë Ahmet Zogu me marrë një vendim të tillë para dates 5 Mars 1927, pa arrijtë në orët e para të atij mëngjezi, kur Don Gjonin, pa dalë drita, e vari në Fushen e Druve, mu në qender të qytetit të Shkodrës, me një paramendim të caktuem, që Zogu me këte veper donte me i tregue Klerit Katolik dhe mbarë Popullit të Veriut dhe Shkodres, se “ky asht fillimi i asaj që do të ju baj ma vonë nëse çoni krye prap kundër meje!!” Një vepër e tillë ishte vetem akt turpi dhe terrori, që i paraprinte edhe shumë veprave të tilla deri tek ngjarjet e Vllazenve Et’hem e Ismet Toto….
Vetë fjala e fundit e Don Gjonit, para heqjes së stolit tregon ma së miri se kush kje Ky Prift, që burrnisht vdiq pa iu tutë syni, edhe pse nuk ishte ma shumë se 34 vjeç: “I vetmi faj që i njoh vetes, asht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të”.
Në lidhje me këte ngjarje historike të nacionalistëve shqiptarë të vitit 1926 kolonel Faik Quku, oficer i asaj periudhë, në librin e tij “Qendresa Shqiptare gjatë Luftës së dytë Botnore” Vol I, fq. 37, ka shkrue: “Sikur Ndok Gjeloshi të mos ishte plagosë te Çuka e Urës së Mesit, revolucionarët do të kishin hy në Shkoder dhe fati i Shqipnisë mund të kishte ndryshue krejt”.
Iu bana këtë shpjegim të kolonel Qukut, mbasi kur asht folë e shkrue për këte ngjarje kaq të randësishme, gjithnjë asht zanë në gojë si drejtues dhe organizator i saj Don Loro Caka. Sigurisht, për 50 vjet nuk kishte sesi të flitej për Heroin e Popullit Shqiptar, Atdhetarin e madh Ndok Gjeloshi, mbasi ishte Ai Burrë që komunistët vranë në Tiranë, me atentat, sepse dihej se edhe komunistët do të kishin probleme prej Tij.
Prania e emnit të Ndok Gjeloshit në këte kryengritje asht me shumë vlerë për me nxjerrë në shesh të vertetën e mohueme historike, mbasi emni i Ndok Gjeloshit, pak muej para kësaj ngjarje, asht në krye të atyne zhvillimeve të tjera të mëdha të 1924, që sollën në krye të Shtetit Shqiptar Qeverinë Demokratike me kryeminister Fan S. Nolin. Ndok Gjeloshi ishte edhe atentator i Zogut në Vjenë, kështu do të bahej e kjartë për të gjithë ata që duen me njohtë historinë e vendit tonë, se ngjarjet e vitit 1926 ishin një tjetër përpjekje e Atdhetarëve tone demokratë kundër vendosjes së diktaturës zogiste, e pasueme me disa vrasje dhe varje në litar të “kryengritësve” intelektualë të Veriut kundër grupit të feudalëve injorantë e anadollakë të pacipë që rrethonin Zogun. Fakte të tilla historike jo vetëm nuk shkruhen ende, po ma e keqja asht shtremnimi i tyne dhe falsifikimi i së vërtetës historike. Në shtatorin e vitit 1926 asht me randsi të madhe marrveshja e kryeministrit britanik Austin Chamberlain me Musolinin, i cili i dha të gjitha mundësitë Italisë me veprue ndaj Shqipnisë, gjoja tue u ruejtë nga italianët pavarsia e Shqipnisë…vetëm për interesat e tyne të mëshefta në lidhje me Mosulin, ku Turqia detyrohet me u shmangë tue hjekë dorë.
Aleanca që lidhet në mes të Italisë dhe Shqipnisë me siguri nuk u prit mirë nga Atdhetarët Shqiptarë. Ndonse u krijue një siguri ndaj dy anmiqve komshijë lindorë, atyne jugosllavë e grekë, duhet thanë realiteti se na me kambët tona ishim tue shkue drejtë vorrosjes së Shtetit Shqiptar në gjiun e Romës fashiste të Mussolinit. Ky asht një fakt historik.
A ka mundsi që eksperienca historike e Atdhetarëve të vërtetë të sillte pasojë Kryengritjen e Veriut për rrëzimin e Ahmet Zogut dhe në të njajten kohë të prishte marrveshjen vdekjepruese me Italinë?
Kjo asht edhe një arësye tjetër që duhet shtjellue nga historianët nëse duen me shpjegue të vertetën e Lëvizjes së madhe antizogiste të vitit 1926, nga Shqiptarët e Veriut me pjesmarrjen e Klerit Katolik.
E kur të zehet në gojë Kleri Katolik, duhet nënkuptue qendrimi i Zogut ndaj Atij Kleri, por edhe duhet tregue një e vertetë që asht kenë mshëhë nga pseudohistorianët tonë, se “Kleri Katolik Shqiptar nuk e ka dashtë kurrë praninë e Italisë në Shqipni”, prandej edhe konti Ciano e shpjegon kjartë “paknaqsinë” e Klerit Katolik nga pushtimi italian: “Kleri ushqente ndjenja nacionaliste të teprueme, që nuk pajtoheshin me pushtimin tonë në Shqipni”. Italia punoi për çarmatimin e Atdhetarëve!
A nuk asht edhe ky një shkak i arsyeshëm dhe i mjaftueshëm me luftue kundër çdo marrëveshje, e cilitdo që punon me u lidhë me traktate e tjera vepra antiatdhetare, edhe sot me Itali e kedo tjetër?
Që Italia e dinte qendrimin e Klerit, kjo asht e kuptueshme, po që Ahmet Zogu do të arrijë të varin Don Gjon Gazullin dhe italianët, tue pasë mardhanje të mira me Zogun, mos me ndërhy fare për mos me e lejue ate me krye një vepër të tillë ndaj një Kleriku, që në analizen e fundit “varja në litar” ma shumë ka turpnue Ahmet Zogun si drejtues anadollak, sesa Atdhetarin Don Gjon Gazulli si Shqiptar i vërtetë!
Kjo do t’ishte një analizë me vlerë për të gjitha kohët, ndonse nuk asht ba asnjëherë, tue i lanë shtegun çilë të gjithë mbasardhësve që kanë drejtue Shtetin Shqiptar, mbas Ahmet Zogut, me u sjellë me aq mizori të papame kundër Klerit dhe inteligjencës katolike, sa sot nuk ka asnjë historian që mundet me thanë ose me shkrue se kundër tyne në Shqipni, nga komunistët dhe sherbtorët e tyne të sigurimit nuk asht ba “Genocid”.
Në librin e Bernd J.Fischer, amerikan që ka shkrue “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipni” (Santa Barbara, Kaliforni, 1996) shpjegon edhe një “variant” tjetër, që e shtyni të revoltohet popullsia e Veriut kundër Ahmet Zogut, sepse “katolikët e Veriut, të cilët, veç pakënaqësive të ndryshme, nuk e kishin harruar ende përpjekjen e Zogut për çarmatosjen e tyre dhe ndalimin e kusarisë. (fq. 124).
Ky asht një shtremnim fakti, që përputhet me të gjitha shpifjet dhe intrigat e shteteve fqinjë, të cilat ndër shekuj, që në kohën e Turqisë, janë mundue me paraqitë Malësorët e Veriut si gjakajtorë e kusarë, tue mos thanë asnjëherë të vërtetën historike të Atyne Maleve dhe Atyne Burrave Shqiptarë, që me pushkë përfaqe, jo vetem kanë mbrojtë trojet e veta për mos me u shkelë nga robnuesit turq e sllav, por edhe kanë krye edhe një detyrë tjeter të madhe për të cilen Fan Noli thotë: “Vetëm Malësorët e Veriut mbetën Katholike me armë në dorë…”.
Pra, ishte arma që i duhej Atyne Burrave me ruejtë Atme e Fe! Ishte arma që naltonte idealin e Tyne “Atdhe e Fe” deri në Elter të vetflijimit për çashtjen e madhe të Lirisë së Tyne. E, Ai që i edukoi dhe i formoi këta Vigaj të Popullit Shqiptar dhe të Shpellave të Alpeve tona me këta virtyte, ishte gjithë Kleri Katolik Shqiptar. Ishte gjaku i Atyne Martirëve tonë, që dikur ndër hunjë, tue ua këputë kokën me sopatë e prap ndër konopë e litar të mbasardhësve të Anadollit, do të ngrinte nalt edhe një Hero në Elterin e Atdheut, Don Gjon Gazullin.