Dr. Bexhet Asani: 52 vjet Gjuhë Letrare (1972 – 2024)
Shqiptarët para Kongresit të Manastirit në shkrimet e tyre përdornin disa alfabete. Pas Kongresit të Manastirit përdornin disa gjuhë letrare për gati gjashtëdhjetë e katër vjet. Intelektualët shqiptarë vazhdimisht bënin përpjekje që populli shqiptar të kishte një gjuhë të njësuar për përparimin e kombit. Nuk mund të shkonte më kush si të mund të shkruante?!
Preokupim i gjuhës letrare shqipe nuk ishte vetëm e intelektualëve shqiptarë por ishte edhe preokupim i Serbisë dhe i Federatës së Jugosllavisë. Të preokupuar ishin Komiteti Qendror i Federatës të Jugosllavisë, Komiteti Qendror i Republikës Popullore të Maqedonisë etj. Kohët e fundit u zbulua analiza e prof. dr. Petro Janurës nga historian Qerim Lita. Nënshkruesit e raportit janë edhe Myrteza Peza atëherë Kryeredaktor i gazetës “Flaka e vëllazërimit” dhe Krume Jakovski nga Dibra njohës i cili e fliste gjuhën shqipe që të dy të besuarit e Komitetit Qendror të Republikës Popullore të Maqedonisë. Për këtë elaborat para shumë vitesh kisha dëgjuar nga profesor Zeqirja Neziri dhe ja tani analiza është botuar komplet dhe mund ta lexojë kushdo me qëllim të dijë më tepër për peripecitë e Gjuhës së Sotme Letrare Shqipe. Analiza e profesor Petro Janurës mban këtë titull: “ÇËSHTJA E GJUHËS SË VETME LETRARE TË PAKICËS SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI”. Kjo analizë e thukët i ka 50 faqe.
Argumentet e profesorëve të nderuar të cilët kanë qenë në një presion të paparë, kanë një vështrim shkencor në diakroni dhe në sinkroni. Kështu argumentet e tyre gjuhësore i nisin që nga “Meshari” i Gjon Buzukut e shkrimtarët e tjerë të letërsisë së vjetër, shkrimtarët e Rilindjes, Shkrimtarët e Realizmit e gjer te shkrimtarët e viteve pesëdhjetë të shekullit të njëzetë. Ata kanë marrë në shqyertim edhe veprat e albanologëve të huaj.
Për përpjekjet e intelektualëve kosovarë të kohës për unifikimin e drejtshkrimit të gjuhës sonë shkruajnë:
“Këtu në Jugosllavi janë bërë dhe bëhen përpjekje për unifikimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe që përdoret në shkolla dhe në shkrime të ndryshme. Për atë duhet të lavdërohet dhe t’i jepet mirënjohje Komisionit për Arsim dhe Kulturë të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, që në mënyrë reale ka kuptuar këtë problem shumë të rëndësishëm, duke mos kursyer asgjë që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Në këtë drejtim, janë mbajtur dy konferenca të gjera gjuhësore në Prishtinë dhe rezultatet e tyre premtojnë, por diversiteti nuk është mënjanuar tërësisht. Ende kemi mozaik në drejtshkrim dhe në gjuhë dhe, kjo gjendje nuk do të zhduket derisa të zgjidhet edhe këtu çështja e gjuhës së përbashkët letrare për të gjithë shqiptarët”.
Për gjuhën shqipe në Maqedoni midis tjerash vënë në dukje: “Gjuha shqipe, të cilën e përdorin shqiptarët e RP Maqedonisë, nuk është studiuar në mënyre thelbësore që të dihen mirë të gjitha karakteristikat e saj, por dihet se shqiptarët e kësaj republike flasin një nëndialekt gegë periferik, në pjesë më të madhe, ndërsa një pjesë e vogël flet dialektin toskë.
Dialektin gegë e flasin shqiptarët e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës dhe Kumanovës me fshatrat përreth ku ka shqiptarë dhe disa fshatra të Strugës. Në qytetin e Strugës vërehet ndikimi i dialektit toskë, ndërsa në Manastir dhe Prespë, me fshatrat e tyre ku ka shqiptarë, flasin vetëm dialektin toskë, me përjashtim të dy fshatrave në Manastir. Dialekti gegë flitet edhe në disa fshatra të Prilepit, Velesit dhe Rekës së Epërme”.
Kur bëjnë fjalë për leksikun e pasur të të dy dialekteve të shqipes ata shkruajnë: “Kjo pasuri e fjalorit tregon fuqinë e gjuhës shqipe për të kundërshtuar rrezikun nga asimilimi prej gjuhëve të tjera. Ky fjalor i përbashkët, që është pronë e gjuhës shqipe “është pronë e gjallë që tregon se dialektet tona nuk kanë ndonjë dallim të madh mes vete, që dallimet e tanishme dialektore lejojnë që njëri dialekt, i pasuruar me veprimtarinë e përbashkët të dialektit tjetër, mund të shërbejë si bazë e gjuhës letrare “të përbashkët” .
Duke i ilustruar edhe me shembuj si: “Te ne në Jugosllavi, dialekti toskë nuk është i përdorur aq shumë, edhe pse në Prishtinë janë ribotuar disa vepra origjinale, si dhe disa vepra të përkthyera në dialektin toskë. Kjo është shenjë se nuk ka pengesë nga përdorimi i këtij dialekti edhe te lexuesit shqiptarë në vendin tonë. Veprat origjinale të shkrimtarëve tanë, gjuha e të cilëve është mjaft letrare, çdo ditë e më shumë e humbë koloritin lokal”.
Në përfundim të analizës ata janë tepër të matur:
“Pra, numri më i madh i veprave të shkrimtarëve, të cilat vepra mësohen në shkollat tona, janë të shkruar në dialektin toskë, përkatësisht në atë gjuhë letrare. Nisur nga kjo intelektualët e rinj shqiptarë në Jugosllavi, jo vetëm se e njohin gjuhën toskërishte letrare, por ata janë të formuar si të tillë. Intelektualët me të mund shumë lehtë t’i shkruajnë veprat e tyre si shkrimtarët, punëtorët e arsimit nëpër shkolla, gazetarët nëpër gazeta, radio, zyra dhe atje ku është e domosdoshme.
Duke propozuar që gjuha letrare shqipe të futet edhe për shqiptarët në Jugosllavi, e kemi parasysh faktin se drejtshkrimi i cili sot përdoret në librat dhe shkollat shqiptare, si dhe në radio-emisionet, bazohet në atë laramani që ekzistonte më herët. Nëse do të futej gjuha e përbashkët letrare, do të ishte e një dobie shumë të madhe në radhë të parë për zhvillimin e vetë gjuhës, e pastaj për nxënësit, sepse ajo që sot përdoret në shkollë nga ana e nxënësve dhe nga një pjesë e madhe e punëtorëve të arsimit e intelektualëve, nuk është as letrare e as nëndialekti kosovar, por nëndialekt me partikularizma lokale. Gjuha letrare nuk lejon të ketë lokalizma kur për to nuk ka nevojë.
Është koha që të gjithë shqiptarët në Jugosllavi të shfrytëzohen me gjuhën letrare – pa laramani. Në këtë kuptim përbëhet edhe ky propozim.”
Profesor Zeqirja Neziri sqaron se kur duhet të jetë shkruar përafërsisht ky raport:
“Analiza është nxjerrë nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë, Fondi Lidhja Socialiste e Popullit Punues të Maqedonië (465), Ai është përgatitur nga grupi i ekspertëve gjuhësorë të Komisionit për pakica nacionale të LSPPM-së: dr. Petro Janura, Murteza Peza dhe Krume Jakovski. Për fat të keq, në të nuk ka ndonjë datë të saktë se kur është hartuar, mirëpo, terminologjia e përdorur nga grupi në fjalë, veçmas në Rezymenë, si për shembull, RP e Maqedonisë, RFP e Jugosllavisë etj., arrijmë deri te konstatimi se ajo është hartuar midis periudhës 1959-1962. Ky konstatim mbështetet edhe në procesverbalin e mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv të KQ LKM-së, të mbajtur më 19 nëntor 1959, në të cilin, veç tjerash, është shqyrtuar edhe problemi i gjuhës letrare shqipe. Lidhur me këtë në procesverbal, shprehimisht thuhet: “U konkludua se çështja e gjuhës shqipe duhet të zgjidhet në mënyrë parimore. Këtu ka luhatje midis gjuhës letrare shqiptare dhe gjuhës së Kosmetit. Kjo çështje duhet të shtrohet edhe para KQ të LKJ-së dhe së bashku me shokët nga Kosmeti të zgjidhet. U shprehën mendime se nuk mund të shkohet në një gjuhë tjetër, përveçse gjuhës së shtetit amë“.
Është për t’ u habitur fakti se anëtarët e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë, janë pajtuar se nuk mund të shkohet në një gjuhë tjetër, përveçse gjuhës së shtetit amë.
Përpiluesit e përfundojnë rapotin pothuaj me hare:
“Sot është arritur një pozitë relativisht e mirë në punën e drejtshkrimit, sepse ai po unifikohet edhe te ne, dhe prandaj jemi në pozitë të themi “A Habemus ortographiam” (Kemi ortografi), pse mos të merremi vesh edhe për çështjen e përbashkët letrare, kur afrohen të dyja dialektet, jo vetëm në fushën e morfologjisë, por edhe në pikëpamjen e fonetikës, sepse ato i kanë lënë anash dallimet që kanë ekzistuar mes dy dialekteve që i kanë sot vetëm në gjuhën popullore. Gjatë asaj kohe dhe pasi që mes vete, drejtshkrimi dhe gjuha letrare janë të ndërvarura, ato janë të lidhura edhe me gjuhën e përbashkët letrare, dhe, kështu atë që e themi për drejtshkrimin, themi edhe “Habemus communem linguam literarem” (Kemi gjuhë të unifikuar letrare)”.
Në rezymenë e raportit dalin me propozim konkret:
“Ne propozojmë që edhe shqiptarët në Jugosllavi ta përdorin një gjuhë letrare të përbashkët – atë e cila përdoret në Shqipëri. Për një propozim të tillë kemi sqarime të shumta në analizë, si dhe nga kjo shkëputje e asaj analize. Kryesisht për shkak të asaj se në Shqipëri disa shkrimtarë gegë, edhe pse shkruajnë në atë dialekt, sërish 90% kanë premisa toskërishte ose thënë më saktësisht, është gjuhë e përbashkët letrare, e cila sot përdoret në Shqipëri.
Propozojmë që gjuha letrare në Shqipëri të vendoset edhe në territorin tonë (në Jugosllavi-n[ Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Lugina e Preshevës- shënimi im B.A.), për arsye se thuajse të gjithë intelektualët tanë ose thënë më drejtë do të duhej ta njohin, për arsye se janë shfrytëzuar me atë gjuhë”.
Akademik Rexhep Qosja ka plotësisht të drejtë kur thotë se:
“Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë letrare të njësuar, varroset përgjithmonë përpjekja e Serbisë për t’i ndarë shqiptarët në dy kombe: në kombin e, si e thotë ajo, albancave që përbëjnë Shqipërinë dhe në kombin e shqiptarëve, në të vërtetë shiftarëve, si na quante përbuzshëm, që përbëjnë kombin kosovar, Kosovën!”
Profesor Idriz Ajeti si njeri që mbante mbi supe peshën e rëndë të robërisë, ai e dinte sesa vlerë ka për një komb gjuha letrare, përveç rrojtjes së tij mbi një shekull e që gjithë jetën ia kushtoi gjuhës shqipe, veç asaj që ishte pjesëmarrës në Kongrsin e Drejtshkrimit dhe nënshkrues i rezolutës, ai do të mbahet mend edhe për thënien e tij, e me peshë kombëtare:
“Gjuha letrase s’ është vetëm thesari i kulturës sonë, por mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare!”
Profesor Rexhep Qosja me rastin e 50 vjetorit të themelimit të Gjuhës Letrare Shqipe deklaron;
“Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe, i mbajtur në vitin 1972, është ngjarja më e madhe në historinë e kulturës shqiptare.”
Në shekullin e njëzetë që lam pas, mund të shënohen vetëm dy ngjarje të mëdha historike: Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i drejtshkrimit. Intelektualët e mëdhenj të Kongresit të Manastirit përveç halleve të mëdha që kishin me unifikimin e alfabetit ata ishin tepër largpamës që atëherë hodhën idenë për unifikimin e gjuhës shqipe. Për unifikimin e Gjuhës letrare shqipe kanë merita edhe shqiptarët e Maqedonisë. Ishte gazeta “ Flaka e vëllazërimit” e para që vuri në praktikë Gjuhën letrare shqipe, shumë vite më parë, në vitin 1960 pastaj vazhdoi në Kosovë me Konsultën e Prishtinës në vitin 1968 dhe përfundoi, pra, u kurorëzua me Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë në vitin 1972.
Prof. dr. Rami Memushaj ka të drejtë kur pohon se: “Edhe pas viteve ’90, kur ndër gjuhëtarët shqiptarë zunë të shfaqen mendësi të kohës së pashallëqeve – pashallëku i Veriut dhe pashallëku i Jugut, Republika e Dardanisë dhe Republika e Shqipërisë, që duan gjuhë të veçanta – faktori shqiptar i Maqedonisë ka luajtur një rol përbashkues. Këtë rol do të luajnë edhe në të ardhmen intelektualët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët janë të vetëdijshëm se vetëm nën ombrellën e gjuhës standarde është i sigurt jo vetëm zhvillimi i shqipes së kësaj dege të trungut kombëtar, po edhe ruajtja e identitetit të shqiptarëve të kësaj Republike”.
Për nder të gjashtëdhjetë vjetorit të Kongresit të Manastirit më 1968 u ngrit pllaka përkujtimore te restoranti i Themistokli Gërmenjit, aty ku u mbajtën mbledhjet plenare të Kongresit me këtë rast shkrimtari i njohur maqedonas Vlado Maleski, njëherit dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare tha:
“….Jetojmë afër njëri tjetrit. Jetojmë rrëzë malit e buzë detit. Jetojmë me vizionin për një të ardhme më të bukur, me kujtime të bukura për të kaluarën. Një kujtim i tillë është edhe kjo pllakë e mermerit, të cilën po e inaugurojmë në emër të Këshillit republikan për kremtimin e këtij jubileu. E mermeri nuk thyhet lehtë “.
E ka thënë bukur. Ky mendim i artë i Vlado Maleskit vlen edhe për Kongresin e Drejtshkrimit të cilit i është vënë pllaka e granitit, e pllaka e granitit nuk thyhet lehtë!
Katër vjet pas Konsultës së Prishtinës (1968), pikërisht më 20-25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë u mbajt Kongresi i drejtshkrimit, i cili nuk ishte asgjë tjetër përveçse vazhdimësi e Kongresit të Manastirit. Kongresi i Manastirit si dhe Kongresi i Tiranës janë Kongrese gjithëkombëtare. Që të dy Kongreset janë mbajtur në muajin nëntor, në muajin e festave, kështu që të dy Kongreset e kanë kryer me sukses misionin e madh historik e kombëtar.
Themelet e Gjuhës së sotme letrare u vunë në zemër të gegërishtes në Shkup e në Prishtinë nga studiues e gjuhëtarë të mirëfilltë të gjuhës shqipe. Në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi morën pjesë këta delegatë: Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Remzi Nesimi, Ajet Bytyçi, Besim Bokshi, Isa Bajçinca, Ismail Bajra, Ismail Doda, Petro Janura, dhe Sefedin Sulejmani.
Muaji nëntor është muaji i dy Kongreseve, që të dy Kongreset kanë hyrë në historinë e gjuhës shqipe si ngjarjet më të mëdha të shekullit të njëzetë, të cilët janë mbështetur thellë në tabanin kombëtar.
SHQIPJA GJUHË ZONJË
Më 25 nëntor të vitit 1972, në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë, gjuha shqipe u kodifikua, u ngrit në një gjuhë standarde kombëtare shqiptare.
Gjuha letrare shqipe me përgjegjësinë më të madhe filloi të përdoret në institucionet e shtetit shqiptar, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo në botë ku kishte shqiptarë.
Gjuha letrare shqipe u bë gjuhë e administratës shtetërore, e univerisiteteve, e shkollave fillore dhe të mesme. Gjuhë e ushtrisë, policisë dhe e gjithë popullit punonjës. Gjuhës letrare shqipe i kushtonin rëndësi tepër të madhe gazetat, radiot e televizionet.
Ka 50 vjet që botohen librat letrare, shkencore dhe fetare. Janë botuar gjer më sot me milionë ekzemplarë. Gjuha shqipe më 1972, tanimë si gjuhë e qytetëruar, u radhit me motrat e saja në të gjithë botën. Në gjuhën letrare shqipe u përkthyen dhe u botuan kryeveprat e letërsisë dhe shkencës botërore.
Letërsia artistike shqiptare me në krye veprat e të madhit dhe të papërsëritshmit Ismail Kadare u përkthyen në shumë gjuhë të botës si dhe veprat e autorëve të tjerë shqiptarë.
Gjuha letrare shqipe tani është një gjuhë zonjë në mesin e gjuhëve më të zhvilluara të botës.
Duhet ta kemi të qartë edhe pse e flasim gjuhën e nënës, Gjuha letrare duhet të mësohet!
Gjuha letrare jo, vetëm që shkruhet, por, edhe flitet nga njerëz intelektualë.