Muzika e kompozitorit shqiptar me famë ndërkombëtare Thoma Simaku transmetohet në Meksikë
Vepra e Thoma Simakut “Soliloquy I for Solo Violin”, interpretuar nga Peter Sheppard-Skaerved, u transmetua nga Radio UNAM në Mexico City më 9 tetor 2024 në një program të muzikës klasike dhe bashkëkohore, i cili ndër të tjera përfshinte vepra nga Bach, Barber dhe De Falla, dhe kompozitorë bashkëkohorë nga Japonia dhe Kina, Toshio Hosokawa dhe Wenchen Qin. Lajmi është botuar këto ditë nga Shtëpia Botuese e Universitetit të York-ut UYMP.
https://www.uymp.co.uk/news/2024-11-12-thomas-simaku-broadcast-in
Pas një përshkrimi të shkurtër të biografisë së Simakut, prezantuesi njoftoi: “Ai filloi të kompozonte ciklin e tij “Soliloquy Cycle” në vitin 1998. Seriali është rritur duke përfshirë të gjitha familjet instrumentale të orkestrës. Qëllimi i këtyre veprave është të thellohen dhe të shqyrtohen karakteristikat ekspresive dhe teknike të secilit instrument, duke kompozuar muzikë shumë virtuoze dhe idiosinkratike. Secili prej tyre arrin një thellësi shprehjeje përtej asaj që duket e mundur me një instrument të vetëm.”
E përzgjedhur nga Juria e Shoqatës Ndërkombëtare për Muzikën Bashkëkohore (ISCM), dhe e përshkruar nga kritiku anglez Peter Graham Woolf si “Një pjesë për violinë pa shoqërim që nxjerr në pah gjenialitetin e instrumentit për shprehje pasionante”, premiera botërore e “Soliloquy I” u dha në Festivalin Ditët e Muzikës Botërore 2000 në Luksemburg e interpretuar nga Vania Lecuit; më pas vepra u regjistrua në CD nga violinisti londinez Peter Sheppard-Skaerved publikuar nga Naxos në 2008. CD-ja arriti në “listën më të mirë të vitit” të revistës amerikane “Fanfare”.