Kastriot Kotoni: Përralla me përkthime
Më thuaj diçka për “Panairin e librit” më pyeti dikush?
I them se si gjithmonë jemi të veçantë kudo, por edhe në fushën e botimeve. Dikur kishim uri për të lexuar Sartrin, Kamyn, Frojdin, Niçen e librat e ndaluar edhe pse vinin nga gjuhë jo origjinale. Më pas u pasuruan shtëpitë botuese nga të shtypurit të metodave dhe fjalorëve të gjuhëve të huaja. Lindi tenderi i librit shkollor dhe u fut politika në aleancat fluide të korrupsionit me librat shkollorë. Ja i sponsorizoi edhe nja 30 përkthyes Fondacioni Soros dhe më tej nga 2005-sa u forcuan ekonomikisht disa “Shtëpi botuese” të cilat më shumë shisnin letër se sa kualitete librash për nga vlerat dhe përkthimet cilësore. Shkurt kush kishte akses në media llomotiste dhe garonte për të shitur librat. I harruat panairet e universiteteve private, po librat e politikanëve. Ajo kohë e degjeneroi konceptin e panairit dhe mos u ktheftë kurrë. Më gjeni një përkthyes të cilin për nja 5 vjet e keni ndjekur dhe të jetë rreth moshës 45-50 vjeç. Humori m’a thotë që ka ca përkthyes që nuk iu del koha për të ngrënë bukë, e jo më për t’u marrë me përkthime. Sekreti google. Del një botues i mirë e serioz e t’i përgjigjet pyetjes sime. A ka rënë leximi i librit? Po kur ka rënë pse vazhdon të nxirren tituj të rinj dhe me tirazhe të ulta? Kësaj ore tungjatjeta i thonë “spekullim”. Tirazhi i ulët të çon në çmim të lartë dhe ky i fundit me se do ta paguash këtë masë përkthyesish? Apo keni gjetur skllevër provincialë që për dy lekë duan të mbijetojnë në Tiranë dhe ulin çmimin e faqes së përkthimit , por edhe të diktojnë shijet estetike, se janë pa identitet krijues dhe nuk i ke parë në asnjë faqe gazete, në asnjë forum sa që e bënë qepaze këtë punën e përkthyesit. I ndjeri Robert Shvarc më pati thënë “Duhet të njohësh mirë gjuhën e vendit tënd e pastaj gjuhën që do të përkthesh”. Robertin e takova njëherë dhe zhytur në botën e tij më thotë: ” kam dy javë e nuk po e gjej një fjalë që të më vijë sipas kuptimit në shqip”. Kurse këtu të del katunari nga fshati “N” e të ngec librin në dorë. Ai që e di edhe pse tallet si botues me përkthyesit, nuk ka përkthyes të mirë pa të paktën 1200 lekë të reja faqja. Po redaktori e korrektori, rradhitja e faqosja këta a nuk paguhen… hë këta janë të dypunësuarit që mendere jush ose tallen në punën e shtetit ose hapin kompjuterin dhe gjejnë ndonjë tetraplegjik që t’i bëjnë nder. Atëherë nga vitet 92-20005 , e filluat me 4 deri në 400 “shtëpi botuese”, sot dhe nesër do të mbesin as 20-të , se ia bëtë vetes dhe nuk ka faj një gazetar dhe shkrimtar i cili shkroi “Shkoni në Panairin e librit blini letër me shumicë”. Kjo ndodh nga politikat shtetërore dhe nga bosët e krimit që i fusin hundët kudo, se të riprodhosh të njëjtët libra për 25 vjet dhe përkthyesit i ke dhënë “Ndoc Rrokun”, ose gjen ca pleq të cilët meqë nuk kanë se me çfarë të shtyjnë kohën e duke gatuar përkthejnë “Daniel Still” e i gënjejnë me një karamele 100 lekë faqja edhe kështu pasurohesh, por katunar ishe dhe katunar mbetesh, se është koha e katunarëve.