Vatra bashkoi shqiptarët e Tampa Bay, Florida, në festën e Flamurit Kombëtar
Vatra Tampa Bay organizoi mbrëmë, më 23 Nëntor, një mbrëmje festive me rastin e festave të Nëntorit. Qindra shqiptarë e shqiptare u bashkuan mbrëmë për të festuar këto festa të shënuara për kombin shqiptar.
Në fjalën e tij në emër të Vatra Tampa Bay, Prof. Dr. Bledar Prifti shprehu urimin e tij dhe falenderoi të pranishmit për pjesmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e identitetit kombëtar shqiptar si një element i rëndësishëm i cili përfshin historinë, gjuhën, besimin, kulturën, sakrificat, dhe aspiratat e të parëve tanë, aspiratat për një Shqipëri të fortë dhe të begatë me një të ardhme sa më të mirë për pasardhësit tanë kudo që janë. Në vijim, ai foli për Shkollën Shqipe Vatra e cila e ka bërë mision të saj mësimin e gjuhës shqipe tek të rinjtë, përcimin e vlerave dhe kulturës sonë, dhe promovimin e kauzës shqiptare në rajon dhe më tej.
Në fjalën e saj, drejtoresha e Shkollës Shqipe Vatra, Znj. Meri Andrea Kodra, ndau me të pranishmit një informacion më të detajuar në lidhje me aktivitetin e shkollës shqipe duke nënvizuar punën madhështore të bërë nga mësuesit Lida Zaimi, Aurora Deda, Ana Kullaj, Shega Hyka Mucaj, Arjana Poloska, dhe Haki Veliu. Ajo gjithashtu falenderoi prindërit dhe mbarë komunitetin për bështetjen e dhënë për të mirën e shkollës. Mbrëmja festive u bë e mundur fal punës së palodhshme të organizatorëve si znj. Eva Keta, z. Tasim Ruko, z. Mario Mihaj, dhe znj. Meri Andrea Kodra. Meriton të përmëndet gjithashtu edhe kontributi i jashtzakonshëm i znj. Lida Zaimi dhe i profesorit të muzikës, z. Armand Zacelici, të cilët përgatitën grupin e këngëve e valleve në një kohë shumë të shkurtër.
Vatra Tampa Bay bashkëpunoi me T&E Entertainment LLC për të bërë të mundur këtë mbrëmje festive, e cila u sponsorizua gjithashtu nga znj. Fotini Allteni, një mbështetëse e flaktë e komunitetit shqiptar në Tampa Bay dhe më gjërë. Në mbrëmje ishte e pranishme edhe përfaqësuesja ushtarake e Shqipërisë në US Central Command (USCENTCOM), znj. Albana Strori. Të pranishmit dëfryen nën tingujt e muzikës shqiptare të këngëtarëve të mirënjohur Eneda Tarifa, Aurora Baku, Sali Malaj, dhe Evelina Shabani. Vatra Tampa Bay i uron gjithë shqiptarëve anembanë botës Gëzuar Festat e Nëntorit, dhe Zoti e Bekoftë Kombin Shqiptar.