Dëshmia tragjike e vëllait të aktorit dhe regjisorit të famshëm: Në hetuesi më takuan me gruan time polake dhe duke qarë, ajo më tha…
Vepror Hasani
Orgocka: “Denoncuesit, ishin miqtë e mi; Vangjush Raci, kolegu im i zyrës; Xhevdet Dervishi, një punëtor, Kristina Gjashta, polake, e martuar në Korçë, kurse të katërtin, nuk ma tregoi. – ‘Është sekret’, – më tha hetuesi”.
“Nuk di t’i tregoj as sot e kësaj dite ato 19 ditë pritjeje të pushkatimit tim. Me të përfunduar gjykimi dy njerëz me uniformë më morën për krahu dhe më çuan në qeli, më shtynë në brendësi të saj, më lidhën duart mbrapa dhe më thanë: ‘Tani do të qëndrosh në pritje të vdekjes tënde’. Pastaj dy njerëzit me uniformë dolën. Dera e qelisë u mbyll, u dëgjua zhurma e llozeve prej hekuri dhe e shuleve që siguruan derën…hapa në korridor që po largoheshin…! Kisha mbetur i vetëm bashkë me vdekjen time. Kolegji i Gjykatës së Lartë, sapo kishte dhënë vendimin. Më kishin dënuar me vdekje, me pushkatim. Gruan time, Barbarën, e dënuan me 25 vjet burg. Kishim qenë të dy në të njëjtën sallë.
Me të isha njohur në Poloni, gjatë kohës që isha student në Varshavë. Edhe ajo tani ndodhej diku në një qeli tjetër. Nuk do ta shikoja më gruan time, ‘Bashën’, kështu e kisha thirrur që ditën që e kisha njohur, sepse kështu e kishin thirrur edhe prindërit e saj. Nuk do t’i shikoja dot as dy fëmijët e mi: Elisbjetën dhe Arturin. Ata ishin të vegjël: Elisbjeta vetëm 12 vjeç dhe Arturi, 10 vjeç. Më kishin ndarë përfundimisht me familjen time. Unë isha 35 vjeç, ndërsa imë shoqe, sapo kishte mbushur të 30-tat. Ajo që pashë në sallën e gjyqit, më kishte tronditur tërësisht. Gruaja ime, ishte çmendur…”!
Kështu nis rrëfimin e vet, Vaskë Orgocka, vëllai i aktorit dhe regjisorit të njohur, Dhimitër Orgocka, i cili tregon tmerrin që ka përjetuar në hetuesi dhe çmendurinë e gruas së tij.
“Në pritje të vdekjes”
“Isha i vetëm në qeli. Vazhdimisht më dukej sikur dikush më pëshpëriste: ‘T’i do të vdesësh…, ti do të vdesësh…, ti do të vdesësh….! “Do të vijë një skuadër pushkatimi dhe do të të vrasin, trupi tënd do të mbetet gjysëm i mbuluar me dhe, do të shqyhet natën nga ujqërit dhe qentë…! Eshtrat tënde, nuk do t’i gjejë dot askush… as nëna, as babai, as dy vëllezërit, dhe as motra tënde e vetme…’! ‘Gruja jote do të ulërijë si e çmendur, brenda mureve të qelisë, por nuk do të të shohë kurrë. Ajo është vetëm një e çmendur, ti nuk do të ekzistosh, do të jesh një qenie pa varr… një hiç…’! ‘Vdekja ime mund të ndodhte nga çasti në çast, – vazhdon rrëfimin e tij, Vaskë Orgocka.
– Mund të ndodhte edhe të nesërmen, edhe të pasnesërmen, edhe…! Kjo pak rëndësi kishte…! Një ditë, shpejt a vonë, pushkatimi im do të ndodhte. Sigurisht më vinte keq për jetën time, isha vetëm 35 vjeç, nuk e dija çfarë ndodhte me gruan dhe dy fëmijët e mi. Përgjoja çdo lëvizje të burgut: herë hapej një derë qelie dhe herë një tjetër, vetëm në qelinë time, nuk po vinin…! Gardianët ose sillnin të burgosur, ose merrnin ata që do të pushkatoheshin, ose i çonin para hetuesit. Këtë e dija nga përvoja e burgut. Prisja të hapej dera e qelisë time…! Prita gjithë natën, në mëngjes u hap dera dhe pashë te hynin brenda tre gardianë. Një e rrëqethur përshkoi qenien time. Më kishin sjellë ushqimin e përditshëm. Ndoshta do të isha i gjallë dhe atë ditë.
Më hoqën prangat nga duart që të haja bukën dhe nisën të më vështronin për një çast, me sy të shqyer. Nuk e kisha mendjen te ushqimi. Mora të gjitha paketat e cigareve, i nxora cigaret që andej, ndoshta 200 cigare dhe i vendosa njëra pas tjetrës, si të ishin ushtarët e shpëtimit të jetës time. Gardianët ndiqnin çdo lëvizje timen. Befas ngrita kokën dhe i pyeta: ‘Dini gjë për gruan time’?. Askush prej tyre nuk u përgjigj. Nuk e dija nëse edhe ata më urrenin apo më mëshironin. Kisha nisur të haja supën e burgut. Kur mbarova së ngrëni, më vunë përsëri prangat. ‘Më lini të ndez një cigare’, u thashë, dhe ata më lanë.
Një çast më vonë, në qeli ndodhesha vetëm unë dhe vdekja time, zëri i gruas që qante, por që nuk ishte aty dhe zëri i fëmijëve të mi, që më siguri edhe ata mund të ishin duke qarë…! Me cigaren e ndezur, ndizja cigaret e tjera. Cigaren e ndezur e hidhja mbi dysheme, pastaj përkulesha me duart e lidhura mbrapa dhe kapja me gojë cigaren tjetër. Me të njëjtin mundim, arrija ta ndizja te cigarja që sapo kisha hedhur mbi dysheme. Kështu vazhdoja t’i pija cigaret, njëra pas tjetrës, gjithë natën dhe gjithë ditën, pa asnjë pushim, deri në çmenduri. Jetoja për të pritur vdekjen”.
“Miq të mi në qeli, dy minj”
“Vazhdoja të qëndroja i vetëm, në pritje të vdekjes time. Dyshemeja kishte dy të çara dhe që andej dilnin dy minj. Nisa të luaja me ta. Herë zija njërën prej të çarave dhe herë zija të çarën tjetër. I detyroja minjtë të dilnin andej nga ‘porta’, që unë ua lija të lirë. Ata dilnin, zgjatnin kokën dhe më vështronin tërë kërshëri. Më dukej sikur kërkonin të më thoshin: ‘Kemi dëgjuar se t’i do të pushkatohesh, ndaj dëshirojmë të të bëjmë shoqëri. Ti mund të luash me ne, për aq ditë sa të vijnë ata të pushkatimit dhe të të vrasin…’! Në momente të tilla, më kujtohej gjithçka që kisha kaluar në katër muajt e hetuesisë. Më dukjes sikur dy minjtë e mi më pyesnin: ‘Po si ndodhi, që je këtu…’?!
Isha në punë kur më arrestuan. Në atë kohë punoja si gjeolog, në minierën e Mborje-Drenovës. Sapo kisha mbërritur në zyrë dhe nisa të haja bukë, kur dikush hyri në zyrën time dhe më tha: ‘Të kërkon drejtori’. E lashë bukën në mes dhe u nisa për atje. Kur mbërrita te drejtori, në zyrën e tij’ pashë disa policë dhe operativin e zonës, Sotir Ndrio. Ky i fundit më shtyu me brutalitet, si për të më thënë: Hap rrugën dhe mos na rri kështu, qen’!. Diçka parandjeva, u drodha i tëri. Kuptova që do të më arrestonin. Ishte koha kur Shqipëria, kishte prishur marrëdhëniet me Kampin Socialist.
Sigurimi i Shtetit, kishte nisur të arrestonte ata që ishin martuar me gra të huaja. Burrat i burgosnin, ndërsa gratë e tyre, ose i dëbonin nga Shqipëria, ose i arrestonin. Unë isha njëri prej tyre. Isha martuar me ‘Bashën’ time. Nuk vonoi shumë dhe operativ i zonës, u drejtua nga mua, duke më thënë: ‘Në emër të popullit je i arrestuar’. M’i lidhën duart mbrapa dhe pastaj shkuan në zyrën time, morën pallton që kisha lënë atje dhe ma hodhën krahëve. Më hipën në makinë dhe u nisën drejt Degës së Brendshme.
Me të mbërritur atje, më hoqën rripin e pantallonave, lidhëset e këpucëve, orën e dorës, që nuk ma kthyen kurrë dhe më futën në qeli. Më dhanë vetëm tre batanije, tepër të përdorura e të pista, sa nuk mund të thuhet. Ishte 7 dhjetor 1968. Bënte ftohtë. Ishte e pamundur që tre batanijet t’i përdorje edhe si dyshek, edhe si jastëk, edhe si jorgan, për t’u mbuluar. Qelia kishte një hapësirë 1 x 2. Edhe varrit kam për t’ia rrëfyer, mundimet e mia. Megjithatë deri në atë çast, nuk e kisha menduar se do të më dënonin me vdekje me pushkatim. Isha tepër i ri për t’u ndarë nga jeta”.
Hetuesi Odhise Porodina
“Që atë ditë më morën dhe më çuan para hetuesit, Odhise Porodina nga Gjirokastra. – ‘E dini përse u kanë sjellë këtu? – më pyeti. – ‘Jo’, iu përgjigja. – ‘Për veprimtarinë armiqësore që keni kryer kundër atdheut’, – ma ktheu ai. Fjalët e tij më tronditën. Pra, nuk ishte shaka, bëhej fjalë për një akuzë të rëndë. Nisa të kuptoja se që nga ajo ditë, unë nuk kisha për ta parë më dritën e diellit. Hetuesi dukej i qetë, dhe as më bërtiste, as më godiste, dhe as më shante. Krejtësisht qetë më tha: ‘Për ty na kanë ardhur katër denoncime, por edhe një sikur të kishim, ti do të dënoheshe njësoj, kurse katër denoncime, janë shumë për ty. Pranoje akuzën dhe e mbyllim shpejt…’!
Po e vështroj i çmeritur. Nuk dija ç’të bëja. ‘Nuk më besoni’?! – tha ai. ‘Ja, na merri lexoi’, dhe më zgjati tre fletë të shkruara. Denoncuesit kishin qenë miqtë e mi. Njëri prej tyre ishte Vangjush Raci, markshedër në minierë, kolegu im i zyrës; tjetri ishte, Xhevdet Dervishi, një punëtor që ndihmonte në trasportimin e mjeteve të punës, ose si ndihmës i markshederit, ndërsa i treti, ishte një grua polake, e martuar në Korçë, Kristina Gjashta, laborantja e minierës. Denoncimin e katër, nuk ma tregoi. ‘Është sekret’, më tha hetuesi. Nuk e di as sot e kësaj dite, se cili mund të ketë qenë ai.
Nuk e di nëse denoncimet ishin bërë me vullnet të lirë, apo i kishin detyruar. Të gjitha këto nuk kishin asnjë rëndësi për mua. Ishte llogaritur gjithçka, deri në detaje, që jeta ime të merrte fund. Duke mos gjetur asnjë rrugë shpëtimi, pranova se kisha bërë agjitacion dhe propagandë. Të paktën kështu do të më dënojnë deri në 10 vjet, mendova, por jo më shumë. Nuk e kisha menduar kurrë, që do të më dënonin me vdekje, me pushkatim. Hetimet në Korçë, zgjatën vetëm katër javë”!
Hetuesi Koço Josifi
“Pikërisht atëherë, kur kisha nisur të mendoja se hetuesia ime kishte përfunduar, më hipën në një makinë dhe më nisën drejt Tiranës, në ‘Burgun 313’. Ishte fundi i shkurtit. Qelia e Tiranës m’u duk më e mirë, sepse kishte të paktën një hapësirë 2 metra e ca, me 4 metra, por 3 batanijet që më dhanë, ishin njëlloj si ato të Korçës: të përdorura dhe të pista, sa nuk mund të thuhet. Të nesërmen më çuan para hetuesit të Tiranës, Koço Josifi. Me të hyrë atje, ai më tha: ‘Mbaroi supa, tani do të merremi me qoftet…’!
Fjalët e tij më tronditën edhe më keq. Kjo donte të thoshte se ato që kisha pranuar unë si faje, kishin qenë vetëm ujë, ndërsa ‘qoftet’, ishin ato që nuk i kisha treguar deri atëherë. Përsëri më përshkuan të dridhura në trup. Me siguri kishin vendosur të më hiqnin qafe…! Atë ditë që më çuan në Tiranë, kishin arrestuar edhe gruan time, Bashën. Gjithçka e mësova kur po kaloja nga biruca në korridor, për te hetuesi. Në korridor pashë një çantë dhe disa plaçka. I njoha të gjitha: ato ishin sendet e gruas time. Me të parë ato plaçka, nuk e përmbajtja dot veten.
Brenda shpirtit tim, po lindte një rebelim, që nuk e kisha njohur më parë. Kisha nisur të ngrija krye. E dija që do të më vrisnin, por të paktën të ngrija zërin. Kur u gjenda para hetuesit, i thashë: ‘Paskeni arrestuar edhe gruan time, më thoni, po fëmijët, m’i keni arrestuar?! Po ua them që tani: mos më thërrisni më në hetuesi, sepse, nuk do të vij më’. Por ç’ndodhi? Që nga ajo ditë, sa herë që më thërrisnin, për të më marrë në pyetje, më çonin në një zyrë tjetër, ku karrigia ishte e palëvizshme, më ulnin atje, m’i lidhin duart mbrapa dhe si më lidhnin pas karriges, nisnin torturat…”!
Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu
“Hetuesia e Tiranës, nuk ishte si ajo e Korçës. Sa herë që më merrnin në pyetje, më rrihnin, më torturonin, më ofendonin, më gjakosnin, deri sa më linin pa ndjenja. Një ditë, kur hetuesi Koço Josifi, po më merrte në pyetje, befas u hap dera dhe në zyrë hyri një njeri trupmadh, me fytyrë të dhjamosur, me një vështrim prej krimineli. Hetuesi sa e pa, u ngrit në këmbë dhe mori qëndrimin gatitu. Nuk e di pse, por ai njeri më futi të dridhurat. Nuk e dija kush ishte. – ‘Ky njeri do të më vrasë mua’, – mendova. Njeriu trupmadh, si u afrua te tavolina, pyeti: ‘Kush është ky’? ‘Vaskë Grabocka’, iu përgjigj, hetuesi.
– ‘Akoma me këtë’?!- tha ai dhe bëri një shenjë me duar, sikur donte të thoshte: ‘Vriteni’! Pas këtyre fjalëve dhe shenjave, ai hapi derën dhe doli. Një çast zyra e hetuesisë u mbulua nga heshtja. – ‘E dini kush ishte ai’? më pyeti hetuesi. – ‘Jo’, – iu përgjigja. – ‘Ai është Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shetit… Feçor Shehu’…, – theksoi hetuesi. Përsëri u rrëqetha i tëri. Me sa dukej emri im, kishte shkuar deri te instancat më të larta të shtetit. Kuptohej qartë: nuk do ta kisha të lehtë. Ata donin të më vrisnin. Feçor Shehu, kishte ardhur te hetuesi, pikërisht për këtë gjë: për të thënë; ‘vriteni’”!
Hetuesi Ferhat Matohiti
“Hetuesia vazhdonte. Ashtu si Feçor Shehu, që kishte hyrë papritur në zyrën e hetuesit, e njëjta skenë u përsërit sërish: Kësaj radhe, dera e hetuesisë u hap dhe brenda hyri një burrë i gjatë, jo shumë i shëndoshë, kaçurrel me një fytyrë të zezë, si prej zezaku. U ul përballë meje dhe më vështroi një çast. – ‘Si dukesh’? – më pyeti. – ‘Mirë’- iu përgjigja. – ‘Nuk po të pyes për shëndetin, por po të pyes për proceset e hetimit’. – “Nuk di çfarë t’ju them, – iu përgjigja, – po më kërkojnë të them gjëra, që nuk i kam bërë kurrë…’.
– ‘Ne të dinim njeri të zgjuar ty, – ma kthehu ai, – po t’i paske qenë një budalla i tërë. Më dëgjo mirë: para se të të arrestonim, dinim diçka për ty, por tashmë, dimë gjithçka për ty, E dimë shumë mirë, ti nuk ke bërë asgjë, një mut ke bërë. Ne të sollëm këtu, sepse na duhesh neve’. – ‘Atëherë më mësoni çfarë duhet të them, dhe çfarë duhet të mos them, – iu përgjigja, – por ama të firmos edhe një kartë tjetër, ku të thuhet se unë nuk kam bërë asgjë, por këto gjëra, i kam thënë sepse ia ka kërkuar hetuesia’. – ‘Hëm, maskarai!- tha ai, mos ki merak, se me ty do të përfundojmë punë shumë shpejt’,- tha dhe doli, por erdhi sërish pas disa ditësh dhe më lidhi pas karriges. Më vonë do të merrja vesh, se ky njeri ishte Ferhat Matohiti, Drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë, për Republikën”.
“Nofulla e thyer”
“Po, më lidhën pas karriges dhe nisën të më rrahin. Po më rrihte vetë Ferhat Matoiti. Kur po më godiste mbi fytyrë, ndjeva që më ishte thyer një dhëmb në gojë. Gjaku që vërshoi, nuk kishte të pushuar. Dhëmbi ishte thyer, por kishte mbetur një cifël, që më shponte te mishi dhe më lëndonte vazhdimisht. Pas kësaj, më çuan në birucë. Nuk dija çfarë të bëja, gjaku nuk pushonte, dhimbja ishte e papërballueshme. I gjendur në këto kushte, trokita te dera dhe i thashë policit, të më çonte të hetuesi. Më çuan te ai. I thashë që kisha një dhëmb të thyer dhe një cifël që kishte mbetur si brisk, më hynte në mish e nuk e duroja dot.
– ‘Ku e theve dhëmbin’, -më pyeti ai, si i habitur. – ‘Duke ngrënë bukë’, iu përgjigjja. – ‘Mirë, shko në birucë, se do të të dërgojmë një dentist’. Shkova në qeli dhe po qëndroja në pritje të dentistit. Më në fund edhe dentisti erdhi. Ishte një burrë i gjatë, me bark të madh, i kuq dhe i djersitur. Në dorë mbante një çantë të madhe. ‘Ku e ke dhëmbin që të dhemb’? – më pyeti. Hapa gojën dhe i tregova dhëmbin. ‘Mirë, – tha, – do ta nxjerr unë tani’. Hapi çantën dhe nxori që andej një palë dare, nga ato që mbathin kuajt. – ‘Hape gojën’,- më tha. Nuk kisha ç’të bëja, hapa gojën. – ‘Bëhu trim’, – më tha ai dhe nguli darën e kuajve në mish.
Përpiqej ta zinte dhëmbin, sa më thellë të ishte e mundur. Pas kësaj, nisi ta shkulte, por unë e kisha të pamundur të duroja. Ai, pasi i dha darës, herë majtas dhe herë djathtas, së fundi e shkuli dhëmbin, së bashku me një pjesë të nofullës time. Mbaj mend që deri në atë çast, i kisha patur sytë hapur. Pas kësaj, duket që kisha humbur ndjenjat dhe kisha rënë i vdekur mbi dysheme. Kur u ngrita, vura re që isha i tëri i lyer në gjak. Nuk e di sa kohë kishte kaluar dhe gjaku rridhte akoma. I kërkova policit, dy thërrime kripë dhe ai më solli.
Munda të pushoja rrjedhën e gjakut, por dhimbja më vazhdoi për ditë të tëra. Nuk isha më në gjendje, as të haja bukë. Ato ditë, mendova të t’i jepja fund jetës time, por si?! Ishte e pamundur. Desha të hidhesha nga kati i dytë, por shkallët që të çonin te hetuesi, ishin të mbështjella me një rrjetë, që nuk të linte të bijë në katin e parë. Megjithatë, për një kohë të gjatë mendova vetëvrasjen. Për katër muaj me radhë, torturat nuk do të më ndaheshin, qoftë dhe një ditë të vetme”!
“Ditët e fundit të hetuesisë”
“Para se të dilja në gjyq, thirrën për ballafaqim me mua, dajën tim, Tushe Janaqin. Ai ishte dënuar një herë për fshehje të floririt, ndërsa tashmë ishte arrestuar sërish, për të njëjtën gjë. Sa hodhi vështrimin mbi mua, tha: ‘Si të paskan katandisur kështu, o biri im’?! Fliste dhe i dridhej mjekra. Ferhat Matohiti që ndodhej aty, i tha: ‘Tushe, të të pyes për diçka’? ‘Po’, – i tha Tushja. – ‘Dëgjo, t’i ke qenë njeri i pasur dhe i mirë, mund të them se ty të dëgjohej llafi në fshat (Tushja ishte nga Kamenica), a mund të më thush, a na duan neve ata të fshatit’? – ‘Doni të dini të vërtetën’? – tha Tushja. – ‘Sigurisht që duam të dimë të vërtetën’. – ‘Po sikur e vërteta të jetë e hidhur’? – ‘S’ka problem, – tha Matohiti,- thuaje’. –‘E atëherë mund të të them, se një mut u duan njerëzit’. Ky ishte ballafaqimi im me dajën.
Tushe Janaqi ishte gati 90 vjeç dhe nuk e kishte frikë vdekjen. Pas kësaj, pata një ballafaqim me gruan time, Bashën. Atë e kishin çuar në zyrën e hetuesisë dhe pastaj erdhën në birucë e më morën dhe mua. Kur hyra tek hetuesi, vura re 3-4 policë, një gardiane burgu, hetuesin Koço Josifi dhe Ferhat Matoitin. Ime shoqe, qëndronte e ulur në një karrige. U drodha i tëri. Ajo ishte dobësuar krejt. Kishte një vështrim gati të fikur. Diçka kishte ndodhur me të. ‘Mund të takohem me gruan’?- pyeta. ‘Mundesh’,- më thanë.
Shkova dhe i dhashë dorën, por ajo më kapi për beli, më shtrëngoi fort dhe nuk më linte. Qante dhe nuk thoshte dot asgjë. Kaloi një çast, pastaj më tha: ‘E shikon atë njeri atje’, dhe vështroi nga Ferhat Matoiti, – ai e ka shpirtin, më të zi se fytyrën’. Edhe pas kësaj shprehje, ajo vazhdonte të më shtrëngonte për beli, duke qëndruar e ulur në karrige…! ‘Nxirreni jashtë’, – tha Matohiti.
Vura re dy policë, që e kapën për krahu. Ajo qëndronte ulur në karrige, sepse nuk qëndronte dot në këmbë. ‘Bravo, Matohiti, – i thashë, – paske qenë trim, për të sulmuar një grua’. Pas këtyre fjalëve më rrëmbyen edhe mua dhe më plasën në qeli. Tashmë po bindesha krejtësisht, se as unë, dhe as gruaja, nuk do të dilnim gjallë që andej”.
Prokurori Kleanthi Koçi
“Së fundi pas disa muaj hetimesh, na nxorën në gjyq. Prokurori Kleanthi Koçi, që në fillim të pretencës së tij, u bëri të ditur gjyqtarve, se kishin përpara një armik të betuar të partisë dhe të atdheut. ‘Ky njeri nuk ka pranuar asgjë, – tha ai, – nga të gjitha ato që ka bërë, ndaj kërkoj dënimin me vdekje, me pushkatim’. Në atë sallë ishte dhe gruaja ime. Aty do të mësoja edhe diçka tjetër, që nuk do ta harroj dot kurrë…! Gruaja ime ishte çmendur. Sa herë gjyqtarët i drejtonin ndonjë pyetje, ajo përgjigjej vetëm duke përplasur këmbët. Me këtë donte të thoshte: ‘Nuk pranoj të përgjigjem’. E nxorën nga salla e gjyqit dhe e dënuan në mungesë, me 25 vjet burg”.
“Përmbyllja”
“Vazhdoja të qëndroja në qeli, në pritje të vdekjes time. Me këtë ankth, qëndrova 19 ditë rresht. Pas 19 ditëve, më erdhi përgjigjja se; Presidiumi i Kuvendit Popullor, ma kishte falur jetën dhe më kishin lënë dënimin, me 25 vjet burg. Gruaja ime që tashmë ishte çmendur, u lirua pas dy vitesh e gjysëm dhe e nisën drejt Polonisë, ndërsa unë, pas 17 vite burg, u lirova në vitin 1985. Në vitin 1991, së bashku me dy fëmijët e mi, u nisëm drejt Polonisë. Për herë të parë, fëmijët do të takoheshin me nënën e tyre dhe unë me gruan time. U takuam në aeroport. Mbaj mend që ajo nuk çmallej dot me fëmijët.
Shkuam në shtëpi dhe folëm gjatë, por erdhi një moment dhe ajo u ngrit në këmbë. Dukej e dëshpëruar, e shpërfytyruar, e tronditur, e lodhur…! Nuk dinim se çfarë po ndodhte më të. Ajo shkoi drejt telefonit dhe lajmëroi policinë: ‘Tre persona, – tha ajo, ndodhen në shtëpinë time dhe duan të më vrasin’. Kjo skenë përsëritej herë pas herë. Imë shoqe, Basha, sa herë kujtonte vuajtjet e saj në Shqipëri, shkonte drejt telefonit…! Kjo ishte jeta ime, kjo ishte jeta e gruas time”, përfundonte rrëfimin e tij, Vaskë Grabocka, ndërsa te syri, i vezullonte një pikë loti dhe nuk ishte më në gjendje, të thoshte një fjalë tjetër…!