Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Kaceli: SPAK shpall NUL zgjedhjen e Trump!

Satirë

Tiranë, Shqipëri, Nëntor 2024: Sipas burimeve të Tiranës zyrtare, dhe sipas burimeve të sigurta pranë SPAK-ut shqiptar, ky i fundit pritet të shpallë të pavlefshme zgjedhjet e Presidenti të 47-të në SHBA!

Lajmin e konfirmon edhe vetë Ambasada Amerikane nëpërmjet zëdhënësit të FBI-së në Tiranë, avokatit të nderuar Spartak Ngjela!

I pyetur gjatë një konference për shtyp, kreu i SPAK-ut, Prokurori i Akullt, Altin Dumani, tha se institucioni që ai përfaqëson, ka të gjitha të drejtat legjitime të hetojë (deri në anullim) zgjedhjet dhe politikanët e vendeve të tjera, pavarësisht se në cilën pjesë të globit jetojnë!

Sa i takon rastit konkret, pra anullimit të zgjedhjeve në SHBA, Dumani tha se “as nuk e pohon dhe as nuk e mohon që është hapur një dosje e tillë”.

E drejta e SPKA-ut për të ndërhyrë në punët e Amerikës, rrjedh nga ligjet speciale që vetë Parlamenti Shqiptar, nën udhëheqjen e amerikanëve,  ka miratuar kohë më parë, dhe që miraton në vijim! Natyrisht rolin kryesor e ka Mbrojtësi i Zgjedhjeve të Lira e të Ndershme, zoti Edi Rama, që është edhe Kryetar i Qeverisë, mbështetur fortësisht nga administrata aktuale amerikane dhe një pjesë e nderuar e FBI-së!

Menjëherë ka plasur rrëmuja dhe çorientimi në Opozitën e Mirëorganizuar Shqiptare (MISH), që fitoren e Trump-it e quajti fundi i qeverisë së korruptuar të administratës Rama -Biden!

Nga dritarja e shtëpisë, Lideri i Opozitës, Sali Berisha deklaroi për të pranishmit poshtë ballkonit se “SPAK-u, kjo vegël e  Narko Qeverisë Shqiptare, kërkon të ndërhyjë padrejtësisht në punët e brendshme të Amerikës, mikes më të madhe të kombit shqiptar”! Berisha, i njohur për respektin e madh të kushtetutës dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme, tha se “Koburja SPAK në duart e Edi Dramës kërkon të vrasë demokracinë e brishtë amerikane”!

Për Kryetaren e parlamentit shqiptar shoqen e nderuar Eliza Spiropali “E drejta kushtetuese e anullimit të zgjedhjeve në USA e ka bazën në precedentin historik të Skënderbeut kur iku në Itali, Napoli, dhe me forcën ligjit vendosi drejtësi në favor të Ferdinandit të Napolit”!

Kryetarja e Parlamentit tha se Skënderbeu i Saj ka të njëjtat të drejta kur bëhet fjalë për lirinë dhe prosperitetin e popullit vëlla amerikan!

Në përkrahje të Spakut dhe vendimit të tij për të quajtur Nul zgjedhjen e Donald Trump, diaspora e shokëve dhe shoqeve të Partisë Socialiste, në USA, ka filluar lobimin dhe së shpejti organizon protesta në zemër të Neë York-ut!

Vlen të theksohet se në mbështeje të SPAK-ut, ka dalë hapur edhe Baba Mondi në cilësinë e Kryetarit të Shtetit më te vogël Shqiptar në Ballkan e më gjerë.

Please follow and like us: