Dukagjini prezanton Serinë e Lekturave Shkollore në Panairin e 27 të Librit në Tiranë
Julika Prifti
Në ditën e katërt të Panairit të 27 të Librit (13-18 nëntor) në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, shtëpia botuese Dukagjini promovoi projektin e Lekturave Shkollore për klasat 1-5. Drejtuesja e panelit, Liridona Bytyçi i uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve, pedagogëve, nxënësve, prindërve të shumtë. “Botimet janë realizuar në përputhje me zbulimet shkencore për madhësinë e shkronjave, ngjyrat dhe gjatësinë si edhe vështirësinë e tekstit për t’ju përshtatur moshave përkatëse,” shpjegoi redaktorja e serisë Adelinë Selmani. Psikologja Oriola Hamzallari u tha fëmijëve e prindërve se librat ndihmojnë “të kuptosh emocionet, të zgjidhësh disa nga pikëpyetjet për dukuri ende të panjohura, për zhvillimin e empatisë dhe të vëmendjes ndaj njerëzve që ke rreth vetes. Leximi të bën te komunikosh më mirë e më qartë ndjenjat e tua dhe pasuron fjalorin shprehës,” theksoi psikologja.
Duke shtjelluar përparësitë e leximit në çdo moshë, Profesor Bardhyl Musai theksoi se nëse fëmijët lexojnë 30 minuta para gjumit, ata flenë më mirë e më qetë. “Leximi i ndihmon fëmijët të përmirësojnë kujtesën, të pasurojnë fjalorin, të shprehen bukur e të arrijnë rezultate më të larta se shokët e shoqet e tyre që nuk lexojnë të njëjtën sasi librash.”
Kur erdhi radha te lexuesit e vegjël, ata u prezantuan duke thënë emrin dhe shkollën, dhe u interesuan për ciklin që duhej lexuar, zhanrin që duhet të zgjidhnin. Disa ishin kureshtarë nëse është e lehtë të shkruhej për fëmijë dhe sesi i lind ideja shkrimtarit për të shkruar një libër. Përgjigjet e panelistëve u duk se i kënaqën fëmijët. Nga ana e tyre, nxënësit thanë se kishin lexuar mbi 40 libra, fakt që i gëzoi të pranishmit e rritur në sallë. Në takimin botues-lexues, pjesëmarrësve iu dhurua nga një libër nga Shtëpia Botuese Dukagjini.
Në serinë e Lekturave shkollore për klasën e katërt këtë vit është libri Legjenda e Rrëfime për Skënderbeun nga Naum Prifti, tek cili gjenden nëntëmbëdhjetë tregime. Si botim i serisë së ndërtuar me metodikë pedagogjike, në çdo faqe ka shpjegim të fjalëve, në fund ka edhe një fjalorth si edhe një pjesë të veçantë si aparaturë didaktike.
Zëvendës Drejtoresha e Botimeve Shkollore Dukagjini Erza Mati dhe unë u takuam në Panair. E admirova botimin cilësor tek e mora në duar. Më ktheu në botën e kreshnikëve dhe të heroit të madh Skënderbe, që jo vetëm ishte strateg dhe diplomat por dinte të çmonte edhe zgjuarsinë e njerëzve të thjeshtë.
Në Panairin e 27 të librit marrin pjesë 90 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në ambientet me stendat e shumta gjatë gjithë kohës ka vizitorë e lexues të të gjithë brezave çka më jep optimizëm se leximi i librave nuk ka humbur. Shikoj shumë prej vizitorëvë të dalin nga Pallati i Kongreseve duke mbajtur në duar çanta me libra dhe, ndonëse teknologjia elektronike është një forcë e pandalshme, libri është ende i çmuar për të vegjël e të mëdhenj.