Kristaq Balli: Gjon Mili, artisti shqiptar nga Korça me përmasa botërore
Kristaq Balli
Me rastin e 120-vjetorit të lindjes
Gurë Kilometrikë në Jetën dhe Veprimtarinë Artistike
Më 28 Nëntor mbushen 120 vjet nga lindja e Gjon Milit, artistit shqiptaro–amerikan me famë botërore.
Historia e jetës, veprimtarisë dhe karrierës së tij ekstravagante, sensacionale dhe inkandeshente, si drita fotografike strobe që ai përdori, nis rëndom si ajo e shumë emigrantëve të tjerë korçarë, që u ndanë me atdheun e tyre nativ qysh shumë të rinj për për t’u arsimuar e edukuar dhe, më pas, për t’iu nënështruar dhe dedikuar tërësisht punës agresive, por edhe pasioneve, entusiazmit, fantazisë, talentit e ëndrrave të tyre humane.
I lindur dhe pas një fëmijërie të hershne në Korçë, familja e madhe Mili emigroi së pari në Rumani, ku kishte një komunitet shqiptarësh, kryesisht nga Korça. Adoleshencën e rininë e parë e jetoi në Bukuresht, ku edhe u shkollua me arsim të mesëm në Kolegjin Kombëtar “Gheorghe Lazar” të kryeqytetit rumun. Kur ishte 19 vjeç, më 1923 ai shkoi në Boston të ShBA. Menjëherë, aty nis e vijon studimet universitare në degën e inxhinierisë elektrike në një prej universiteteve më të zëshëm në botë, Institutin Teknologjik të Massachusets, (MIT). Gjatë jetës studentore ai ka eksperimentuar sprovat e tij të para të pasionit dhe prirjeve në fushën e fotografisë. Njëheresh, ushtroi edhe talentin e tij në letërsi, me ç’rast, në mes të krijimeve të tjera, ai në 1928-29 boton edhe disa proza të shkurtra letrare (“Larg”, “Endërr” dhe “Nëna” në gazetën “Dielli” dhe në revistën letrare “Studenti shqiptar” të Odise Paskalit në Torino). Ai luan, gjithashtu, në oboe, madje në vonë do të praktikohej edhe në piano, duke shprehur, pra edhe prirje muzikore që do ta ndihmojnë atë në krijimtarinë e tij artistike. Bahun e kishte kompozitorin e tij favorit dhe e dëgjonte dendur. Me to është e lidhur njohja dhe miqësia me Faik Konicën apo aktivizimi si redaktor në gazetën “Dielli” dhe në Shoqërinë Panshqiptare “Vatra”, të cilat kanë ushtruar një nxitje vendimtare për jetën mëmëdhetare, intelektuale e artistike të Gjon Milit. Për këtë vetë Mili shkruan: “…zura miqësi me Faik Konicën, një mik i vjetër shqiptar. Një shkrimtar elegant, një humanist i kulturuar dhe një intelektual i mprehtë, Konica, nxiti interesin tim për artet, veçanërisht për kinematografinë”. (Gj. Mili-Photographs & Recollections- Boston, 1980- faqe 18). Profesionin e inxhinierit e ushtron fillimisht për 10 vjet rresht në kompaninë elektrike “Westinghouse” deri në vitin 1937, ku ai është marrë kryesisht me punë dhe aktivitete të natyrës shkencore në dobi të zbulimit dhe përmirësimit të teknologjive dhe paisjeve shkencore të ndriçimit dhe optikës.
Mandej do të shkëputet prej saj, për t’iu kushtuar përfundimisht kamerës së errët, me të cilën do të lidhej me valenca të pashkëputura gjithë jetën. Edhe për filmin ka patur synime profesionale, madje ai fantazonte se një ditë do të shkonte në Hollivood, të cilin e arriti artistikisht shpejt, më 1942.
Më 1934 ai hapi ekspozitën e tij të parë jo formale fotografike.
Ndërkaq, më 1937, ai njihet gjatë një simpozium shkencor, në universitetin ku kishte studiuar, me profesorin dhe shkencëtarin Harold Edgerton (1908-1988), i cili konsiderohet si shpikësi i fleshit elektronik (drita stroboskopike, blici, 1931), që krijonte mundësi të reja moderne fotografimi dhe që u bë për Milin katalizatori i fotografisë futuriste dhe gjenialitetit të tij profesional në këtë art pamor. Pas një sërë eksperimentimesh fotografike me dritën elektronike e bashkëpunimesh me Edgerton, i cili ia fali shpikjen e vet artistit për ta rigjeneruar atë artistikisht, po në këtë vit fillon punën e tij si fotoreporter në revistën e re “Life” të New Yorkut, asokohe e për shumë vjet radhazi e mirënjohur,
e cila do të ishte për Gjon Milin afirmuesja e krijimtarisë fotografike tepër inovative, të sukseshme e të admirueshme nga një opinion i gjerë artistik e shkencor botëror. “Në këto vite revista dhe fotografi filluan rrugën e tyre të lavdisë…Kjo përzierje e algjebrës me harmoninë do ta bënin Milin një nga fotografët më të njohur në Amerikë”(Andrea Visokov). Edgerton thotë për Milin: “Ai njohu forcën e dritës strobe dhe për vite na udhëhoqi në këtë fushë në një rrugë me të vërtetë imagjinare”. Foto të tilla si ajo e daljes së një predhe nga gryka e topit, me shpejtësi shkrepjeje të fraksioneve një të miliontën e sekondës (1942, e cila u quajt shpikja e shekullit), ajo e baletit “Lindy Hop”(1943), qindra foto stroboskopike në faqet dhe kopertinat e revistës “Life” e të revistave të tjera, ku ai pati kontrata të shpeshta, të personaliteteve të shquar artistikë, kulturorë, shkrimtarë, piktorë, balerinë, sportistë, shkencëtarë, supermodele, aktorë, muzikantë, politikanë, nudo, fotomontazhe, etj., shfaqen nëpërmjet një filtri abstragues, krijues e estetik të një niveli shumë të lartë.
Ekspozitën e parë vetiake “Dance in Movement” (Vallzim në Lëvizje) e ka hapur në Muzeun e Artit Modern-MoMa në fillim të vitit 1942.
Në Janar 1943 në galerinë fotografike të Muzeut të Brooklin u çel ekspozita e përbashkët me Harold Edgertonin “Stroboscopic Photography” (Fotografia Stroboskopike). Të kësaj kohe (1943) janë edhe veprimtaritë e famshme të të ashtuquajturave “Jam Sessions”, të iniciuara nga vetë Gjon Mili dhe Norman Granz, sipërmarrësi dhe prodhuesi më i madh i disqeve në ShBA, párti, apo mitingje, mbrëmje të gjata artistike me dashamirës e profesionistë të artit e kulturës ku improvizohej e interpretohej krijimtaria e re letrare, vizive e muzikore e ku rriheshin debate estetike e kulturore. Nga këto mbrëmje Gjon Mili njihet si autor filmimesh dhe një sërë botimesh e regjistrimesh interpretative muzikore në disqe, filma (sot edhe në CD). Veçmas studioja e tij u quajt edhe “Athina e Nju Jorkut” (Henri Cartier Breson).
Ekspozitën e parë jashtë amerike të Gjon Milit në vitit 1946 në Paris e inauguroi me entusiazëm filozofi e shkrimtari i madh Zhan Pol Sartri. Midis të tjerash ai ka shprehur këtë konsideratë: “Për atë ka një pafundësi mënyrash të fotografuari, siç është pafundësia e gjërave që na rrethojnë”.
Por pasioni për filmin nuk i ishte venitur. Midis filmimeve të ndryshme, ai shpërthen nëpërmjet një filmi të bujshëm muzikor, më 1944, të gjatë vetëm 10 minuta, por i një niveli artistik mjeshtëror, që e bëri të famshëm në të gjithë Amerikën e sidomos në botën e muzikës xhaz e bluz. Filmi duket sikur përbëhet prej një shumatore qindra sekuencash e tablosh fotografike sipas stilit origjinal të Gjon Milit. Filmi nën emrin “Jammin’ the Blues”, me muzikantët e shquar të top jazz Lester Young, George Red Callendar, Harry Edison, Marlowe Morris, etjera është nominuar për çmimin Oscar më 1945. Ai vijon të shfaqet edhe sot. Për hir të këtij suksesi pianisti Mary Lou Williams kompozoi në respekt të realizuesit të tij një pjesë jazz me titullin “Gjon Mili Jam Session”. Gjon Milit i atribuohet edhe një film tjetër dokumentar prej afro 3 minutash të titulluar “Henri Cartier-Bresson”, ku ky fotograf i shquar francez është duke kërkuar çastin vendimtar të fotografimit. Ndërkaq, pas disa vitesh gjenden materiale bruto regjistrimi të një filmi të ri muzikor ala “Jam Sessions”, por ai ka dështuar për arsye financiare. Ka xhiruar me skenar të tijin edhe filma të tjerë dokumentarë, si “Improvisation”, apo disa sprova të tjera kushtuar veprës së Pablo Casals-it, Shon O’Kejs-it, Henri Breson-it etj.
Viti 1949 kur ai u takua me piktorin e famshëm Pablo Pikaso në Francë e kur ai realizoi ciklin me foto “Vizatimet me Dritë”, ku piktori pozonte duke vizatuar me bilë elektrike në ajër, ishte nga më të veçantit e më të bujshmit e jetës dhe krijimtarisë së së tij. Ky cikël fotosh përbënte një vepër të dyfishtë surprizuese të Pablo Pikasos dhe Gjon Milit. Pablo Pikaso, kur pa fotografitë që ai i kish bërë, u shpreh: “Edhe me teknikë krijohen vepra artistike”. Me Pikason e vizatimet e tij në epiqendër, por edhe me shumë piktura të tij, ai realizoi shumë fotografi, aq sa nga kujtimet dhe mbresat e tij miqësore, artistike e estetike me piktorin e madh, më 1970, Mili botoi librin katalog “Picasso’s Third Dimension” (Dimensioni i Tretë i Pikasos).
Nga fundi i viteve ’40 ai rralloi fotot me teknikën stroboskopike: “pas një dekade unë u vela me dritën strobe sepse kisha bërë pothuajse gjithçka dhe nuk doja të përsëristja veten”. Por jo përfundimisht. Herë pas here ai kujtohej, ngarkonte bateritë, kondensatorët, ndriçuesit e paisjet e tjera strobe dhe këtë e bëri deri në fund të jetës. Për disa kohë, përkohësisht, ai punoi si ndihmës i fotografit shumë të famshëm Edward Weston, por pa u shkëputur asnjëherë nga revista “Life”. Në disa foto të këtyre viteve firmën e mjeshtrit e gjejmë me vulën “Mili Studio”.
Në vitet 1950, Gjon Mili ishte në kulmin e popullaritetit.
Në Janar vitin 1950, bashkë me fotografin e njohur Robert Kapa kanë hapur ekspozitë në Muzeun e Artit Modern MoMA me foto kushtuar Pikasos. Kjo ekspozitë me 70 foto është çelur edhe në Paris në Galerinë Salon De Mai në vitin 1952. (Life.com).
Më 1955 Mili mori pjesë në ekspozitën më të madhe kolektive botërore të fotografëve të shekullit të kaluar në ShBA dhe vende të tjera me emrin “Familja e Njeriut” me 5 foto, midis të cilave “Nudo, duke zbritur shkallët”.
Më 1959 në një sondazh të revistës amerikane “Popular Photography” ai konsiderohet si një nga 10 fotografët më të mirë bashkëkohorë të botës. Ja si e shpjegon ai angazhimin e vet:
“Brezi im ardhi në një kohë kur fotografia po avanconte me kërcime e bume, duke krijuar nxitje për të eksperimentuar dhe tentuar shtigje të reja”.
“The Magic of the Opera” (1960) është libri i parë fotografik kushtuar historisë së Operas Metropolitane të Nju Jorkut me fotografi të vyera operistike nga Gjon Mili dhe të ilustruara me tekst nga Mary Ellis Peltz (bashkautore), drejtore e arkivës të operas metropolitane.
Tepër tragjik shfaqet viti 1966, kur fotografit i digjet studioja e tij në Manhatan, një nga më të mëdhatë e më të përshtatshmet në botë dhe bashkë me të foto, shumë materiale fotografike, shkrime dhe korrespondenca e tij, që do t’i krijonin një kosto e humbje të dhimbshme materiale e shpirtërore për gjithë krijimtarinë dhe jetën e tij.
Në vitin 1970 ai boton katalogun me foto e tekst “Picasso’s Third Dimension” kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Pikasos.
Ekspozita fotografike bienale në Musée Des Arts Décorativs, Arle të Francës në verën e vitit 1971 iu kushtua krijimtarisë së Gjon Milit.
Në vitin 1971 është i vetmi fotograf i autorizuar ndërkombëtarisht për pasqyrimin fotografik të procesit të fotografimit gjatë gjykimit të një prej krerëve SS të shfarosjes së ebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Adolf Eichman.
Viti 1973 cilësohet si i veçantë për arsye se ai merr pjesë si fotoreporter i revistës “Life” në gjyqin e Skandalit të Uotergeit-it, ku ai realizon dhjetra foto psikologjike dhe një foto kryevepër që përdoret si emblemë e pasqyrimit të kësaj ngjarjeje.
Nga vitet 1970 deri thuajse në fund të jetës Gjon Mili e nënçmoi interesin e opinionit rreth tij, revistat filluan ta harronin. Më 1980, me rastin e 75-vjetorit të lindjes, në Nju Jork u çel ekspozita retrospektive me 140 punime të tij dhe Shoqata e Grafistëve të Nju Jorkut botoi librin autobiografik të pregatitur nga vetë ai: “Gjon Mili Photographs & Recollection”, libri më përfaqësues, ku përfshihet një pjesë e krijimtarisë dhe kujtimet e refleksionet estetike të piktorit për fotografinë dhe artet e tjera.
Gjatë fundit të viteve të tij të krijimtarisë ai dha leksione e ligjërata mbi fotografinë nën prizmin e veprës dhe përvojës së tij në disa universitete e kolegje artistike amerkane.
Ai nuk krijoi ndonjë lidhje të qëndrueshme familjare dhe nuk la pasardhës.
Vdekja e fotografit më 1984 (disa vjet më parë ai kishte pësuar një aksident automobilistik në Manhattan dhe shëndeti e personaliteti i tij ishin dëmtuar shumë), megjithatë, nuk e zgjoi opinionin artistik. Ndërroi jetë për shkak të një pneumonie në Stamford Connecticut të ShBA. Në varrimin e tij kishte shumë pak shqiptarë. Një valë e re interesi për fotografinë dhe njëheresh për Gjon Milin u vu re vetëm në fund të shek XX dhe fillim të shek. XXI
Më 1994, në librin e fotografes Susan Kismariç “American Politicans” (foto 1843-1993), New York, janë botuar edhe dy fotografi me temë politike të Milit.
Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju – Jorkut u paraqiten punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmë të fotografisë dhe filmit. Interesi për këtë ekspozitë retrospektive ishte i tillë, saqë nga kritikët dhe vizitorët u quajt “ngjarja e vitit në fushën e fotografisë”. (Q. Vrioni: Gjon Mili – fotografi më i shquar shqiptaro-amerikan i shekullit.)
Qysh prej vitit 1998 Instituti Teknologjik i Massachusets organizon çdo vit konkursin fotografik “Mili & Edgerton” për fotografë të rinj në homazh të një profesori dhe një studenti të shquar të tij. Në Kosovë, prej 2001, çdo vit gjatë një ekspozitë ndërkombëtare jepet çmimi Gjon Mili dhe një shkollë mban emrin e tij.
Në vitin 2000 fotografia e tij e Pikasos duke vizatuar me dritë ze vënd në botimin e 500 fotografëve më të mirë të 59 vendeve të botës në të gjitha kohrat – albumin “The Photo Book” të shtëpisë botuese angleze “Phaidom”.
Fotoja nga një ndeshje basketbolli ndërmjet universiteteve amerikane, bërë në vitin 1951, është zgjedhur ndër 100 fotot sportive më të mira të shekullit XX. Më 2006 në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë është çelur ekspozita me foto të Gj. Milit nga fotografi i njohur shqiptar Roland Tasho.
Gjon Mili konsiderohet si fotografi i dritës dhe errësirës në kundradritë, me gjithë nuancat e errëta dhe me hollësitë e dritës mbi profilet e muzikantëve të shquar zezakë.
Kështu, figurën brilante humane dhe intelektuale të Gjon Milit mund ta përcaktojmë në mënyrë sintetike si një inxhinier e shkencëtar novator; një fotograf dhe fotogazetar të shquar klasik e modern, që bëri zbulime e përparime të jashtzakonshme në fotografinë mediatike dhe atë artistike e komerciale në shumë gjini si foto në lëvizje, foto stroboskopike, vizatime me dritë, fotot me dy ose disa shkrepje, fotot me mbivendosje, portrete ku shfaqet si një portretist botëror, fotot moderniste pa formë, foto shkencore, fotografi politike, peizazhe, monumente historike dhe arkitekturore antike e moderne, fotografi nudo, etj.; një kineast ledhatar e të përkorë të muzikës xhaz, një letrar të sprovuar në disa libra-katalogë madhore memuaristikë, prozë, tregime, reportazhe ese, kujtime, gazetari, etj., një veprimtar mëmëdhetar e nostalgjik i atdheut të tij të lindjes, Shqipërisë.
Krijimtaria e botuar e Gjon Milit gjendet kryesisht në revistën LIFE ku ai punoi gjithë jetën, por edhe në ekspozita të shumta vetiake e të përbashkëta, retrospetive para e pas vdekjes së tij, të cilat vijojnë edhe sot në të gjithë botën.
Kështu, vetëm gjatë ‘Erës së Artë’ të revistës LIFE (1936-1972) Gjon Mili ka botuar aty në mënyrë të pandërprerë në 355 numëra të saj e thuajse në të gjitha rubrikat. Në shumë prej revistave ai ka botuar njëheresh edhe në dy apo tre rubrika, që do të thotë se sipas përllogaritjeve tona deri në vitin 1972 ai ka botuar mbi 3. 500 foto, përveç botimeve në libra, katalogë, organe e revista të tjera, si dhe të një numëri edhe më të madh në LIFE.com.
Po aq i shpeshtë është edhe prezantimi i tij në ekspozita vetiake, apo të përbashkëta të nivelit amerikan e botëror në dhjetra vende të globit. Sipas kërkimeve e gjetjeve tona janë mbi 100 ekspozita të tilla, ku paraqiten veprat e tij surprizuese fotografike.
Në koleksionin e revistës LIFE Gjon Mili është autor i fotoballinave të saj në 26 numra.
Gjon Mili ishte një njeri i vetmuar, ai jetonte në botën e tij ekzotike të artit. Pelegrin, bohem i kësaj jete tokësore që ai e shijoi me pasionin e talentit dhe gjenisë së tij, për të shkrepëtirë dhe për t’u fashitur si imazhi stroboskopik i dritës së tij artistike.
Gjon Milin mund ta konsiderojmë si një njeri-gjenerator që zbuloi e krijoi në fotografi raporte e marrëdhënie të panjohura, të reja midis kohës, lëvizjes, hapësirës. Disa herë është thënë se ai i ka ndaluar ato, i ka deformuar, i ka shpërthyer ato, ka luajtur me to edhe në mënyrë absurde ka kërkuar një dimension tjetër midis tyre. Nga kombinimi i konceptit fizik e imagjinativ në subkoshiencën e tij, u zhvilluan teknika e teknologji të reja, që ndikuan tek fotografët e ardhshëm, por edhe në përparimin e cilësisë së aparateve fotografikë, të lehtësimit të ndriçimit në përgjithësi dhe atij stroboskopik, në veçanti, të ndjeshmërisë së filmave negativë e diapozitivë që do të lehtësonin e inkurajonin hapësirat e fotografisë stroboskopike moderniste.
Po aq i shpeshtë është edhe prezantimi i tij në ekspozita vetiake, apo të përbashkëta të nivelit amerikan e botëror në dhjetra vende të globit. Sipas kërkimeve e gjetjeve tona janë mbi 100 ekspozita të tilla, numri i të cilave shtohet edhe sot e ku paraqiten veprat e tij surprizuese fotografike
Por, streha e përjetshme e Gjon Milit dhe veprës së tij është bërë sot e përgjithmonë Muzeu “Gjon Mili” në Korçë, vendlindja shqiptare e tij, ku pasqyrohet deviza e lëvizjes, e ndryshimit e jetës, që atij ia gjetën mbi tavolinën e punës dhe që citonte pak a shumë sipas Heralkitit mendimin se: “Gjithësia ekziston dhe nuk ekziston, ajo është e rrëshqitshme është në ndryshim të pandërprerë dhe largohet gjithmonë në mënyrë të njëtrajtshme”.
Trashëgimia e tij artistike vazhdon të frymëzojë fotografët dhe artistët në të gjithë botën.