Një kloun i politikës duke defiluar “ndërgjegjes” së Amerikës!
Senad Guraziu – Ars Poetica, N 24
[ Citat ] “s’ka asgjë gabim të Amerikës që s’mund të rregullohet a ‘kurohet’ me ato që janë në rregull të Amerikës” (apo, si alternativë – s’ka asnjë të keqe të Amerikës që s’mund të ndreqet me të mirat e Amerikës) – ish-Presidenti Klinton.
Nuk di si ishte dikur, por tani pikërisht kjo thënie përdoret në hyrje të faqes zyrtare të “Clinton Presidential Library & Museum”. Natyrisht që thënia e të madhit Klinton qëndron, pozitivizmin, “zemrën e madhe” të kombit, konsensusin politik të Amerikës tashmë i bie se e kanë testuar madje dhe shekujt, kjo patjetër.
Por ndoshta thënia e tij kurrë s’është përputhur me aktualitetin amerikan më shumë se me të tashmen e Amerikës – sikur po thosha mëvete. Ndoshta prandaj ata të muzeut pikërisht këtë thënie kanë zgjedhur ta përdorin. Ndoshta si “koinçidencë”, fare rastësisht, por ndoshta dhe jo : )
Mendova ashtu, sepse mendja sakaq hoooop kërceu tek politikat, tek Trumpat, tek zgjedhjet presidenciale, e madje dhe tek Janari 2025 (meqë atëherë ‘instalohet’ Presidenti fitues, dmth. inaugurohet).
Mendja më shkoi padashtas tek politikat, por s’do doja, sepse sipas meje një kloun i politikës është duke defiluar “ndërgjegjes” së Amerikës së Madhe. E mërzitshme dhe vetëm të mendosh, “even just to think about Clowns is so boring”. Për fat të keq nganjëherë më shkon mendja padashtas tek politikat, e pikëllueshme, pothuaj sikur as “padashtas” s’më falet. Përndryshe sa më “pastër” kokën nga trumpizmat sikur ndjehem më ok, më i buzëqeshur etj., ashtu-kështu apolitikët gjithmonë u shmangen politikave, apo jo : )
Atëherë, menjëherë pas atentatit ndaj Trump (për fat të mirë do shpëtonte, do plagosej por jeta e tij s’do ishte në rrezik – dhe nga ana tjetër, siç dihet likvidimet politike janë totalisht diç tjetër, brutaliteti dhe dhuna janë kundër çdo norme demokratike, likvidimet nuk përputhen me asgjë të ndërgjegjes politike të kombit) atëbotë autori i stafit të “The Atlantic”, David Frum, shkruante se vrasjet, linçimet, trazirat dhe masakrat e kanë njollosur çdo faqe të historisë politike amerikane, e vërtetë kjo deri në ditët e sotme…
(Sidoqoftë) për gati një shekull “radikalizmi” në politikën amerikane zakonisht ka nënkuptuar “frikë”: psh. frikë nga komunistët, frikë nga Ku-Kluks-istët, frikë nga Panterat e Zeza, frikë nga Degëzimet e Davidianëve, frikë nga xhihadistët islamikë etj. – qe shprehur autori. Mirëpo radikalët dhe radikalizmi sikur gjithmonë margjinalizohen nga pesha e konsensusit të madh amerikan. Ndonjëherë, ndokush aty-këtu do e cenonte këtë konsensus të fuqishëm, por duke mos fituar kurrë kontroll të qëndrueshëm mbi institucionet e shtetit…
…Ndërsa tani (shkruante autori) Trump është ndryshe. Abuzimet e tij janë ratifikuar nga zona të fuqishme elektorale. Trump e ka pushtuar dhe kolonizuar njërën nga dy partitë kryesore të vendit. Sipas autorit Frum, Amerika duhet t’ia ketë frikën “trumpizmit” më shumë se çdo radikalizmi tjetër gjatë historisë së derisotshme politike…