Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Camus – Absurdi ekzistencial duhet përballur me guxim!


(senad guraziu – ars poetica, t 2023)

Pas një teorie të shkurtër “konspirative” rreth vdekjes tragjike të Albert Camus, thuase isha duke u marrë me “absurdin” e vdekjes së tij, me tragjiken, me aksidentin tragjik. I shtyrë nga një foto rezolutive e aksidentit të 1960-ës (si një Sherlock Holms i vonuar) në kokën time thuase ia filloi vargëzimi i pikëçuditjeve.
Fotoja mjaft e mprehtë dhe “intriguese”, po e vrisja mendjen vallë si është e mundur të qe shkatërruar vetura ashtu! Sepse dija diç rreth asaj veture (si markë), s’ishte veturë çfarëdo, jo e dobët por e fortë dhe e shtrenjtë.

Atëbotë modeli francez i veturës Facel Vega shtyhej me Mercedesin gjerman, apo dhe me Aston Martin-in britanez! Siç pata mësuar nga New York Times, jo gjithkush por vetëm të pasurit mund të kënaqeshin me veturat e markës Facel Vega. Bie fjala siç ishte nipi i Gallimard, miku i Camus, trashëgimtar i pasur dhe botues. Nëse s’gabohem nuk prodhoheshin më shumë se 200 sosh gjatë vitit, vetëm të pasurit i porositnin.

Shkatërrim aq i madh i veturës (e dokumenton fotoja), hm, kuptohet për fat të mirë askush tjetër s’e pati humbur jeten, as vajza e Gallimard, as gruaja dhe as ai vetë si shofer, dmth. botuesi i Camus, Michel Gallimard! Gruaja e këtij të fundit, Janine dhe vajza e tyre 18-vjeçe, Anne, ishin po ashtu në makinë.
Camus ndodhej në ulësen krahas shoferit dhe qe lënduar rëndë, pati dhënë shpirt ca ditë më pastaj.

Në xhepin e Camus qe gjetur një biletë treni, po ashtu me vete e kishte dhe dorëshkrimin e librit të fundit. Fjala ishte për 144 faqe dorëshkrim, tekst shkruar me dorë, pjesa e parë e një romani epik-autobiografik që bazohej në fëmijërinë e shkrimtarit atje në Algjerinë koloniale. Dorëshkrimi më vonë do redaktohej dhe do botohej si “Njeriu i Parë” në v. 1995 nga vajza e Camus, Katerina.

E cekëm biletën e trenit, Camus pati planifikuar të kthehej me tren në Paris, jo me veturën e mikut (me familjen Gallimard). Ndërsa gruaja e Camus, Francine dhe binjakët e tyre adoleshentë, Catherine dhe Jean, në akord me planin patën udhëtuar me tren.

Nuk i di rrethanat më detajisht, por e qartë se Camus qe bindur nga miku Gallimard që ky t’kthehej me ta, me veturën luksoze e jo me tren (siç patën bërë gruaja dhe vajzat).
Ndoshta për ta patur rehatinë e ndonjë diskutimi rreth çështjeve të botimeve, a të biznesit – si spekulim i imi tani kot. Gjithsesi, s’e kemi idenë për rrethanat më detajisht rreth vendimit të Camus që t’kthehej me veturë.

E lehtë të thuhet “e shkruar”, tragjike dhe e dhimbshme por ashtu pati qenë e shkruar, duhej të kryhej, e pashmangshme t’mos ndodhte, aksidenti do ndodhte dhe Camus do vdiqte. E lehtë të shkruajmë ne tani, ta vrasim mendjen e të hamendësojmë, e lehtë të çuditemi rreth “dobësisë” së veturës, mirëpo sikur na ndjek dhe vetë ai “absurdi” i teorizimeve filozofike të Camus. Shoferi Gallimard e pati humbur kontrollin mbi veturën, e qartë kjo, andaj dhe aksidenti… andaj dhe ndeshja me pemën skaj rrugës. Por dhe vetë humbja e kontrollit ashtu pa ndonjë arsye të jashtëzakonshme sikur ndeshet me “absurdin”.

Dhe ja, rishtas dëshmia e fotos, vallë si është e mundur të shkatërrohej vetura ashtu, sepse ishte diç si “Mercedes” francez, luksozitet i veshur me llamarinë të shtrenjtë! Rruga s’kishte kthesa, ishte e drejtë si vizore, s’kishte lakadredhje si ato rrugët andej lart në Alpet e rrëpirta, s’kishte as lagështi, s’kishte rënë shi, s’kishte akuj as ngricë. Madje s’kishte as shpejtësi tepër të madhe (jo aso shpejtësie pistash, shpejtësi patjetër e rrezikshme, sipas raporteve të policisë, atëbotë)!

Teorinë e shkurtër “konspirative” rreth vdekjes tragjike të Camus (e cila “teori” i takonte vitit 2011) e hasa jo kudo por në burimet e Britannica. Andaj nga aty, që nga Britannica, vendosa ta pyes Internetin e paskajshëm (ashtu-kështu s’ka shans t’i ketë kush në kokë gjithë librat e kësaj bote, materien marramendëse të bibliotekave të botës mund ta kapërthejë vetëm Interneti).

Internetit ia shtrova pyetjen e formuluar shkurt, e cila pyetje nënkuptonte si vijon: “i dashur Internet, a ka info të saktë, të vërtetë, jo spekulim, a ka ndonjë burim shkollarësh që nobelisti i letërsisë Albert Camus të ketë thënë (a shkruar kund) “mënyra më absurde për të vdekur do ishte një aksident automobilistik”?

Madje nuk i pyeta vetëm ata të Google, e pyeta dhe Microsoft-in, sepse për disa pyetje serioze s’duhet “besuar” ç’thotë vetëm një Google. Këta të hutuar pas biznesit reklamatik, kohëve të fundit kanë nisur na e bejnë ngapak me hile, jo vetëm ngapak në mos dhe ngashumë. Psh. gjërat që s’na duhen na i servirin të parat, i rendisin në krye të listës gjoja si reklama të sponzorëve por që u “lidhkan” enkas me pyetjen tonë. Pa pa pa… ca koinçidencash a la guglushçe fare s’na e mbushin mendjen : )

Sidoqoftë, “po” – ma ktheu Interneti, kjo thënie e Camus është e vërtetë sëpaku sipas 2 burimeve, kështu pohon New York Times (diku në faqen e vet) dhe Enc. Britannica.
E qartë dmth., as vetë Interneti s’e dinte. Thuase e zura zgafil dhe vetë Internetin, padyshim do jetë skuqur dhe Google. Sepse të dy burimet veç më ishin të njohura, as New York Times dhe as Britannica nuk thonë “fjalët e Camus mund të gjenden në këtë libër, në këtë faqe, në këtë intervistë a revistë, në këtë gazetë a bibliotekë”. Jo, e gjitha çfarë të dyja thonë është: “supozohet që Camus të ketë thënë ashtu”, asgjë më shumë se kaq.

Sa për “supozime” mund ta merrnim dhe vetë me mend. Nëse s’e ditka as vetë Interneti, as New York Times, as Le Monde, as Spiegel, as Guardian, askush, atëherë s’duhet bërë e madhe kjo. Nëse ende s’e paska regjistruar Interneti, atëherë asgjë, mbyllet me kaq. Paçka se i ka regjistruar me miliona faqe dhe shkrime rreth tij, me miliona foto, me miliona grafika derivative, secilin shkrim nga Camus vetë sa ishte gjallë, secilin libër, secilën faqe nëse ta ketë shkarravitur, secilën germë – atëherë urojmë që herëdokur Interneti ta kap dhe këtë detaj si mangësi.

S’do mend se do ishte e bukur nëse vërtetësia e kësaj thënie të Camus t’na ishte e dokumentuar. Do ishte aq praktike nëse t’figuronte si rresht diku në librat, në letrat e shkëmbyera me miqtë, në shkrimet gazetareske të tij, në esetë a kudo. Apo ta kenë dëgjuar miqtë tek thoshte ashtu, duke bërë shaka në ndonjë gosti. Apo e dashura e tij, teksa ky dërdëlliste gjysmë i dehur nga vera e kuqe diku në Paris, dhe pastaj ta ketë përmendur në memoaret e veta.

Kuptohet se do ishte bukur, sepse ashtu (si thënie e dokumentuar) në njëfarë mënyre sikur do ta “dokumentonim” dhe vetë absurdin si vërtetësi. Absurdi i Camus tutje s’do ishte thjesht vramendje filozofike as teorizim abstrakt, por diç si saktësi e palëkundshme shkencologjike.

Meqë gjithçka e Camus sikur bazohet ose vërtitet rreth idesë së absurdit, andaj kuptimi i jetës nuk ekziston, vetë kuptimi si “kuptim” është joekzistent. Jeta s’ka kuptim, mundohemi ta gjemë kuptimin por e kotë, s’ke si i jep jetës kuptim, përveç se ta mashtrosh, përveç se të aktrosh. As ekzistencialja, as ekzistencializmi filozofik (qoftë ai francez a cilido), asnjë filozof i botës, asnjë filozofi s’ka përgjigje të kënaqshme sa i përket kuptimit të jetës. Universi i ftohtë, rehat në paskajsinë e vet, mrekullohet me supernovat, me fishekzjarret yjore, i zënë me punërat e veta universale, as që e sheh absurdin e pakuptimtë, as që e kupton absurdin e vogëlsisë sonë. Dhe vetë universi me gjithë atë pafundësi s’ka kuptim në fakt. Pafundësi e pakuptimtë : )

Çdo përpjekje e jona për t’ia imponuar ndonjë kuptim universit ashtu-kështu do t’përfundojë në dështim katastrofal. Nuk ndihmojnë as shkenca, as religjioni, as historia, as ardhmëria, asgjë. Çfarëdo kuptimi që provojmë t’ia imponojmë, ose që pretendojmë t’ia “veshim” universit, thjesht s’ia vlen. Sepse herët o më vonë, cilido impenjim yni për një grimë kuptim na kthehet si bumerang besnik i pakuptimësisë. Njeriu si individ jo se jo, por as shkenca, as filozofia, as shoqëria s’mund ta krijojnë kuptimin jetësor, dhe pastaj si ndonjë mrekulli, ky “kuptim” i krijuar t’na jetë imun ndaj absurditetit, ndaj problemit të absurdit.

Zor ta kundërshtojë kush konkluzionin se të gjitha vramendjet filozofike të Camus e bëjnë atë një Hero të Absurdit, 100% ngjashëm si dhe Sizifin e tij. Vallë, i kujt mund t’ketë qenë absurdi më i madh sesa i Sizifit, cila jetë ishte më absurde sesa ajo e tij? E megjithatë Hero i Absurdit, sipas Camus duhet ta imagjinojmë Sizifin “të lumtur”, si një Hero i paarritshëm, Hero me H të madhe, sepse ishte në gjendje ta jetonte një jetë aq të pakuptimtë, aq sa ta rrokulliste përjetësisht një gur poshtë e lart kodrës.

E dimë se ky absurd i Sizifit ishte një dënim, rezistenca e tij ishte diç si strategji sizifeske e mbijetesës. Ishte fajtor për diç, dhe sipas zotave e pati merituar dënimin absurdist. Se mos vetëm ai, s’qe dënuar vetëm ai, edhe Tantali, edhe Iksioni patën qenë të pafat, sikur dhe plot të tjerë. Nisemi se deri atëherë jeta e Sizifit do ketë patur sadopak kuptim, s’do ketë qenë aq e pakuptimtë. Edhe tani njerëzia gabojnë, shpesh merren me krime e me gabime të pafalshme. Dhe kur gabojnë sakaq i dënojnë, i fusin në burg, i ndëshkojnë.

Mirëpo Camus sikur s’i jepte rëndësi “dënimit” si detaj, nuk mërzitej cili na ishte motivi për absurdin e Sizifit, as nëse ishte imponuar nga zotat – sipas tij Sizifi prapë e gjente kënaqësinë e jetës, kënaqej me frymimin e vet qesharak.

Camus s’i jep rëndësi “dënimit” si detaj, por pikërisht këtu sikur e gjejmë lehtësimin. Edhe pse jeta si jetë aq e pakuptimtë (deri në thelbin e thellë të absurdizmit) por ja s’kemi si ia bëjmë përveç se ta jetojmë. Vetë fakti që ia dalim mirë me pakuptimësinë, është diç si ngushëllim dhe si “zgjidhje” njëkohësisht. Tekefundit ashtu pati bërë dhe Sizifi mitologjik.

Na imponohet ta shijojmë kuptimin pjesërisht, aty-këtu ia imponojmë vetës nga ndonjë “kokërr” lumturi, për inat të universit shtiremi stoikë. Psh. i shijojmë rrezet e diellit, puthjet, buzëqeshjet, dashurinë, i shijojmë shëtitjet në plazh, luajmë futboll, shkruajmë libra, romane, fitojmë nobela, ikim në ekskursion, drekojmë diku me të dashurat, japim e marrim me bukuroshet e kësaj bote, ose me miqtë, thjesht s’kemi si i shmangemi absurdit të veprimeve tona.

E vështirë, apo më saktë e pamundur ta gjejmë një kuptim të jetës i cili e plotëson mirëfilli, pa boshllëqe, kuptimësinë. Mirëpo, meqë ende jetojmë këtu dhe tani në këtë moment kohor, meqë ende gjallojmë, ende frymojmë, meqë universi nuk mërzitet as për humanizmin as për absurdizmin, meqë s’e kupton pakuptimin e jetës sonë, dhe meqë ne si krijesa e kemi çdo aftësi për ta shijuar veten, megjithatë ia vlen të jetohet, megjithatë duhet jetuar jeta e pakuptimtë, ashtu siç është. E vështirë të përballemi me pakuptimësinë, e vështirë ta mashtrojmë intelektin duke e “prodhuar” gjoja vetë kuptimin e jetës, duke ia mveshur një kuptim fals, falsitet kontra-absurdist të fabrikuar, por ja që (njësoj si Sizifi) duhet ta përballojmë me guxim absurdin ekzistencial. Për inat të universit absurdist, buzëqeshja jonë s’duhet shuar kurrë : )

***
As teoritë konspirative rreth vdekjes së Camus sikur s’do rrinin “indiferente” përgjithmonë, përafërsisht pas ~50 viteve të aksidentit tragjik, sikur dhe ato do ia fillonin me “hiret” e veta. Sipas Britannica, në v. 2011 një gazetë italiane pretendonte se KGB-ja (dmth. ish-agjencia sovjetike e sigurisë) e kishte shkaktuar aksidentin e Camus. Kjo “teori” bazohej në vërejtjet e Giovanni Catelli, akademik dhe poet italian, i cili paska hetuar diç të çuditshme në ditarin (botuar si libër) të poetit çek Jan Zabrana. Ky paska shkruar: “kam dëgjuar diç shumë të çuditshme nga goja e një njeriu që dinte shumë gjëra dhe kishte burime të informuara mirë. Sipas tij, aksidenti që i kushtoi jetën shkrimtarit Albert Camus në v. 1960 ishte organizuar nga spiunët sovjetikë…”.

Ditari i botuar i Zabrana pretendonte se urdhri ishte “dhënë personalisht” nga ministri i jashtëm sovjetik Dmitri Shepilov. Dhe ishte pjesërisht si përgjigje ndaj “një artikulli të botuar në Mars 1957”, në të cilin Camus i kishte denoncuar të ashtuquajturat Masakra të Shepilovit të vitit 1956 në Hungari. Sipas artikullit të Britannica, studiuesit dhe biografët e Albert Camus i kanë hedhur poshtë të tilla pretendime.

Mirëpo vdekja e tij e parakohshme ishte tmerrësisht ironike. Camus, i cili teorizoi në mënyrë të famshme rreth absurditetit, vdiq ashtu siç shumkush e konsideroi t’ishte “absurd”. Filozofi Jean-Paul Sartre e pati quajtur aksidentin “skandal, sepse papritmas e projektonte në qendër të botës sonë njerëzore absurditetin e nevojave tona më themelore”. Në mendjen e Sartre, se ç’kishte “një absurditet të padurueshëm në atë vdekje”. Është interesante se vetë Camus raportohet të ketë thënë se “mënyra më absurde për të vdekur do ishte në një aksident automobilistik” – thoshte teksti i Britannica.

Please follow and like us: