Albspirit

Media/News/Publishing

Sejmen Gjokoli: MES STUGANËVE, NJË PROMOVIM PLOT MBRESA…

Sejmen Gjokoli

12 vite më parë, më saktë në ditën e bukur të 27 Nëntorit 2012 Bulevardin “Ismail Qemali”, prej Sheshit të Flamurit e deri në Skelë, në Muzeun Kombëtar Pavarësia, do ta bëja duke patur në krahë struganët e ardhur përmes një organizimi të jashtëzakonshëm e krejt të veçantë, aq sa më vonë u quajt “Procesioni strugan i 100-vjetorit”.

Atë ditë nga Struga erdhën në Vlorë edhe Ismail Qemali, edhe Skënderbeu, edhe Adem Jashari, edhe Shote Galica… të gjithë të improvizuar nga aktorë shqiptarë të asaj treve.

Emocione të mëdha, mbresa të jashtëzakonshme, spektakël i rrallë.

Të gjitha këto që i pashë me sy e i përjetova me zemër asaj dite, natyrshëm zunë vend në botimin “Shekulli i Parë” dhe pikërisht promovimi i tij në Strugë më bëri të jem pas dymbëdhjetë viteve përsëri mes tyre.

Organizatore e aktivitetit Shoqata “Foleja e Shqipes” në bashkëpunim me Komunën e Strugës, e para edhe ideatorja dhe realizuesja e Procesionit të madh.

Aty na priti “Skënderbeu”, aktori i madh shqiptar Xhevat Limani , “Adem Jashari”, aktori tjetër strugan Pajazit Murtishi, babai i dëshmorit, komandant “Strugës”, Mazmi Mazari e shumë të tjerë.

Na pritën gjithashtu dy nga organizatorët e shquar në të dy kohët, Agim Dauti e Ajrush Miftari, aktivistë të mëdhenj e të njohur të çështjes kombëtare në vite.

Ju bashkua promovimit të Strugës edhe Bedri Zyberaj i cili erdhi enkas nga Prishtina së bashku me familjarë e miq të tij.

Bedriu është njeriu që në atë ditë të njëqind vjetorit përmbushi një amanet që shkonte përtej babës e gjysh -stërgjyshit, një amanet për të gjithë ata shqiptarë që Vlora dhe Liria mbetën ëndërr…

Akti i tij i asaj dite është një nga më të veçantat mbresa që libri mbart.

Aktiviteti u moderua nga shqiptari i madh Xhevat Limani, njeriu me ekspresivitet të mahnitshëm, aktori shqiptaro-amerikan që në karrierën e tij artistike ka përsosur figurën e Skënderbeut por edhe të shumë e shumë mbretërve të përbotshëm.

Në aktivitet mori pjesë e përshëndeti edhe konsulli shqiptar në Strugë, Petrit Musaj.

I ftuar i posaçëm nga organizatorët edhe Arben Beqiraj i cili në detyrën e zëvëndës kryetarit të kohës në Bashkinë e Vlorës në atë ditë nëntori 2012 ishte ngarkuar për ti pritur e shoqëruar në përmbushje të misionit të tyre historik.

Aktivitetin e mrekulloi edhe një performancë fantastike nga grupi i valleve të Ansamblit “Valët e Liqenit” të Ladorishtit.

Nga zemra i falenderoj të gjithë: organizatorët, pjesëmarrësit, folësit si dhe Komunën e Strugës për komoditetin e krijuar për zhvillimin e aktivitetit në Hotel “Drim”.

Please follow and like us: