Ilirian Zhupa: Gjuhë shqipe
A-ja këmbëhapur
Me stekën midis,
B-ja dy gjinj
Ku njeri ka risk.
*
C-ja si hëna
E gërryer krejt,
Ç-ja bishtdredhur
Që çirret për qejf.
*
D-ja si bota
Në luftën e ftohtë,
Dh-ja dy dhimbje
Që s’lindin dot.
*
E-ja një krehër
Që vihet mbi flokë,
Ë-ja dy pika
Që bien si lotë.
*
F-ja si flaka
Diç digjet në të,
G-ja si gratë
Kur plaken tashmë.
*
Gj-ja është pema
Që do të hedhë rrënjë,
H-ja është dera
E zënë me llëngë.
*
I-ja shigjetë
Pa tel e pa hark,
J-ja jetimi
Që shtrihet pa darkë.
*
K-ja me krahun
Dhe këmbën në erë,
L-ja në gjunjë
Për seks e karrierë.
*
Ll-ja dy njerëz
Që bëjnë e s’bëjnë një,
M-ja shilarës,
Të tundesh mbi të.
*
N-ja një shkallë
Të ngjitesh më lart,
Nj-ja është maja
Me litarin si lak.
*
O-ja një zero
Plot tingëllimë,
P-ja i gjalli
Me barrën mbi shpinë.
*
Q-ja me bishtin
Pak brenda, pak jashtë,
R-ja si shpresa
Që ka pritur gjatë.
*
Rr-ja rënkimi,
Për ç’lemë nga mbrapa,
S-ja lakimi
Për punët e mbrapshta.
*
Sh-ja si shefi,
Që vdes për karrige,
T-ja Tantali
Me rrasën mbi krye.
*
Th-ja thëllimi
Në zgjim e në gjumë,
U-ja rrënkimi
Që njohëm më shumë.
*
V-ja përpjekja
Për ëndrrën dhe shpresën,
X-ja është kryqi
Që pret sa të vdesim.
*
Xh-ja xhelati
Me hark e shigjetë,
Y-ja ylberi
Që deshëm në jetë.
*
Z-ja përpjekja,
Që vdes kot më kot,
Zh-ja vetë qenia
Me thikën në gjoks.
Gusht, 2014.
Nga libri: “Të gjallë dhe të vdekur”.