Senad Guraziu: Merkuri “androgjenik” – joshës si për femrat si për meshkujt!
(senad guraziu – ars poetica, n 23)
[ ngjitur: Plejadat – plejada Steropa – Sky Division, 2023 & Lexica Aperture v2 (AI Engine) ]
(…për nja 14-15 shekuj të gjatë, të gjithë të diturit e botës pandehnin se Ptolemeu e “dinte”. Pastaj doli që as ai nuk e dinte. Pastaj u vërtetua që ai vërtet nuk e dinte : )
***
Në botën reale, në domenin e realitetit jetësor, kategorizimi “mashkullor – femëror” është aq i kudondodhur dhe i pashmangshëm. Dhe po ashtu ka + një “kategori” tjetër, kategori asnjanëse. Përveç mashkullores-femërores është dhe androgjenizmi.
Bukur. Në kuptimin jashtëshkencor (për disa fusha të persiatjes filozofike) dualiteti është parimi kyç i krijimit universal (tekefundit kjo vlen 100% për dualizmin kozmik) i cili dualitet “kushtëzohet” nga forcat e veprimit dhe të tërheqjes. Thuhet se “mashkullorja” është një parim aktiv i universit, ndërsa “femërorja” konsiderohet të jetë parim pasiv.
Mirëpo s’duhet ngatërruar termat, “pasiviteti femëror” nuk është pasivitet por duhet kuptuar si “tërheqje pasive”, ose si “pasivitet aktiv” (dmth. diç si parim aktiv nëpërmjet pasivitetit). Gjoja sikur parimi femëror i përshtat rrethanat universale në mënyrë që gjërat të ndodhin “spontanisht”, vetvetishëm, pothuaj jokushtimisht (anise kjo “pa kushte” do ishte e tepruar). Ndërsa parimi mashkullor përpiqet ta arrijë të njëjtën përmes aktivitetit, përmes ndërmarrjes, përmes aksionit, përmes veprimit.
Me gjuhën e mitologjisë thuhet se Plejadat ishin nimfa, “shtatë motrat” të cilat Zeusi i pati kthyer në yje; Alkiona, Steropa, Meropa, Maia, Teigeta, Kelana, Elektra (pranë tyre shndrisin po ashtu dhe prindërit, babai Atlasi dhe nëna Plejona).
Mitet janë mite, por gjithsesi në hartografinë reale qiellore (në hartat e hemisferave, në hartografinë më të avancuar shkencore) emrat e yjeve ashtu janë, dhe dmth. (meqë emra nimfash) në shqip i bie të jenë “yllka”, jo “yje” : )
Në rregull, figurativisht patjetër, Yjet mund t’jenë Yje dhe Yllkat do jenë Yllka, pse jo! Tekefundit edhe Ptolemeu ashtu mendonte. Por dhe astrologët (filozofët e astrologjisë) thonë se ekzistenca e universit bazohet në ndërveprimin e vazhdueshëm mes parimeve “mashkullore” dhe “femërore”. E lehtë të thuhet, e qartë se ka “tërheqje”, e qartë se ka forca tërheqëse. Madje dhe galaktikat e tërheqin njëra-tjetrën (apo njëri-tjetrin – si ta dimë se cili-a na qenka “cili-a”. I quajmë “galaktika”, aq e lehtë t’i quajmë, por s’e kemi idenë cili është Galaktikusi, e cila Galaktika : )
Kjo që sapo e thamë, tingëllon mjaft e pakuptimtë (pse duhet t’ketë Galaktikusa, do mjaftonin Galaktikat, pse duhet t’ketë Yllka, do mjaftonin Yjet etj. etj.). Por ndoshta s’është dhe aq e “pakuptimtë”. Nëse të vërtiteshim pakëz rreth “faqeve” piramidale të dijeve, i bie se duhet të diskutojmë për gjërat që nuk i dimë. Psh. e lehtë për astrologët të thonë ashtu, se gjërat tërhiqen në bazë të “parimeve të polaritetit”.
Nga ana tjetër as vetë shkenca më e avancuar ende s’e ka të qartë tërheqjen, ende s’dihet ç’është “tërheqja” saktësisht! S’e kemi fjalën për tërheqjen e karrocës, as për tërheqjen kimike, as për atë “estetike”… etj. E kemi fjalën për tërheqjen “fizike”, për atë tërheqjen gravitacionale të Fizikës shkencore. Me gjuhën e thjeshtësuar ia themi se një trup më i madh (me masë më të madhe) i tërheqë gjërat më të vogla. Më thjeshtë se kaq s’ka si, e kemi quajtur “gravitet”.
Dielli është yll mjaft i madh, super-marramendës, jashtëzakonisht “tërheqës”, gjithçka në afërsinë relative duhet të vërtitet rreth tij. Planetet patjetër, por dhe vetë pluhuri “lufton për inercionin” që t’mos bjer në të, që t’mos kullufitet nga ai.
E qartë si tërheqeje “masive”, dhe fort e saktë madje. Duket e thjeshtë kjo njohuri rreth Diellit, duket bazike, por ja që Ptolemeu s’e dinte : )
Nga ana “tjetër” (mund t’jetë faqja e 2-të, apo e 3-të piramidale) thuhet që universi zgjerohet, se zgjerimi është matur (me instrumentet e shkencës moderne). Vërtitemi pakëz më tej, dalim në anën “tjetër” piramidale (mund t’jetë faqja e 3-të, apo e 4-të), vetë “zgjerimi” sikur bie në kundërshti me “tërheqjen”, sikur ndeshemi me kontradiksionin. Nëse ndiqet logjika e Diellit tërheqës, i bie që universi do duhej të “tkurrej”… e jo të “zgjerohej”. I bie se galaktikat do duhej të qafohen, e jo ta shtyjnë njëra-tjetrën, të largohen.
Anyway… sikur t’i dinim gjërat që nuk i dimë, njerëzimi s’do merrej me shkencat. Për gjërat që dihen s’është nevoja t’i lodhim kokat, përkundrazi ikim në Ibiza, sa më larg vramendjes dhe kokëdhimbjeve. Sa herë ia themi “eureka”, saherë i marrrim Nobelat sakaq ikim në plazh, jo vetëm për ta festuar… por ikim të relaksohemi ndokund, apo jo. Sepse dijet janë të lodhshme, tmerrësisht të lodhshme. Sa e sa kokat e kësaj bote qetësinë e tyre e gjejnë pikërishtë në mosdije, në injorancën “statike”. Pak njerëzve u pëlqen “lodhja” e intelektit, pjesa dërrmuese e zgjedhin moslodhjen : )
Për nja 14-15 shekuj të gjatë, të gjithë të diturit e botës pandehnin se Ptolemeu e “dinte”. Gjeocentrizmi i tij për 14-15 shekuj pati qenë pikëpamja e qëndrueshme e botës, nuk dorëzohej, pikëpamje aq stoike. Pastaj doli që as ai nuk e dinte. Pastaj u vërtetua shkencërisht që ai vërtet nuk e dinte : )
Sipas Ptolemeut, Hëna dhe Venera janë “femërore”, ndërsa Dielli, Marsi, Jupiteri, Saturni janë “mashkullor”. Për Merkurin – hm, në shqip na duket “mashkull” por ky… s’është as “ky” as “kjo” në fakt, as-as, as mashkull as femër, dmth. androgjenik.
Ndoshta ndikuar nga Ptolemeu, padyshim ndikuar nga ai, madje dhe në artet pamore Merkuri kryesisht portretizohej si një “persona” i/e bukur, me një delikatësi të paqartësisë gjinore. Me një lloj fytyre pakashumë si të atij aktorit Jared Leto, apo të atij tjetrit Johny Depp (facialitet atraktiv si për femrat po aq dhe për meshkujt), as-as, edhe-edhe, veshur me një lloj ambiguiteti gjinor.
Edhe për yjet Ptolemeu e pati shprehur mendimin e vet, yjet e alternojnë polaritetin e tyre gjinor në varësi të pozicionit në raport me Diellin. Meqë Toka ishte “qendra” e universit, sipas mendimit ptolemaik yjet që i paraprijnë Diellit janë “mashkullorë” (sepse këta yje ndodhen “mbi” Tokën derisa Dielli lind dhe tek “ngjitet” tutje qiellit, ose teksa vërtitet rreth Tokës, rreth qendrës universale). Ata që pasojnë pas perëndimit… janë yje “femëror”.
Personalisht mund dhe t’pajtohem, apo fare e kundërta – t’mos pajtohem me Ptolemeun. Mirëpo aq u bënë astrologëve si menduakam unë. Dhe nëse astrologët kanë të drejtë, meqë dhe Ptolemeu kishte të drejtë, atëherë ja pse dhe Galaktikusi, edhe Yllkat mund t’i kenë të drejtat e veta. Diskriminimi yjor në shek. XXI thjesht s’do duhej toleruar : )
Ose bie fjala për figurat e zodiakut, astrologët thonë Dashi, Binjakët, Luani, Peshorja, Shigjetari, Ujori janë me polaritet “mashkullor”. Ndërsa figurat që konsiderohen “femërore” janë Demi, Gaforrja, Virgjëresha, Akrepi, Bricjapi, Peshqit.
Rishtas, i qartë ndikimi i mendësisë ptolemaike, personalisht mund t’pajtohem, apo t’mos pajtohem.
Por vallë si të “pajtohem” kur sipas tyre Demi na qenka “femër”… duhet tani Demat të shtiren transgjinor, të lëkundshëm si Merkuri, me polaritet as-as, edhe-edhe:).