Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

PËR ARBËRINË

Kur shkruaja vjersha për Arbërinë time

dhelpra përgjonte nga vrima e çelësit

shkonte te ujqit

kështu e kështu ai, Filan Fisteku.

Rishmi vinte kur këndoja për Flamurin

tek ata belbonte

ai s`po ndalet fare.

Në ferr ma kthenin shpirtin

me vrushkuj uji.

Më vjen keq që s’e prita

Ditëbardhën tonë

as që s’e pashë ikjen kurrizthyer

të ujqërve e dhelprave.

Sa herë jehon kënga

Për Kryetrimin, Adem Legjendarin,

lëviz gurin e varrit

flamurin valvis bashkë me ju pa lot.

DY FLETË

Dy fletë si prej hëne

me dy vjersha

të shkruara

për shiun,

nga dorë e vjeshtës

u shkëputën

prej fletores së mështeknës.

Ranë në prehër

të barit

t‘i lexojnë buburrecat

para se t‘i marr era

për librin e vet të fluturimit

që e presin retë.

DASHURIA BLERON ME BUZËQESHJE

Këndon pema në kopsht?

Këndon operetë!

Tërbohet lumi fushës?

Tërbohet kur qajnë retë!

A i zverdhet këmisha

Blerimit te vreshta?

Patjetër i zverdhet

Kur ngjyrat përzien vjeshta!

E dashuria, ajo ëmbëlsia

A harxhohet si bombon?

Është det i paskaj, dritëz

Me buzëqeshjen bleron!

E di edhe unë, e di,

Afroma pakëz veshin!

Edhe sytë e Anilës thonë kështu

Sa herë më buzëqeshin.

Please follow and like us: