“Ditën punoja në minierë, natën shkruaja poezi”, rrëfehet Bejko: Me fat që dola gjallë, më ndihmoi Kadare
Poeti i njohur shqiptar, Sadik Bejko, ka bërë një rrëfim shumë prekës në emisionin “Pas Mesnate”. Ai është ndalur mes shumë emocioneve dhe te internimi, ku sistemi komunist e dërgoi të punonte në minierë, për shkak të disa teksteve të këngëve në Festivalin e 11-të.
Bejko tregon se ishte me fat që doli gjallë nga miniera dhe për këtë e ndihmoi i madhi Ismail Kadare.
Sakaq, ai kujton që ditën punonte në minierë mes shumë vështirësive dhe natën shkruante poezi, që i griste.
“Këngëtarët, kompozitorët… e pësuan atëherë. Françesk Radi i ndjerë shkoi në Fushë Arrëz, mbas kësaj dhe unë shkova në minierë. Regjisori Mihallaq Luarasi që ishte i Festivalit, shkoi 8 vjet në burg. Ishte një kohë që solli shumë gjëra të këqija që mbase nuk kam qejf t’i kujtoj. Ishin pjesë e jetës sime.
Minierat janë vendet ku shkojnë njerëzit në nevojë dhe sot dëgjon që minator humbin jetën, fatkeqësi. Njerëzit janë të lumtur nëse arrijnë të dalin nga miniera gjallë dhe të shëndosh dhe pa ndonjë gjymtim. Unë pata fat që dola nga miniera dhe për të dal që andej më ndihmuan miq. Kujtoj, Ismail Kadaren, që ishte miku që hyri te nivele shumë të larta për kohën, sepse ndonjëherë të hidhnin si gur në pus dhe hajde të dilje prej andej. Pastaj fillova përsëri arsimin.
Ishin 6 vite të vështira. Kam shkruar poezi dhe atëherë, edhe kam grisur. Sepse ndonjëherë shkruaja për të mbajtur dorën ngrohtë, për të mos harruar të shkruaja dhe lexoja. Siç thash pata forcën ta përballojë fizikisht sepse minierat janë punë të rënda dhe unë isha i ri fatmirësisht. Pata dhe forcën shpirtërore që ta përballojë goditjen dhe të shkruaj, të lexoj dhe të ruaj aftësitë intelektuale. Pasi mbas pune atje lexoja”, rrëfeu poeti./abcnews.al