Filma me metrazh të shkurtër për një mbamendje të gjatë
Në mbrëmjen e parë të edicionit të tretë u shfaqën tre filma të shkurtër: “Ninullë” – Adrian Asllani, “Ditëlindja” – Sabri Pajaziti dhe “Violinisti” – Saimir Bajo
Luljeta Ademi
Është ngritur mbrëmë në Spreitenbach AG perdja e Festivalit të Filmit “TriNetFest”. Ky festival është shndërruar në një platformë të rëndësishme për shfaqjen e filmit të shkurtër shqiptar në Zvicër, duke tërhequr gjithnjë e më shumë dashamirës të kinemasë dhe kulturës shqiptare.
Në hapjen e këtij edicioni të festivalit, në njërën nga sallat e kompleksit të kinemave “Pathe” në Spreitenbach, veç publikut, ishin të pranishëm edhe artistë, regjisorë dhe pjesëmarrës të tjerë, të ardhur enkas nga Kosova e Maqedonia. Ndërsa me nga një fjalë përshëndetjeje publikut iu drejtuan ambasadori i Maqedonisë së Veriut, z. Rexhep Demiri dhe znj. Shukrije Ramadani, zëvendës ambasadore e Republikës së Kosovës në Bernë.
Festivali, një organizim i Studios “Aktrimi”, Cyrih, është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, si dhe nga disa sponsorë të tjerë, kompani private shqiptare, në Zvicër.
Mbrëmjen e moderuan Xheneta Zuzaku dhe Ramadan Morina, në cilësinë e organizatorëve, gjegjësisht Studios “Aktrimi”, Cyrih.
Në mbrëmjen e parë të edicionit të tretë, të këtij viti, publiku pati mundësinë të shijojë tre filma të shkurtër të autorëve shqiptarë, “Ninullë” – Adrian Asllani, “Ditëlindja” – Sabri Pajaziti dhe “Violinisti” – Saimir Bajo. Në plan ishte edhe shfaqja e dokumentarit “Bijtë e Gjergj Kastriotit Skënderbeu”, i regjisorit Vranin Gecaj, i cili për shkaqe teknike mbeti të shfaqej në mbrëmjen në vijim.
Filmi “Ninullë” i Adrian Asllanit
Filmi horror/thriller “Ninullë” sjell në qendër marrëdhënien komplekse mes një babai dhe të birit, i përshkuar nga një “sëmundje” e brendshme dhe e zjarrtë. Historia zhvillohet në një shtëpi të vetmuar, ku babai, mjeshtër kukullash, ngjall atmosferë të ankthshme dhe paralajmëron një tragjedi të afërt. Duke u frymëzuar nga balada e Gëtes, filmi paraqet vizita të errëta të “Mbretit të Zi” që dërgojnë djalin drejt vdekjes — një figurë që në këtë rast mishërohet nga vetë babai. Ndërthurja e skenave dramatike, ndriçimi dhe errësira krijojnë një atmosferë të zymtë, ku çdo veprim përçon një ndjesi tronditjeje dhe tensioni. Me pak fjalë dhe shumë emocion, “Ninullë” sjell një histori të fuqishme për dhimbjen, tmerrin dhe lidhjen e pazgjidhshme babë-bir.
Në film luajnë: Avni Dalipi, Lis Kamberi, Michael Kempf, Renea Kamberi, Tiara Kamberi.
Filmi “Ninullë” i Adrian Asllanit ka marrë disa çmime, ndër to edhe çmimin “Filmi më i mirë” në festivalin “Movie Day” në Zvicër.
Filmi “Violinisti,” një homazh për fëmijërinë, pafajësinë dhe qytetin e Gjirokastrës, është njëkohësisht një kujtim për skulptorin Arben Bajo. Regjisori Saimir Bajo e përshkruan filmin si një autobiografi të transformuar artistikisht për të shpalosur më shumë se një histori personale. Në qendër qëndron familja Bajo dhe kujtimet e hershme të regjisorin në rolin e një violinisti të vogël, ndërsa vëllai i tij, Arbeni, portretizohet si një nxënës pasionant i klarinetës. Përmes përjetimeve të prindërve, gjyshes, mësuesve dhe miqve të familjes, filmi ngjall nostalgji dhe emocione të forta. Mesazhi që përcjell është i fuqishëm: njeriu mund të humbasë një dashuri apo një ëndërr, por kjo nuk duhet ta çojë atë në një tragjedi — përkundrazi, duhet ta nxisë drejt një dashurie dhe ëndrre të re.
Gjithashtu në program u shfaq edhe filmi “Ditëlindja” nga Sabri Pajaziti. Ishte ky një film i shkurtër artistik, i cili i qaset në një mënyrë veçantë temës së dhimbshme të të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë. Ai shpërfaq në mënyrë bindëse tragjiken e luftës pa hyrë fare në rrëfimin mbi zhvillimet e kësaj lufte. E gjitha përqendrohet në “festimin” e ditëlindjes së një gjyshi, i cili ka humbur fëmijët dhe nipërit e mbesat në luftë…
Filmi është xhiruar në mënyrë të pavarur, në vitin 2022, nuk ka ndonjë produksion mbrapa tij. Dashuri Rexhepi është aktori kryesor. Filmi është shfaqur në disa festivale ndërkombëtare (Lituani, Spanjë etj.).
Pas shfaqjes së filmave, në sallë u zhvillua një debat i frytshëm, të cilin e drejtoi regjisori i ardhur nga Prishtina, Ben Apolloni.
Me filma të pasur në përmbajtje, që sjellin histori autentike dhe përvoja të thella, festivali i dedikohet një publiku të gjerë dhe me interes për identitetin shqiptar, duke ngjallur emocione dhe duke ndërgjegjësuar për sfidat e kulturës arbëreshe e asaj shqiptare në përgjithësi. Të tilla nisma tregojnë se kinemaja mund të shërbejë jo vetëm si art, por edhe si një mjet për të lidhur breza, për të ruajtur kulturën dhe për të forcuar identitetin shqiptar.
Festivali i Filmit “TriNetFest” vazhdon edhe dy netët e ardhshme, më 8 dhe 9 nëntor, me programin e pasur të filmave të përzgjedhur.
Albinfo është sponzor medial i Festivalit të Filmit “TriNetFest”.
Rezervimet: Vetëm përmes SMS në numrin +41 76 533 13 14 https://www.facebook.com/events/4779640335594713/?ref=newsfeed/
Tre Net Film Fest 2024 – Edicioni III
Lokacioni: Kino Pathé, Spreitenbach
Datat: 8 dhe 9 nëntor 2024
Ora: Nata e dytë fillonë në ora 19:00
Nata e tretë fillon në ora 19:30
After Party – Më 9 nëntor, nata finale do të përfundojë me një after party, ku do të performojë artisti i mirënjohur, Bexhet Sallai.