Albspirit

Media/News/Publishing

Çudirat e historisë – “çlirimtarët” e shqiptarëve dhe pro-fashizmi!


(senad guraziu – ars poetica, n 2024)

Foto mjaft e “çuditshme” sa i përket historisë shqiptare, padyshim subjekti fotografik na i sugjeron pro-fashistët shqiptarë të kohës, e qartë se foto e bërë nga fashistët italianë, meqë poshtë fare në skaj nga ana majtas shihet “Luce”, e që fjala është për Istituto Luce, “Instituti i Dritës” (Luce diç si akronim i L’Unione Cinematografica Educativa – Unioni i Kinematografisë Edukative) qe krijuar në v. 1924 gjatë epokës fashiste, do bëhej institut i famshëm, një mjet i fuqishëm propagandistik i regjimit fashist të Musolinit.

Italianët thonë se fondi fotografik i “LUCE” me 6772 foto të kataloguara, dokumenton gjëra që kanë t’bëjnë me zogistët e monarkistët, me fashistët shqiptarë, me ndërtimin e Tiranës nga italianët, fotot e arkivit kanë t’bëjnë me infrastrukturën e Shqipërisë, me eksploatimin e naftës, me eksploatimin e fuqisë punëtore dhe të pasurive natyrore të Shqipërisë nga industria fashiste, arkivi ka të bëjë me politikat e jashtme të regjimit fashist italian, nga Tetori 1939 deri në Qershor 1943…

Parulla majtas na flet se “shqiptarët Duçen dhe Hitlerin i shihnin si çlirimtarë, se e prisnin çlirimin e vendeve të tyre të robëruara prej Duce-s dhe Hitlerit” – mjaft e çuditshme si “pritje” për çlirim, ndërsa parulla djathtas e konfirmon dëshirën e shqiptarëve që Kosova dhe Çamëria të jenë të tyre. Po bëhet pothuaj 1 shekull dhe thuase historia ka vajtur 1 milion herë akoma më “çuditshëm” se ç’ta kenë marrë me mend shqiptarët e mitingut në foto.

***
Dy vite para pushtimit italian të Shqipërisë, 1939, Galeazzo Ciano (vetë dhëndrri i Musolinit) qe emëruar “Qytetar Nderi” i Tiranës. Si njohës i “politikave të jashtme”, në hap me përspektivën italiane e kohës, duke folur për pretendimet e Shqipërisë ndaj Kosovës, si të vlefshme për objektivat e Italisë, në ditarin e vet Ciano pati shkruar:
“Kosovarët janë 850.000 shqiptarë, të fortë me trup e të fortë në shpirt dhe entuziastë për idenë e një bashkimi me Atdheun. Me sa duket, serbët janë të tmerruar prej tyre. Sot duhet… ‘kloroformuar’ jugosllavët. Por më vonë duhet miratuar një politikë me interes të thellë në Kosovë. Kjo do t’ndihmojë për t’mbajtur gjallë në Ballkan një problem irredentist i cili do ta polarizojë vëmendjen e vetë shqiptarëve dhe do të jetë një ‘thikë në shpinë’ të Jugosllavisë… ” [ D. Zolo – “Invoking humanity: war, law, and global order” – London, NY, 2002 ]

***
Galeazzo Ciano (1903-1944) shërbeu si Ministër i Jashtëm nga v. 1936 deri 1943, gjatë kësaj periudhe shihej si pasardhësi më i mundshëm i Musolinit, paçka se realisht historia tutje do “shpalosej” ndryshe. Në v. 1937 Ciano qe emëruar “Qytetar Nderi” i Tiranës.
Ishte 27 vjeç kur në vitin 1930 u martua me vajzën e Musolinit (Edda Mussolini). Menjëherë pas martesës Ciano do nisej për në Shanghai, në shërbim si Konsull. Pas kthimit në v. 1935, në qeverinë e Musolinit u bë Ministër i Shtypit dhe Propagandës. Ciano do ishte vullnetar (si komandant i skuadriljes bombarduese) gjatë pushtimit të Etiopisë (1935-36). Madje i mori dy medalje trimërie dhe arriti gradën e kapitenit. Pas kthimit nga lufta në v. 1936, i trumpetuar nga propaganda fashiste si “hero”, nga Musolini u emërua ZëvendësMinistër i Jashtëm.

Pak kohë pas emërimit të tij, Ciano filloi të mbante një ditar (është përdorur si burim referencial nga disa historianë), do e mirëmbante deri në v. 1943. Disa pjesë të ditarit qenë botuar në v. 1946 (i plotë qe botuar në v. 2002), dhe në atë kohë, ndër të tjera bie fjala gjatë Tribunalit të Nurembergut, shkrimet e tij nga prokuroria qenë përdorur si dëshmi thelbësore juridike kundër Ministrit të Jashtëm të Hitlerit, von Ribbentrop.

Meqë puna e luftës për aleancën e nazi-fashistëve s’pati vajtur dhe aq mbarë, pas një serie humbjesh ndër frontet, Ciano filloi me presionin për largimin e Italisë nga lufta, si rezultat do shkarkohej nga posti, në turbullirën politike të kohës (ashtu me presionin e anti-luftës kundër Musolinit, natyrisht Ciano s’ishte i “pafajshëm”, kështu që) në v. 1943 me gruan dhe fëmijët do ikte në Gjermani, por as nga Gestapo-ja s’do ishte i mirëpritur, nazistët e arrestuan dhe ia dorëzuan tashmë administratës së re të Musolinit, nën presionin gjerman dhe të fashistëve italianë, Musolini e burgosi nën akuzat për tradhti. Pas gjyqit dhe dënimit (thuase gjykim i inskenuar sa “për sy e faqe” të publikut), përfundimisht Musolini e urdhëroi vdekjen e dhëndrrit të vet “kryeneç”, në Janar 1944 Ciano do ekzekutohej nga skuadra pushkatuese…

Please follow and like us: