Ilir Ikonomi: Noli, Konica dhe pavarësia
Në nëntor të vitit 1912, ngjarjet në Ballkan po lëviznin me shpejtësi. Shtetet ballkanike i kishin shpallur luftë Perandorisë Osmane dhe ajo po mundej në shumë fronte. Territoret shqiptare ishin në prag të një pushtimi të ri. Më 2 nëntor, Ismail Qemali me një grup atdhetarësh ishte nisur nga Stambolli drejt Shqipërisë për t’i dalë përpara rrezikut. Nuk ishte e qartë nëse ai synonte të shpallte autonominë apo pavarësinë. Pas një ndalese në Bukuresht, ai kishte shkuar në Vjenë për të marrë mbështetjen e Austro-Hungarisë për aktin që përgatitej të ndërmerrte. Plani ishte që të shkonte edhe në Romë, por hoqi dorë. Gazetat austriake bënin thirrje që Shqipëria të ishte e pavarur e jo autonome. Gjatë një takimi të fshehtë që pati në Budapest me ministrin e Jashtëm austriak Leopold von Berthold, ky e inkurajoi të shkonte sa më shpejt në Shqipëri për të shpallur pavarësinë. Kështu Ismail Qemali u nis nga Triestja me anije për në Durrës, ku arriti më 21 nëntor 1912.
Meqenëse lajmet për udhëtimin e Ismail Qemalit ishin konfuze dhe përhapeshin ngadalë, nuk duket që shqiptarët e Bostonit të kishin një ide të qartë për atë që po ndodhte.
Më 23 nëntor 1912, Fan Noli kërkoi në një mbledhje të Vatrës autorizimin për të shkuar në Evropë dhe në Shqipëri si përfaqësues i kolonisë shqiptare të Amerikës. Vatra nuk pranoi dhe ai iku nga mbledhja i zemëruar. Nuk është e qartë se kush e kishte ftuar dhe çfarë do të bënte Noli në Shqipëri, por ishte Konica, Sekretari i Përgjithshëm i Vatrës, ai që ndikoi për të mos ia dhënë lejen. Faik beu donte të shkonte vetë në Evropë. Në rekordet e Vatrës shënimet për këtë mbledhje mungojnë.
Po atë ditë, Noli i shkroi një letër Këshillit të Kishës Ruse në Nju Jork, ku i tregonte se disa shoqëri kombëtare shqiptare në Evropë dhe në Shqipëri, si dhe kolonitë shqiptare të Amerikës kishin vendosur ta dërgonin për të marrë pjesë në një Komitet Kombëtar Shqiptar, që do të përpiqej të siguronte pavarësinë e Shqipërisë, ose të paktën të mos lejonte copëtimin e saj. Noli i kërkonte Kishës Ruse dy muaj leje për udhëtimin e tij. Nuk është e qartë se çfarë ishte ky Komitet Kombëtar Shqiptar. Ka mundësi që fjala të ishte për grupin e shqiptarëve të Rumanisë që ishin takuar me Ismail Qemalin në fillim të nëntorit në Bukuresht dhe po e shoqëronin drejt Shqipërisë me një ndalesë në Vjenë. Në një letër lamtumire, botuar në gazetën Zër’ i Popullit që nxirrte Kristo Floqi në Nju Jork, Noli shkruante se kishte blerë një biletë deri në Vjenë për 100 dollarë (3,150 dollarë sot). Plani i tij ishte të udhëtonte në fillim për në Liverpul të Anglisë dhe, prej andej, në Vjenë. Ndoshta ai donte të bëhej njëri prej burrave që ishin nisur me Ismail Qemalin për të ndryshuar historinë.
Noli drejt Evropës
Them “ndoshta” sepse nuk ekziston ndonjë dokument që ta provojë drejtpërdrejt këtë. As Noli nuk e ka përmendur ndonjëherë, por në letrën për Kishën Ruse ai shkruante se udhëtimi i tij ishte i domosdoshëm, pasi në Evropë do të krijohej përshtypje e mirë nëse në listën e anëtarëve të Komitetit do të ishte emri i një kleriku ortodoks. Bashkangjitur letrës ishte edhe një shkresë, me të cilën Këshilli i Kishës së Shën Gjergjit e emëronte Nolin “delegat të kolonive shqiptare orthodokse të Amerikës, për të ndihmuar Komitetin Kombëtar të Shqipërisë, në përpjekjet për të siguruar pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë”.
Noli do të udhëtonte me Atë Naum Ceren dhe të dy kishin bërë fushatë nëpër kisha për të mbledhur fonde, por në minutën e fundit u vendos që At Cereja të mos shkonte, sepse komuniteti ortodoks u ishte lutur që të mos e linin kishën shqipe pa prift. U vendos që Cereja të nisej më vonë. Gazeta Zër’ i Popullit raportonte kështu: “Më 26 nëntor shkoi me vaporin Mauretania për të shetitur oborret evropiane si delegat i shqiptarëve t’Amerikës, miku ynë, i përndershmi Atë Fan Noli. Shqiptarët e Nju Jorkut e pritën dhe e përcollën bukur e i ndihmuan sa mundën si atdhetarë të vërtetë”.
Gazeta Dielli i uroi Nolit udhë të mbarë, por shkruante se nuk e dinte destinacionin e tij, pasi ai kishte ikur pa u marrë vesh me njeri në Boston. Duket se midis Nolit dhe Konicës kishte patur një hatërmbetje, që do të riparohej disa muaj më vonë.
Pavarësia dhe problemi i Princit
Më 28 nëntor 1912, kur Noli sapo ishte nisur për në Evropë dhe ishte ende në anijen Mauretania, Ismail Qemali, i cili nga Triestja e Austrisë kishte arritur në fillim në Durrës dhe pastaj në Vlorë, e shpalli Shqipërinë të pavarur dhe ngriti atje një qeveri të përkohshme të kryesuar prej tij. Noli arriti në portin e Liverpulit të Anglisë rreth datës 3 dhjetor dhe lajmëroi Kristo Floqin nga anija se do të nisej për në Austri, sipas planit. Mirëpo, pas zbritjes në Angli ai duhet të ketë mësuar nga gazetat se Shqipëria ishte shpallur e pavarur, prandaj udhëtimi për në Austri nuk kishte më kuptim. Noli vendosi të shkojë në Londër.
Lajmi i shpalljes së pavarësisë u prit me gëzim kudo në qarqet shqiptare. U mbajtën festime dhe konferenca, u dërguan telegrame urimi drejt Vlorës. Shumë shpejt nisi të diskutohej çështja se kush do të ishte sundimtari i ardhshëm i Shqipërisë. U hodh ideja që në fron të vihej Princ Fuadi nga dinastia e shqiptarit Muhamed Ali të Egjiptit. Më 1 dhjetor Konica mblodhi Komisionin e Vatrës, i cili ra dakord se zgjedhja e një princi mysliman do t’i sillte shumë dëm Shqipërisë. U vendos të dërgoheshin dy telegrame, njëri në Vlorë dhe tjetri në Egjipt, për të kundërshtuar këtë ide.
Në mesazhin dërguar Vlorës, Konica uronte qeverinë e përkohshme në emër të Vatrës. Telegrami vazhdonte kështu: “Vatra i lutet Kuvendit të mos pranojë një princ mysliman. Mos e bëni shtetin shqiptar si Khiva, Bukhara, Afganistani dhe Tunizia. Ideali ynë është një Shqipëri evropiane si Norvegjia, Danimarka, Holanda e Belgjika; prandaj këshillojmë me forcë zgjedhjen e një princi të denjë evropian nga një familje mbretërore, që do të sjellë në Shqipëri traditat dhe kulturën perëndimore. I nënshkruari u lutet sidomos anëtarëve myslimanë të Kuvendit që ta provojnë patriotizmin e tyre duke zgjedhur një princ të krishterë për Shqipërinë. Nëse veprojmë ndryshe, do të bënim një gabim të pakorrigjueshëm”.
Më 8 dhjetor, kryetarët e degëve të Vatrës u thirrën për një mbledhje të pazakontë në Naomi Hall të Bostonit, ku u vendos që të dërgohej në Evropë dhe në Shqipëri Sekretari i Përgjithshëm, Faik Konica. Qëllimi ishte “që të shtronte para Mbledhjes së Kombit dhe njerëzve politikë ca mendime për të zgjedhurit e një dere mbretërore për Fronin e Shqipërisë dhe për të themeluarit e Konstitucjes (Kushtetutës)”. Konicës iu dhanë 500 dollarë nga arka e Vatrës për udhëtimin (rreth 15,800 dollarë sot). Ai u nis nga Bostoni në mes të dhjetorit 1912. Pak ditë para se të nisej Faik beu, The Boston Herald botoi një shkrim, ku thuhej me germa të mëdha se Faik Konica, stërnip i Ali Pashë Tepelenës, aspironte të bëhej kreu i Shqipërisë. Shqiptarët, thuhej aty, besojnë se “vetëm ai, nominalisht mysliman, por i konsideruar indiferent nga pikëpamja fetare, mund të sjellë një koalicion të harmonishëm mes myslimanëve, grekëve (shqiptarëve ortodoksë) dhe katolikëve, që përbëjnë popullsinë e Shqipërisë”. Gazeta botonte një fotografi të madhe të Konicës, ku ai shfaqej serioz e i menduar, me flokët e ndara në mes dhe me sytë që vështronin larg. Vatra nuk e përgënjeshtroi artikullin. Vetëm dy javë më vonë, kur Faik beu ishte rrugës për në Evropë, gazeta botoi një shënim nga Athanas Bodi, ish sekretar i Kishës shqiptare, i cili thoshte se nuk ishte aspak e vërtetë që Konica të qe propozuar për mbret të Shqipërisë.
Noli në Londër
Menjëherë pas arritjes mbërritjes në Londër, Noli i dërgoi një telegram urimi Ismail Qemalit: “Ju përgëzoj për veprën tuaj patriotike. Rroftë Shqipëria! Rroftë kabineti i ri!” Shkoi pastaj të vizitojë gazetat e mëdha të Londrës. Në Evening News takoi gazetarin Charles Woods, autor i librit The Danger Zone of Europe (Zona e rrezikshme e Evropës), botim i vitit 1911. Në gazetën Times, njëri nga redaktorët e lajmeve të jashtme e mbajti Nolin rreth një orë duke e pyetur për Shqipërinë. Në gazetën tjetër të njohur, The Daily Graphic, punonte Lucien Wolf, i cili një muaj më parë kishte shkruar një artikull me titull Albania for the Albanians dhe që, sipas Nolit, ishte shqiptarofil.
“Vajta në të gjitha gazetat e këtushme dhe kudo s’dëgjova veç fjalë simpatie për shqiptarët,” i shkruante Noli gazetës Dielli në Boston. “Inglizi i zakonshëm, siç dëgjova me veshët e mi dje në Royal Societies Club, nuk e do fare serbin dhe simpatizon shqiptarin, por për fat të keq di fare pak gjëra për Shqipërinë”.
Lucien Wolf i kërkoi Nolit një shkrim, të cilin ky ia dorëzoi. Artikulli u botua më 12 dhjetor në gazetën The Daily Graphic nën titullin Dëshirat e shqiptarëve dhe pse. Noli shkruante:
“Kundërshtimet e Lidhjes Ballkanike ndaj një Shqipërie të pavarur mund të përmblidhen kështu: 1. Shqiptarët janë thjesht një grumbull fisesh gjysmë barbare. 2. Ata nuk kanë fare ndjenjë kombëtare. 3. Ata janë të paaftë të vetqeverisen. Me një fjalë, argumenti i tyre është se shqiptarët nuk janë më shumë se sa indianët gjysmë të qytetëruar të Evropës. E megjithatë, këta indianë të bardhë të Evropës, sipas shkencëtarëve të pavarur janë raca më e pastër në Ballkan, qoftë si fizik ashtu edhe si moral. Virchowi i shihte ata si një racë superiore, ndërsa H. N. Brailsfordi i ka quajtur supermenët e Niçes. Lord Bajroni pohonte se në Gadishullin Ballkanik, të vetmit që i përgjigjeshin saktë pyetjes së tij se cilës kombësie i përkisnin, ishin shqiptarët tanë. Të gjithë mendonin se i përkisnin njërit prej dy grupeve, të njohur prej tyre si të krishterë dhe myslimanë. Ajo që ne shqiptarët kërkojmë, shkruante Noli, është “thjesht të trajtohemi me drejtësi dhe të na jepet një shans për të treguar se ç’jemi të aftë të bëjmë. Ky shans u është dhënë racave të tjera të Ballkanit dhe nuk duhet të na mohohet as neve”.
Noli i dha një intervistë edhe kryeredaktorit Charles Diamond të gazetës The London Catholic Herald. Intervista u botua në numrin e 21 dhjetorit, kur në Londër bisedimet për fatin e Shqipërisë ishin në vemendjen e të gjithëve.
Diamond e përshkruan Nolin si një mesoburrë i shkurtër e me trup të lidhur, me fytyrë brune e me sy të zgjuar. Mjekra e tij me majë është e krehur mirë, në trup mban një pallto të shkurtër të modës, ndërsa në kokë një kapele mëndafshi; I ngjan më tepër një mjeku të suksesshëm qyteti se sa një prifti ortodoks, shkruante Diamond. Përshtypja e kryeredaktorit ishte se Noli “e fliste anglishten më mirë se sa shumica e anglezëve”. Noli tha në intervistë se çështja shqiptare ishte e një interesi të veçantë për katolikët, meqenëse në veri jetonte një popullatë katolike, ndërsa në jug një përzjerje ortodokse dhe myslimane. Megjithë besimet e ndryshme fetare, tha ai, “shqiptarët janë absolutisht të njëzëshëm në kërkesën e tyre për pavarësi kombëtare”. I pyetur nëse përfaqësuesit e qeverisë së Vlorës të dërguar në Londër do të kishin sukses, Noli u përgjigj se për këtë nuk kishte asnjë dyshim. Ai parashikonte se në Shqipëri do të vendosej një monarki nën një princ ndoshta katolik, sepse në këtë mënyrë shqiptarët do të mund të mbanin kontakt me qytetërimin perëndimor. “Dhe nëse Konfederata Ballkanike nuk bie dakord me kërkesat shqiptare?” – e pyeti Diamond. “Atëherë, do të shpërthejë një luftë e përgjithshme evropiane, sepse Austria nuk do të pranojë kurrë”, – u përgjigj Noli.
Një Shqipëri autonome?
Vërtet Ismail Qemali kishte shpallur pavarësinë në Vlorë, por fuqitë e mëdha ende nuk e kishin thënë fjalën e tyre. Çështja e madhe ishte nëse kjo pavarësi do të njohej ose jo prej tyre. Më 16 dhjetor 1912, në Pallatin e Shën Xhejmsit në Londër u hap Konferenca e Paqes, ku merrnin pjesë Turqia dhe shtetet që kishin pretendime në hartën e re të krijuar pas tërheqjes së saj nga territoret evropiane. Një ditë më vonë, më 17 dhjetor, ambasadorët e gjashtë Fuqive, Britanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Rusisë, Gjermanisë dhe Italisë, nënshkruese të Traktatit të Berlinit, u mblodhën në Ministrinë e Jashtme britanike Foreign Office për të zgjidhur problemet që kishin lindur, tani që një luftë evropiane ishte bërë kërcënimi më i madh. Takimet e diplomatëve do të mbaheshin në formën e bisedave informale, me pushime për çaj, në mënyrë që të kishin mundësi t’i shkëmbenin lirisht pikëpamjet. Ambasadorët u porositën që rreth bisedimeve të ruhej sekreti absolut.
Qysh ditën e hapjes, Sekretari i Jashtëm britanik Edward Grey i ftoi të gjithë të trajtonin çështjen e Shqipërisë dhe të daljes së Serbisë në Detin Adriatik. Austria dhe Italia propozonin që Shqipëria të ishte autonome. Grey u ul me ambasadorin francez Paul Cambon në prani të atij austriak, Albert Graf von Mensdorff dhe atij italian, Guglielmo Imperiali. Pas më shumë se tre orë bisedimesh, u ra dakord për formulën që Shqipërisë t’i jepej “autonomi e garantuar dhe e kontrolluar ekskluzivisht nga gjashtë Fuqitë, nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit”. Sipas përshkrimit të ambasadorit francez në Londër, Paul Cambon, “u hap një diskutim mjaft konfuz se si do të organizohej kjo autonomi” dhe u ftua ambasadori i Austrisë dhe i Italisë që të paraqisnin një projekt paraprak. U arrit në vendimin që “Shqipëria autonome të ishte asnjanëse”. Pastaj u kalua në çështjen e daljes së Serbisë në Adriatik, që u formulua kështu nga ambasadorët: “Serbisë do t’i rezervohet dalje komerciale në një port shqiptar të lirë dhe të neutralizuar, që do të lidhet me një hekurudhë ndërkombëtare nën kontrollin evropian dhe nën ruajtjen e një force speciale, me lirinë e transportimit të çdo lloj malli, duke përfshirë municionet e luftës”.
Konsensusi u arrit shpejt, sepse Fuqitë i kishin bërë përgatitjet qysh më parë. Vjena prej kohe kishte deklaruar se duhej krijuar një shtet shqiptar dhe në këtë vendim kishte mbështetjen e Gjermanisë e të Anglisë. Rusia pranoi, sepse nuk i dukej që kjo të ishte një çështje me ndonjë rëndësi të madhe, aq sa t’ia vlente të hynte në luftë. Edhe në çështjen e daljes së Serbisë në Adriatik, Rusia kishte bërë një lëshim: Serbisë nuk do t’i jepej territor në Adriatik, siç këmbëngulte ajo, por po i lejohej akses në një port të neutralizuar dhe me anë të një lidhjeje hekurudhore. Ky ishte një kompromis për të kënaqur ministrin britanik Grey, sepse Austria as që dëshironte që Serbia të kishte dalje në një port shqiptar. Vendimi i ditës së parë mund të quhej një fitore për Shqipërinë. Në thelb, ai ishte marrë nga Fuqitë për të shmangur konfliktin e afërt. Çështja tjetër, ajo e kufijve të Shqipërisë autonome, do të diskutohej më vonë.
Lobimi i Fan Nolit
Siç del nga disa letra të Nolit, pak para se të fillonte Konferenca ai trokiti me radhë në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Fuqive në Londër. Gjatë vizitave, tregon ai, “përgëzova përfaqësitë e shteteve mike dhe u bëra të ditur atyre të qeverive kundërshtare se një Shqipëri e lirë ishte nevojë absolute për paqen e Ballkanit”. Në Foreign Office u prit nga një zyrtar me emrin Norman. “Më priti e më përcolli me një fisnikëri dhe buzëqeshje, e cila më thoshte: Më ndje që s’mund t’ju them gjë prej gjëje saktë, por mos kij frikë. Jemi miq të Shqipërisë dhe do të përpiqemi ta çlirojmë,” shkruan Noli. Dhe vazhdon: “Iu luta guvernës inglize të mos lejojë mbytjen e një kombësie në këtë shekull qytetëror, po të ndihmojë për një Shqipëri të lirë, e cila do të jetë e vetmja shiguri për paqen e Ballkanit”.
Në Foreign Office Noli dorëzoi një Memorandum për Sekretarin e Jashtëm Edward Grey, me kërkesën që ajo t’i përcillej Konferencës së Ambasadorëve. “Kemi mësuar, – thuhej në Memorandum, – se në pjesë të ndryshme të Shqipërisë, të pushtuara nga ushtritë greke dhe serbe, është ushtruar trysni mbi shqiptarët ortodoksë, që ata të nënshkruajnë deklarata “entuziaste”, ku detyrohen të mohojnë kombësinë dhe të përshëndesin copëtimin e vendit të tyre. Të gjithë ata që i njohin ndjenjat e popullit shqiptar nga njëra anë dhe metodat serbe e greke nga ana tjetër, e marrin me mend lehtë kuptimin dhe vlerën e vërtetë të deklaratave të tilla”. Noli thotë se e ka fjalën për “disa banorë ortodoksë të Korçës”, që u kishin shkruar ministrave të jashtëm të Fuqive se, “si grekë shqipfolës” kërkonin pushtimin e përhershëm të qytetit të tyre nga Greqia.
Noli argumenton në Memorandum se një deklaratë e tillë nuk mund të ishte e vërtetë, sepse Korça është qyteti ku u hap shkolla e parë shqipe dhe shtypshkronja e parë kombëtare shqiptare, se disa nga udhëheqësit më të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare janë nga Korça, se në Korçë u mbajt mitingu me pjesëmarrjen e 20 mijë vetave, për të kundërshtuar alfabetin me germa arabe. Ai argumenton gjithashtu se përpjekja e parë serioze për të themeluar një Kishë Orthodokse Shqptare, në ndryshim nga Kisha thjesht politike e Patrikanës, nisi në Korçë nga Lidhja Ortodokse Shqiptare.
Ai përmend se gazetat kombëtare dhe shoqëritë shqiptare në Amerikë mbahen kryesisht me kontributet e emigrantëve nga Korça dhe rrethet. Vetëm ky fakt, manifestim i patriotizmit shqiptar në një vend të lirë, shkruan Noli, ia vlen të krahasohet me deklarimet e rreme dhe të detyruara të disa njerëzve, që janë gati të nënshkruajnë çdo gjë nën kërcënimin e bojonetave vrastare.
Në Memorandum, Noli hedh poshtë atë që ai e quan “shpifje greke dhe serbe”, sipas të cilës shqiptarët ortodoksë janë armiqësorë ndaj bashkëvendasve të tyre myslimanë. “Në Shtetet e Bashkuara, ku shqiptarët ortodoksë janë shumicë dërrmuese dhe ata myslimanë një pakicë e papërfillshme, – shkruan ai, – udhëheqësi i tyre, i zgjedhur me votim të lirë, është mysliman (e ka fjalën për Faik Konicën)… Në Shqipëri, çdo mysliman ka ndërgjegjen e të qenët pasardhës i të parëve të krishterë. Për nga shpirti, zakonet dhe traditat, myslimani shqiptar është më i krishterë se ai serb apo grek. Ai nuk ka qenë kurrë fanatik, përveçse në imagjinatën e të huajve jodashamirës ose të keqinformuar”.
Noli dhe Konica qëndruan në Londër deri nga fundi i shkurtit, sepse Vatra u kërkoi të shkonin në Trieste, ku do të mbahej një Kongres që do të mblidhte personalitete të njohura shqiptare për të afirmuar pavarësinë e Shqipërisë.
Fotot:
Letra e Nolit ku konformon synimin për të shkuar në Vjenë. Botuar në gazetën Zër’ i Popullit të Kristo Floqit më 3 dhjetor 1912.
Foto e rrallë e Faik Konicës para nisjes për në Evropë në dhjetor 1912. Botuar në gazetën Boston Globe të datës 12 dhjetor 1912.(Botohet për herë të parë).
Origjinali i shkrimit të Nolit në gazetën e Londrës Daily Graphic, datë 12 dhjetor 1912.