Historia e panjohur e mirditores së hijshme, Marie Tuci
Maria! Kjo vajzë e re dhe e hijshme trashëgonte gjakun fisnik të popullit tonë, që i qarkullonte nder dej, si gen shqiptar, plot vitalitet race. Pajisë me virtyte, ajo dha shpresa që herët për një jetë plot urtí, dëshira për dije, impulse për veprimtari të dobishme. Kishte një fytyrë të hijshme plot dritë sinqeriteti, dy sy të butë e të urtë, ndriçue nga dashamirësia e zemrës e, nder buzë një qeshje e gjallë e gëzueshme, të bante për vete. Të shikonte me dashunì, të dëgjonte me vëmendje e, dialogonte njerëzishëm.
Në bisedë, mes interesës, arsyes e dashunisë, anonte nga dashunia. Fjala e saj, e bazueme në virtyt; sjellja, në hire; vepra, në fenë e gjallë. Fjala përherë e ambël, sjellja përherë e njerëzishme, vepra përherë e dobishme për të tjerët. Kishte një shpirt transparent, sepse nuk i shërbente gënjeshtrës, së keqes.
Ishte ose virtyt i dhanun nga nalt, ose i trashiguem, ose i fituem në rrjedhje të viteve. Edhe kur komunistët shpërndanë shoqatat e urdhënat religjiozë, mbyllen shkollat klerikale, rrënuen lterët e kishave, ajo u ruajt nga ndryshku i shpirtit, nga kalbëzimi i veseve, nga zvetënimi i mëkatit.
Kjo lule virtyti mbeti ma shumë “motër”, se vajzë, ma shumë shpirt se trup, ma shumë ejell se njeri. Virtytet e shpirtit e lulet e kopshtit kundërmojnë erë të kandshme!
Shoqnia e sotme po sjell sytë ma shumë, jo kah politikanët, as kah të aftit për shpikje, por kah këto krijesa shpirtmira, që vet flijohen në shërbim të të tjerëve, në atë rrugë që ndoqi Nanë Tereza, se: “Pa dashuní dhe flijim, jeta nuk ka kuptim”!
Pak biografi
Vajza e njohun e Nikollë Mark Tucit dhe e Dilës Fusha, lindi më 12 mars 1928 e u pagëzue mandej me emnin e bukur Marie. Familja e saj jetonte në fshatin Ndërfushëz të Mirditës, me rrajë të vjetra fetare e ndjenja të njohuna patriotike. Qe familje fetare e antikomuniste.
Rridhte nga trungu i dëgjuem i Prengë Bibë Dodës, nënkryetar i lidhjes së Prizrenit, shumë vjet i internuem në Anadoll të Turqisë, pjesëmarrës nder veprimtari politike e ndeshtrasha shoqnore, mik i Abatit të Mirditës.
Edhe gjyshi i Mariës, përmendet në Mirditë, si trim e patriot, madje këndohet në kangë popullore, se luftoi kundër turqve e veglave të tyne, në Mirditë. Tue mos durue dhunën turke, ai, së bashku me Ndue Gjonin, vranë Bimbashin turk, që dogji kullat e Oroshit.
Dhe u rrit Maria mes kujdesit, përkëdheljeve e dashunisë prindërore, tue ndigjue lutjet e kangët për fe e, për atdhe. E dëshirueme mbas Kishës e shkollës, mësimet e fillores e të mesmen ,i kreu në shkollën e “Motrave Stigmatine”, ku dijet e morali përvetësoheshin mirë, ku merrej një kulturë perëndimore e, rritej e forcohej karakteri. Për natyrë, e moçme e me vullnet, ajo u dallue në mësime.
Mandej mohoi gëzimet e jetës në lulen e rinisë, hyni në rrugën e vështirë të “Motrave Stigmatine”, e u formue të jetojë për idealet “Fe e Atdhe”, e u aftësue të luftojë për të mbrojt bindjet e veta. Ndonëse erdhën kohë të vështira, ajo u tregue e guximshme, madje luftarake.
Monsinjor Frano Gjini, arriti të ndërhyjë që dy vajzat mirditore: Maria e Davida e Gjonmarkaj, si të afta, të edukueme mirë e të pregadituna, të emnoheshin mësuese në Mirditë. Por shpejt lufta e klasave, e transferoi Marien në një fshat shumë të largët të Mirditës. Dhe atje pati rezultate shumë të mira. Fshatarët filluen ta thërrasin; “vajzë me tipare burrnore”.
Vrasja e Bardhok Bibës, qe një pretekst i shfrytëzuem shpejt për të shtrie terrorin e kuq. Në Mirditën e panënshtrueme lehtë, filluan shpejt burgosjet, mbarë e mbrapshtë, internimet me faj e pafaj, pushkatimet me proces e pa proces. Mirdita provoi çdo me thanë diktaturë e proletariatit komunist e anti-katolik. Siç deklaroi ma vonë një prokuror kriminel: “Lleshërat, Prengërat, Zefërat, i kemi marrë mbarë e mbarë, e i kemi likuiduar si armiqtë e popullit”.
Këtê fat provoi edhe familja e Maries, dhe vetë Maria, e cila u arrestue me 10.08.1949. Po në atë ditë u arrestue edhe i vëllai. Ndërsa e motra, edhe ajo aktivizue me “grupin e studentëve”, me axhën, u internuan në Tepelenë. Ajo që harrohet përsëritet! E futën në një birucë të errët, pa dritë, pa ajër, pa jetë!
E nisën hetuesinë me miklime mashtruese, e vazhduan me provokime e kërcënime, për ta përfundue me tortura deri në vdekje. Hetuesi, njeri tërë ves e krim, ngulmoi ta përdhoste atë krijesë të re, të pafajshme, por vajza, gjak fisi e bijë virtyti, ishte edukue nga stigmatinet, të përballonte tërbimin e furishëm të mëkatit të flligshtisë e, të urrejtjes klasore. Ai donte të përlyente virgjërinë motrore, donte të thyente burrninë e Gjomarkajve.
Një shoqe nga burgu, Olimbi Baruti, ka dëshmue: “Maria ishte e zgjuar, trime, besonte shumë e lutej shumë në burg. Ishte kundërshtare e komunizmit ateist. Një herë në muaj, merrte diçka nga familja, përmes një mike shtëpie, të cilën e shpërndante ndër shoqet”.
Ndërsa e bashkëburgosuna, Vida Matlija (vdekë 1994), ka deklarue si vijon: “Gjatë të ftohtit, rrinim të përqafuara, për t’u ngrohur. Biruca e burgut ishte plot ujë, që pikonte edhe në dyshek. Atë e çuan në spital, në kushte të rënda shëndetësore…”!
Por kjo martire virtyti e demokracie, dëshirën për jetë e shihte në dashurinë për njerëzit, bukurinë e jetës e shihte në shërbimin ndaj tjerëve; qëllimin e jetës e shihte në qëllimin e motrave stigmatine. Dhe të tria këto i zbutnin vuajtjet, i pakësonin dhimbat, i hiqnin frikën në ato orë torturash.
Zef Margjini, i përndjekuni i komunizmit, në veprën; “Ecje e një shqiptari drejt lirisë”, shkruan për Marie Tucin: “Një vajzë rreth 20 vjetëve, kam njohë personalisht atë dhe familjen e saj, u arrestue për motive pikëpamjesh dhe iu nënshtrue torturave të tmerrshme: e zhveshën dhe e futën në një thas të madh dhe me te futën edhe një mace; thesin ia lidhën rreth qafës e pastaj, policët kriminelë, i binin maces me shkopinj, ta egërsonin, ta hakërronin. Kafsha, tue mos pasë kah me dalë, gërdhishte trupin e vajzës…”! (faqe 38).
“Më tingëllojnë ende nder veshë fjalët e saj, – më tregon motër Virgjina. – Shkova në spital dhe duke ecur në korridorin e gjatë të spitalit, dëgjova një zë: ‘Motër Virgjina, a nuk po më njeh, jam Maria’! Gati më shpërthyen lotët. U mbajta’. ‘Më ka thanë kryetari i Degës, – vazhdoi Maria, – do të bëj të mos njohë as familja yte’. Dhe vërtetë, ishte bërë për të mos u njohur”!
Edhe ish të burgosurat; Terezina Zorba, Drita Kosturi e Ana Daja, tregojnë nga sa kanë ndëgjue atëherë: “Torturat për të, kanë qenë nga ma të ndryshmet dhe nga ma të tmerrshmet: uji i hjedhun gjatë ditës e gjatë natës në dyshek, uria, korrenti elektrik, shuen në lulen e rinisë jetën e saj. Atë e kanë zhveshë dhe i kanë futë macen në pjesën e poshtme të trupit. Ishte dobësue aq shumë, sa nuk u njihte. E pra, kishte qenë vajzë mjaft e hijshme!
Një letër e shkrueme prej saj, që nuk mujtëm me e nxjerrë prej burgut, do të ishte një dëshmi bindëse e veprës çnjerëzore, e kriminelëve të Sigurimit të Shtetit. “Ditët e mija po mbarojnë. Dëshira e Kolonelit për të më marrë jetën, u realizue.
Kriminelët e tij, nuk lanë torturë pa provue në trupin tem”! Siç ka deklarue Luçie Kola, ish e burgosun, e cila i ngjante shumë në pamje Maries: “Kur hetuesi më ka pa të varun për krahësh, âsht tmerrue, se ka kujtue se ishe Maria, e cila kishte vdekë para pak kohe”. Memorie.al