Edith Durham, 80 vjet nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”
15 nëntori është 80-vjetori i ndarjes nga jeta të Edith Durham, një artiste, antropologe dhe shkrimtare britanike, e cila u bë e njohur për rrëfimet e saj antropologjike të jetës në Shqipëri në fillim të shekullit të 20-të.
Më këtë rast, drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku ndau lajmin se, së shpejti, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, do të ekspozojnë për publikun beratas riprodhime të vizatimeve që Edit Durham ka realizuar gjatë udhëtimeve të saj në trojet shqiptare.
Muzeu Historik Kombëtar disponon një ekspozitë lëvizëse me riprodhime të vizatimeve të saj dhe në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta të antropologes, punët e saj do të ekspozohen në Berat.
Për kontributin e Edith Durham-it në mbrojtje të Shqipërisë pranë qeverisë britanike, përfaqësues të qytetarëve të Beratit në vitin 1918, i dhuruan asaj një jelek të qëndisur me ar nga artizanët e qytetit.
Sot, ai jelek kaq i çmuar qëndron i ekspozuar në Bankfield Museum në Halifaks të Britanisë së Madhe, si një dëshmi e mjeshtërisë së lartë që ekzistonte në Berat, në punimin e veshjeve aristokrate, ku bie në sy sasia e madhe e arit me të cilin janë realizuar zbukurimet.
Edith Durham (1863-1944) ishte 37 vjeçe kur ndërmori udhëtimin e saj të parë në Ballkan më 1900. Për 14 vjet me radhë ajo do të kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe të angazhimit të saj intelektual dhe politik në udhëtimet nëpër Ballkan.
Përvoja dhe materiali i mbledhur gjatë këtyre udhëtimeve përbëjnë ndoshta koleksionin më të pasur të kulturës popullore dhe sociale të mbledhur nga ndonjë udhëtar i huaj gjatë kësaj kohe. Pjesa më e madhe e tyre janë veshje popullore të blera gjatë udhëtimeve në Shqipëri. Ashtu si dhe udhëtarë të mëparshëm britanikë që kishin shprehur admirimin për veshjet shqiptare, edhe ajo do të shprehej: “Qëndisjet me ar nuk mund t’i gjesh asgjëkund si në Shqipëri, dyqanet e rrobaqepësve janë një shkëlqim i mahnitshëm i ngjyrave dhe modeleve”./atsh