Albspirit

Media/News/Publishing

Koha për “leksione” Amerikës rreth zgjedhjes së presidentëve!


(senad guraziu – ars poetica, g 24 – humoreskë, pak humor)

( ngjitur: portret i Znj. Klinton, bërë me ndihmën e IA )

Vallë a nuk është e çuditshme që Amerika as 1 Miss-Presidente kurrë, kaluan shekuj dhe afro 50 Presidentë varg e varg! Ndërsa Kosova, shembullorja e urtësive të popullit, gjatë demokracisë “newborn” (pothuaj ende me cucëll, me biberon) i zgjodhi jo 1… por 2 Miss-Presidente (pata shkruar në humoreskën dikur, 2 vite më parë).

Dhe tani, siç e pamë desh e likviduan ish-Presidentin Trump, pothuaj në sy të botës, jo natën as tinëz… por në pikë të ditës. Krijohet përshtypja se në historinë e vet Amerika kurrë s’ka qenë më e “përçarë e më e ndarë”.
Siduket ka ardhur koha që Kosova t’i jep “leksion” Amerikës sa i përket demokracisë dhe avancimeve politike : ) Pse? Epo, sepse… sepse faktet të qarta, faktet shpalosin gjithçka, faktet janë fakte, as vetë shkencat s’ia bëjnë gëk pa fakte, pa le politikat.

Po ashtu, fakt është, bota e tendosur, gjithandej plot trazira, mosmarrëveshje, luftra, plot padrejtësi; Izraeli, Palestina, Rusia, Ukraina… gjithandej luftime, sulme, raketa, bombardime, viktima, lajme të këqija mozomokeq!

Fushë-mejdani politik globlistik di t’jetë i tmerrshëm, mos pyet… tashmë politikat i bëjmë madje dhe me kërcënime bërthamore, tashmë dhe bombat atomike i “hedhim” gjoja në tavolinat e “paqes” dhe i shtjellosim debatet.
Ruana zot, ngjashëm sikur dhe nënave, gjithmonë mendja na shkon tek skenari më i keq, një buton gabim, një buton i kuq, një buton i nxehtë dhe buuuum. Ja pse duhet shumë kujdes kur zgjedhen udhëheqësit.

Ja pse Miss-Presidenteshat do ishin “udhëheqëset ideale” të krizave moderne, sidomos në arenën e politikave globale. Sepse janë më të matura, më gjakftohta, më të arsyeshme, më pro-jetës, më kundër-vdekjes etj etj. Sa për Miss-Presidenteshat shtetet kurrë s’do luftonin mes vete, do pakësoheshin dukshëm me bomba e me raketa, pas ca dekadave ndoshta s’do ekzistonin fare armatimet. Garant, ato bërthamore do zhdukeshin, vetë Elon Musk me raketat e veta do i hidhte diku në humnerën kozmike, do i zhdukte atje diku afër Marsit. Me urdhrin e Presidentes do ta pastronte planetin nga secila bombë a bombulë e marrëzisë. Gjithë satelitët e tij, dhe raketat e SpaceX do ishin në shërbim të paqes, s’do guxonte t’ia kthente fjalën as gruas së vet, pa le Miss-Presidentes.

Miss-Presidenteshat sëshumti s’do i flisnin njëra-tjetrës, do pëshpëritej e do shushuritej, nëpër konferencat e botës do i shmangeshin njëra-tjetrës me çdo kusht, s’do pinin kafe bashkë as në Davos, as në OKB për inat, dhe kaq : )

Zoti Biden e kuptoi dhe vetë “limitin” kohor, përkundër vullnetit të mirë që t’i shërbejë popullit (me legjitimitetin + të një mandati tjetër), ja që zinte n’thua dhe desh u rrëzua 2-3 herë duke i ngjitur shkallët e “Air Force One”.
Ndërsa dihet, “Air Force One” përveç si avion udhëtimesh, përveç si avion vizitash e diplomatikash është dhe krye-shtab, është Gjeneralshtab, është “komandë mobile” e Komandantit të Forcave të Armatosura, jo vetëm atyre ajrore a vetëm tokësore… por madje dhe të “Space Forces”, të gjithçkaje. Me mini-raketë e me pistoletë, me mbidetëse e me nëndetëse, të 5 faqet e Pentagonit, gjithçka pentagonale i përkulet komandave dhe butonave të “Air Force One”.

Dhe tani bota mbarë e sheh, kamera gjithandej, President-Komandanti trulloset, i merret mendja akoma duke i ngjitur shkallët, jo vetëm nuk “përputhet” me parapritjet por dhe e rrezikshme që vetë “Krye-Komandanti” të kalamendet. Aspak shenjë e mirë. Presidenti Biden e di që burrat e kanë me zemër dhe duhet sa më realistik, asgjë s’është “limitless”, gjithçka i ka kufijtë e vet.

Ose bie fjala Presidentin Zelensky e quante “Putin”, i ngatërrohej Zelensky në pikë të ditës në foltoren e mitingut, e qartë, pleqëria i bën të vetat dhe në këtë drejtim nuk mungon as mirëkuptimi. Vetë pleqtë thonë nuk është “mëkat” t’bësh shaka me pleqtë, jo vetëm sepse gjithkush mplaket, gjithkush vjen në t’njëjtin moment, por sepse “kalamendjet” dhe gafat e pleqërisë janë aq simpatike, sikur u ngjajnë atyre kalamallëqeve engjëllore të fëmijërisë.
Mirëpo, dmth. thelbi është: çfarë nëse President-Komandantit i ngatërrohen ata butonat e kuq, i ngjet shkallët pa u kalamendur, i hip avionit mbarë e rehat por çfarë nëse e shtyp gabimthi butonin që s’do duhej dhe… etj. etj.

Duke i njohur sjelljet dhe psikologjisjen e Trump, e gjithë bota mbarë e dinë se atij si kandidat pikërisht kjo e fundit mund t’i ndodhë. Njëherë pati ngelur, s’e gjente si hapej dera e autobusit, s’e gjente dot butonin, dorezën. Nëse t’kishte patur aty 5-6 butona, padyshim do e kishte shtypur pikërisht atë që s’duhet.

S’jam kundër z. Trump (s’jam as amerikan madje, s’më takon as të votoj) mirëpo jam i drejtë, ai veç ishte President 1 herë, ndenji në “Shtëpi…” plot 4 vjet, s’është nevoja të fitojë Trump 2 herë… e ndokush tjetër asnjëherë. Politika nuk është sport, e saktë dhe kjo, por duhet sadopak dhe “fair”, apo jo. Andaj uroj kësaj radhe (pas largimit të Presidentit Biden nga kampanja presidenciale) të fitojë ndonjë “grua demokrate”, ndonjë zonjë e mençur, ndonjë “lady” e politikës largpamëse.

Ndërsa Kosova mrekullia vetë, avancimet me presidencat dhe me zgjedhjet s’kanë si i shmangen botës. Thonë se thëniet e popullit janë fjalë të mençura, nuk thuhet kot “thënie e urtë e popullit”, apo jo. Thuhet ashtu sepse janë thënie ngjeshur me përvojë e me urtësi. Psh. popullit në Kosovë i takon autorësia rreth thënies “femna i ka ment e shkurta”. Dhe shih, thuase populli na qenkësh ngutur me “thënien e urtë”, gjatë demokracisë “newborn” (pothuaj ende me cucëll, me biberon) i zgjodhi jo 1… por 2 Miss-Presidente.

Dhe shih çudinë po ashtu, çudinë e “anës tjetër”, Amerika gjoja zemra e demokracisë moderne, që nga vetë filli i fillimit, që nga Washington-i i Parë, si Presidenti i parë me “1 dhëmb” (njëdhëmbaxhiu), kaluan shekuj dhe afro 50 Presidentë varg e varg… populli amerikan as dhe 1 “mendjeshkurtër” s’e zgjodhi si Miss-Presidente! E qartë, koha për “leksione” Amerikës rreth zgjedhjes së Presidentëve, rreth Miss-Presidenteshave!

Please follow and like us: