Iris Halili: Shqisa e gjashtë
Në 15-vjetorin e ndarjes nga jeta të gjyshes sime Ganimet Gjilani Fratari – fragment nga një libër që po ia dedikoj asaj!
Nëna ime dukej se kishte trashëguar tiparet dhe cilësitë më të mira të zonjave qytetare të viteve ’30, klasin dhe elegancën e tyre, mikpritjen tipike shqiptare si dhe profilin e një gruaje të emancipuar, që nuk rezervohej të thonte mendimin e saj në familje apo rreth të ngushtë, nuk kursehej të jepte këshilla dhe nuk ndalej së ndihmuari deri sa të kishte fuqinë e fundit. Falë edukimit dhe leximit, që ishin pasioni i saj më i madh, ajo kishte arritur tek cilësia e lartë e intuitës, apo siç e konsiderojnë sot inteligjenca emotive, që nuk është gjë tjetër vetëm se ndërgjegjësimi apo njohja maksimale e ndjenjave dhe emocioneve personale dhe atyre të tjetrit, empatia me ndjenjat dhe situatën e tjetrit dhe parashikimi i ngjarjes përpara se ajo të ndodhë. Deri me sot unë nuk kam njohur njeri në jetë që të parashikonte më qartë se ajo situatet që na prisnin, ashtu sikur nuk kam njohur njeri që të jetonte aq shumë me ndjenjat, dhimbjet apo gëzimet e të tjerëve, duke patur vetë nja mal me halle dhe probleme. Besoj se këtë vyrtyt ajo e arriti falë ndjeshmërisë shumë të lartë që kishte për çdokënd si dhe falë thjeshtësisë që e karakterizonte.
Intuita, apo shqisa e gjashtë siç njihej më shumë në atë kohë, apo inteligjenca emocionale sikur njihet më shumë në ditët e sotme, ishte një ndër cilësitë më të dalluara të nënës, për fatin e saj të mirë apo të keq. Them kështu, pasi shumë herë kjo lloj inteligjence të bën në fillim të ndjesh dhe më pas të kuptosh të keqen përpara se ajo të arrijë dhe kjo është mirë për aq kohë kur e ke vetë në dorë ndryshimin e fatit, por kjo aftësi të kthehet në dhimbje kur atë fat e ka në dorë tjetërkush apo aq më keq e kanë faktorë të cilëve ti as që mund t’i afrohesh, siç ishte për shembull pushteti komunist. Nëna gjithmonë kujtonte se ajo e kishte parashikuar humbjen e nacionalistëve shqiptarë përpara vitit 1944, bile ajo ia kishte thënë edhe gjyshit disa here, por ai asnjëherë nuk e kishte besuar me bindjen: “Se anglo-amerikanët nuk do e lënë Shqipërinë në dorë të komunistëve”. Shumë të afërm të tjerë, vite më vonë, ma kanë konfirmuar se nëna e kishte kuptuar fatin e fundit të luftës shumë përpara se ai të vinte; ashtu sikur kishte kuptuar që në fillesa se komunistët nuk po bënin një luftë të drejtë dhe, ndërsa motra Fazilet apo vëllai i saj Fetih, të dy vetëm disa vjet më të vegjël, iu bashkuan lëvizjes rinore debatikase, apo edhe shumë nga shoqet e saj të shkollës ‘Nëna Mbretëreshë’ iu bashkuan luftës, ajo kurrë nuk u bë pjesë e asaj prapagande, ajo kurrë nuk e besoj Partinë Komuniste. Nuk di në sa e sa raste të shumta nëna na këshillonte papushim për diçka dhe kjo shpesh dhe gabimisht na bënte të besonim se ajo ndillte keq. Jeta tashmë na rrëfen se ajo ka parashikuar çdo gjë qartësisht pasi ajo nuk donte që ne të shihnim keq. Ajo ishte shumë e mençur dhe shumë analitike, por ajo kurrë nuk ishte pesimiste dhe këtu duhen ndarë gjërat. Tjetër njeri është ai që e parashikon të keqen dhe tjetër ai që mendon gjithmonë keq. Çështja është se shpesh ne e kemi të vështirë të dallojnë atë linjë të hollë që ndan parashikimin se gjërat do të shkojnë keq nga negativiteti për të ndjellur gjithmonë keq. Dhe njerëzimi historikisht e ka patur të vështirë t’i ndajë këto të dyja. Ky ishte edhe fati i Kasandrës,nga miti grek përshkruar aq bukur nga Homeri tek Ilida . Kasandra, vajza Trojane që askush s’e besoi kur ulëriu që të mos pranohej dhurata tradhtare e grekërve. Të gjithë mendonin se ajo po ndillte keq e fliste në delir, por historia tregoi se ajo në fakt e kishte parashikuar të keqen përpara se ajo të pllakoste në Trojë dhe të shkatërronte një civilizim të tërë. Historia do të ishte krejt ndryshe nëse qoftë edhe një apo dy roje trojane do ta kishin besuar profecinë e Kasandrës. Unë besoj se njerëz të tillë, me një shkallë superiore të inteligjencës emocionale është fat t’i kesh pranë vetes pasi ata nuk se janë të shumtë dhe janë si të zgjedhur të Zotit pranë njerëzve; janë orakujt e dikurshëm, janë profetët e kohëve moderne.
Edhe nëna ime ishte e tillë. Gjithmonë e dinte çfarë do të na vinte; ishte jeta që ia kishte mprehur këtë shqisë të gjashtë apo e kishte të lindur këtë nuk e ndaj dot plotesisht, por di që ajo ishte gjithmonë përpara në mendim dhe parashikim, ajo ishte drita jonë, që sot pas 15 -vitesh ndarjeje na mungon shumë dhe vendin e saj se zë askush. Disa njerëz janë dhuratë e paçmueshme në jetët tona jo se na shoqëruan për një farë kohe në të, por se me praninë dhe dashurinë e tyre na bën të mendojmë sa bosh do të kishte qënë jeta jonë pa ta, dhe mbi ta gjitha na bëjnë të mendojmë dhe pyesim : si do të ishim formësuar ne pa praninë e tyre? Dhe kësaj pyetje nuk i japim dot përgjigje ndonëse vitet ikin njëri pas tjetrit.