Albspirit

Media/News/Publishing

HAFIZ SHERIF LANGU, KRYETAR I KLUBIT PATRIOTIK “BASHKIMI” DIBËR, 1908-1912

Sakip Cami

DELEGATI I PAVARËSISË, TË CILIT iU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË

KLERIKU  DHE VEPRIMTARI  I SHQUAR  I  ÇËSHTJES  KOMBËTARE https://upload.wikimedia.org/wikipedia/sq/thumb/9/93/Sherif_Langu.jpg/220px-Sherif_Langu.jpg

  • ORGANIZATOR  DHE DELEGAT  I  KONGRESIT  TË  DIBRËS, 1908
  • DELEGAT  I  KUVENDIT TË VLORËS , 30 NËNTOR – 7 DHJETOR 2012Shqiptarizma asht për Fe e Atdhe. Sa ma shumë ta përqafojmë atë aq më pranë Zotit jemi dhe Ai padyshim do t’na ndihmojë në dëshirat e hallet tona”. Hafiz Sherif Langu.

Në vitin 1912 Jusuf Efendi Skikuli dhe babai i Sherifit, Osman Efendi Langu shkuan në luftë kundër serbve në Manastir dhe ranë në fushën e betejës në Fushën e Orizarit. Bashkë me ta në këtë luftë ra edhe komandanti i tyre Kapiten Aqif Rusi. (H. Sharofi “Historia e Dibrës Vëll I” , faqe 81). Sherifi është i biri i Osman Langut dhe i Sabrije Rusit (Langut). Sabrija ishte e bija e Selim Bej Rusit, një familje e pasur bejlerësh, por atdhetarë të shquar.

Babai, Osmani dhe gjyshi Selim Rusi ngulitën tek Sherifi ndjenjat atdhetare. Osmani dhe Sabrija patën 6 djem dhe 2 vajza: Sherifin, Dautin, Nebikën, Mirvetin, Shabanin, Rifatin, Edipin dhe Gafurin. Për shkollimin e Sherifit u kujdes gjyshi i tij Selim Rusi, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare shqiptare. Synimi i Selimit dhe i bijës së tij, nënës së Sherift ishte që ai të mësonte shqip. Shkollën shqipe në Dibër të Madhe e hapi për herë të parë Said Najdeni, (Hoxhë Vokrri) në vitin 1888. Ky  patriot dhe rilindas i madh i solli abetaret shqipe nga Stambolli. Nxënës të tij ishin Sherif Langu, Riza Rusi, Kadri Fishta, Shaban Pepa, Tahir Trena, Dalip Rusi, Ymer Rusi etj. Riza Rusi, i cili kishte kryer studimet në Stamboll, u bë nxënës i Seid Najdenit për të mësuar gjuhën shqipe. Shkolla fillore shtetërore quhej iptidare dhe të tilla në Dibër të madhe ishin njëmbëdhjetë. Pas shkollës fillore kreu edhe Shkollën Rruzhdije, ose 8 vjeçare siç mund të barazvlerësohen sot. Në Dibër Sherifi kryen edhe Medresenë, në njërën nga 10 Medresetë e Dibrës së Madhe. Në vitin 1897 mbaron shkollën e Mesme te Manastirit dhe niset drejt Stambollit. Në Stamboll Sherifi bie në kontakt me pjesën përparimtare shqiptare të kohës. Ai qëndron me Seid Najdenin, Dervish Himën, Kadri Fishtën, Ali Riza Shkupin,  Ibrahim Temon, Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën, Mehmet Pashë Dërrallën. Në një foto të kohës Sherifi është me Ramiz Dacin, Haxhi Zekën, Shahin  Kolonjën,  Sotir Kolean, Dervish Himën dhe Rezhep Matin. Përveç këtyre atdhetarëve Sherifi padyshim ishte edhe nën ndikimin e veprimtarisë dhe shkrimeve të vëllezërve Frashëri. Në Stamboll Sherifi studion për teologji, megjithëse nuk dokumentohet se e mbaroi atë, për shkak të përfshirjes në lëvizjen e shkollave shqipe dhe të kthimit të parakohshëm në atdhe. Ndonëse pat shprehur dëshirën të studionte Teologjinë Islame, në vetvete ishte i prirur që nëpërmjet mundësive që i jepte rroba e një patriarku të ndikonte sa të mundte për t’u orientuar bashkëatdhetarëve të vetë dritën e munguar të Shqiptarizmit.

Më 18 nëndor 1912, në zyrën e telegrafisë së bashkisë së Dibrës, do të mbërrinte telegrami i plakut Ismail Qemali, i cili ftonte dibranët një orë e më parë të zgjidhnin përfaqësuesin e tyre, për të ngritur Flamurin në Vlorë dhe për të shpallur pavarsinë e trojeve shqiptare. Në këto kushte, më 19 nëndor 1912, paria e Dibrës në bashkëpunim me udhëheqësit e shquar të maleve, u mblodhën në një kuvend madhështor, i cili u çel me leximin e telegramit të plakut të Vlorës.

Dy ditë pas këtij kuvendi, mes bisedimesh të shumta, u caktuan edhe dy delegatë që do të përfaqësonin popullin dibran në Vlorë. ”Është interesant fakti që mandati i përfaqësimit të Dibrës në kuvendin e Vlorës iu dha njëzëri dhe pa asnjë hezitim Vehbi Dibrës dhe Hafuz Sherif Langut.  Të dy burra të shquar dhe të nderuar, të njohur si klerikë por edhe si luftëtarë aktivë të çështjes kombëtare”.

(Q. Xhelili ”Vehbi Dibra, personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare” – Tiranë 1998 , faqe 90).

Menjëherë pas marrjes së mandateve, të dy burrat e Dibrës të përcjellë nga dashuria dhe respekti i mijëra dibranëve, nisen për në Vlorë. Atyre do t’u duhej të udhëtonin herë në këmbë e herë në kuaj, ditën e natën, duke iu shmangur sidomos luftimeve me formacionet e ushtrisë serbe. Dhe kurdoherë ata do të gjendeshin të rrethuar prej bujarisë dhe fisnikërisë shqiptare. Udhëtimi i tyre zgjati plot 7 ditë edhe pse në kushtet e vështira të mjeteve të komunikimit me të mbërritur në Elbasan ata muarën vesh për interesimin e vazhdueshëm të Ismail Qemal Vlorës.

Kështu, në një telegram që ky i niste në Elbasan, Aqif pashë Elbasanit, përpos të tjerave pyeste ; A erdhën përfaqsuesit e Dibrës ? Sa më i madh të jetë rreziku aq më rëndësi kanë masat për ta përballuar këtë rrezik…”(A.Q.Sh-Tiranë. Fondi “Kuvendi Kombëtar i Vlorës”Dos.1.fl.23)

Delegati i dytë i Dibrës në Vlorë,  Hafiz Sherif Langu është një nga figurat qëndrore të Dibrës dhe të lëvizjes mbarëkombëtare shqiptare, mik me atdhetarët e njohur si Hamdi Ohri, Zyhdi Bej Ohri, Hajdar Blloshmi, shok me Ibrahim Temon e Dervish Himën në Stamboll, në kontakte dhe me Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën e Mehmet Pashë Dërrallën që lanë gjurmë në jetën e tij. Ai mori pjesë në Kongresin e Dibrës të 1909. Kongresin e Dytë të Manastirit më 1910, në kryengritjen e 1910. Disa kohë me kërkesën e banorëve të Dibrës shërbeu si mësues i gjuhës shqipe. U përfshi dhe në kryengritjen antiosmane të vitit 1912, si luftëtar dhe organizator në rrethinat e kësaj krahine, shkruan Dr. Laurent Bica.

Hafiz Sherif Langu së bashku me Vehbi Efendi Dibrën  i shkruajnë Ismail Strazimirit se po bëjmë përçapje për të marrrë fshehtas  librat që na ka dërgue Josif Bageri i Rjekës prej Sofje por xhonët (xhonturqit L.B.) kanë ushtrue kontrolle të rrepta”. Në kujtimet e tij Ismail Strazimiri jep dhe caktimin e atdhetarit Shefqet Daiu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Dibrës së Madhe. 
Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi i proces-verbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” (numrat 6-11, janar-shkurt 1914) drejtuar nga Dhimitër Berati dhe ribotimin pas tij nga Lef Nosi në fletoret e tij “Dokumenta Historike” nr. 1(1924)-nr. 12(1925

Ishin  78 delegatë  që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë, nga 28 nëntor më 7 dhjetor 1912, ndër to edhe Sherif Langu. Njihen  vetëm  40 firmëtarët dhe janë harruar e anatemuar 38 delegatë të tjerë, ndër to edhe Hafiz Sherif  Langu

https://i.pinimg.com/originals/d9/de/e8/d9dee87288efbed2baef10c1cd8d1729.jpgNë foto nga e djathta në të majtë janë disa nga delegatët e Kuvendit të Vlorës, në mes tyre Hafis Sherif Langu me çallmë në kokë; Eqrem Bej Vlora, Rexhep Mitrovica, Dervish bej Biçaku, Hafiz Sherif Langu, Lef Nosi, Rauf Fico, Ali Asllani, Ferid Vokopola dhe Dhimitër Berati. 

Please follow and like us: