Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Një dritare për të parë një realitet tjetër

Bujar Luca vazhdon aventurën e tij pikturale në galeri të ndryshme dhe qendra të kulturës. Në kthim nga Bukureshti, ja tek e gjejmë përsëri në galerinë AUGUSTA në Rue Poussin të Parisit ku mbrëmë ishte hapja e ekspozitës kolektive të katër piktorëve parisianë: Bujar Luca, Hong Wai, Maxence Doré dhe Sylvain Piget.

Këto ekspozita për Lucën duket se janë stacione arti ku ai jo vetëm prezanton veprat e tij të reja, meditimet dhe ngasjet më të fundit artistike por dhe pret dialogun e publikut me veprën e tij. Dhe artisti, kushdoqoftë, e pret këtë : cili do të jetë reagimi i tij. Duke folur për artin e Lucës, galeristi i “Augusta”-s që ka për divizë “ Kur realiteti merr një diemension të ri”, ka shkruar në tekstin shoqërues të ekspozitës se “ Rrethuar nga veprat e Lucës, kemi përshtypjen se gjendemi në atelierët e krijuar gjatë Renesancës italiane, vendi ku inkurajohej tendenca e mediacionit duke mbledhur dhe paraqitur idetë e tij. Të tërhequr nga kjo vepër dhe duke qëndruar disi veçmas, bota e krijuar nga ky artist na ofron në të njëjtën kohë një dritare në botën jashtë”.

Mbrëmë, duke parë këtë ekspozitë dhe duke vështuar tablonë “Muzgu” (“Le Crepucule”) të mikut tim të hershëm, ndjeva një frymë që më vinte nga larg, atë të Paolo Ucello-s, madje në vetvete të shoqëruar me një muzikë baroke, jo thjesht se kur Bujari punon ai ka dëshirë që të ketë një sfond të zgjedhur muzikor, por se nganjëherë, muzika vetvetiu na vjen në atë lëvizje të furçës që lë gjurmë herë të rëndë dhe herë të lehtë, fine dhe të ëmbël mbi telajo. Eshtë gjithnjë gjesti i tij autentik piktural i cili ka vite që lëviz vendosmërisht, ajo lëvizje e dorës që niset për mos tu kthyer mbrapsht, si në një varg poetik që s’mund të shkruhet ndryshe dhe që ngjizet njëherë e mirë në letër, në këtë rast në talajon e tij të bardhë ku përzihet grija, e zeza dhe okra. Janë pesë tablo në formate të ndryshme që bëjnë pjesë në krijimtarinë e viteve të fundit të tij midis dhjetra e dhjetra tablo të tjera, ku piktura ka një referencë filozofike dhe historike, ngasje nga historia e botës dhe e artit, e dhunës dhe e lirisë, e së mires dhe së keqes, siç ishte dhe ajo tablo ndryshe, tepër e veçantë dhe mbresëlënëse në Bienalen e Durrës pak ditë më parë, ku drurët ngrihen në një gri argjendi, ashtu pretendues, në garën e lavdisë që jo pak të ashtuquajtur liderë e kërkojnë me këmbëngulje e që na kujton jo vetëm shumë politikanë shqiptarë por dhe një rradhë politikanësh botërore nëpër kohëra, që nën hapat e Makiavelit, kanë ecur të etur në marshin e “lavdisë” së kërkuar në kah të kundërt me historinë dhe humanizmin.

Please follow and like us: