Sejmen Gjokoli: Ikja e një bardi popullor humori
DY FJALË PËR NEBI MATON…
I trishtë lajmi që më erdhi nga Fushëbardha se im kushëri Nebi Lazo ka lënë këtë botën tonë e ka shkuar në përjetësi.
Po nuk e di pse ikja pa kthim e këtij burri më duket se shkon përtej një shuarje njeriu në moshë.
Iku Xhaxho Nebiu por bashkë me të na iku edhe një legjendë e mençurisë popullore, e alegorisë e humorit të rrallë që ca burra Labërie e kanë patur dhunti nga koha në kohë.
Nebi Maton, djalin e si hallës tonë Bidesë, kam patur rastin ta njoh që kur isha fëmijë, në rininë time të herëshme sa herë vinte në shtëpinë tonë në Zhulat.
Si vëllezëri e donin e e respektonin shumë babain tonë, dajko i thoshin, ndonjëherë vinin se shoqëronin të jëmën po për sebepe vinin edhe veç e veç.
Nebiu ishtë më hokatari, më muhabeçiu, një tregimtar i rrallë historish e që bënte të mbidheshin të gjithë ç’qenë në odë ku bëheshin sy e veshë për ta dëgjuar.
Ato që tregonte të gjitha si personazh kryesor kishin atë vetë.
Ne që e dëgjonim mbanim brinjët me dorë, atij vetë si qeshte buza kurrë, po kurrë fare.
Dhe hajde të mos besoje se ato që tregonte si kishin ngjarë vërtet.
Dhe i tregonte me një zë që ishte krejt i veçantë nga të tjerët, seç kishte një kumbim honesh a grykash që e dallonte në njëmijë burra.
…Humorin e zërin gjëmim s’ja mori dot as mosha e as ikja nga vendlindja për tu vendosur diku anë udhe në grykën e Bistricës, shumë afër pikës ku vizitorët kthejnë për në Syrin e Kaltër.
Aty e ndërtoi perandorinë e vet me një pjesë të familjes po edhe blegtorisë që si ndau kurrë nga syri.
Pas tyre u shty një jetë, sa pati këmbë ti hedhë.
Sa herë shkoja asaj rruge ndaloja për ta takuar, kur e gjeja të mbledhur pranë shtëpisë më dukej se gjeja një botë të tërë.
Një botë njerëzore që rrallë njerëz e kanë, një kostelacion i tërë me humor brilant, humor bio që të përditshmen, atë ndodhinë në dukje fare të zakonshme, në gojën e tyre shndrohet në alegori të gjallë .
Këta njerëz veç kujtimit të emrit lënë pas pasuri trashëgimore që pse jo edhe mund të mblidhen, të qëmtohen, të sistemohen e të organizohen si botime të posaçme.
Botime që pasurojnë krijimtarinë fshaçe por edhe të krahinës.
Nebi Mato e të tjerë si ai duhen të konsiderohen vlera apo asete shpirtërore popullore për të cilët koha e brezat kanë nevojë për ti njohur të bëmtet e tyre.
Ato janë të bëmte plot mençuri e filozofi popullore që edhe pse jetuan e punuan në kohë me jo pak kufizime shprehjeje ata në jo pak herë e patën lëshuar dorën edhe herë si “kripë” e herë si “piper”.
U prehsh në paqe kushëriri ynë i mirë Nebi Lazo që tërë jetën fjalën e pate mjaltë ndërsa humorin filozofi të mençurisë popullore!